Sheradin Berisha

Në 106 vjetorin e Kuvendit të Vlorës, 28.XI.1912
SHERADIN BERISHA: VEPRIMTARIA ANTIKOMBËTARE E ESAT PASHË TOPTANIT, (1912 – 1920) /FOTO NGA ARKIVI/
Kush ishte Esat Pashë Toptani?
Esat Pashë Toptani ka lindur në vitin 1863 në Tiranë. Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë. Esati meqë ishte rritur në Tiranë, me kohë e kishte zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, dhe duke qenë në shërbim të guvernatorit të Durrësit, Hafiz Pasha, ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte të bënte çfarë të donte pa u dënuar. Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani komandant i xhandarmërisë së Janinës. Ky post i kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshalit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në Janinë. Esat Pasha, përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi merrte prej secilit 25 lira turke. [4] Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori rushfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. [5] Më vonë Esat Pasha u transferua në Shkodër, me detyrën e shefit të xhandarmërisë. Nga pozita që kishte ai, bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë së tyre mund ta shqetësonin. Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës, sepse, duke persekutuar njerëzit e ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e liq dhe u kërkonte ndarjen e përfitimeve të paligjshme që mund të arrinin këta të fundit; kjo ishte mënyra e tij për të garantuar sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë. [6] Ndryshimi i regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esat Pashën në postin e tij në Shkodër dhe me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Sulltan Abdyl Hamitit dhe ndaj mënyrës së tij të administrimit. Esat Pasha, i cili dikur ia detyronte madhështinë e tij Sulltan Abdyl Hamitit, me fitoren e xhonturqëve u vu në shërbim të tyre. Esati shkoi në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit „Bashkimi dhe Progresi“( bëhet fjalë për Komitetin „Bashkim e Përparim“ – Sh.B), dhe, thuhej se xhonturqit e kishin dënuar me vdekje, por 500 lira turke, qëndrimet e përulura dhe premtimet e rreme i dhanë Esatit mundësi të hynte në shërbim të shefave unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte mandatin e deputetit të Sanxhakut të Gjirokastrës për Parlamentin Osman. [7] Madje, Esati, duke mbajtur një qendrim servil ndaj padronëve të vet, u caktua edhe si anëtar i delegacionit që do t’i njoftonte Sulltan Abdyl Hamitit rrënimin e pushtetit të tij.
Esati njihej atëherë si një nga shefat unionistë dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë që këta të fundit ishin në pushtet; dhe kur xhonturqit filluan të dobësohen, kur partia kundërshtare, e quajtur liberale, dukej se po korrte sukses, Esati e ndryshoi menjëherë kampin, duke u shprehur armik i Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve. [8] Pikërisht në këtë kohë (janar 1912) të këtyre ndryshimeve, Esat Pashë Toptani hyri në lidhje me përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe mori pjesë në mbledhjen e Taksimit në Stamboll që e kryesoi Ismail Qemali, ku u vendos për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, kundër perandorisë osmane. Kur kryengritësit shqiptarë, dolën fitimtarë në Shkup (Korrik-Gusht 1912), dhe arritën ta shpërbënin Kuvendin turk, duke e përgatitur kështu formimin e qeverisë në krye me Myftar Pashën, Esat Pashë Toptani u emërua komandant i rezervistëve në Shkodër.
***
Përmbajtja e lëndës
– Kush ishte Esat Pashë Toptani?
– Kush e vrau Hasan Riza Pashën dhe në ç’rrethana iu dorëzua Shkodra ushtrisë malazeze nga Esat Pashë Toptani?
– Si u vu Esat Pashë Toptanit në shërbim të armiqëve të Shqipërisë?
– Si u emrua Esat Pashë Toptani – Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Vlorës?
– Pse „Pleqësia…” e Toptanit ishte kundër Ismail Qemalit?
– Si u bë Esat Toptani me dy poste ministrore në qeverinë e Vidit?
– Esat Pashë Toptani: „unë jam njeriu i Mbretërisë serbe…“
– Përpjekjet e Serbisë për ta minuar Princ Vidin përmes agjentëve të sojit Esat Pashë Toptani
– Si u takua Esat Pasha me Nikolla Pashiqin në shtator 1914 në Nish?
– Marrëveshja Nikolla Pashiq – Esat Pashë Toptani;
– Kthimi i Esat Pashë Toptanit në Shqipëri ( shtator 1914);
– Si u ndihmua Esat Pasha nga qeveria e Serbisë?
– Si e ripushtoi Serbia, Shqipërinë e Mesme, për ta shpëtuar Esat Pashën nga rrethimi shtatëmujorë në Durrës?
– Marrëveshja e Esat Pashë Toptanit me ministrin Luba Jovanoviq, në qershor 1915 në Tiranë;
– Si u ndihmua tërheqja e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri nga Esat Pashë Toptani, më 1915/16?
– Si u largua bashkë me ushtrinë serbe edhe Esat Pashë Toptanit nga Shqipëria për në Greqi?
– Pse Esat Pasha u largua nga Selaniku (nëpër Beograd) për në Paris?
– Esat Pashë Toptani mbrojtës i interesave serbe në Paris;
– Çka i shkruan Pashiqi, kryeministrit francez Mileran, për Esatin?!
– Mbështetja politike dhe financiare e Serbisë për Esat Toptanin;
– Kush ishte Avni Rustemi, vrasësi i Toptanit?
– Rrugëtimi i Avni Rustemit nga Shqipëria për në Paris;
– Cilat ishin lëvizjet e Avni Rustemit, në dy javët e fundit, para se ta kryej atentatin ndaj Esat Pashë Toptanit?
– Si e kreu Avni Rustemi atentatin ndaj Esat Pashës, më 13. 06.1920?
– Çka dëshmojnë në hetuesi, njerëzit e afërt të Esat Pashës?
– Keqardhja e Pashiqit për vrasjen e mikut të Serbisë, Esat Pasha;
– Si i financonte Serbia nënpunësit dhe familjarët e Esat Pashës edhe pas vrasjes së tij në Paris?
– Pse sënduku metalik i Esat Pashë Toptanit e alarmoi Beogradin?!

( P.S. Fotoja  ështe gjetur ne arkivin e Prizerenit.Puplikohet për her të parë.)

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...