Home / Opinion / BEHAJDIN ALLAQI, U ELIMINUA NË MËNYRË MONSTRUOZE NGA FORCA TË ERRËTA!

BEHAJDIN ALLAQI, U ELIMINUA NË MËNYRË MONSTRUOZE NGA FORCA TË ERRËTA!

SYLË UKSHINI

Pashtriku.org, 28. 03. 2016: në kohën kur lufta çlirmtare po kërkonte dijen dhe eksperiencën politike të Behajdinit, forca të errëta shfrytëzuan rastin dhe në mënyrë monstruoze eliminuan Behajdinin, duke goditur kështu jo vetëm atë dhe familjen e tij, por edhe një kuadër të vyeshëm të UҪK-së. Pra, u goditë pas shpine UҪK-ja me qëllim që t’i ndërrohej rrjedha luftës dhe proceseve politike që po zhvillohen asokohe…./ “Do të doja, që sot të ishim mbledhur për ndonjë simpozium shkencor, të organizuar nga babai im, do të doja që të ishte ndonjë takim, ku babi do të diskutonte rreth temës: “Patologjia e familjes dhe e shoqërisë kosovare”, e cila ishte tema e magjistraturës së tij”, – thotë Qendresa, vajza e dëshmorit të kombit, Behajdin Allaqi.

***

“Njerëzit bëjnë historinë. (…) Ҫdo brez i ri bie ndesh në kushte të caktuara, dhe njerëz të mëdhenjë janë ata që dinë t´i kuptojnë drejt këto kushte, nëse dinë si t´i ndyshojnë ato. Prandaj individi është i madh dhe lë gjurmë në histori, po qe se njeh thellë kërkesat e ligjeve objektive të zhvillimit të shoqërisë, dhe veprimtarinë e tij e lidh me veprimtarinë dhe interesat themelore të masave”, – shkruante Behajdin Allaqi në vitin 1993.

Duhet pranuar se e gjithë jeta dhe veprimtaria e Behajdin Allaqit, që nga çasti i kyçjes së tij në veprimtaritë e para politike ilegale dhe deri më 10 qeshor 1998, ka qenë një rrugëtim i pandalshëm drejt lirisë së Kosovës dhe të popullit shqiptar. I gjithë mendimi i tij politik dhe krejt veprimtaria e tij patriotike kanë qenë të mishëruar në këtë ideal. Fakti i përfshirjes së tij në Lëvizjen Kombëtare qysh në rininë e hershme, për më tepër me disa nga ata që do të jenë shembull i qëndresës dhe i mendimit progresist, si Ukshin Hoti e të tjerë.

***

I lindur në Prizren, më 07. 04. 1963, Behajdin Allaqi, u rrit dhe u shkollua në qytetin e tij të lindjes, ndërsa studioi në Prishtinë në Fakultetin Fizologjik, dega Filozofi – Soscilogji, të cilën e përfundoi në afat të parapar, dhe po në atë vit u punësua si mësimdhënës në gjimnazin e Prizrenit dhe më pas punoi edhe si asistent i profesor Ali Didës pranë SH.L.P në Prizren. Ai do të ecte pandalshëm në rrugën e formimit të tij politik dhe intelektual, duke u bërë shpejt një emër i njohur në Prizren dhe në nivel të Kosovës.

 

 

Figura e shquar i Lëvizjes Kombëtare Behajdin Allaqi, me bashkëshorten Nazmijen dhe tre fëmijtë e tyre: Qëndresa, Qëndrimi dhe Ҫlirimi.

Behajdini me kohë e kishte ndjerë peshën e rëndë të robërisë së Kosovës nga pushtuesi sllavë, por këtë herë më i frymëzuar dhe më i përgatitur, në çdo aspekt si një luftëtar i denjë për të vazhduar luftën për çlirim kombëtar.

“Revolucioni ynë demokratik çohet përpara në qoftë se më në fund arrijmë të kuptojmë cila është detyra jonë e ngutshme politike – cili është qëllimi ynë kryesor. Armiku ynë i përpashkët çdo ditë po na vret, po na i bastisë shtëpitë, po na mbyll shkollat, fabrikat, po e grabitë pasurinë tonë mbi e nëntokësore, po na deytron të shpërngulemi nga toka e të parave tanë. Apo nuk është kështu? – ma thuani!-janë fjalët e një dorëshkrimi të Behajdinit nga viti 1991.

