Home / Opinion / NUK KA ÇENSURË, AS LIGJ, QË TË NDALOJË ENVER HOXHËN!

NUK KA ÇENSURË, AS LIGJ, QË TË NDALOJË ENVER HOXHËN!

Nga Gjon BRUÇI
-Shënime në ditën e 110 vjetorit të lindjes
së Shqiptarit të madh ENVER HOXHA- 16 Tetor 2018-11 Prill 1985!
Shqipëria mbajti frymën, përkuli Flamurin dhe veshi rroben e zisë. Kishte vdekur Prijësi, Krenaria kombëtare, Rilindasi i kohëve moderne, Burri më i madh i shekujve të historisë shqiptare, ENVER HOXHA.
Populli e qau me lot zemre. Nomenklatura e lartë dhe disa pseudokomunistë e pseudo-intelektualë, me lot faqesh, që pas pak ditësh u terën, sikur të mos kishin rrjedhur fare.
Kjo e fundit shërbeu si sinjal për minjtë e gjirizeve, të cilat dolën nga bodrumet e errta e të mykura, për të përdhosur me jargët e tyre të qelbëta, gjithçka ndodhej mbi tokën shqiptare. E gjithë baltosja e kësaj skote antikombëtare synoi të baltoste Enverin e Madh, kollona vertebrale e Shqipërisë së Re e moderne. Duhej të binte kjo kollonë, që të shembej gjithë ndërtesa e madhe me emrin Shqipëri.
Por Legjenda Enver Hoxha, nuk mund të përdhosej. Balta e hedhur pa pushim nuk mund të ngjiste mbi Mermerin që shkëlqente e ndriçonte tokën që e lindi dhe e rriti. Vepra e tij ishte kaq e madhe, sa nuk kishte e nuk ka baltë ta rrëzojë, përdhosë e mbulojë këtë kollos të shqiptarizmës.
“Historinë e bëjnë masat, individët lozin rol të veçantë” – na mëson historia e shoqërisë njerëzore. Por roli i Enver Hoxhës në Epokën 50 vjeçare të Shqipërisë së Re e moderne ishte dhe mbetet vigan. Ai përmblidhte në një njeri të vetëm virtytet më të larta e më të arrira të shqiptarit dhe ishte në të njëjtën kohë edhe realizuesi më i shkëlqyer i aspiratave të popullit të tij. Enver Hoxha ishte përfaqësuesi më autentik i shprehjes së njohur shqiptare “Burri i dheut”. Dhe burrat e Dheut nuk ka cunam që t’i përmbysë e as ti baltosë.
Në tri dekada rresht, që nga përmbysja e madhe e vitit 1991, zhabat e kanaleve, çakejtë e rrugës dhe hienat e pyllit, nuk e pushuan për asnjë moment kakërrimën dhe thirrjet baltosëse kundër Enver Hoxhës. Por Ai mbeti madhështor, si Kolosi i Rodit, në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve të vërtetë. Në çdo përvjetor çlirimi, pavarësie, ditëlindje apo ngjarje historike, të cilat Epoka e tij i pati të shumta, Portreti i Enver Hoxhës, bashkë me veprën e tij të pashembullt, “shfaqej” në gjirin e popullit që e deshi aq shumë, dhe së bashku me të, bënte homazhe tek shokët e tij të Luftës, tek bashkëpunëtorët e ngushtë që nuk e ndërruan istikamin, tek populli i thjeshtë që e priste jo me fjalime të stisura e banderola pompoze, por me zemër të hapur e dashurinë e zjarrtë për birin e tij të lavdishëm.
Borgjezët e vjetër e të rinj në politikë e në pushtet, shqiptarët që shoqërojnë Portretin e Tij në këto aktivitete politike, i quajtën e i quajnë “Nostalgjikë”. Por këta nostalgjikë, në krye të të cilëve kanë prirë e prijnë komunistët, gjatë këtyre tri dekadave të baltosjes borgjeze, u shndërruan në ortekë. Fillimisht të vegjël, por vit pas viti orteku i tyre u rrit dhe ja, në 110 vjetorin e Lindjes së Komandantit, me qindra anëtarë e simpatizantë të Partisë Komuniste, u mblodhën në qendër të Kryeqytetit, në sallën e “Hotel Internacional Tirana”, ku vendosën bustin e Udhëheqësit, si në ato vite, kur Partia Komuniste (Partia e Punës) zhvillonte manifestimet dhe kongreset e saj historike.
