Home / Lajme /

 “Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka bërë të qartë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje fillimisht, e pasi të nxjerrim një qeveri legjitime mund të flasim për dialogun”, shprehet Bajram Gecaj.

Kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thirrur në takim të gjithë liderët e partive politike, për të diskutuar rreth çështjes së dialogut me Serbinë.

Ndonëse ky takim ishte thirrur për të hënën, ftesës së Veselit nuk i janë përgjigjur pjesa dërrmuese e liderëve, dhe rrjedhimisht ky takim ka dështuar të mbahet.

Ndërkohë, spektri politik në Kosovë po vazhdon të jetë i përçarë sa i përket dialogut.

Opozita në vazhdimësi po e kundërshton fazën finale të negociatave në formën si ka nisur.

Përfaqësuesit e opozitës nuk po e pranojnë në asnjë rrethanë presidentin Hashim Thaçi për kryenegociator.

Gecaj: Vendi duhet të shkojë ne zgjedhje

Bajram Gecaj

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj thotë se, Kosova duhet të shkoj në zgjedhje, të nxjerr një qeveri legjitime pastaj të flitet për dialogun me Serbinë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka bërë të qartë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje fillimisht, e pasi të nxjerrim një qeveri legjitime mund të flasim për dialogun”, shprehet shkurt Gecaj.

 

Abazi: Dialogu është “Thembra e Akilit” për PDK-n

Haki Abazi

Analisti politik, Haki Abazi thekson se për PDK-në, dialogu është “thembra e Akilit”, të cilët kanë ardhë në pushtet me premtime.

“Dialogu është “Thembra e Akilit” për PDK-në. Lidershipi i PDK-së ka ardhur në pushtet me premtimin se do ta ndajë Mitrovicën, se do të nënshkruaj kontrata dhe privatizojë asetet kryesore të shtetit për interesa të caktuar dhe do të vendos menaxhimin e fondit të Bankës Qendrore, fondit pensional dhe fondin e privatizimeve në duart dhe kontrolle të njerëzve dhe interesave që nuk janë interesa të Kosovës”, shprehet Abazi.

Sipas tij, shumicën prej këtyre kushteve i ka kryer dhe e ka sjellur Kosovën në gjunjë e popullin në varfëri të skajshëm që mezi po pret të liberalizohen vizat për të ikur në mënyrë masive.

“Ky është rezultati i pushteti të PDK-së dhe filozofisë së kontrollit duke e kapur shtetin dhe institucionet e saja. Çfarë ka mbetur është Trepça, pagesa e fondit të privatizimit të Serbisë, realizimi i autonomisë së komunave Serbe dhe ndarja nëpërmjet procesit të demarkacionit. Ky skenar është i zi dhe Thaçi me Veselin po mundohen të fshihen por nuk po ja arrijnë dot. Cilado parti që e mbështet është duke mbështetur një agjendë të rrezikshme dhe me pasoja jashtëzakonisht të mëdha për popullatën shumicë dhe për Republikën”, potencon Abazi.

Ai shton se, Hashim Thaçi duke qenë një instrument i interesave të nëntokës është izoluar nga të gjithë kryeministrat dhe presidentët e botës.

“Ai thirret për tu disiplinuar atëherë kur donte të bënte ndarjen duke u fshehur kinse prapa formimit të ushtrisë dhe që nga fillimi i mandatit të tij asnjë vizitë e krerëve të shtetit në nivel protokollare nuk ka ndodhur. Kjo është gjendje e mjerë dhe gjithashtu tregues se çfarë qëllimi ka Veseli. Ai po do me nda përgjegjësinë e lëshimeve dhe dështimeve të PDK-së. Jam i bindur që VV-ja nuk do të bie në këtë grackë e LDK-ja ka marrë mësim nga zemërgjerësia që ka treguar herën e fundit”, thekson analisti politik Haki Abazi.

Lepaja: Koncensusi i domosdoshëm

Ndërsa, analisti politik, Fadil Lepaja pohon se, tash, dialogu i brendshëm edhe konsensusi i brendshëm është jo vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm.

Fadil Lepaja

“Realisht, duhet hedhur në tavolinë vërejtjet esenciale, jo vetëm të opozitës, por edhe të partnerëve të koalicionit dhe duhet rregulluar një formë kontrolli ndaj presidentit si dhe një tryezë të rregullt të raportimit të tij para parlamentit. Një komision parlamentar, në përbërje të cilit do të kishin qenë përfaqësuesit e të gjitha partive, dhe një obligim i presidentit me raportua pas çdo takimi, mendoj se do të ishin një nga mënyrat e mundshme me e zhbllokua këtë proces, nga ana e Kosovës”, thotë Lepaja.

Lepaja mendon se, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, nuk mund të insistohet në vija të kuqe, pra të mbyllen rrugët për biseda, lidhur me çfarëdo propozimi të palëve, sepse mund të vijnë vijat e kuqe nga pala serbe çka kishin me pamundësua dialogun dhe kishin me ja humbë kuptimin atij.

“Pra, me një vetëbesim më të madh, me një kontrollë mbi institucionin e presidentit, me një përfshirje të gjitha partive dhe faktorëve relevant në një tryezë të rregulltë, unë mendoj se mund të hyhet në finalen e këtij dialogu maratonik, i cili duhet të përmbyllet me formulën e fitimtarëve, në të dy anët”, thotë ai.

Lepaja shton se, fitimtarë në të dy anët, mund të ketë nëse të dy palët respektojnë principet evropiane dhe interesin e përbashkët për të qenë pjesë e BE-së.

“Nëse z. Veseli, si kreu i partisë më të madhe të koalicionit, arrinë të mbledhë partitë rreth kësaj ideje, mendoj se ajo mund të ketë sukses”, thotë Fadil Lepaja.

Zogaj: Ftesa e Veselit sarkazëm

Ndërsa, Skënder Zogaj njohës i mirë i proceseve politike në vend, e komenton me sarkazëm ftesën e Veselit për liderët e subjekteve politike.

Skënder Zogaj

“Populli ynë e ka një fjalë të artë “Si kofini pas të vjelave”! E këtillë është ftesa e Kryeparlamentarit Kadri Veseli drejtuar liderëve të partive politike për arritjen e konsensusit për dialogun me Serbinë! Sepse: konsensusi është dashur të arrihet në fillimin e dialogut e jo në bisht! Tash është tepër vonë”, shprehet Zogaj.

Ai pohon se për dialogun e Brukselit duhet që Edita Tahiri, e cila ishte kryenegociatore me Serbinë, të ftohet në Kuvendin e Kosovës dhe të sqaroj të vërtetën, pra kthimin nga dialogu teknik në politik.

“Partitë politike prandaj nuk kanë asnjë arsye pse ta pranojnë ftesën, pos nëse duan që të ngarkohen me bashkëfajësinë që nuk u takon, sikurse që ka ngjarë me Kuvendin e Kosovës i cili qe anashkaluan përçmueshëm në fillimin e dialogut, që iu pat besuar Edita Tahirit, e cila thoshte se bëhej fjalë për “bisedime teknike” por tash po shihet se për çka është në të vërtetë fjala! Edita Tahiri duhet të ftohet që Kuvendit të Kosovës t’i sqaroj të vërtetën dhe pastaj të ftohen liderët partiakë dhe të shihet se çfarë mund të korrigjohet”, përfundon Skënder Zogaj.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...