***

Në kohën e studimeve ai nuk kishte pushuar së kërkuari bashkëmendimtarë për të vepruar në realzimin e qëllimeve politike që i shtronte programi i lëvizjes në atë kohë. Dhe kështu me një përkushtim edhe më të madh do të fillojë përsëri të veprojë ilegalisht në Prizren me shokët e tij të idealit si: Xhemajli Berisha, Nesimi Elshani, Remzi Ademi, Xhevat Berisha, Selajdin Brahën etj.

Mirëpo, Behajdini, megjithë përgatitjen politike dhe intelektuale që kishte, ai ndiente nevojën që lëvizja kombëtare ilegale në Kosovë të konsolidohej dhe të kishte edhe një shtrirje edhe më të gjerë si në nivel të Kosovës ashtu edhe jashtë saj, meqë lëvizja kombëtare dhe çlirimi kombëtar kërkonte energji dhe forca kreative, të cilat do ta avanconin këtë lëvizje dhe do të përshpjetonin zgjidhjen e çështjes kombëtare, çlirimin e Kosovës nga dominimi kolonial serb.

Kështu, me ndërmjetsimin e verprimtarit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, Ramush Krasniqi nga Brestoci, do të pranohet kërkesa që Behajdini të jetë përfaqësues i LPK-së në rrethin e Prizrenit. Pra, pas takimit të tij me krerët e LPRK (sot LPK) Fadil Vata, Ali Ahmeti dhe Hajdin Abazi (Lum Haxhiu) do të merret vendim që Behajdini të përfaqësojë rrethin e Prizrenit në nivelet më të larta të strukturave drejtuese të LPK-së, organizatë kjo që në fillim të viteve 90-ta do të formojë edhe krahun e saj ushtarak. Me rastin e zgjedhjes së tij në këtë post Fadil Vata, i entuziazmuar me njohuritë e gjera dhe me karakterin e fortë që kishte Behajdini, atëbotë ishte shprehur: „Tani Lëvizja është bërë me kokë“.

„Në rrethin e Prizrenit e më gjerë Lëvizjen e drejtoi për shumë vite intelektuali dhe mendimtari i kësaj ane Behajdin Allaqi, i cili për të quar çështjen e Kosovës përpara nuk kurseu asgjë nga vetja. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen dhe përgatitjen e anëtarëve të LPK-së për situatë e momente të veçanta të luftës sonë për liri”, kujton sot Nait Hasani.

Ardhja e Behajdinit në udhëheqje të LPK-së do ta pasurojë në shumë aspekte nivelin e organizimit jo vetëm në Prizren. Kontributi i tij do të ndihet kudo e sidomos në nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme në të gjitha forumet e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Në arkivat e LPK-së ruhen shumë shrime, pamflete, komunikata, proklamata dhe projektprograme, të lëshuara në periudhën prej fundviteve 80-ta e deri nga fundi viteve 90-ta, në formulimin e të cilave roli i tij ka qenë shumë i madh. Vlenë të përmendet kontributi i tij në hartimin e rezolutave dhe vendimeve në Mbledhjen Konsultative të Kollares (afër Kërçovës), e cila mbledhje ishte dhe hallkë e rëndësishme në ruajtjen e kontinuitetit organizativ.

“Në shtator të vitit 1991 në Ujmirë të Klinës u organizua Mbledhja e Tretë e Përgjithme e LPK-së. Organizatorë të kësaj mbledhje ishin: Ahmet Haxhija, Behajdin Allaqi, Pamadan Avdiu, Xhavit Haziri, Ilaz Hyseni, Mehmet Hajrizi etj. (…)“, konstatonte komandanti i Përgjithshëm i UҪK-së, Azem Syla, në një intervistë për javoren „Zëri“, 25 shtator 1999.

***

Krahas veprimtarisë ilegale Behajdini do t’i përkushtohet edhe hulumtimeve kërkimore e shkencore në fushën e studimeve sociologjike. Kështu në vitin 1989 ai regjistroi studimet posdiplomike në Fakultetin e shkencave politike në Sarajevë. Atëbotë provimet i kreu brenda një afati të shkurtër, por nuk pati mundësi të diplomojë për shkak të shpërthimit të Luftës në ish Jugosllavi, si dhe për shkak të konfiskimit të indeksit të studimeve nga sigurimi serb, me rastin e arrestimit në vitin 1993.

Megjithë këtë, Behajdini edhe gjatë viteve 1995-98 nuk do të largohet nga rruga kërkimore – shkencore, do të merret përherë me punë kërkimore rreth çështjeve të familjes.

