Home / Të ndryshme / Lamtumirë, o famëmadhja, UÇK!

Lamtumirë, o famëmadhja, UÇK!

Fotografia e Avdi Ibrahimi
Avdi Ibrahimi

 

Fragment nga romani: “Vrasje në tri kohë” të autorit Avdi Ibrahimi

“Rrezanë,
Më 18 shtator 1999

Po përmbyllen këto shënime, që një zot e di kur do të lexohen dhe nga kush do të lexohen. Nuk e di kur e takoj Akordin. Nuk e di kur e takoj Eneidën. Po të tjerët ku janë. Dikush është bërë i përjetshëm. Dikush vrapon pas gjërave të ditës. Nuk e di deri kur ky vrap kështu. Di një të vërtetë, që na ka mësuar edhe historia jonë, edhe historia e popujve të tjerë, që kanë bërë luftëra çlirimtare. Një kohë pas luftës, çdo gjë marrin në duar zhvatësit dhe matrapazët. Ndoshta po ndodh kështu edhe me ne. Ruana Zot! Por, nuk mund të mos sjell edhe ato pak shënime që ka lënë Eneida, edhe për ditët që kishin ndodhur, jo vetëm në jetën e saj, por edhe të Kosovës.
Në fletët e fundit që kishte nëpër duar Akordi, shkruante se ajo kishte mbajtur shënime edhe pas mbarimit të luftës çlirimtare. Eneida Gurapeshi, shënime. Këto fletë t’i dorëzohen Akordit për t’i redaktuar. Aty shkruante.
Në këto javët e fundit, mjetet e informimit ishin plotë me shkrime për çarmatosjen e UÇK-së. “UÇK-ja i ka dorëzuar armët në depo tri ditë para afatit të paraparë. Ndërsa në mesnatën e të dielës, më 19 shtator, kërkohet që pjesëtarët e UÇK-së t’i heqin uniformat ushtarake dhe kjo do të nënkuptonte përfundimin e demilitarizimit”. Kështu kishte theksuar komandanti i KFOR-it, gjenerali Jackson.”
E di se kjo nuk është punë e lehtë për UÇK-në. Ata kanë luftuar…”. Porse sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në situatën e tanishme politike në Kosovë, nuk mund të ketë tjetër force përveç KFOR-it. Njëkohësisht në Kosovë fillon krijimi i forcave të paqes, Korpusi i Kosovës, (ose Trupat e Kosovës). Këto trupa a forca do t’i kenë 3000 pjesëtarë të përhershëm dhe rreth 2000 në rezervë, që do të kryejnë detyra të ndërhyrjeve të shpjeta, pastaj do të bëjnë punë në rindërtimin e vendit.
Përderisa në Prishtinë i kisha lexuar këto radhë në njërën prej gazetave të shumta, afër orës 15,30 minuta, bashkë më togën e Brigadës “Lidhja Shqiptare”, të Zonës Operative të Pashtrikut, kishim marshuar, në parakalimin e fundit të UÇK-së, të cilin e kishte organizuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Marshimi kishte filluar nga Qendra e Studentëve, vazhdonte pastaj nëpër rrugën “Ramiz Sadiku”, prapa Bibliotekës Kombëtare dhe prapa Teatrit Kombëtar, kishte shkuar tutje nëpër sheshin “Nënë Tereza” dhe kishte arritur në Stadiumin e Prishtinës. Gjatë gjithë rrugës na kishin përshëndetur prishtinasit e shumtë që kishin dalë në rrugë, në dritare ndërtesash, në ballkone shtëpish e banesash, kudo pra, si dhe qytetarë nga të gjitha viset e banuara me shqiptarë, pra nuk ishte vetëm Kosova, ishin të gjithë. Brohoritjet UÇK, UÇK, pastaj Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më tutje rroftë çlirimtarja jonë, rroftë Kombi Shqiptar, dëgjoheshin kudo dhe më bëhej sikur m’i shponin veshët. Në Stadiumin e Prishtinës kishin hyrë duke parakaluar, Efektivi i Shtabit të Përgjithshëm, Garda Kombëtare, Formacionet e Zonave