Home / Opinion / “Nishani është një buburrec para veprës së Zhitit, e dirigjon Berisha si marionetë”

“Nishani është një buburrec para veprës së Zhitit, e dirigjon Berisha si marionetë”

Agim Vinca*

Edhe pse nuk kam pasur ndonjë konsideratë të lartë për presidentin e Shqipërisë, zotin Bujar Nishani, nuk ma ka marrë mendja se mund të binte kaq poshtë, siç ra me sulmin e paprecedent që i bëri poetit Visar Zhiti!Askund në botë (pos mbase në ndonjë vend të qelbur diktatorial në Amerikën Latine, në Azi a në Afrikë) nuk ndodh që kryetari i shtetit të polemizojë publikisht me një shtetas të tij, qoftë ky edhe njëfarë diplomati. Kjo është e paparë!

Kryetari i shtetit është, siç dihet, edhe komandant i forcave të armatosura të vendit, prandaj nuk i ka hije të hyjë në luftë me një shtetas të tij, qoftë ky edhe “i ngarkuari me punë i një ambasade”.

Në shtetet dhe shoqëritë normale kjo gjë nuk ndodh, nuk ka shans të ndodhë, por edhe nëse bën vaki të ndodhë, si në këtë rast, nuk mund të kalojë pa reagime përkatëse nga opinioni publik dhe veçanërisht nga intelektualët.

Në reagimin e tij me shkrim, Bujar Nishani e akuzon Visar Zhitin se gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në Burgun e Spaçit, në vitet 1982-1983, paskësh qenëbashkëpunëtor i administratës në procese të ridënimit të të burgosurve në atë burg”, kurse akuzën e tij e bazon në mesazhin që paska marrë nga një ish-i përndjekur politik!

E çfarë dëshmie është kjo? Si ka mundësi që shefi i shtetit ta marrë si të mirëqenë deklaratën e një njeriu anonim, madje pa e verifikuar fare në mënyrë institucionale? A s’i shkon mendja se kjo mund të jetë një shpifje? Njerëz që shpifin për t’ua bërë qejfin presidentëve ka plot ndër shqiptarë, e nuk mungojnë as ata që këtë e bëjnë për ndonjë inat personal apo edhe për pikë të qejfit.

Gjatë takimit që paskësh pasur me Visar Zhitin rreth dy vjet më parë, zoti Nishani si të ishte farë mjeku a psikiatri me nam, paskësh konstatuar tek ai “paqëndrueshmëri psikike” (!), prandaj edhe nuk e paskësh akredituar, duke shtuar se edhe procedura paskësh qenë “e parregullt”, ndonëse propozimi ka ardhur prej aty prej nga duhet të vijë: nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Ka edhe shumë arsye të tjera, morale, politike e shoqërore, që e bëjnë tejet problematik reagimin e zotit Nishani, por në fund po ndalemi edhe te një arsye thjesht njerëzore.

Si nuk ka pak ndjeshmëri njerëzore ky njeri, i cili duke qenë në krye të vendit do të duhej t’i bashkëndiente vuajtjet dhe pësimet e njerëzve e jo të sillet ndaj tyre me shpërfillje e brutalitet?! Nuk u mjaftua me faktin që nuk e akreditoi Visar Zhitin ambasador në Selinë e Shenjtë, por edhe e sulmon nga pozita që mban, edhe pas tragjedisë që pësuan ai dhe bashkëshortja e tij (humbja tragjike e djalit të vetëm në moshën 19-vjeçare), tragjedi kjo që u përjetua rëndë edhe nga miqtë e tyre të shumtë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoni e gjetkë, kudo ku jetojnë shqiptarë që ende nuk janë zhveshur nga ndjenjat njerëzore!

Ne që e njohim Visar Zhitin si njeri dhe krijues, që e njohim mirë karakterin e tij tejet njerëzor, por edhe atdhetarizmin e tij të dëshmuar, pa harruar as krijimtarinë e tij të gjerë letrare e artistike, para së cilës Bujar Nishani dhe Bujarët e tjerë do të duhej ta ndienin veten si buburrecë, nuk na mëdyshin fare sulmet dhe akuzat që i bëhen atij, por nuk mund të mos e ndiejmë veten të fyer e të mos revoltohemi nga ky veprim i paparë i Kryetarit të shtetit shqiptar, që s’mund të quhet ndryshe pos një skandal politik dhe bankrot moral.

Njeriu që sillet kësisoj (dhe kjo nuk ndodh për herë të parë), nuk meriton të qëndrojë as edhe një ditë të vetme në postin në të cilin është, tek e ka vënë ai që e dirigjon si një marionetë dhe që po e mban peng plot një çerek shekulli Shqipërinë e shkretë, njeriu  për të cilin dikur mbase edhe vetë miku im Visar Zhiti ka pasur iluzionin se është shpëtimtar i Shqipërisë: Sali Berisha.

About admin

x

Check Also

Biserko: Edi Rama ishte politikani i parë që pranoi ndarjen e Kosovës

Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, nuk gjendet në tryezën e bisedimeve mes të ...