Home / Të ndryshme / Profesor h.c Max Brym: Kosova – një vend ku socialdemokratët mbahen në burg

Profesor h.c Max Brym: Kosova – një vend ku socialdemokratët mbahen në burg

Që nga tetori 2017 Dr. Sadri Ramabaja gjendet në burg „pa kurrfarë prove“. Në rastin e këtij të pandehuri bëhet fjalë për një autor librash, për një docent si dhe për një anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV). Në mars të vitit të shkuar ndodhi një atentat kundër Azem Vllasit në Prishtinë. Prokurori i shtetit argumenton se dy ditë para të shtënave kundër Azem Vllasit Dr. Ramabaja është parë bashkë me atentatorin në restorantin Vila Panorama, në paralagjet e Prishtinës. Se çfarë mund të jetë kjo provë mbetet një sekret i prokurorit. Përpos kësaj, gjatë procesit të apelimit në fillim të janarit nga prokuroria e shtetit u fol edhe për një recension të një libri, shkruar nga Sadri Ramabaja. Në të vërtetë, para disa vitesh Dr. Sadri Ramabaja recensoi një libër historik të Murat Jasharit që flet për Luftën çlirimtare në Kosovë. Në fakt Dr. Ramabaja kishte shkruajtur edhe parathënien e librit. Libri mund të blihet lirisht nëpër librari. Se ç’lidhje mund të ketë kjo gjë me terrorizmin mbetet një sekret më shumë për prokurorin special të Kosovës. Dr. Ramabaja është arrestuar për shkaqe të thjeshta politike. Nuk ekziston asnjë fakt i vetëm i cili do të justifikonte arrestimin e Dr. Ramabajës. Organizata terroriste virtuale “Syri i popullit” pati ekzistuar vetëm për disa ditë në internet. Në këtë kontekst nuk ekziston ndonjë dëshmi kundër Dr. Ramabajës. Socialdemokrati i bindur Dr. Ramabaja duhet liruar menjëherë.

Unë personalisht e njoh Dr. Ramabajën që prej vitesh përmes angazhimit tim shumëvjeçar si docent i ftuar në Universitetin publik të Prishtinës. Në mars 2017 banoja në shtëpinë e Dr. Ramabajës, në afërsi të Vila Panorama. Dr. Ramabaja më pati pyetur një ditë nëse kisha kohë që bashkë me të shkonim për të takuar për një kafe një të njohur të tij të vjetër nga Zvicra, Murat Jasharin. Këtë ditë unë nuk kisha kohë. Terroristët me siguri nuk sillen kësisoj. Me intelektualin Dr. Ramabaja zhvilloja shpeshherë debate mbi historinë dhe mbi aktualitetin. Në secilin rast Dr. Ramabaja i kushtonte rëndësi faktit që të paraqitej si një socialdemokrat i vërtetë, pa kurrfarë radikalizmi. Në mënyrë shumë miqësore ia bëja të qartë pozicionin tim si një marksist antistalinist. Akuza kundër Dr. Ramabajës, se ai na qenka një terrorist, po të mos qe kaq e pikëllueshme, do të qe një shaka e keqe. Këtë bindje e ndajnë edhe shumë profesorë dhe docentë nga Gjermania që kanë pasur kontakt me Dr. Ramabajën, cilido që e njeh Dr. Ramabajën, e di se ai është një patriot socialdemokrat dhe një ish-i përndjekur i regjimit jugosllav. Dr. Ramabaja sakrifikoi shumë për vendin e tij. Dr. Ramabaja duhet liruar menjëherë. Përpos kësaj tani është koha që socialdemokratët nga Zvicra, Gjermania, Austria, si dhe nga vendet e tjera, të protestojnë kundër burgosjes së shokut të tyre. Ky gjithashtu është dhe një rast për Amnesty International. Duhen angazhuar gjithashtu edhe demokratët liberalë. Nuk mund të ndodhë që kundër burgosjes së Sadri Ramabajës të protestojë herë pas here vetëm e majta radikale. Në një intervistë televizive deputeti Sami Kurteshi nga VV-ja e bëri të qartë: Dr. Sadri Ramabaja është plotësisht i pafajshëm. Edhe Arbër Zaimi i VV-së u shpreh në mënyrë të ngjashme në televizion. Gjendja për të arrestuarin është e rrezikshme. Kjo vërtetohet me atë që ndodhi me 5 nëntor 2016. Në qendrën e paraburgimit në Prizren vdiq në rrethana të pasqaruara aktivisti i VV-së Astrit Dehari. Pak kohë më vonë vdiq dhe një i bashkëburgosur i tij (një dëshmitar i rëndësishëm) në një tjetër burg. Përkundër aprovimit, dje qeveria e Kosovës refuzoi që rezultatet hetimore nga rasti Dehari t’ia dorëzonte një komisioni ndërkombëtar të përbërë nga mjekë dhe ekspertë të forenzikës në Zvicër.

Puna është që të iniciohet një lëvizje ndërkombëtare solidariteti me Dr. Ramabajën

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...