Më 1998, po ashtu në shkollën ku edhe punonte ishte bartës i miniprojektit „Organizimi i debateve për trajnimin e fenomeneve socipatologjike“ me të cilat përballen jo vetëm nxënësit, po edhe shkolla, familja dhe i gjithë rrethi shoqëror. Pos aftësive itelektuale dhe politike, Behajdini ishte njeri Komunikativ. I afërt, i sinqert dhe tejet modest. Kjo bënte që njerëzit ta ndienin veten mirë kur ishin në shoqëri me Behajdinin. I kushtonte ngritjes në aspektin politik. Në këtë drejtim vlejnë të përmenden takimet e tij të shpeshta me kolosin e çështjes kombëtare shqiptare Ukshin Hotin. Ai kishte arritur të krijonte një lidhje të fortë e të natyrshme në mes të profesor Ukshinit dhe të Lëvizjes Kombëtare. Për këtë shkak Ukshin Hoti është Akuzuar nga regjimi serb si frymëzues i Lëvizjes dhe këtë akuzë ai edhe nuk e ka mohuar.

***

Strategji e Behajdinit, ashtu edhe e bashkëveprimtarëve të tij, ishte edhe inkuadrimi i anëtarëve në partitë e ashtuquajtura pacifiste, me qëllim të veprimtarisë konspirative, por edhe me qëllim që politikën e tyre pacifiste ta avanconin në politikë aktive dhe në funksion të dinamizimit të zhvillimeve të gjithmbarshme në Kosovë. Kjo strategji në atë kohë i dha edhe frytet e saj në mobilizimin e energjive kombëtare në rrugë të drejtë, në dinamizimin e rezistencës aktive e violente kundër infrastrukturës represive të pushtuesit serb.

Edhe pse Behajdini ishte i ngarkuar me përgjegjësi të mëdha në organet udhëheqëse të Lëvizjes, ai do të gjejë kohë të mjaftueshme për aktivitete të saj edhe në rrethin e Prizrenit e më gjerë. Dëshmi për këtë është „Lagjja e trimave“ (Tusuz) e cila besoj se i ruan të freskëta kujtimet për demonstratat e fuqishme të viteve 1988-90, në të cilat ai kishte rolin e organizatorit kryesor. Për Behajdinin dhe për shokët e tij Xhevat Berisha, Hysen Regjepi, Selajdin Berisha, Rafet Berisha etj., rezistenca e njerëzve të kësaj lagjeje ndaj pushtuesit ishte një frymëzim i madh dhe burim i pashterrshëm i forcës së tyre morale kombëtare.

Pos të tjerash, Behajdini kishte edhe si detyrë që të sigurojë dhë të mbajë fshehur armatimin dhe materialet tjera të LPK-së dhe të organizonte strehimin dhe kalimin ilegal për në Shqipëri të shokëve të cilëve u pamundësohej qëndrimi i metutjeshëm në Kosovë. Si rezultat i këtij angazhimi Behajdini kishte shtrirë rrjetin e bashkëpunimit në tërë Kosovën dhe jashtë saj, njihej me njerëz dhe figura eminent të levizjes ilegale.

Duke evokuar kujtimet e tij për Behajdinin, luftëtari i UҪK-se, Zafir Berisha, shprehet: „Diku në ditët e dimrit 1991/1992 Behajdini përmes lagjes „Tusuz“ në rajonin e Vrrinit e kishte sjellë edhe njërin nga pjesëtarët e familjes Jasharaj, vëllaun e komandantit legjendar Adem Jashari (Rifat Jasharin). Pra kjo është edhe një dëshmi se Behajdin Allaqi me familjen e Jasharëve të Prekazit ishte në lidhje qysh herët“.

***

Behajdinin e preokuponte propaganda denigruese që bëhej nga lidershipi i partive politike në Prishtinë, të cilat më shumë bënin për denigrimin e veprimtarëve të dëshmuar të rezistencës kombëtare, sesa që mirreshin me çlirimin apo organizimin e rezistencës së mirëfilltë kundër regjimit represiv dhe kolonial serb. Natyrisht, kjo propagrandë bëhej me qëllim të fshiheshin dobësitë e brendshme politike, mungesa e vullnetit dhe e gatishmërisë për t’u marrë me problemin e Kosovës, problem ky që nuk mund të zgjidhej vetëm me prononcime verbale dhe deklarata pa mbulesë.

