Home / Lajme / Duhet të angazhohemi të gjithë, jo vetëm politika

Duhet të angazhohemi të gjithë, jo vetëm politika

Ngjarjet e fundit në Kosovë dërguan një mesazh të fuqishëm te qytetarët, jo vetëm këtu, por kudo që jetojnë shqiptarët. Jo vetëm se nxori në pah lojërat politike, apetitet edhe për mbajtjen e pushtetit përmes armës, që dëshmoi se janë të gatshëm për të mos lënë “guri mbi guri” (A.Z.Ç) pas tyre. Kjo filozofi politike rrënjët te ne shqiptarët i ka të cekëta dhe mu për këtë u diktua edhe nga rinoshët, jo vetëm në politikë, sepse janë yshtur për të vepruar kundër atdheut nga shantazhet ende të panjohura për ne, e që këto mund t’i lexojmë vetëm përmes veprimeve politike, sepse detyrohet Evropa të pranojë lojën e Serbisë për shkak të Rusisë, të cilën Kryeministri Edi Rama e tha shkoqur.

Politika e kundërvënies mediale, kuvendare dhe e protestave ka filluar të kalon në këmbim mendimesh kuturu, që mundohen ta quajnë polemikë, ndërsa polemikat e kanë strumbullarin si temë trajtimi, e kanë kohën për referim, e kanë ngjarjen për shkoqitje, prandaj edhe thashethemet mund të kënaqin një kategori që i plotësojnë apetitet e veta me “më ke thënë, të thashë”. Nëse humbët kohë në këtë drejtim, qëllimi i shtjellësve të temave të shpifura për ngacmim të akëcilit, me apo pa vetëdije, nënkuptojnë qëllimin e bjerrjes së kohës dhe heqjen e përqendrimit nga tema bosht, e të ardhmes sonë.
Është momenti kur qytetarit t’i vihen në dorë platforma politike, ekonomike dhe bujqësi, arsimore dhe sociale, përmes së cilave do të orientohet në veprim të domosdoshëm, pa humbur kohë dhe pa e humbur toruan nga përfoljet anësore.

[b]Politika[/b] Temat bosht të cilat muajve të fundit janë artikuluar dhe ato të cilat dolën kohëve të fundit, duhet renditu dhe përzgjedhur cilat janë me përparësi për zbërthim para qytetarëve, qoftë përmes kontakti me ta, qoftë përmes dhënies së mendimit publik. Ende qytetari nuk e ka të çartë se çfarë pasoja apo të mira sjell Zajednica dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Për këto dy tema duhet kontaktuar edhe me politikën shqiptare, kudo që veprojnë, duke shtruar problemin nga këndi shkencor, e jo nga këndi politik, sepse mbetët në suazat e saja dhe kjo krijon mjegull te qytetarët. Në këtë duhet të marrin pjesë të gjithë intelektualët, analistët, akademikët (po të ishin në nivel akademitë shqiptare do të merrnin gjithë barrën profesionale dhe të tjerët do ta kishin mbështetur) dhe jo ky problem kombëtar të mbetët vetëm si barrë e subjekte politike
Dikush do të thotë se janë shteruar këto tema nga këndi i politikës ditore dhe vetëm humbim kohën e “çmuar” t’i ndalemi përsëri atyre. Kjo duhet të jetë gjithnjë në plan të parë, sepse nuk do të shkojë shumë kohë, kur edhe do të detyrohen për të biseduar për vijat kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse përmes Zajednicës po realizon një projekt, që kaherë e kam ngritur si temë për trajtim, korridorin. Dhe ky korridor me Komunën e re të Prelluzhës po jetësohet duke lidhur veriun me lindjen e Kosovës dhe për momentin Serbia nuk është në gjendje të provokojë situatën politike me shqiptarët dhe me faktorin ndërkombëtar. Ajo do të pres një ditë më të përshtatshme, si kusht për njohje të Kosovës, shkëputjen e kësaj hapësire territoriale, ku jo vetëm do të pamundësohet funksionalitetit i Kosovës si shtet, por do të ketë edhe ndarje përbrenda vetës. Prandaj edhe nuk është temë që duhet lënë në harrës dhe për të pritur momentin më të “përshtatshëm” politik. Të gjithë ata që mbështetin këtë projekte duhet ndalur dhe për këta nuk duhet të ketë falje, por ndëshkim siç e parasheh Kodi penal, kur falen territore të atdheut.
Zbërthimi i kësaj kreature duhet të ju shpjegohet të gjithëve, edhe ndërkombëtarëve, nga këndi territorial, nga këndi demografik, nga këndi ekonomik, nga këndi politik, që mund të sjell pasoja të dyanshme, pra të çrregulloj jetën në Ballkan, gjersa gjërat nuk vendosen në vendin e vet. Kjo nuk do të ishte kërcenim apo prishje e marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar, sepse një teori e tillë e cila mëton të fuqizohet ka bosht filozofin politike të Maltusit. E nëse akëcili shtet pranon një filozofi politike, e cila edhe është luftuar e luftohet gjithkund në botë, t’i detyrojmë të pranojnë sheshazi se mbështetin politikën serbe që ngërthen në vete filozofin e marrje së të drejtës për të jetuar një komb (shqiptarët).
Pesha e problemit kombëtar, nuk duhet t’i lejoj akëcilit politikan, të merret me thashetheme, se ia humb vlerën edhe kur flet për probleme madhore, prandaj duhet pasur kujdes.