Strukturat politike e shtetërore të sistemit aktual, që mbajnë pelerinën e “demokracisë” pa asnjë gram demokraci, në këta tri dekada nuk arritën në asnjë tregues të sfidonin Epokën e Enver Hoxhës. Përkundrazi e kthyen vendin e shqiponjave në një kënetë të drogës, prostitucionit, krimit e korrupsionit; e kthyen Shqipërinë në kohën e Pashko Vasë Shkodranit, i cili me dhimbje vajtonte me vargun e tij brilant: “Po sot Shqipni, pa më thuaj si je / Por si një lis i rrëxuem përdhé? . . .”
Në pamundësi, pra, për ta “mundur” Enver Hoxhën dhe Epokën e tij, borgjezët e vjetër dhe të konvertuarit e rinj, vunë në punë “Çensurën” dhe “ligjin” për ndalimin e Enver Hoxhës. Thirrjet fashiste të PD-së për ndalimin e portretit të Enver Hoxhës, nuk kanë munguar në çdo festë e veprimtari politike që kremtonte Partia Komuniste e Shqipërisë, ndonëse kjo e fundit zotëron të drejtën ligjore për të milituar në spektrin pluripartiak të sistemit aktual. Por edhe politikanët e krahut të vetquajtur të majtë, me inicialet PS e LSI, ndonëse mundohen ta ruajnë aparencën demokratike e “socialiste”, veprojnë si të parët. Kur janë në pushtet, siç janë aktualisht, nuk mungojnë të nxjerrin organet e violencës për të ndaluar demonstrimet e komunistëve, të cilët, si për inat të tyre, nuk ndahen nga portreti i Komandantit e Komisarit të lavdishëm të LANÇ e të ndërtimit Socialist. Në të njëjtën kohë, me autoritetin e pushtetit që kanë akaparuar, ata ndalojnë pothuaj të gjitha llojet e medias t’u afrohet aktiviteteve komuniste dhe ne mënyrë të veçntë portretit të Enver Hoxhës, prej të cilit dridhen edhe pas tridhjetë e tre vite që Ai është larguar fizikisht.
Qytetarët shqiptarë e dinë fort mirë se 16 Tetori është data e lindjes së Enver Hoxhës. Shumica e tyre absolute, në atë ditë shfleton në menyrë të veçntë gazetat e ditës, apo kontrollon kanalet televizive, në kërkim të aktiviteteve të kësaj date. Por urdhëri qeveritar i “demokratikasve” e “pseudosocialistëve” borgjezë e ka bërë median të heshtë. Asnjë televizion shtetëror apo publik, nuk guxon të vijë në katin e dytë të “Hotel Internacinal Tirana”, ku për më se tri orë u manifestua 110 Vjetori i Shqiptarit të Madh Enver Hoxha. Edhe një konferencë të shkurtër që Tv- Njuz-24 i mori kryetarit të PKSH në fillim të aktivitetit, humbi nëpër koridoret e errta të televizionit në fjalë.
Çensura “demokratike” ka bërë e po bën punën e vet. Mjaft ish komunistë, kuadro të lartë të periudhës socialiste, e madje edhe veteranë të LANÇ e pjesëtarë të familjeve të Dëshmorëve, kanë frikë t’u afrohen aktiviteteve të PKSH-së. Kanë frikë se aty është portreti i Enver Hoxhës, të cilin megjithëse e duan, nuk guxojnë t’i afrohen, ngase kanë frikë se rrezikojnë punën e djalit, të vajzës, të nipit apo mbesës. Neofashistët e rinj të të dy krahëve të politikës, veçanërisht ata të partisë së Lulzim mavrisë, ka kohë që po punojnë për të nxjerr ligjin që ndalon, jo vetëm portretin e Enver Hoxhës, por edhe simbolet komuniste. Dhe nuk është çudi që këtë ligj ta miratojnë, përderisa në parlament u bëjnë hije dhe fresk të degjeneruarit e ish PP, të cilat pasi konvertuan emrin nga komunistë në socialistë, u shartuan me PD-istat me të njëjtin filiz të borgjezisë.
Po, a mund të ndalohen komunistët nga veprimtaria e tyre politike? Kurrsesi, veç nëse borgjezia arrin të arrestojë e të burgosë ideologjinë komuniste të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe Enver Hoxhës! Gjë që është e pamundur.
Po a mund të ndalohet portreti i Enver Hoxhës të shfaqet në mendjet, zemrat dhe trojet e shqiptarëve? Kurrsesi! Veç nëse ndalon të gjithë shqiptarët. Gjë që është e pamundur.
Nuk ka çensurë e as ligj të ndalojë Komunizmin dhe liderin e madh komunist, Enver Hoxhën. Ai ndodhet dhe do të ndodhet për mijëra vjet në gjirin e popullit shqiptar, në flamurin e klasës punëtore shqiptare e ndërkombëtare, në ballë të revolucionit të pashgmangshëm për fitoren e socializmit e të komunizmit.
