Home / Opinion / Letër e Atdheut nga burgu i Dubravë

Letër e Atdheut nga burgu i Dubravë

Frustrimet e egos
Pas ndodhive të fundit e ndjeva për obligim që si aktivist i Lëvizjes t’i artikuloj mendimet e mia, përkitazi t’i përmend disa pika konceptuale-referenciale që na kanë shtruar koordinatat e rrugëtimit tonë politik dhe na kanë sjellë deri këtu. Normalisht idetë nuk i solli ndonjë profet apo engjull transportues, ato i mishëruam dhe i bartëm ne me trupat e mendjet tona, në aktivitetet, protestat e demonstratat, në programin, manifestin e alternativën tonë qeverisëse.

Filozofi gjerman Friedrih Nietzsche tek “Kështu foli Zarathustra” trumbeton ardhjen e idesë së mbinjeriut, të cilën ide Zarathustrës përshkak të dispozitave të tij i kishte rënë për hise ta mbarte e ta kultivonte, ai ishte mësuesi që mësonte, ai ishte ajo që po bëhej: Nietzsche në njërin prej pasazheve tregon që mbinjeriu për njeriun është sikurse njeriu për majmunin.
Unë për vete nuk kërkoj mbinjeriun, por s’mund ta pranoj as majmunin. Unë pretendoj njeriun dhe do isha e jam shumë i lumtur që më në fund dikush u lind që me shembullin e modelin e tij veprues po na emancipon e ndriçon metafizikisht, ontologjikisht, fenomenologjikisht e estetiko-politikisht.

Që prej themelimit dy vektor esencial politik e kanë përcjellë Lëvizjen tonë:
1. Bashkimi kombëtar
2. Lufta ndaj nënshtrimit ekonomik-kapitalit skllavërues.
Më shumë se kurrë duhet t’ia shtrojmë vetes disa pyetje racionale pa ngjyrime personale e personalizma:
– A do të zbresim në nivelin e bishave apo do të ngritemi në nivelin e njeriut?
– A do të mjaftohemi me shfryerjen e komplekseve tona Edipare apo do të emancipohemi drejt mbretërive të intelektit, vetëaktualizimit e kreativitetit?
-A jemi për shtetin-komb apo për shtetet paqavër?

Si aktivist politik e si qytetar republike dhe si anëtarë të një force militante politike çështjet duhet t’i shtrojmë në nivel ideo-politik, programues, kombëtar, ekonomik e organizativ e jo në nivel banal, klanor, ofendues e përçarës.

Nëse çështjet mund të zgjidhen në mënyrë statutore-demokratike, pse të humbim kohë me frustrime e shfryerje mllefesh. Ejani dhe matemi në organin më demokratik e më të lartë të Lëvizjes, garantin e demokracisë sonë të brendshme, Këshillin e Përgjithshëm.
Albini është gjallë sikurse ideja që e mishëron edhe pse ndokush mund të ketë mospajtime me këtë fakt. Madje dikush assesi nuk po arrin ta qetësojë veten e po shfryen njëkohësisht mllef e entuziazëm taman si një fashist, ashtu që edhe pushtetin që po e mban padrejtësisht në burg po e habitë.
Psikoanalisti amerikan Lasel (ligjërues në Universitetin e Chicagos në SHBA) tregon që individi për t’u marrë me politikë duhet t’i shtypë ambiciet e veta personale në favor të atyre kolektive. Duhet t’i mposhtim shtysat tona egoiste në funksion të unifikimit të Lëvizjes e realizimit të aspiratave e objektivave të vendit tonë. Fundja Kosova nuk është vetëm e jona sa është e atyre që vijnë pas nesh. Fëmijëve tanë nuk mund t’ia lëmë atdheun tonë në këtë gjendje, me ministra paramilitarë në qeveri e ndikimin politik e ekonomik të Serbisë e larg Shqipërisë. Nuk mund dhe për këtë duhet të luftojmë çdo ditë që vëllezërit, motrat e qytetarët tanë mos t’i lëmë në varfëri ekstreme e nën kthetrat e koorporatave e të një shteti që s’mendon për ta.
Jo njëherë por shumë herë më ka thënë i paharrueshmi Astrit Dehari që politika nuk është punë e sprinterave por është maratonë. Edhe pse dikush mund t’a bëjë, shokë dhe shoqe, assesi nuk guxojmë ta humbim kondicionin, konsistencën e përqendrimin. Ne duhet të krijojmë politikanë profesionistë e jo kërpaç, është detyrë e jona që kërpaçët t’i ngrisim në nivelin e revolucionarëve dhe assesi revolucionarët t’i zbresim në nivelin e kërpaçëve.
Disa kanë marrë rrugën e humnerës. Po e zotërojnë, shkoni ku të ua dojë qejfi, ama neve nuk mund të na merrni me vete, aq më pak idetë e programin e Lëvizjes sonë.