[b]Ekonomia dhe bujqësia[/b] Politika e dobët e ka pru kolapsin ekonomik, duke u nisur nga privatizimi, tenderimi, koncesionet dhe programet e bizneseve familjare. Duhet të dali në skenë një program i ekonomisë politike, për ta materializuar dhe zbërthyer te të gjithë, jo vetëm përmes bisedave nëpër studio televizive, por edhe në takim me qytetarin, sidomos me sindikalistët, që ata të jenë më të organizuar për të prishur paqen sociale që ka lidhur udhëheqja e saj me Qeverinë, por edhe përmes shkrimeve analitike të ekspertëve të fushave përkatëse.
Duhet qasur privatizimit me kompetencë, sidomos te ndërmarrjet me Spinof special, sepse ato kanë krijuar brigada të papunëve dhe kanë ndërruar destinacionin, sipas dashjeve të pronarëve, pa përfillur kontratat e shitblerjes. Atyre kompanive duhet marrë pasurinë dhe duhet detyruar të rikthejnë ndërmarrjen në gjendjen e më parme, kur është bërë blerja, ndërsa nënshkruesve të shitblerjeve le t’u merret pasuria, e vetmja formë për të rikthyer gjendjen stabile dhe ndaljen e keqpërdoruesve. Kjo formë e veprimit ka për të nxjerr në shesh të gjithë mekanizmin vendor e ndërkombëtar, sepse ndërkombëtarët në Rregullore për privatizim ua kanë marrë të drejtën shqiptarëve për të konkurruar, sepse “nuk kanë biznes të ngjashëm”.
Përveç kësaj fushe, që duhet të jetë një kontroll shumë profesional dhe serioz, fusha tjera që duhet trajtuar janë, sektori i bujqësisë, sepse kanë shkuar me mijëra hektar te individët me çmime simbolike, por ajo që është më thelbësorja, se pësime kanë pasur edhe ndërmarrjet që kanë bërë përpunimin e të mirave materiale që janë prodhuar në bujqësi dhe janë mbyllur me dhjetëra fabrika përpunimi të lëndës së parë, lanë të pa punë mijëra punëtor dhe gjithë këtë mundohen ta mbulojnë me biznese familjare.
Përmes privatizimit kanë shkuar me qindra hektar tokë në shndërrim të tyre në pjesë urbane apo qendra biznesi. Raste të tilla ka shumë, në gjithë hapësirën kombëtare dhe banesat apo vila ka mbirë si kërpudhat, duke prishur edhe hapësira urbanizmi. Shkaktarët e tyre duhet vënë para drejtësisë dhe konfiskuar pasurinë
Këto duhet bërë publike, që edhe qytetarët të dinë se ku shkoi djersa e tyre, mundi i tyre dhe pasuria e tyre. Sot mundësit e bërjes publike janë shumë të përshtatshme, sepse kemi portale, kemi facebook dhe përmes skanimeve mund të publikohen dokumentet origjinale, nëse ata nuk i merr për trajtesë gjykata. Përmes këtyre mekanizmave duhet bërë presion edhe në gjykata që të merret me këto lëndë dhe meritorët e shkatërrimit të pasurisë le të shkojnë prapa grilave. Kjo do të ndale edhe përfolja nëpër kuluare.
Përveç që tkurr territorin, e bënë jofunksional shtetin Zajednica, e dëmton edhe ekonominë shtetërore, publike e private, duke e marrë Ujmanin, Brezovicën dhe një pjesë bukur të mirë të “Trepçës”. Nëse nuk i kemi nën kontroll këto, atëherë duhet të jemi të ndërgjegjshme se kemi shpërputhje jete institucionale, kolektive e private, prandaj lindë domosdoshmërie e veprimit të të gjithëve, duke përjashtuar faljen, se gjithë kjo po bëhet me vetëdijen e udhëheqësve të institucioneve.

