Home / Lajme / KRYQI DHE DONKISHOTI I POLITIKËS SHQIPTARE XHELAL ZEJNELI

KRYQI DHE DONKISHOTI I POLITIKËS SHQIPTARE XHELAL ZEJNELI

Vendosja e kryqit gjigant në një pjesë të Shkupit paraqet edhe një dëshmi për politikën e dështuar të faktorit politik shqiptar, e sidomos të BDI-së, pjesëmarrëse në qeveri.

Kryqi gjigant:
– diskrediton faktorin politik shqiptar;
– diskrediton BDI-në, pjesëmarrëse në bashkëqeverisje;
– tregon se BDI-ja nuk ka kurrfarë ndikimi politik në qeveri, pjesë e së cilës është;
– tregon se BDI-ja është e shpërfillur nga partneri i saj i bashkëqeverisjes;
– flet për dobësinë politike dhe morale të ministrave dhe të deputetëve të BDI-së;
– flet për defaktorizimin total të BDI-së në rrafshin politik;
– flet për depozicionimin e ministrave shqiptarë në qeveri;
– tregon se ministrat shqiptarë në qeveri janë nën hipotekë, të disiplinuar dhe të frikësuar.
Vendosja e kryqit gjigant tregon se shqiptarët në Maqedoni janë të dështuar në planin politik. Të dështuar në rrafshin politik, shqiptarëve u duhet të merren, jo me çështje politike, por me kryqe. Me çështje jopolitike merren vetëm popujt, të dështuar në rrafshin politik.
Sikur shqiptarët të ishin faktor politik, kryqet dhe shumë gjëra të ngjashme si këto, kurrë nuk do të vendoseshin në trojet shqiptare. Sikur shqiptarët të ishin faktor politik relevant, proceset politike të montuara, kurrë nuk do të ndodhnin. Po të kishin qenë shqiptarët faktor politik vendimmarrës, nuk do të ndodhte Brodeci, Sopoti, Monstra, tragjedia e Kumanovës etj. Me një fjalë, shqiptarët në Maqedoni janë të shpërfillur dhe të shtrirë për toke. Në këtë gjendje nuk kanë qenë as para 2001-shit dhe as në kohën e komunizmit.
Kryqet sllavo-maqedonase vendosen në vende publike, pra aty ku s’e kanë vendin. Ata vendosin në kundërshti me ligjet dhe me kushtetutën e Maqedonisë.
Me rastin e vendosjes së kryqit në lagjen Butel të Shkupit, nuk është përfillur as edhe parimi i Badinterit, në nivel vendor.
Vendosja e kryqeve në një vend dyetnik dhe shumë-konfesional, siç është Maqedonia, ndikon në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, por edhe ndër-konfesionale.
Sipas kushtetutës, Maqedonia është vend shekullar, në të cilën feja dhe institucionet fetare janë të ndara nga punët e shtetit, nga politika e shtetit si dhe nga punët e qeverisë.
Shovinistët sllavo-maqedonas që ngrenë kryqe në hapësirat shqiptare, fare s’kanë të bëjnë me religjionin. Ata kanë për qëllim sllavizmin e Maqedonisë, të tregojnë se Maqedonia është shtet sllavo-maqedonas dhe se shqiptarët nuk kanë se ç‘kërkojnë në të.
Antishqiptarët sllavo-maqedonas që mbjellin kryqe nëpër viset shqiptare, qëllimisht nxisin reagimin dhe revoltën e shqiptarëve, për t’ia bërë me dije më pas Evropës së krishterë se ja, shqiptarët, duke qenë të fesë islame, janë kundër krishterimit, e rrjedhimisht edhe kundër Perëndimit.
Shqiptarët, duke qenë një popull me fe katolike, ortodokse dhe islame, nuk janë kundër kryqeve, minareve, kishave, xhamive dhe teqeve – përderisa simbolet dhe objektet e sipërthëna të kultit nuk keqpërdoren për qëllime ideologjike, politike dhe ksenofobike, si në rastin e kryqit që parashikohet të ngrihet në Shkupin – të banuar nga shqiptarë dhe sllavo-maqedonas.
