Home / Opinion / Një idealist i përvuajtur pa peng në shpirt

Një idealist i përvuajtur pa peng në shpirt

Ndoshta ka qenë vlerësim i gabuar i Adem Demaçit që ndenji jashtë subjekteve politike. Ndoshta pse autoriteti i tij duhej të ishte  mbi të gjithë, dhe mëtonte atë pozicion që e meritonte në shoqërinë shqiptare, jashtë banaliteteve të përplasjeve politike. Por, ky pozicionim do ta bëjë ngapak të çorientuar: do të bëhet zëdhënës i UÇK-së, por me hamendje që gatise e rrezikuan Marrëveshjen e Rambujesë, kurse kur u arrit liria dhe u krijuan subjekte të dala nga UÇK-ja, ai do të mbetet pothuajse jashtë proceseve…

 

Nga Daut DAUTI

Aq shumë ideal e vuajtje në një emër, sa vështirë t’ia gjesh shokun. Ia gjen, në emra si Nelson Mandela, me të cilin ndanë famën e të qenit i burgosur politik më i njohur në Ballkan me “stazh” sa ai. Një emër që në fëmijërinë dhe rininë e gjeneratës sime, dhe të atyre para nesh, paraqiste frikë për t’ia përmendur. Kurse më të guximshmit, do t’ia lexonin librin e ndaluar “Gjarpinjtë e gjakut”, të cilin në vitet e turbullta të 80-ta ma kishte dhënë një shok, për t’u çuditur më vonë se çfarë paska ky libër që ka qenë i ndaluar. Atëherë kujtonim se ky “nacionalist shqiptar”  ka shkruar një vepër antishtetërore dhe për këtë vuan burgun. E vërteta ishte se libri e “vuante” anatemën e autorit. Të autorit i cili që në moshë studentore kishte ditur të flasë me zë për atë që  shihte se nuk ishte e drejtë, për politikat e diskriminimit, për premtimet e papërmbushura nga “lufta e përbashkët” antifashiste, për valën e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre…Një intelektual si ai, që ngre zërin e të vërtetës, doemos do të paraqiste rrezik për sistemin. Edhe në ngjarjet e mëvonshme, me ngritjet e pakta dhe me kundërgoditjet e hegjemonizmit serb nën ombrelën e Jugosllavisë së Titos, Adem Demaçi do të ishte emri që nuk guxohej të përmendej. Emrin e tij guxonte ta përmendte vetëm regjimi, i cili kur donte t’i rëndojë qindra e mijëra veprimtarë të tjerë, ua ngarkonte “indoktirnimin” nga fryma e Adem Demaçit.

Në grahmën e fundit të regjimit komunist dhe të krijesës shtetërore RSFJ, lirinë do ta shohë edhe Adem Demaçi. Dalja në liri ishe momenti i njohjes më për së afërmi për gjeneratat që vetëm kishin dëgjuar për të. Habia më e madhe do të jetë se ai doli një njeri normal, fare normal i cili nuk përmbante atë “dozë” të stërmadhuar të rrezikut, për më tepër, nga goja e tij dilnin porosi paqeje, mirëkuptimi midis popujve, natyrisht, pa hequr dorë nga qëllimi për të cilin kishte vuajtur burgun, për të drejtën e popullit të Kosovës të jetojë i barabartë, për të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Ishte pra njeriu-ide, njeriu-koncept, njeriu-idealist gjer në fund. Dikush do të thotë edhe i indoktrinuar me atë frymën që ne shqiptarët këtej kufirit të shtetit amë e kemi konceptuar, në fytyrën e një komunizmi “më të drejtë” në botë, por njeriut i falet lajthitja në mungesë të kontaktit me realitetin. Baca Adem kishte gjasë të ishte më tepër se jashtë realitetit brenda mureve të burgut, sa të mos dinte se modeli shoqëror për të cilin kishte pasur simpati do të kishte qenë po aq i rrebtë sa ai që atë e kishte futur në burg. Doemos ka qenë katarz i thellë ballafaqimi me të vërtetën…

Një emër zulmëmadh, në njërën anë, e aq njerëzor, aq për tokë, do të ishte përshtypja e parë kur ta takoje për së gjalli nëpër ngjarje të ndryshme ose ndeje. Të këtillë e mbaj mend edhe unë në ato jo shumë kontakte të drejtpërdrejta me të viteve 90-të.  Takime profesionale dhe private. Ai si një “pelegrin i vonuar”, do të rivendosë kontaktet me shumë bashkëveprimtarë dhe me këtë qëllim shpesh kthente edhe në lagjen Veri të Shkupit për t’u takuar me Mësuesin. Kështu e quante Hilmi Shehin, babain e sime shoqe, i cili ngjashëm si ai, për shkaqe politike, kishte qenë i dënuar 20 vjet burg si pjesëtar u grupit të Kaçanikut të NDSH-së. Për shkak të tetë viteve dallim në moshë, si më i vjetër, dhe për shkak se në kohë lufte, kishte qenë mësues, i kishte mbetur që Hilmi Shehin ta quante mësues, ndonëse ai e kishte tejkaluar për nga emri dhe zgjatja e burgut.  Te Mësuesi vinte pa trokitur, një miqësi dhe respekt i ndërsjellë.

