Home / Lajme / PËRSE BREZI IM E DESHTI ENVER HOXHËN?!

PËRSE BREZI IM E DESHTI ENVER HOXHËN?!

(Letër miqve të mi në Shqipërinë e “brendshme”) Me miqtë e mi në Shqipërinë e brendshme, siç e quan shkrimtari ynë, Dritëro Agolli, me të cilët na përputhet mendimi, ndodhin edhe keqkuptime. Kjo, për shkak të pikëpamjeve në raport me personalitetin e Enver Hoxhës. Ne në Kosovë Enver Hoxhën e personifikonim me Shqipërinë, me shtetin amë, nga i cili na kishin ndarë dhunshëm e me të cilin donim të bashkoheshim. Këndej kufirit ne njihnim jetën tonë të varfër, të organizuar në klane familjare, ku respektohej autoriteti i më të madhit, e që për ne të rinjtë nuk kishte liri zgjedhjeje pos t`i nënshtroheshim këtij autoriteti.

Nëpërmes TVSH-së andej kufirit shihnim një jetë tjetër, të cilës i këndohej me dashuri, shihnim çerdhe e kopshte fëmijësh, gra që piqnin bukën e që merrnin çmime në art, kulturë e shkencë. Shihnim filma që i kushtoheshin njeriut të ri. Përcillnim festivale këngësh, ku i këndohej fëmijës së parë, po edhe puthjes se parë. Këtë nivel jete, te ne e gëzonin vetëm serbët dhe një shtresë e hollë e shqiptarëve, të cilët kishin arritur të shkolloheshin dhe punësoheshin, por që nuk arrinin dot të bëheshin model për masat e gjera. Qysh atëherë e ndjeva, që njeriu ka nevojë për kulturën e vet, e jo për një kulturë të huaj. Kjo nuk i interesonte politikës zyrtare të Jugosllavisë së asaj kohe, qëllimi i së cilës nuk ishte të na afronte me kulturën tonë, por përkundrazi të na tëhuajsonte sa më shumë. Asaj nuk i konvenonte të emancipohej dhe zhvillohej i tërë populli shqiptar në Kosovë, prandaj privilegjoi vetëm një shtresë të shqiptarëve nga të cilët ajo kishte përfitimet e veta, të ruajtjes së vëllazërim-bashkimit.

Deri vone kam menduar që kjo shtresë njerëzish, të cilët gëzuan privilegjet e një jete të mirë, me vende të mira të punës, me bursa studimi për fëmijët e me pushime verore të organizuara, do të prodhoj megjithatë njerëz të formuar e qytetarë të denjë, të cilët duke qenë më afër dijeve dhe informacionit, një ditë do të ktheheshin për të ndihmuar popullin e vet, bazën nga gjiri i të cilit kishin dalë.

Të paktë, shumë të paktë qenë ata të cilët sakrifikuan këto privilegje, dhe pa dyshim ndër këta ishte Ukshin Hoti, i cili jo rastësisht që nga viti ‘81 përkrahu kërkesën e studentëve për Kosovën Republikë, u bashkua me ata, i mbrojti ata fuqishëm, u burgos, u sakrifikua dhe u vetmohu deri në zhdukje totale. Në këtë gjendje, pa mbështetje shtresa e gjerë e popullit, kishte ngelur prapa, jashtë procesit shoqëror, e pa integruar dhe me raporte të pa shthurura patriarkale, tamam si në feudalizëm.
Me hapjen e Universitetit në Prishtinë, filluam të shkollohemi në masë të ndjeshme. Ky shkollim ndikoi jo vetëm në ndryshimin e sistemit të vlerave, por edhe në rritjen e nevojave tona kulturore, të cilat tashmë nuk arrinim t`i plotësonim me ato që na servohej nga Beogradi. Ne si popull nuk kishim kurrë mundësi të dominonim vlerat, aq më pak ato politike. Ato na vinin nga lartë dhe natyrisht për të qenë lart, në këtë piramidë, duhej t’i përshtateshe politikës ditore të Beogradit.
Si pasojë lindi letërsia dhe veprimtaria ilegale e disa dhjetëra grupeve, që prodhuan Pranverën Historike të vitit 1981, vit ky që sipas Ukshin Hotit u cilësua si viti me cilësor në jetën politike të shqiptarëve te Kosovës. Ishte viti 1981 ai që promovoi kthesën, që solli më pas në skenë UÇK-në. Pos kësaj, viti ‘81 njihet edhe si vit i diferencimit ideopolitik, me zbatimin e të cilit politika jugosllave ndau popullin edhe ashtu të varfër të Kosovës në dy pjesë: Në demonstrues, dhe në dënues të tyre. Kjo ndarje megjithatë nuk vlente për Millosheviçin, i cili gjatë luftës në Kosovë nuk i kurseu as të parët, as të dytët.