Për t’u bindur për këto që po deklaroj, shihni fotografitë e aktivitetit të PKSH me rastin e 110 Vjetorit të Lindjes së Enver Hoxhës. Salla e madhe me gati treqind vende, ku u zhvillua aktiviteti në fjalë me 16 tetor 2018, kishte vetëm një pjesë të vogël me anëtarë të Partisë Komuniste. Shumica dërmuese ishin simpatiznatë të partisë dhe kryesisht Enveristë, jo vetëm nga Shqipëria shtetërore, por nga të gjitha trojet amtare.
Se nuk ka “Ligj” as “Çensurë” që të ndalojë anëtarët e “Frontit Popullor për Mbrojtjen e Veprës së Enver Hoxhës”, me shokët Agim Xhigoli, Erald Selca, Shabedin Ibrahimi e Sylë Qirici me qendër në Ferizaj, që të vrapojnë në Tiranë për të marrë pjesë në kremtimet e ditëlindjeve të Babait të Kombit shqiptar, Enver Hoxha. Se asnjë masë shtrënguese nuk mund ta ndalojnë çiftin e veteranëve dhe patriotëve Ibush e Sadije Bytyçi nga Prishtina të vijnë në 110 vjetorin e lindjes së Bacë Enverit. Dhe dhjetra të tjerëve nga Mali i Zi, nga Maqedonia dhe nga mërgata shqiptare në vendet e BE, të cilët me praninë fizike, apo me mesazhe urimi iu bashkangjitën kësaj festë për datën e shënuar të Shqiptarit të madh Enver hoxha.
Se asnjë Çensurë apo Ligj fashist, nuk mund të ndalojnë ardhjen në përkujtimin e ditëlindjes së marsist-leninistit të madh Enver Hoxha, të komunistit italian, Giusepe de Rinaldi, i cili, edhe do të përshëndeste më një fjalë të zjarrtë për Shqipërinë dhe Epokën e Enver Hoxhës.
Por jo vetëm këta. “Çensurën” fashiste e sfiduan me guxim edhe personalitete të njohura të vendit, praninë e të cilëve lexuesi i këtyre radhëve mund ta konstatojë sapo të shohë fotografitë që shoqërojnë këtë shkrim modest. Ata gjenden midis komunistëve dhe simpatizantëve të PKSH, jo vetëm fizikisht, por edhe me përshëndetjet e zjarrta, duke na treguar madje edhe episode nga jeta dhe veprimtaria e Enver Hoxhës, me të cilin kanë ndarë vështirësitë dhe sukseset e Luftës e të punës..
Populli, intelektualët e vërtetë, njerëzit e ndershëm, çdo ditë e më shumë po kërkojnë Enver Hoxhën. Të vetmit që kanë frikë edhe nga portreti i tij, janë politikanët dhe shtetarët, që janë alternuar në këto tri dekada në karriken e pushtetit, karrike të cilën e kanë menderosur me të pëgërat e tyre të hajnisë, korrupsionit, krimit e prostitucionit politik.
. . .
Borgjezet e djeshëm e të sotshëm, na akuzojnë ne komunistëve për nostalgjikë të sistemit socialist e të “diktatoirit” Enver Hoxha. Por ne nuk jemi nostalgjikë. Ne jemi realistë. Tri dekada të pushtetit tuaj i mjafojnë çdo shqiptari për të konstatuar greminën ku ju po e çoni popullin dhe vendin e shqiponjave. Tri dekada janë të mjaftueshëm edhe për qorrin, për të kuptuar se demokracia borgjeze nuk mund të sillte përveçëse errësirën, në të cilën populli e vendi është plandosur me gjithsejt.
A ka humbur shpresa?!
Jo! Përderisa rrojnë idealet komuniste, rron edhe besimi tek masat për një shoqëri të drejtë, të lirë e të begatë. Përderisa rron kujtimi dhe vepra e pavdekshme e Enver Hoxhës, vendi dhe populli shqiptar do ta gjejë rrugën e shpëtimit nga humnera.
Ndaj epitetet për Enver Hoxhën nuk do të mjaftonin, edhe sikur të mblidheshin tok të gjithë fjalorët e gjuhëve të botës. Se natyra rrallë ka gaditur persona të tillë të përsosur, për Dukun e Trupin, për Mendjen e Zemrën, për Guximin e Trimërinë, për Vetmohimin e Përkushtimin, e mbi të gjitha për Veprën madhështore në dobi të kombit të vet, si Enver Hoxha.
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË PAVDEKSHME TË BURRIT TË MADH TË KOMBIT, LEGJENDARIT ENVER HOXHA!
20 Tetor, 2018

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...