Home / Opinion / SKENA POLITIKE SHQIPTARE – MARRËVESHJET JOPARIMORE

SKENA POLITIKE SHQIPTARE – MARRËVESHJET JOPARIMORE

 

Zgjedhjet vendore u imponojnë partive të ndërmarrin veprime politike pragmatike dhe të lidhin marrëveshje apo aleanca joparimore.
Joparimore është marrëveshja apo aleanca e LSDM-s me BDI-në, për arsye se LSDM-ja, derisa ishte në opozitë, vazhdimisht e ka kritikuar dhe e ka sulmuar politikën e dështuar të qeverisë së Gruevskit, pjesë e së cilës ka qenë edhe BDI-ja.
Marrëveshja e BDI-së me LSDM-në është joparimore edhe nga një aspekt tjetër. Për shembull, për shqiptarët të përfshirë në listën për deputetë të LSDM-së, një politikan i BDI-së deklaroi: ‘Kushedi a janë shqiptarë ata’! Ndërsa sot, këto dy parti mund të lidhin marrëveshje për zgjedhjet vendore, madje qysh në raundin e parë. Sot BDI-ja synon t’i mund kandidatët shqiptarë në Strugë, në Gostivar, në Tetovë dhe gjetkë, pikërisht me ndihmën e LSDM-së.
Joparimore është edhe marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët për arsye se midis tyre, sipas opinioneve të caktuara, ka dallime ideologjike. Sikundër dihet, Aleanca për Shqiptarët e konsideron veten parti shqiptare me përcaktim politik dhe ideologjik kombëtar dhe me orientim properëndimor.
Në këtë kohë rrënimi të çdo norme etike, nuk duhet të habitemi po qe se mësojmë edhe për ndonjë marrëveshje, po kaq joparimore sikur të sipërthënat, midis partisë e cila gjatë zgjedhjeve parlamentare apo vendore, edhe fizikisht i sulmonte oponentët politikë, madje duke i cilësuar edhe si jo mjaft kombëtarë, për të mos thënë – antikombëtarë.
Një marrëveshje eventuale ndërmjet PDSH-së dhe BDI-së po ashtu do të ishte joparimore për arsye se në të kaluarën këto dy parti, vite me radhë kanë qenë në konflikt ndër vete. Ka pasur raste kur militantët e njërës parti i kanë sulmuar edhe fizikisht veprimtarët e partisë tjetër. Pjesëtarët e njërës palë e konsideronin veten patriotë, ndërsa palën kundërshtare – tradhtar dhe udbash. Në rrethana të tilla, i prishnin raportet dy shokë të vjetër, fqinjët me njëri-tjetrin, miqtë, vëllezërit, madje edhe bashkëshortët. E pabesueshme dhe e tmerrshme! Për kë?! Për njerëz të etshëm për pushtet dhe pa vlera morale, për ata që u pasuruan brenda natës, e që kauzën shqiptare s’e lëvizën dot nga vendi. Tendenca eventuale e BDI-së për ta ringjallur PDSH-në ngase nuk i bën konkurrencë, do të ishte një akt jopolitik dhe punë që s’bëhet.
VMRO-ja e pareformuar nuk jep shenja se do të jetë pjesë e frymës së re. Që nga viti 2005 deri në vitin 2017, me të kanë bashkëqeverisur, edhe PDSH-ja edhe BDI-ja. E para – dy vjet, ndërsa kjo e dyta, dhjetë vite të plota. Një marrëveshje eventuale e partive shqiptare me një VMRO të pareformuar, në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore, do të ishte e palogjikshme.
Historiani dhe politikani Italian Makiaveli (Nikola Machiavelli, 1469-1527) në librin e tij Sundimtari’ thotë se për krijimin e pushtetit të fortë, shtetit i lejohen të gjitha mjetet, pavarësisht nga çfarëdo kriteri moral. Me fjalë të tjera, qëllimi i arsyeton mjetet.
Pikëpamja se në politikë nuk ka moral, por ka interes, vlen kryesisht për shoqëritë me sistem të rrënuar të vlerave, por jo edhe për ato me sistem të shëndoshë vlerash.