Në këtë mes nuk u kursya edhe Behajdini, ndaj të cilit një segment i caktuar i politikës pacifiste përdorte metoda dhe mjete nga më të ndryshmet për ta denigruar politikish dhe fizikisht atë dhe shokët e tij. Natyrisht, një propagandë e tillë do të intensifikohet edhe më shumë gjatë luftës çlirimtare të UҪK-së dhe për këtë pasojat do të jenë të mëdha si gjatë ashtu edhe pas luftës.

Instrumentet e UDB-së serbe, të cilat intensifikuan zejen e tyre të vjetër edhe gjatë kohës së luftës, ishin të njejtit që e kishin sulmuar në kohën e „paqes“ nën regjimin serb, e vazhduan më tej punën e tyre të ndyrë. Kështu, në kohën kur lufta çlirmtare po kërkonte dijen dhe eksperiencën politike të Behajdinit, forca të errëta shfrytëzuan rastin dhe në mënyrë monstruoze eliminuan Behajdinin, duke goditur kështu jo vetëm atë dhe familjen e tij, por edhe një kuadër të vyeshëm të UҪK-së. Pra, u goditë pas shpine UҪK-ja me qëllim që t’i ndërrohej rrjedha luftës dhe proceseve politike që po zhvillohen asokohe.

„Behajdinin e kam njohur nga afër gjatë punës ilegale që kemi bërë bashkarisht. Familja e Behajdin Allaqit ka qenë një krah dhe një shtyllë në punën ilegale që kemi bërë bashkarisht“, është shprehur z.Azem Syla, ish-komandant i Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës.

Muaji qershor i vitit 1998 ishte momenti kur Behajdini niset për t’u rreshtuar në mënyrë aktive në radhët e Ushtrisë Ҫlirmtare të Kosovës, e cila me luftën e saj madhore kishte influencuar fuqishëm te publiku vendor dhe ndërkombëtar, si dhe kishte hapur një kapitull të ri në historinë e Kosovës, duke vënë në veprim qendrat ndërkombëtare të vendosjes.

Por erdhi fundmuaji tetor i vitit 1998, muaji kur familja Allaqi do ta kujtojë përherë me dhembje, mori lajmin për rënjen e birit të saj, ndërsa Nazmija të bashkeshortit të saj, lajm të cilin ajo për një kohë të gjatë nuk do t’ua komunikojë fëmijëve të saj, Qëndresës, Qëndrimit dhe Ҫlirimit. Në komunikatën e Shtabit të Përgjithshëm të UҪK-së nr.61., botuar më 1 nëntor 1998 në gazetën “Koha ditore“, mes të tjerash thuhej: “Duke u ndeshur me trupat e regjimit kriminal serb në fushën e nderit ranë heroikisht këta luftëtarë të lirisë, heronjtë dhe dëshmorë të ardhmërisë: Remzi Ademaj, Bedri Shala, Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Nuhi Mazreku, Behajdin Allaqi.(…) Pra, Lista e dëshmorëve vazhdon edhe me emra të tjerë, ndërsa emri i Dëshmorit Behajdin Allaqi është radhitur në numrin rëndor 17.

Qëndresa, vajza e vetme e Behajdinit, krenohet me personalitetin e babait të saj, por ajo është modeste kur flet për babain dëshmor: “Për dëshmorët s’na takon të flasim ne familjarëve, sepse ata më së paku u sakrifikuan për familjet e tyre. Do të thoja disa fjalë: “Do të doja, që sot të ishim mbledhur për ndonjë simpozium shkencor, të organizuar nga babai im, do të doja që të ishte ndonjë takim, ku babi do të diskutonte rreth temës: ”Patologjia e familjes dhe e shoqërisë kosovare”, e cila ishte tema e magjistraturës së tij”.

“Jam i privilegjuar që gjendem në mesin e familjes së një dëshmori, i cili që në ditët e para të lëvizjes ishte një veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, me të cilin pata rastin disa herë të takohesha qysh në kohën e veprimtarisë ilegale, u tha lideri i PDK-se, Hashim Thaçi, familjarëve të dëshmorit të kombit, Behajdin Allaqi.

 

 

_________________________

 

Në 53 vjetorin e lindjes së Behajdin Allaqit (07.04.1963 – ?.?.1998)

Kërkojmë ndriçimin e rrethanave të vrasjes së Behajdin Allaqit, vendrënien dhe eshtrat e tij, në mënyrë që të kemi një varr, ku mund të përkujtohet e nderohet nga familjarët dhe gjithë shqiptarët!

HUAZUAR PASHTRIKU.ORG

 

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...