Home / Opinion / PËRGJIGJE NË LIDHJE ME PYETJEN PUBLIKE

PËRGJIGJE NË LIDHJE ME PYETJEN PUBLIKE

Nga Prof. dr. Vebi Xhemaili

Përgjigje: Abdullah Mehmeti

,,ÇFARË SHKRUAN SOT NJË OPINIONIST SHQIPTAR???

,,Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, populli shqiptar, si dhe qytetarët që jetojnë në kufijtë e saj, të cilët janë pjesë e popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerë…, në pajtim me traditën e Republikës së Krushevës”.

Sot po të pyes publikisht; Çfarë tradite pashë Zotin opinionist, gjete te Republika e Krushevës, e cila nuk zgjati as një ditë. Këtë kryengritje e organizoi pushteti bullgarë, për interesa të veta hegjemoniste. Po të pyes Z. Opinionist kurrë u Shpallë kjo Republikë, e ashtuquajtur e R. Krushevës, Para dite, pas dite, apo natën kur hynë Komitët Bullgarë në Krushevë, ku vranë mbi 24 vetë fëmijë dhe gra.. Po të pyes publikisht, pasi kjo republikë që nuk zgjati më shumë se një ditë, në cilën kohë funksionuan ato organe të shpallura të kësaj Republike FANTOM, që kurrë nuk ka ekzistuar. Përveç në kokat e komunistëve titistë, për ta shpallë shtet, dhe njëherë përgjithmonë për ta përvetësuar Maqedoninë shtet në vete ku më së shumti pësuan shqiptarët që nga dita e themelimit të këtij shteti, ku mori pjesë Nexhat Agoli. Në kuvendin e Asnomit në gusht 1944, Shqiptarët e fituan statusin pakicë sëbashku me Romët dhe Turqit, ku sot e kësaj dite trajtohemi me të njejtin nocion me Kushtetutë edhe pse e bëmë një luftë të lavdishme në vitin 2001.”

PËRGJIGJE:

Meqë ky shkrim është i imi, i nderuari profesor Vebi Xhemaili, e kam për detyrë t’u përgjigjem në lidhje me pyetjen Tuaj, pa hyrë në detaje të tjera, edhe atë:

1. Unë nuk kam mbajtur ligjëratë historike që të shpalosi fakte të reja historike për këtë ngjarje, Republikën e Krushevës, për të cilën kërkoni sqarime prej meje, por e kam interpretuar në aspektin juridik dhe politik, si do të duhej të jetë përmbajtja e re e Preambulës së Kushtetutës së Maqedonisë, me të cilën do të definohej statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit shqiptar në Maqedoni, që edhe me kontributin Tuaj, shqiptarët ende janë pakicë kombëtare, si romët, vllehët, turqit dhe pakicat tjera!

2. Ju takon Juve si historianë t’i shpalosni këto të vërteta shkencore, para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm shkencor: kush e ka nxitur këtë kryengritje dhe pse? Sa ka zgjatur kjo ,,Republikë”? Kush e stisi këtë ,,fantom republikë”, siç thoni ju, dhe pse? Dhe nëse kjo është kështu, çfarë u duhen tani këto fakte shqiptarëve, kur Ju keni pranuar të jenë pjesë e dokumentit më të rëndësishëm të një shteti, Kushtetutës së tij, të cilin e keni pranuar Ju vetë dhe partia Juaj, që e ka legjitimuar këtë kushtetutë, bashkë me këtë ,,të vërtetë” për Republikën e Krushevës, e cila tani Ju duket e shpikur nga komunistët jugosllavë?!

3. Mos harroni se Ju keni qenë pjesë e pushtetit ligjdhënës, deputet në Parlamentin e Maqedonisë, kur u soll kjo Kushtetutë, e cila skajshëm i diskriminon shqiptarët tash e 26 vjet! Pse nuk reagove atëherë, bashkë me shokët, kur u miratua kjo Kushtetutë me këtë përmbajtje, por qëndrove edhe më tej për t’i shijuar benificionet e pushtetit?

4. Në lidhje me KÇKM, ju keni shkruar gjerë e gjatë në librat Tuaj, edhe këtë mund ta kontestoni dhe sqaroni në aspektin historik, por nuk mund ta hiqni si pjesë në preambulën e Kushtetutës, sepse Ju vetë dhe partia Juaj jeni pajtuar në kohën kur është miratuar ajo. Kjo nuk shqitet lehtë tani, me fajin edhe Tuajin, o profesor!

5. Ju keni deklaruar se keni qenë pjesë e udhëheqësisë për realizimin e Referendumit për Autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, anëtar i Komisionit për caktimin e kufijve të Republikës së Iliridës, siç keni thënë Ju. Pse nuk e jetësuar atëkohë këtë ide? Pse nuk i caktuat kufijtë për të cilët ua besuan detyrën? Pse e latë të dështojë kjo ide fisnike, për të cilën sakrifikuan shumë shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm?!

6. Nuk kërkon sqarime një historian për një ngjarje historike, nga një interpretues i kushtetutës në aspektin juridik dhe politik, sa për të bërë ,,bum” kinse tek lexuesit! Në politikë nuk parashtrohet pyetja: çfarë thoni, por çfarë bëni?!

7. Për fund, unë ju parashtroj një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjeni Ju: Po të kishi qenë Ju dhe partia e Juaj konsekuentë në politikë për realizimin e interesave të shqiptarëve, po të kishi bërë bile minimumin e mundshëm gjatë asaj kohe, të mos ishi joshur nga fama dhe privilegjet e pushtetit, a do të kishte nevojë të vijë situata deri në ,,luftën e lavdishme” të vitit 2001, siç e thoni Ju?

Me shpresë se Ju, si historian dhe politikan me përvojë do ta jepni kontributin Tuaj të çmuar në lidhje me avansimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në të ardhmen, në daçi edhe për realizimin e idesë Tuaj më të madhe,

Ju përshëndes miqësisht!

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...