Marrëveshjet joparimore paralajmërojnë rrëmbimin e pushtetit, jo për t’u krijuar perspektivë të rinjve, por për të vazhduar rrugës së abuzimeve, rrugës pa perspektivë. Në vend të marrëveshjeve joparimore që i lidhin ndër vete apo me partitë sllavo-maqedonase, do të ishte më mirë që partitë politike shqiptare të lidhin koalicion me qytetarët, aq më tepër kur dihet se më shumë se gjysma e trupit votues nuk ka dalë në votim.
* * *
Me ardhjen në pushtet të Zaevit, flitet për një frymë të re. Askush nuk mund të jetë kundër frymës së re. Fryma e re nuk nënkupton vetëm marrëdhëniet ndëretnike. Ajo, mbase është më shumë se kaq, është më komplekse. Po ta marrim dimensionin e raporteve ndëretnike të frymës së re, atëherë duhet thënë se kurrë s’ka për të pasur frymë të re, pa iu njohur shqiptarëve status i popullit shtetformues. Asnjë shqiptar në rruzullin tokësor nuk ka mandat të heqë dorë nga zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare. Nuk ka vëllazërim-bashkim në pabarazi. Këtë e dëshmoi edhe Jugosllavia e AVNOJ-it (KAÇKJ-s). E krijuar si kreaturë artificiale e Versajës, pastaj si kreaturë kominterniste dhe serbo-komuniste me dominim serb, Jugosllavia e Josip Brozit, përkundër parullës demagogjike të vëllazërim-bashkimit, u shpërbë në mënyrë të përgjakshme. LSDM-ja ndërkaq, deri tani me asnjë akt partiak nuk është distancuar nga politika represive e saj mbi shqiptarët, gjatë kohës kur ishte në qeveri.
Shqiptarët e Haraçinës e votojnë për kryetar komune kandidatin shqiptar të nominuar nga LSDM-ja. Madje, ajo fiton qysh në raundin e parë. A do të mund t’i fitonte zgjedhjet për kryetar komune në Shtip – në kuadër të frymës së re – një kandidat shqiptar i nominuar nga ndonjë parti politike shqiptare.
* * *
Nga rezultatet e zgjedhjeve vendore, rezulton se:
Aleanca për Shqiptarët del si forcë politike e dytë;
Lëvizja Besa, sasi më të madhe votash grumbullon në komunën e Tetovës;
Aleanca për Shqiptarët, në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare, shënon rritje të numrit të votave, ndërsa Lëvizja Besa dhe PDSH-ja rënie.
– Bie në sy se Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë ndikim politik përafërsisht të barabartë, me një përparësi të caktuar në favor të Aleancës për Shqiptarët.
– Numri i votave të bashkuara të tri partive të sipërthëna, si për këshilla komunalë, ashtu edhe për kryetarë komunash, është dukshëm më i madh se numri i votave të BDI-së.
Tri partitë shqiptare – Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe PDSH-ja, në këshillat komunalë kanë mijëra vota më tepër se BDI-ja. Nga të dhënat e KQZ-së mund të konstatohet shifra e saktë votave. Po të përfshihen këtu edhe votat e Aleancës RDK-Uniteti si dhe ato të PPD-së, dallimi në favor të opozitës politike shqiptare është akoma më i madh.
* * *
Mbështetja e një kandidati shqiptar për kryetar komune, qoftë nga LSDM-ja, qoftë nga VMRO-ja, kundër një kandidati tjetër shqiptar, në mënyrë të pashmangshme i faktorizon partitë politike sllavo-maqedonase në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni.
Për ta parandaluar rënien e komunës së Kërçovës nën administrimin e kandidatit të VMRO-së, kandidatin e BDI-së në këtë komunë e ka mbështetur tërë spektri politik shqiptar. I pavarur do të duhej të ishte edhe kandidati i Kërçovës për kryetar komune, për arsye se atë e mbështeti tërë spektri politik shqiptar. Përkundër frymës së re të LSDM-së, diaspora shqiptare erdhi në Kërçovë për ta parandaluar rënien e komunës nën administrimin e VMRO-s.
