Home / Lajme / Si e përjashtuam Ukshin Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Si e përjashtuam Ukshin Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Shkruan: Sali Bytyçi

E mërkure, 18 Janar 2017

Ishin vitet e para të themelimit të LDK-së dhe punët po na shkonin vaj. Secili kryente punën e tij ose nuk bënte asgjë, njësoj ishte, po punët shkonin për mrekulli. Për të mos ju mërzitur me rrëfime për atë kohë se ka shumë, të nderuar miq, unë po hy drejt e në temë.

Ishte verë. Viti 92 apo 93, nuk më kujtohet saktë, por njerëzit që kanë qenë në atë kuvend dhe që kanë kujtesë më të mirë se timen, e kujtojnë më saktë, kur një udhëheqës yni i LDK-së na thirri: Mblidhuni të shkojmë në Krushë të Madhe, ta përjashtojmë Ukshinin nga Lidhja Demokratike!

Hipëm në vetura dhe u nisëm drejt Krushës së Madhe. Po ashtu nga të gjitha fshatrat e rrethit të Rahovecit erdhën njerëz me vetura për të marrë pjesë në Kuvendin e Krushës, me të vetmen pikë të rendit të ditës: Përjashtimi i Ukshin Hotit nga LDK-ja.

Iniciativa kishte ardhur nga Qendra.

Ju miq te mi te nderuar, tani mund të thoni si veprova unë kur mora ftesën të shkonim në Krushë të Madhe për ta përjashtuar Ukshin Hotin? Nuk mendova fare, iu bashkova shokëve, hipëm në vetura dhe gjatë rrugës as që foli kush për çështjen pse po shkonim. (Më parë nuk kisha qenë në ndonjë parti, po nuk ishin të tillë edhe “shokët” e mi, prandaj as që mendova fare për kuvendin që do të bëhej dhe si do të bëhej! Do të përjashtohej apo nuk do të përjashtohej Ukshini! Këtu duhet të ceki se jo vetëm që ishte partia e parë, po kjo ishte edhe partia e fundit në të cilën kam qenë ndonjëherë i anëtarësuar dhe që kam marrë pjesë në aktivitetet e saj. Arsyen ju tregoj një herë tjetër).

Salla u mbush plot. Dikur, pasi pushuan zhurmat, njëri nga udhëheqësit lokalë të LDK-së doli në faltore dhe mori fjalën. Nuk më kujtohet sa foli për çështje të përgjithshme, por më kujtohet mirë kur hyri në temën për të cilën ishim mbledhur në Kuvend, përse duhej të përjashtohej Ukshin Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Arsyetimi, të cilin e dha ai (një mësues gagarel, me hundë të madhe dhe me të folmen karakteristike të fshatrave: Krushë e Madhe, Hoçë e Vogel, Zoçishtë, Nagavc etj.) ishte se Ukshin Hoti duhej të përjashtohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sepse nuk i ka zbatuar me konsekuencë direktivat e Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Kur ne shtëpi më shtëpi e kemi proklamu programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukshin Hoti ka shëtitur poshtë e përpjetë, në Lubjanë e ku ta dimë ne kah ka qenë, prandaj duhet të përjashtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës!”, tha ai në vazhdim.

Vetëm kur e dëgjova arsyetimin e këtij demokrati u përmenda. U tmerrova kur e dëgjova fjalorin ideologjik, të cilin pata menduar se e kishim kaluar tanimë! “Direktivat”, “konsekuencë’, “shtëpi më shtëpi” etj. për një moment ma kthyen atë kohë dhe m’i kujtuan edhe pësimet që kisha pasur në atë kohë nga kjo gjuhë.

Nga kjo pjesë e Kuvendit tjetër asgjë nuk më kujtohet, por më kujtohet vazhdimi. Të vendosë Kuvendi për përjashtimin apo mospërjashtimin e Ukshin Hotit. Dolën delegatë njëri pas tjetrit në faltore për të dhënë mendimin e tyre para se të vendosej për qitjen në votim të kësaj çështjeje. në mesin e atyre që dolën në mbrojtje të Ukshinit isha edhe unë, edhe pse kurrë nuk kam qenë njeri që del e flet në kuvende, por nuk munda të rri indiferent ndaj këtij rasti kaq të turpshëm që po më ndodhte para syve. Në fund çështja doli në votim dhe Kuvendi i Krushës e tha fjalën e tij. Shumica e delegatëve votuan kundër përjashtimit të Ukshin Hotit.

U ndjeva i lehtësuar me epilogun e Kuvendit. Por çështja nuk përfundoi me kaq. Në faltore doli vetë Ukshini dhe foli. Së pari e falënderoi Kuvendin për mbështetjen që i dha, por, shtoi ai, “në këtë parti më unë nuk mund të rri”! Kjo parti, përveç të tjerash, po edhe këtyre që i dëgjuat këtu, më është futur edhe në familje. Dhe, i mllefosur, dha dorëheqje nga LDK-ja Ukshin Hoti.

Kur u kthyem prapa, unë më nuk u ktheva me ata që më kishin marrë me veturë për ta përjashtuar Ukshini, po më mori Dervish Thaçi, jurist nga Çifllaku, sepse nuk donte të merrte në veturën e tij një person që kishte ardhur me të, por që ishte që Ukshini të përjashtohej nga LDK-ja.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...