Home / Opinion / Ukshin Hoti, luani që nuk lejoi të udhëhiqej nga delet e kuazi politikës kosovare!

Ukshin Hoti, luani që nuk lejoi të udhëhiqej nga delet e kuazi politikës kosovare!

Ukshin Hoti ishte luan i vërtetë

Ukshin Hoti ishte luan i vërtetë

Shkruan: Shemsije ELSHANI

“Me shumë kryen punë kur një luan e udhëheq një kope delesh, se kur një dele udhëheq një kope luanësh” (Napoleon Bonaparta)
Kjo thënie e njohur e prijësit, luftëtarit dhe strategut më të suksesshëm të Evropës së re, e përmbledh në mënyrën më emblematike fatin tragjik të Ukshin Hotit. Akti i zhdukjes pa gjurmë i Ukshin Hotit, pas “lirimit” nga burgu serb, shënon vetëm momentin e fundit tragjik të tij. Ky fat tragjik i Bacës Ukë ishte vulosur shumë më herët. Tragjika më e madhe e fatit të tij do të shpërfaqet në raportet e tij me shqiptarët dhe me disa të ashtuquajtur “liderë”, apo me disa “liderë” që u thënçin shqiptarë. Ai ishte luan i vërtetë jo vetëm me guximin e tij të patundur përballë çfarëdo rreziku, ai ishte luan edhe më i madh me fuqinë e tij në fushën e të menduarit politik. Tragjika më e madhe e fatit të Ukshin Hotit qëndron në pamundësinë e sintetizimit të guximit të patundur dhe mendimit të tij briliant, në aksionin politik për sendërtimin e vizionit të tij shtetformues. Ky moskoordinim, ky mossintetizim do të vije si pasojë e njëmijë e një pengesave, improvizimeve dhe e komploteve të njëpasnjëshme që do të vihen në lëvizje për ta neutralizuar dhe madje edhe likuiduar atë nga skena politike, për shkak të potencialit të tij intelektual dhe virtyteve të shumta që e stolisnin personalitetin e tij. Meqë sipas N. Bonapartes “Marrëzia në politikë nuk paraqet hendikep”, do të jetë pikërisht marrëzia e një kaste politike dhe injoranca e një populli te ngërthyer nga kthetrat djallëzore të kësaj kaste politike, ato që nuk do ta lejojnë shkëlqimin dhe realizimin e plotë të profilit të intelektualit patriot në të mirë të vendit dhe të popullit të këtij vendi. Një popull i prapambetur, i ngelur në nivelin e mbijetesës, nuk do ti shkonte kurrë pas një njeriu i cili ka kapërcyer këtë nivel. Mjerisht ky mentalitet nuk ka lëvizur asnjë milimetër. Ndërsa shteti është vlerë morale, nuk bëhet me njerëz që kanë ngelur në nivelin e mbijetesës. Por, pos mbijetesës biologjike, ka dhe një mbijetesë morale. Derisa për mbijetesë biologjike kishim një udhëheqës si Rugovën, i cili mori përsipër mbrojtjen e substancës biologjike, të llojit, për mbijetesën morale kemi nevojë për një udhëheqës tjetër më lart shkallës së vlerave, një personalitet siç është Ukshin Hoti. Ndaj, kur unë përmend Ukshin Hotin, gjithmonë e kam fjalën për shtetin, atë shtetin e vërtetë, jo për këtë shtet për të cilin flitet që 30 vjet. Deri më tani nuk kam parë parti politike, apo individ te pavarur politik, në Kosovë, të jenë vërtetë ithtar, apo vazhdues të denjë të rrugës së Ukshin Hotit. Kam parë veç të tillë që e kanë përdorur atë vetë dhe emrin e tij, për të rritur poenat e partisë apo individuale, apo për ndonjë përfitim tjetër. Ata pak ithtar të vërtetë të tij, të aftë për të qenë vazhduesit e Ukshin Hotit, janë jashtë çdo angazhimi aktiv politik në Kosovë. Jo rastësisht, por pikërisht për të njëjtat arsye për të cilat ishte përjashtuar edhe Ukshin Hoti sa ishte në mesin tonë. Jam munduar që Ukshin Hotin ta përmendi jo për ta kujtuar atë, as për ta kthyer kohën prapa, përkundrazi, e kam përmendur atë në dobi te jetës, në dobi të së sotmes, dhe të së ardhmes, në dobi të jetësimit të idesë së tij, për bërjen e shtetit. Ata që nuk e kanë të qartë këtë, le të heshtin së paku, mos të krijojnë huti edhe më shumë rreth të vërtetës së madhe që ngërthen emri i tij. Ndërsa kur shkruajnë ata qe nuk kanë shumë njohuri për Ukshin Hotin, që nuk kanë lexuar asgjë nga ai, tregojnë veç injorancën e tyre. Kjo injorancë, fatkeqësisht, nga populli i paditur po merret për dije. Gabojnë ata te cilët më thonë e ke bërë mit Ukshin Hotin. Ukshin Hoti nuk është mit, sepse as shteti i Kosovës nuk është mit. Ukshin Hoti është nyja, prej ku fillon shteti. Pa zgjidhjen e kësaj nyje, nuk bëhet shteti. Ukshin Hoti sot e gjithë jetën mbetet ndërgjegjeje e vrarë morale për çdo qytetar shqiptar.

 

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...