Janë së paku tri dimensione që e bëjnë strukturën politike të Albin Kurtit të pazëvendësueshme:

1. Guximi, se ai njeri integralin e frikës e ka të djegur. E kjo është shumë e rëndësishme për një lider politik që populli i’a besoi më së shumti vetën e i cili mund të jetë përherë target i sharjeve, linçimeve, fyerjeve, kanosjeve, montimeve e burgosjeve prej më të ulëtave e deri më komplekse.

2. Intelekti, sipas thënjes së vjetër intelegjenti godet atë të cilin të tjerët mund ta shohin por nuk ja arrijnë ta godasin. Gjeniu në anën tjetër qëllon atë të cilën të tjerët as s’mund ta shohin. Në këto kohëra kur kolosi i pavetëdijshëm i së vërtetës-kapitalizmi frustërues i pasubjekt po na vetëdijëson për të palarat tona, modeli i aktivistit vizionar bëhet më i pazëvendësueshëm se kurrë.

3. Dashuria/besimi: Albinin për aq sa e njohim dhe e njohin mjaft, është i gatshëm të heqë dorë dhe e ka dëshmuar që nuk tundohet as nga paraja, as nga pronat, as nga kapitali, as nga rroga e lartë, as nga burgu, as nga veturat luksoze, as nga jeta e shfrenuar, as nga keqpërdorimi i pushtetit e autoritetit, as nga çfarëdo egoizmi kompleks, perverzitet e deformin karakteristik për epokën e konsumit. Kurti pra nuk është aspak fajtor psë rrëzon aq fort dritën të cilën disa nuk zotërojnë as shqisat se lëre më mendjen që ta përceptojnë e ta gjejnë rrugën e tyre në panoramën politike. Para së gjithash e në rend të parë jo Albin Kurtin për shkak të ndonjë miqësie me të, apo për shkak të ndonjë ndeje me vajza e djem të rinj…por për Albinin si avancues të idesë së Vetëvendosjes! Më vjen shumë keq që po duhet të shpaloset një fakt për të disatën herë, por pa Albinin s’ka Lëvizje. Përndryshe të gjithë ne me miqtë tanë që hamë, pijmë, rrijmë e çka tjetër… e kishim themelu nga një Lëvizje.

Në strukturën e tij politike shtresohen së paku tri personalitete, pika përqëndruese, referente, historike e politike të shqiptarëve: mendja programatike e Lidhjes-Abdyl Frashëri, aksioni i Hasan Prishtinës dhe filozofia politike e Ukshin Hotit. Pra, Lëvizja me Albinin në krye mëshiron aspiratën e Lidhjes së Prizrenit, guximin e potencën organizuese të Hasan Prishtinës dhe idetë e programin politik e zhvillimor të Ukshin Hotit. Andaj, nëse Abdylin, Hasanin e Ukshinin i quajnë “muta” i tillë le të bëhet edhe Albini edhe të gjithë që po japim jetën e lirinë, djersën e gjakun, dhimbjet e lotët e nënave, e shokëve e shoqeve tona për detyrat që i kemi marre përsipër e që na shtrohen nga ardhmëria e nga historia. Lufta në parti dhe grupëzimet përçarëse e dobesojnë forcën e partisë. Eliminimi i grupeve e mendimeve përçarëse e forcon dhe i jep unitetin partisë duke e shndërruar atë në forcë të pandalshme. Për çdo njeri idealist ‘me dy sy e me një zemër‘ situata është e qartë: ose do të vdesim ose do të shkojmë përpara me tërë fuqinë. Kështu na shtrohet çështja nga historia.

Përpara me VETEVENDOSJE!-n deri në VETEVENDOSJE!

 

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...