Operative të Drenicës, të Dukagjinit, të Llapit, të Pashtrikut, të Shalës, të Nerodimes dhe të Karadakut. Një grup ushtarësh kishin kënduar Himnin e Flamurit, dhe, sa mbaj mend, ishte shfaqur program i pasur artistik. Kishte folur Kryeministri i Qeverisë së Përkohshme, i cili sa më kujtohet as që e kishte përmendur çarmatosjen e UÇK-së, e cila, siç na kishin thënë edhe vetë ata me dhjetëra herë, kishte qenë ngjarja më e shenjtë në historinë re të shqiptarëve, e veçmas të Kosovës, me Komandantët që ishin bërë shenjë e kujtesë sonë kombëtare dhe historike, Adem Jasharin, Zahirin, Luanin, Shkëlzenin…Kjo luftë e kësaj ushtrie kishte shënuar fundshekullin e jetës shqiptare. Diçka ma nguliste gjoksin. Pastaj, dikush ndoshta kishte folur pas shpinës sime. Ndoshta më kishin bërë veshët. Ku ta di, ndoshta kisha folur me veten. E si të thoshte ndonjë fjalë për çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur ai vetë e kishte nënshkruar dokumentin për çarmatosje, më 21 qershor 1999, së bashkë me komandantin e KFOR-it, Mike Jackson. (…).
(…). Kosova ishte bërë tema kryesore për faktorin politik shqiptar. Por, ishte bërë edhe preokupim i faktorit politiko dhe ushtarak të bashkësisë ndërkombëtare. E dihej, në këtë bashkësi ndërkombëtare, kishte çarje. Edhe njerëz të ditur, ndoshta më shumë se kurrë më parë, ishin marrë me Kosovën dhe luftën e ushtrisë së saj çlirimtare. Ndër ta edhe nobelisti mustaqethinjur nga Kolumbia, Gabriel Garcia Marquez, i lindur më 1927, me vendbanim në Santafe afër Bogotës, autor edhe i romanit të mirënjohur “Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj”, kishte bërë një shkrim me titull ”Miqtë e mi në NATO”, dhe ju kishte drejtuar z. Solana dhe z. Klark, sigurisht shumë i shqetësuar se ndoshta nga lufta në Kosovës, do të mund të ndizej lufta e tretë botërore. Në një vend ai kishte shkruar. “Sot është e qartë: Kosova nuk është një vend çfarëdo i botës, por njëra ndër zonat më të ndjeshme të saj, dhe agresioni, viktimë e të cilit ka rënë Kosova, mbase do të zgjerohet paparashikueshëm dhe tmerrshëm…
Në CNN udhëheqja e Beogradit mund të flasë sipas dëshirës dhe të ankohet. Rrenat serbe më si beson askush. Kush dëshiron të dijë mbi plaçkitjet, djegiet, masakrat dhe krimet e soldateskës serbe, nuk duhet ta shikoj CNN, por duhet të shkojnë e të shohin barbarinë serbe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Kosovë…
Poeti gjerman nga Mynihu, Hans Magnus Enzensberger, i lindur më 1929, në një artikull kishte shprehur mendimin e tij. “(…), viktimat nuk pyeten fare. Ata askush nuk i konsideron kompetentë. E vendi për të cilin luftuan është i tyre. Ata e njohin Shqipërinë Etnike më mire se çdo ushtarak në Bruksel dhe Washington, ata janë mësuar me terrenin e atjeshëm, janë shkëlqyeshëm të motivuar dhe shumë më të vendosur t’i luftojnë shkelësit e tyre se sa një ushtar nga Minnesota, Shefieldi apo Mainz-i. Përse perëndimi nuk i armatos ata (shqiptarët) ? (…)”.
Dhe, orë e çast më dilnin parasysh skuadrat e ushtarëve që marshonin rrugëve të Prishtinës. Kush do të kujdeset nesër, apo pasnesër për Kosovën, më kishte trupuar trurin pamëshirshëm një mendim, që kishte ardhur dhe ishte ngulur si pykë? Kisha parë lotë, Zot i madh sa shumë lotë kisha parë në sytë e ushtarëve.