Më pas, Adem Demaçi shkroi romanin “Libri për Vet-Mohimin”, një vepër sa roman, aq dhe pamflet politik por dhe koncept filosofik të frymës së tij që ai përhapte pas daljes nga burgu. Të njeriut të idealit dhe idealistit që lufton regjimet shtypës dhe nuk urren njeriun dhe nuk urren popujt. Vëllait tim, Azamit, përndryshe pronar i Shtëpisë Botuese “Shkupi”, i lind ideja që këtë libër t’ia ofrojë lexuesit në gjuhën maqedonase dhe kjo ide e tij do të realizohet në verë të vitit 1996. Në kohën e realizimit të këtij botimi, bacën Adem e kishim pritur disa herë edhe në shtëpinë tonë, e më vonë, duke ndenjur gjatë në muhabet, ndërkaq si ngjarje e rrallë ishte promovimi i librit në Teatrin (atëherë ende) e Kombësive ku salla ishte plot e përplot, ku për librin patën folur në superlative dr. Ferid Muhiqi dhe regjisori Lubisha Georgievski. Ishte një hap i madh për t’ia përafruar autorin “e ndaluar” lexuesit të paragjykueshëm maqedonas, si viktimë e propagandës shumë dekadëshe e që në formë mosbesimi e paragjykimi ka vazhduar edhe pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë.

Në karrierën time gazetareske kam bërë me dhjetëra intervista, por nuk e jo edhe me bacën Adem. Te ai sigurisht do ta kisha pasur derën   çelë si “dhëndër i Mësuesit Hilmi”. Ndoshta ngase kisha vlerësuar se në ato intervista jo të pakta që kishte dhënë pas daljes nga burgu, nuk kishte mbetur gjë pa thënë për vuajtjet e tij. Porse, nga fundi i vitit 1996 unë isha në Tiranë për të përcjellë shenjat e para të shkatërrimit të kursimoreve piramidale si dhe në përpjekje për të realizuar një intervistë me presidentin e Shqipërisë, Sali Berishën, në kohën kur ky ende deklaronte dhe me gjasë besonte në mënyrë naive, se ato janë “para më të pastra në botë”. Pikërisht atyre ditëve në Tiranë qëndronte edhe Adem Demaçi dhe unë shfrytëzova rastin të takohem me të pas një interviste në TVSH. Bëra një intervistë të shkurtër, ashtu në këmbë, para ndërtesës së televizionit. Nuk ishte nga ato biseda që zënë vend me shumë faqe gazete, aq kishte kohë sa për të treguar se kishte ardhur për të shprehur mospajtimin me politikën e Rugovës. Ai ishte i bindur se “konferencomania” javore e Rugovës e kishte bërë shterpë kauzën e Kosovës, prandaj duhej bërë diçka dhe ky ishte kyçur një mision i presionit për të ndryshuar strategjinë e veprimit (më duket se atëherë ishte aktual edhe mos konstituimi i parlamentit), në një kohë kur edhe qeveria e në egzil e Bukoshit kërkonte të njëjtën gjë. Nga ky takim, kuptohet, nuk do të dilte më shumë se një lajm i mirë për gazetë. Këtë episod e bën karakteristik ajo përpjekje e Adem Demaçit që të japë kontributin e tij në zhvillimet e Kosovës, si një autoritet suprem. Ai mbeti të nxitë proceset ose të paktën të përpiqej, edhe pse e dinte se nuk varej gjithçka prej tij. Nuk kishte ndeje, tribunë, intervistë pa kritikuar Rugovën, i cili për të ishte shumë “frymëzues”. Ngjarjet që do të pasojnë do të jenë dramatike, që i dimë të gjithë: lufta e ‘99-tës dhe pavarësia, dhe ndoshta ka qenë vlerësim i gabuar i tij që ndenji jashtë subjekteve politike. Ndoshta se nuk i shkonte të jetë pjesë e subjekteve, ndoshta pse autoriteti i tij duhej të ishte  mbi të gjithë, dhe mëtonte atë pozicion që e meritonte në shoqërinë shqiptare, jashtë banaliteteve të përplasjeve politike. Por, jo pasiv. Ky pozicionim do ta bëjë ngapak të çorientuar: do të bëhet zëdhënës i UÇK-së, por me hamendje që gatise e rrezikuan Marrëveshjen e Rambujesë, kurse kur u arrit liria dhe u krijuan subjekte të dala nga UÇK-ja, ai do të mbetetjashtë tyre dhe pothuajse jashtë proceseve…

Më vonë do të ketë përafrime me Vetëvendosjen, i motivuar nga animoziteti ndaj subjekteve si LDK dhe PDK, por kur do të kuptojë se nuk mund të bëjë gjithaq me koka të nxehta, do t’i dëbojë nga banesa e tij. Ishte ai moment kur LVV kishte ndërmend ta propozojnë për kryetar por me kusht që të mos ia japë mandatin Hashim Thaçit. I kishin thënë do të të përkrahim, por më mirë Kosova të shkatërrohet se t’i japish mandatin Hashimit, kur baca Adem u kishte thënë “hajt, bac, shkoni se paski rrëshqitë prej shinave”! Axhamillëk i skajshëm t’i vesh kusht të palogjikshëm një Adem Demaçi. Ta kishin propozuar, do të kishte qenë një satisfaksion moral për gjithë flijesën që bëri ndër vite për Kosovën. Gjithsesi, respekti ndaj tij nuk ka munguar: fill pas daljes nga burgu, mori çmimin e lartë “Saharov” kurse shteti i Kosovës i kishte siguruar status material si askujt tjetër.

Sot kur Adem Demaçi ka ndërruar jetë, sigurisht nuk i ka mbetur peng në shpirt për asgjë. Ai luftoi dhe e pa më në fund Kosovën të lirë, Kosovën shtet,  kjo është kurora e një idealisti të përvuajtur.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

(Redaksia e ka huazuar nga  gazeta Koha)

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...