Në fondin e përgjithshëm të votave të kandidatëve të BDI-së për kryetar komune, bëjnë pjesë edhe votat e LSDM-së. Kjo parti, aty ku nuk ka dalë me kandidatin e vet për kryetar komune, e ka mbështetur kandidatin e BDI-së, si p.sh. në komunën e Tetovës. Numri i saktë i votave të LSDM-së për kandidatët e BDI-së për kryetar komune, nuk mund të dihet. Mund të përcaktohet vetëm numri aproksimativ, i përafërt.
Këshillat komunalë të BDI-së në 20 komuna, kanë shumë më pak vota se kandidatët e saj për kryetar komunash. Me fjalë të tjera, kandidatët e BDI-së për kryetar të komunave kanë marrë më shumë vota se kandidatët e saj për këshilltarë komunalë. Kjo ka ndodhur për disa arsye:
– Kandidatët e BDI-së për kryetarë komunash në komuna të caktuara janë mbështetur nga votuesit e LSDM-së;
– Për kandidatin e BDI-së në komunën e Kërçovës kanë votuar edhe votues të partive politike shqiptare, të cilat, për të parandaluar fitoren eventuale të kandidatit të VMRO-së, nuk i kanë nxjerrë kandidatët e vet dhe kanë mbështetur kandidatin e BDI-së;
– Një numër i caktuar i votuesve të BDI-së mund t’i kenë votuar kandidatët për kryetarë komunash, por jo edhe listën e këshilltarëve të kësaj partie.
– Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë anëtar i BDI-së, për arsye klanore, ta ketë votuar listën e këshilltarëve komunalë, por jo edhe kandidatin për kryetar komune.
Nga rezultatet e arritura, vërehet se në rrethana të përtashme, BDI-ja nuk ka konkurrencë të mirëfilltë. Me fjalë të tjera, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni, nuk ka opozitë të mirëfilltë. Oponentë mbase ka, por jo edhe opozitë. Oponentët e BDI-së, kështu të shkapërderdhur, kurrë s’kanë për ta mundur BDI-në.
* * *
Fragmentarizimi i faktorit politik shqiptar shpie në defaktorizimin e tij si dhe në faktorizimin e faktorit politik sllavo-maqedonas – LSDM-së dhe VMRO-së në hapësirën politike shqiptare, përkatësisht në rajonet e banuara me shumicë shqiptare, d.m.th. në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë. Kjo nuk është në interes të faktorit shqiptar. Përkundrazi, kjo shkon në dëm të interesit të shqiptarëve. Kurrfarë fryme e re e LSDM-së apo e Zaevit nuk mund ta justifikojë një gjë të tillë.
Fragmentarizimi i skajshëm i ‘opozitës’ politike shqiptare ndikon edhe në mospjesëmarrjen e qytetarëve në votim. Pjesëmarrja e qytetarëve në votim në komunën e Tetovës është 48.28%, d.m.th. më pak se gjysma. Kuptohet, një numër i konsiderueshëm i trupit votues ndodhen jashtë Maqedonisë. Publiku i gjerë nuk të dhëna për përqindjen e pjesëmarrjes në votim, në komunat me shumicë shqiptare, sipas bashkësive etnike.
Duke qenë se hapësira politike nuk mund të mbetet pa faktor politik, atëherë do të vazhdojë të ekzistojë BDI-ja, e cila, me oponentë të paaftë për t’u bashkuar, do të rikuperohet dhe do të mbizotërojë skenën. Një BDI pa opozitë politike nuk është e fortë. Një opozitë e fuqishme mund ta bëjë atë më të fortë.
Pas zgjedhjeve vendore, partitë politike shqiptare që përbëjnë opozitën politike shqiptare duhet të riorganizohen. Me fjalë të tjera, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, PDSH-ja, RDK-ja, Uniteti, PPD-ja duhet të shkrihen dhe të krijojnë një parti politike të vetme, me një program politik të vetëm. Ndryshe, kurrë s’kanë për ta mundur BDI-në. Gjithmonë do të mbeten parti minore, me shtrirje dhe me ndikim të kufizuar.