Në vendlindjen time në Therandë Serbia vrau njësoj të gjithë, sidomos familje të cilat përfaqësonin vlerë. Duke vrarë kështu tentoi të shkatërrojë strukturën e familjes, qoftë asaj fshatare apo asaj qytetare, në mënyrë që jetën në Kosovë ta kthej prapa, drejt regresit. Ajo që dua të them, megjithatë është, që, njësoj si ata të cilët përqafuan ideologjinë e Titos, e, po ashtu edhe ata të cilët përqafuan ideologjinë e Enverit, ishin rezultat i rrethanave të krijuara politike. Rëndësi për mua ka që si të paret, ashtu edhe të dytët, nuk arritën që të zhvillohen aq sa të marrin përgjegjësitë e kohës. Të paret mbase për shkak të ecjes së tyre në një rrugë jo natyrore – jo shqiptare, në atë sllave dhe sipas Erich Fomit një rrugë e tillë që nuk bazohet në natyrën njerëzore, nuk çon në zhvillimin e njeriut, por vetëm te plotësimi i kërkesave subjektive, realizimi i të cilave çon në marrjen e ca kënaqësive kalimtare.
Ndërkaq, më mirë nuk qëndrojmë as ne, të cilët u rreshtuam pas Enverit. Vrasjet, burgosjet e veprimtarëve të denjë, të aftë për të avancuar çështjen, e dobësuan shumë rezistencën dhe luftën tonë drejt lirisë. Ndjekjet, bastisjet, izolimet e diferencimet e vazhdueshme, jeta e rëndë dhe e vështirë, penguan dukshëm, rrugëtimin tonë drejt jetësimit të Republikës, të cilën e gjakuam. Përkundër kësaj, ishte brezi im ai që rriti dashurinë për Atdheun. Përmes asaj që shihnim në TVSH, unë arrita t’i mësoj tërë filmat përmendësh, t’i njoh të gjithë aktorët e brezit të artë të kinematografisë shqiptare. Ata aktorë të mirë, ata filma të realizuar, ishte e pamundur të mos i mbaja në mendje.
Ne vitin 2011 takova Liri Lushin, këtu ne Zvicër, në një manifestim me rastin e 30 vjetorit të demonstratave të vitit ’81. U befasua shumë kur i recitova fjalët e rolit te Shotës. Festivalet e këngës së lehtë, po edhe atë të Folklorit në Gjirokastër, i dija përmendësh. Të gjitha këto ndikuan te unë të krijohem ndryshe, të formohem ndryshe, madje jo vetëm unë, por edhe shoqet e mija, edhe shokët e mi të brezit tim ishin kështu. Sot shoqet nga Shqipëria, pas përvojave të shumta me kosovarët, kanë arritur të shohin ndryshimin në sjellje, në nivel kulturor, në mënyrën e jetesës, e në tërësi në mentalitet.
Andaj përkundër faktit që gjërat atje (në Shqipëri) nuk janë më së miri ose si do të duhej të ishin, në krahasim me Kosovën, janë shumë më para. Dhe unë sot mund të bëjë debat të barabartë, të inkuadrohem në jetën e tyre shoqërore e politike, të mos dalloj në koncepte e në perceptim fenomenesh, falë asaj dashurie që kisha për Enverin. Unë juve që nuk e deshët Enverin ju kuptoj pse nuk e deshët, por, ju lutem shumë, më kuptoni edhe ju mua, e brezin tim, se përse e deshëm atë…

Bernë, 03.09.2015

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...