Home / Opinion / JO VETËM TA DËGJOSH POR EDHE TA THUASH TË VËRTETËN

JO VETËM TA DËGJOSH POR EDHE TA THUASH TË VËRTETËN

SHKRUAN: SYRJA ETEMI

Vështrim kritik i librit të autorit, Xhemil Zeqiri: “E vërteta bën armiq”, të botuar në vitin 2017, nga SH.B. “Sharr”

I kemi të paktë ata autorë, të cilët “nga dora e parë” , në vazhdimësi koherente njohin publikun dhe opinionin shqiptar (e pse jo, edhe të huaj), me shumë të dhëna burimore që kanë të bëjnë me veprimtarinë, lëvizjet, përpjekjet dhe tentativat imanente në organizimet e shumta, sidomos ato politike – në rrafshin e ilegalitetit, në veçanti ato të viteve 80-ta, madje ato gjysmëilegale – të viteve 90-ta, por edhe ato legale e demokratike të viteve të luftërave të shqiptarëve në hapësirat e ish federatës jugosllave, por edhe të pasluftërave, të cilët edhe sot e këtej po vazhdojnë të trasohen e të trajtohen në këto hapësira. Një ndër këta protagonistë shquhet edhe pena e mprehtë dhe e stërholluar e autorit, Xhemil Zeqiri, i cili gati tërë jetën ia ka përkushtuar dhe vazhdon ta vë në shërbim të çështjes së pazgjidhur kombëtare.
Përveç shkrimeve e librave të tjerë që ka shkruar Xhemili, kësaj radhe del përpara nesh me një libër tjetër të titulluar: “E vërteta bën armiq”. Autori është i vetëdijshëm për këtë që shkruan, dhe se ajo që shkruan është e vërteta, sepse, siç shprehet Defo në një rast: Në ditsh ta dëgjosh, mëso edhe të flasësh të vërtetën . E, kjo e vërtetë, sipas autorit, mëton të thuhet pa ndonjë ngurim, bile edhe me plot guxim dhe paanshmëri, madje , gjithnjë i ndërdijshëm se “ajo do të bëjë armiq”. Fundja, në qoftë se nuk është gjithmonë e mundur të thuash të vërtetën, kjo nuk do të thotë se duhet të gënjesh… Kështu, në këtë libër, autori në fjalë, në mënyrë permanente parapëlqen të jetë i realtë, se sa të duket apo të shtiret si i tillë dhe këtë qëndrim konsekuent mundohet ta ruajë nga fillimi i librit e deri në fund.
E, të shohim më për së afërmi (in medias res) se ç’ngërthen në vete ky libër 400 faqesh…Si i tillë, ky libër ndahet në gjashtë kaptina apo pjesë: Intervista; Reagime; Shkrime të ndryshme; Letra, peticione dhe telegrame; Rreth figurës së Enver Hoxhës; dhe, Recenca. Secila pjesë përfshin nga disa shkrime të veçanta që i ka identifikuar me tituj. Pjesa e parë me 10 tituj, pjesa e dytë me 9, pjesa e tretë me 19 (më e gjatë), pjesa e katër, po ashtu me 9 tituj, pjesa e pestë me 4 tituj dhe pjesa e gjashtë me 5 tituj.
Në këto shkrime, të duket sikur lexuesi dëgjon një zë revolte kundër shumë padrejtësive që u janë bërë dhe po u bëhen shqiptarëve në dimensione dhe etapa të ndryshme të historisë, duke përfshirë të gjitha pjesët e ndara të trojeve tona etnike, duke identifikuar, madje edhe duke e luftuar këtë të keqe, qoftë në faktorin e jashtëm, qoftë jashtë kësaj “vorbulle” të Europës, qoftë brenda llojit të vet.
Dhe, kjo është kjo: një arkë me shumë tema e motive, shkase e përqasje, pyetje e përgjigje, naracione e diskurse… Të gjitha këto i gjen brenda këtyre kopertinave të librit në fjalë. Për t’u njohur më për së afërmi me përmbajtjet e tij, ai duhet lexuar dhe secili mund të merr anën e vet, gjithnjë sipas vlerësimeve dhe rezonimit të shëndoshë me kokë të vet, pa iu nënshtruar ndonjë interesi apo influence të stereotipeve të kohës.
Unë këtu, si një lexues konsekuent i shkrimeve që ngërthejnë, madje edhe prononcime ndryshe nga ç’jemi mësuar të lexojmë e dëgjojmë, përveç tjerash kam shkëputur këtë prononcim të ingravuar me plot mëdyshje të autorit në fjalë (të paraqitur në fq. 286), me titull: “Ja pse u vra luftëtari i lirisë, Enver Ademi!”.
“… Tragjedia në Brodec është një histori në vete pasi atje disa ish ushtarë të UÇK-së nuk pranuan t’i dorëzohen policisë maqedonase që të persekutohen , ashtu siç ndodhi pak më parë me Xhavit Morinën në fshatin Odri të Tetovës. Madje, atje pati edhe rezistencë dhe si pasojë u vranë 4 ushtarë dhe dy civilë, ndërsa 16 banorë të fshatit Brodec u arrestuan. Të arrestuarit u torturuan dhe u trajtuan si robër lufte, bile dhe më zi. Me një fjalë, kjo ishte një luftë e vërtetë.
…Duhet shtuar se javën e kaluar u dëgjua se në malet e Ferizajit është gjetur një kufomë e masakruar aq barbarisht, saqë askush nuk ka mundur ta njohë. Kufoma e gjetur ishte e Enver Ademit, një burrë mbi 60 vjeç nga fshati Sllatinë i Tetovës, i cili kishte punuar shumë vite në Leverkuzen të Gjermanisë. Enver Ademi paska qenë i pranishëm kur është vrarë dhe është masakruar Xhavit Morina. Duke qenë se ishin shokë dhe bashkëluftëtarë, ka mundësi që Enver Ademi t’i ketë ditur rrethanat e vrasjes së të njëjtit… Ka shumë pyetje enigmatike që na bëjnë të dyshojmë se si dhe pse u vra Enver Ademi! Mos vallë u vra se ai ka ditur rrethanat e vrasjes së Xhavit Morinës dhe për t’i humbur gjurmët, vrasësit e vranë edhe shokun e tij?! Mos vallë ai u vra nga përkrahësit e “pavarësisë së kushtëzuar”, prej atyre që duan të mos prishet plani famëkeq i kësaj “pavarësie” mashtuese!”
Për këtë arsye, sido që të jetë, një e vërtetë përgjumet ndërmjet këtyre mëdyshjeve, të cilën autori në fjalë po e identifikon dhe e manifeston atë, edhe pse “ajo (e vërteta) bën armiq”.
Suma – sumarum: I gjithë ky vëllim përshkohet me bulëzime të tipit: mëdyshje, fakte, të vërteta e të “pavërteta”, të cilat, vetëm ai që do ta lexonte librin në fjalë, do të mund t’i konstatojë. Prandaj, u sugjeroj që me një durim dhe gjakftohtësi të vazhdueshme ta bëni këtë dhe, jam i sigurt se do të keni se ç’të lexoni.

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...