Bashkimi i tyre në funksion të krijimit të një subjekti të vetëm duhet të realizohet mbi platformën:
– e ideologjisë kombëtare shqiptare;
– e orientimit properëndimor;
– e demokracisë; dhe
– e funksionimit me sistem evropian të vlerave.
Në rrethana të përtashme, nuk pritet të ndodhë një bashkim. P.sh., aty ku është Aleanca për Shqiptarët, nuk hyn PDSH-ja, ndërsa midis Aleancës për Shqiptarët, në një anë dhe Lëvizjes Besa, në anën tjetër, ka dallime ideologjike dhe politike. Mosmarrëveshje ka edhe ndërmjet Aleancës për Shqiptarët, në një anë dhe Aleancës RDK-Uniteti, në anën tjetër. Partitë politike që kanë dallime ideologjike ndër vete, vështirë bashkohen, ndërsa grupet politike që nuk kanë probleme të tilla, lehtë mund t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet. Nuk duhet harruar se parti të caktuara do t’i shlyejë koha.
* * *
Po qe se kandidati i Aleancës për Shqiptarët nuk ia del ta fitojë mandatin e kryetarit të Strugës, atëbotë është e mundur që kjo parti të dalë nga qeveria. Hyrja eventuale e PDSH-së në qeveri, nuk do të ishte mençuri ngase kjo parti, në krahasim me zgjedhjet parlamentare të fundit, shënon rënie.
E trimëruar nga rezultatet e zgjedhjeve vendore, është e mundur që LSDM-ja, në pranverën e vitit 2018 të shpallë zgjedhje të parakohshme, t’i marrë mbi 49 mandate dhe bashkë me BDI-në, të krijojë një qeveri më të qëndrueshme se qeveria aktuale, e cila qëndron mbi këmbë të qelqta. Po të përfshiheshin në qeverinë e ardhshme edhe dy parti të tjera shqiptare, mbase do të krijohej një organ ligjvënës me 81 deputetë, gjë që në përputhje me frymën e re, do të bënte të mundur ndryshimin e kushtetutës në funksion të zgjidhjes së statusit të shqiptarëve si popull shtetformues.
Qeveria e re do të përcaktonte si prioritetet:
– ndërrimin e emrit të shtetit;
– avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe; dhe
– politikën sociale.
Me ndërrimin e emrit të shtetit, do të hapej rruga për integrimin e Maqedonisë në NATO, ndërsa sa i përket anëtarësimit në BE, Maqedonia dhe Ballkani Perëndimor, duhet të presin vite. Nuk të pranojnë në BE me hedhurina rrugëve, me qen endacakë nëpër sheshe dhe me korrupsion përmasash alarmante.
Me avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe, LSDM-ja dhe Zaevi kauzën shqiptare do ta konsideronin të mbyllur. Por këtu e kanë gabim. Çështja shqiptare mbetet e hapur. Zgjidhja e saj kërkon ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që shqiptarët ta arrijnë statusin e popullit shtetformues.
Shqiptarët në Maqedoni, politikisht janë popull i diskriminuar, ndërsa ekonomikisht janë popull i shfrytëzuar, i eksploatuar. Mbi proceset financiare në Maqedoni, shqiptarët kanë zero për qind kontroll, ndërsa 99% e ekonomisë së Maqedonisë kontrollohet dhe administrohet nga sllavo-maqedonasit. Maqedonia është shteti më i nacifikuar në Evropë. Le të urdhërojë e ashtuquajtura frymë e re e LSDM-së apo e Zaevit dhe le ta bëjë denacifikimin e këtij shteti dyetnik. Komunat me shumicë shqiptare, nëpërmjet taksave, i dërgojnë pushtetit qendror shumë më tepër, sesa që u kthehet që andej për konsum publik. Rajone të caktuara të Maqedonisë Lindore financohen me mjetet financiare të shqiptarëve.

About admin

x

Check Also

Biserko: Edi Rama ishte politikani i parë që pranoi ndarjen e Kosovës

Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, nuk gjendet në tryezën e bisedimeve mes të ...