Sllavizimi i trojeve shqiptare nga ksenofobët e VMRO-së bëhet në një kohë kur donkishotët e politikës shqiptare prononcohen dhe veprojnë për ta shpëtuar Maqedoninë nga kriza e thellë politike.
Çka u duhet shqiptarëve bashkëjetesë me sllavo-maqedonasit, kur këta për çdo ditë kryejnë akte dhe veprime kundër saj?!
Për një Skënderbe që e vendosi BDI-ja në Shkup, VMRO-ja ngriti në të, dhjetëra përmendore të personaliteteve nga historia bullgare, serbe dhe nga periudha antike.
Për një simbol shqiponje dy metërsh, të vendosur në një lagje të Shkupit, VMRO-ja ua kthen shqiptarëve me një kryq 55 metërsh. Ç‘politikë është kjo?!
Flamujt dhe përmendoret e figurave historike shqiptare duhej të viheshin në viset shqiptare në Maqedoni qysh në vitin 2002 dhe jo sot, 15 vjet pas mbarimit të luftës së 2001-shit.
Përmendoret e personaliteteve të historisë së popullit shqiptar, siç janë Dervish Carra, Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini, e shumë të tjerëve, duhej të viheshin qysh para 15 vjetëve, madje jo nëpër oborret e shkollave fillore të katundeve, por në sheshet e qyteteve shqiptare në veriperëndim të Maqedonisë.
BDI-ja duhet ta dijë se sot është vonë për flamuj dhe përmendore. Sot shqiptarëve u duhen zona të lira ekonomike, investime të jashtme, fabrika, ndërmarrje prodhuese, eksport mallrash, sjellje devizash nga eksporti i mallrave, çelje vendesh të reja pune, punë dhe punësime, institucione kulturore dhe shkencore, arsimim cilësor dhe shëndetësi cilësore, infrastrukturë bashkëkohore etj.
Të merresh me përmendore sot, do të thotë të jesh i vonuar. Çdo punë e ka kohën e vet. Të rinjtë shqiptarë sot e kanë mendjen në shpërngulje, drejt Perëndimit. Ta bësh sot atë që s’e ke bërë dot kur është dashur, d.m.th. para 15 vjetëve, është papërgjegjësi politike dhe patriotizëm folklorik.
Njerëzit nuk hanë përmendore. Ata kërkojnë punë dhe një jetë më dinjitoze. Me përmendoret që nuk janë vendosur në kohën e duhur, le të merren ministrat, deputetët dhe funksionarët e tjerë të BDI-së të cilët i kanë mbushur xhepat dhe janë pasuruar duke u rrotulluar katër mandate me radhë në organet ligjvënëse dhe ekzekutive të pushtetit qendror dhe vendor.
Në vitin 2001, UÇK-ja nuk e bëri luftën që antishqiptarët, ksenofobët dhe ultra-nacionalistët sllavo-maqedonas të bëjnë sllavizmin e hapësirave shqiptare në Maqedoni.
Politika e BDI-së e diskrediton luftën e 2001-shit dhe shkel e nëpërkëmb sakrificat e ushtarëve të UÇK-së, të dëshmorëve të luftës si dhe të invalidëve të luftës.
Protesta e disa funksionarëve të BDI-së ndaj kryqit dinosaurik, janë punë joserioze. Protestuesit në krye me kryetarin e Komunës së Çairit, më parë se të kundërshtojnë ngritjen e kryqit, duhet të tmerrohen dhe të turpërohen për rënien dhe rrënimin politik të BDI-së. Protesta pati edhe kundër Car Dushanit, por ai vazhdon të qëndrojë i palëkundur aty ku e kishin vendosur pushtetarët e VMRO-së.
Politika shqiptare sot është shndërruar në infantilizëm politik.
Intelektuali shqiptar ndërkaq, ideal të vetëm ka: të zërë një pozitë për vete, apo të punësojë djalin, vajzën, renë e vet.
03. 01, 2016-

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...