Home / Opinion / MESAZHI I DËSHMORËVE !

MESAZHI I DËSHMORËVE !

   Nga Gjon Bruçi

Me rastin e 5 majit –

Në ditën e 5 majit, ndërsa përulemi me respekt të thellë para kujtimit e veprës së Dëshmorëve, le të kthejmë për një çast imagjinatën tonë tek fragmente të jetës e të veprës së disa prej të rënëve, që e vunë jetën e tyre të re në Altarin e Lirisë dhe Pavarësisë së Atdheut:
. Vetëm 15 pranvra kishte mbushur Qemal Stafa, kur duke qenë në Gjimnazin e Shkodrës në vitin 1935, në temën e hartimit do të shkruante: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash”! Dhe kur do të mbushte të tetëmbëdhjetat, para trupit gjykues zogollian, e në krah të Vasil Shantos, do të deklaronte: “Po, kam qenë e jam komunist i bindur dhe i deklaruar. I tille do të mbeten gjer sa të rroj!” Dhe deklaratën e tij e vulosi me gjak në 5 maj 1942, kur la mënjanë violinën e tij të dashur dhe me armë në dorë u doli ballas fashistëve duke u bërë simbol i pashuar i Luftës për Liri.
. Tre shokë u ndodhën atë ditë; shkodranët Jordan Misja e Branko Kadia, si dhe vlonjati trim Përlat Rexhepi, ose “Përlat Tosk Vlonjaku”, të cilët me aktin e tyre sublim thurën Legjendën e “Tre Heronjëve te Shkodrës”
. Progonati i Kurveleshit dhe tërë Shqipëria do të kujtojnë ndër breza Komandantin dhe Komisarin partizan, Asim Zeneli, heroi i Mezhgoranit, për të cilin populli do të këndonte: “Një zë po del nga Gryk’ e Mezhgoranit / Në sulm shqiptarë armikun ta dërmojmë . . .!”
. Heroi i Kodrës së Kuqe, sportisti Vojo Kushi, me pseudonimin “TARZANI” do të përsëriste legjendën e Mic Sokolit e të Selam Labit, duke “veshur” xhamadanin e tyre historik: “E pat vesh dhe Selam Labi / Kur për gryke topin e kapi / Përmbi tank kur rrugën skuqi / E pat vesh dhe Vojo Kushi / . . .
. “Ngjitet Velës varg përpjetë / Çeta e vogël me pesë vetë / Gjithë petrita e djem të lehtë / . . .Ushton Vigu gur e zallë, s’lidhen trimat për të gjallë / . . . !” – Janë vargjet e poemës kushtuar Pesë Yjeve Partizane, Pesë Heronjëve të Vigut, Ndoc Ded Marku, Hydajet Lezha, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi e Ahmet Haxhia, të cilët “e banë dekën si me lé”!
. I pashëmbullt do të mbetet qëndresa heroike e drejtuesit të rinisë komuniste shkodrane, njëzet vjeçarit Manush Alimani, i cili, megjithëse u torturua gjer në vdekje nga Llesh Marashët dhe Majori gjerman Hauzding, gjeti forcë për t’ju shkruar shokëve: “ . . . qëndrimi im përpara vdekjes do të jetë: Rroftë LANÇ! Rroftë PKSH! Ju vijoni punën dhe përgatituni për hakmarrjen popullore!”
. Kristaq e Margarita Tutulani, motër e vëlla, ishin si dy petale trandafili të kuq në vesën e mëngjesit, dy intelektualë të rinj të Beratit të lashtë, dy idealistë të zjarrtë të komunizmit. Kur po i çonin drejt vdekjes lidhur ndër pranga, Margarita, ndërsa vështronte Kristaqin që qëndronte me ballin lart, meditonte me vehte: “Kam një vëlla trim! Kam një vëlla komunist! Kam një vëlla . . . !” Ndërsa Kristaqit i ziente kraharori për të motrën dhe mërmëriste së brendshmi: “Eh, moj motra ime burrëreshë . . .!”