E diçka e tillë nuk kishte ndodhur në asnjë vend të botës. Çdo gjë mund të ishin, por vetëm interesa kombëtare nuk mund të ishin këto që po ndodhnin.
UÇK-ja, ishte e vetmja forcë që luftonte pushtuesin serb dhe më luftën e saj titanike ishte bërë e njohur në gjithë botën. Tashti kjo forcë ushtarake ishte shndërruar në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. E çka pastaj, më pyeste dikush brenda meje. Hë, më thuaj, çka pastaj. Ku ta di, sekush përgjigje, ku ta di se si do të rrjedhin ngjarjet. Unë nuk e bëj historinë, pse më bën pyetje të këtilla. Nuk e di me kë isha hidhëruar, ndoshta jo vetëm me veten time, që nuk arrija t’i kuptoja plotë gjëra, por ndoshta isha hidhëruar me tërë botën.
Nuk e di na kishte ardhur, por dikush më kishte pyetur: e çka ndodhi me Mitrovicën. Kisha kthyer kokën, por aty në dhomë nuk ishte askush. As TV, nuk e kisha lëshuar. Kush më kishte pyetur, kështu i thosha vetes. Asnjë përgjigje. Pastaj, pasi kisha bredhur hopa-trupa nëpër dhomë, pasi isha kalamendur si i dehur, kisha ngritur në copë gazete, nuk e di e cilës datë ishte, as nuk e di cila gazetë ishte. Diku, në një pjesë që ende nuk e kisha grisur shkruante. (…), shqiptarët ishin tubuar spontanisht, ishin përpjekur të kalonin urën e Ibrit, pastaj kishte ndodhur një përleshje përmasash të mëdha. Shqiptarët kishin dalë matanë urës së Ibrit, e kishin vënë flamuri shqiptar, i cli kishte valuar edhe në atë pjesë të Mitrovicës, deri aty afër orës 23, 00, kur të gjithë këta duke zbatuar urdhrin e UÇK-së ishin tërhequr. (…).
Kush dreqin janë këta që shkruajnë kështu, më kishte ardhur në majë të gjuhës një sharje. Jo, mos u dëshpëro, më thoshte dikush brenda meje. Kjo është lufta e të kundërtave! Çlirimtarët e djeshëm, shndërrohen në paqeruajtës! Heu, do të thotë, dikush m’i kishte përzier radhët e mendimeve, apo unë nuk isha në tokë të bukës.
Sërish më ishte kujtuar shkrimtari i madh, Markesi dhe, romani i tij, dua të them, Koloneli i tij, të cilit nuk kishte kush t’i shkruante. Më ishte kujtuar Markesi që kishte thenë se “lufta e Kosovës do të ndezë luftën e tretë botërore…”. Pastaj, se nga kishte hyrë gruaja e Kolonelit të tij, e cila ia kishte sjellë diellin mbi kokë, me atë vazin e saj, tek i thoshte me nervozizëm: “Thajmë zorrën që luftuam, e shumë sakrifikuam, që të mbushin barkun spiunët…E ne ç’do të hamë…” E kishte pyetur gruaja Kolonelin, apo më kishte pyetur mua. Një zot e di.
(…). Ata që kishin luftuar për lirinë e vendit, që ishin djegur, që ishin vrarë, që ishin plagosur, që kishin sakrifikuar çdo gjë të jetës së tyre, nuk i kishin bërë të gjitha këto për karriget, në të cilat të uleshin m…, e Kolonelit të Markezit. Dreqi e mori edhe këtë gëzim timin sonte, që ende nuk isha çlodhur pasi isha kthyer nga Stadiumi i Prishtinës, ku kishte qenë parakalimi i ish-UÇK-së. Veshët kishin filluar të më oshtinin sërish, kur tërë ata njerëz brohorisnin UÇK, UÇK! Lamtumirë, o famëmadhja, UÇK, kishte folur dikush. Jo, nuk e di, ndoshta kisha folur me veten. (…).

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...