. Bule Naipi, njëzet e katër vjeçare, për t’i dhënë guxim shoqes së saj të re, Persefoni Kokëdhimës, në momentin e ekzekutimit, iu drejtua xhelatëve nazistë: “Qëllo nazist! Vajza shqiptare nuk trembet as nga plumbi e as nga litari. Ju duhet të trembeni, se po jetoni orët e fundit!” Dhe të dyja, si motra, ngrinë për të mbetuur Shtatore të heroizmit të femrës shqiptare!
. . . . . . . . . . .
Me të tilla episode të heroizmit partizan mund të vijonim në pafundësi, sepse të pafundme janë heroizmat e Luftëtarëve të Lirisë, të cilët, ashtu siç shkruante poeti revolucionar Migjeni, edhe ata patën deklaruar me bindje: “Na t’birt’ e shekullit të Ri / Me hovin tonë të ngritun peshë / Ndër luftra të reja kemi me u ndeshë / Dhe për fitore kem me ra Fli !”
Ajo që spikat dukshëm në historinë e gjallë të LANÇ, është fakti se Heronjtë e Dëshmorët e saj, në pjesën dërmuese ishin të moshës rinore, në lule të jetës. Por kjo gjë nuk i pengoi ata ta flijonin këtë jetë pa hezitim në Altarin e Lirisë dhe Pavarësisë së kombit.
Sot, ne brezi i pasluftës dhe ata që do të vijnë më pas, bëjmë pyetjen legjitime: “Cila ishte ajo forcë morale që i bëri këta djem e vajza si zana, të linin mënjanë shkollën, familjen, gazin e jetës, e të merrnin në sy privacionet e rënda të luftës, gjer dhe sakrificën sublime?
Përgjigja vjen natyrshëm: Ata, ishin jo vetëm Luftëtarë të Lirisë, por edhe Luftëtarë të idealeve Partizane e Komuniste, për të cilat, ashtu siç këndoi poeti i popullit Dritëro Agolli: “Ishin betuar vetëm njëherë / Në Thirrjen e Parë në vitin dyzet e një / O ngremë Botën e Re mbi gërmadha e skëterrë / O s’mbetet nga ne, as hi, e as zë!”
Idealet Partizane e Komuniste janë sot më të domosdoshme se kurrë. Si rezultat i politikave antipopullore dhe antikombëtare të borgjezëve të vjetër e të rinj, të instaluar në pushtet, vendi ndodhet në udhëkryqin e historisë. Gangsterët e politikës e të shtetit të vetquajtur “demokratik”, kanë hequr dorë nga idealet për të cilat flijuan jetën 28 mijë bij e bija nga më të mirët e populit. Ndaj Dëshmorët e kombit, që nga varrezat e nderuara ku prehen, na dërgojnë MESAZHIN E MADH:
“SHOKË, RUANI IDEALET KOMUNISTE E PARTIZANE, SE ATO JANË IDEALET QË SOLLËN LIRINË E PAVARËSINË E VËRTETË TË SHQIPËRISË, IDEALE QË E BËNË ATË NJË ZONJË TË NDERUAR E TË RESPEKTUAR NË EUROPË E NË BOTË, ASHTU SIÇ E PATËN ËNDËRRUAR E DËSHIRUAR RILINDASIT TANË TË MËDHENJ . . .!”
Idealet partizane e komuniste do të mbeten ideale të pavdekshme dhe vetëm shqiptarët që do t’i përqafojnë ato, mund të bëhen interpret dhe realizues të dinjitetit dhe identitetit tonë kombëtar, të nëpërkëmbur keqas nga dhuna e tradhëtia e pabesë e fundshekullit që kaluam.
LAVDI TË PËRJETSHME DËSHMORËVE TË KOMBIT!
Shkodër, 4 maj 2017

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...