[b]Arsimi[/b] Dikur kemi pasur arsim cilësor, cilësinë e të cilit e kanë bërë mësimdhënësit tanë. Pas lufte, të paktën infrastruktura ka shpëtuar, por degradimi i arsimit filloi me Dagsnerin, Bajramin dhe Osmanin. Këta tre, në emër të përshtatshmërisë me arsimin perëndimor, shkatërruan bërthamën e saj, me qëllim që të ju lehet hapësirë krijimit të universiteteve dhe kolegjeve private. U bënë shtatëmbëdhjetë vite që bëhet eksperiment përmes kalikullave, me fëmijët tanë, në emër të cilësisë, në emër të tregut të punës, etj. Të gjithë ministrat e derisotëm nuk kanë qenë në nivel detyre, madje edhe kanë keqpërdorur pozitat e tyre, në shumë fusha.
Në arsim kanë shkuar deri te politizimi i fakulteteve veç e veç dhe kanë arritur në kupolën e saj- Rektorat, për ta bërë të pafuqishëm në verim, për ta bërë të pafuqishëm në luftën kundër të pamerituarve si mësimdhënës, për ta bërë të mundur që të trajtohet politika si parësor në mësimdhënie dhe në gradime. Këta kanë luajtur lojën e armikut, sipas motos, nëse do për ta shkatërruar e sunduar një kombe, shkatërroja arsimin.
Për këto defekte duhet angazhuar të gjithë ata të cilët kanë njohuri, të gjitha ata që e kanë autoritetin intelektual e shkencorë, të gjithë ata të cilët disponojnë me fakte dhe të bëhen publike në çdo mjet informimi, në portale, në çdo takim me qytetarët dhe këtu rrol parësor mund të luaj sindikata, mirëpo edhe ajo ka lidhur paqe sociale me Qeverinë, me lojën e pensioneve për trupin mësimor që kanë qenë të paguar nga Qeveria Bukoshi
Shërimi i arsimit, në program, në hapësira të krijuara, në cilësinë e mësimdhënësve, na garanton perspektivën kombëtare, të cilën me çdo kusht mundohen ndërkombëtarët të na e mohojnë, sepse përmes këtij mohimi, lindin edhe mohime tjera, si historia, gjuha, kombi, shkenca etj.
Ky duhet të jetë prioritet i prioriteteve, që krahas kësaj të hulumtohet dhe dënohet korrupsioni

[b]Problemet sociale[/b] Problemet sociale janë më të theksuara, sepse ato i përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë dhe atë që nga lindja e deri në vdekje. Këto probleme duhet trajtuar nga të gjitha këndet dhe në radhë të parë duhet hulumtuar kostoja e jetës, për të qenë bindës në trajtimin e tyre. Ne ende i marrim nga zyrtarët, pa kurrfarë përllogaritje, të ardhurat për kokë banori, ndërsa në anën tjetër nuk kemi se sa i duhet për kokë banori para, për të kaluar një jetë normale.
Instituti i politikës sociale, që vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ende nuk e ka bërë një hulumtim të tillë. Ish drejtorit të Departamentit, z. Mustaf Gara, i thashë të bënte një hulumtim të tillë, Ai u përgjigj, se nuk e lejojnë. Nga ky hulumtim do të nxjerrim çmimin e shportës mujore apo javore, për pesë anëtar familje, nga ku edhe mund të shkojmë më tej për të parë se a mundën të ardhurat personale, pensione, ndihmat sociale, t’i përmbushin nevojat e qytetarëve. Ky hulumtim është i domosdoshëm të bëhet, për të bërë krahasimet e konsumit familjar, obligimet që dalin në kryerjen e nevojave shëndetësore, rrymës, shërbimeve komunale dhe të nxjerrim pagën minimale, pensionin minimal, ndihmat sociale minimale, duke mos harruar edhe shkollimin e fëmijëve.
Po t’i hyjmë kësaj analize, do të dali gjendja e mjerë sociale e qytetarëve dhe kushtet për të vepruar për mënjanimin e kategorisë, e cila në mënyrën më të turpshme, është pasuruar, madje duke kontrabanduar edhe me gjakun e dëshmorëve. Për të vërtetuar këtë, po e marrim si shembull vetëm kategorinë e veteranëve të luftës, që janë të nëpërkëmbur përmes pagave, e, dikur propagandohej se do të jetë pensioni më i lartë i kësaj kategorie në Kosovë, ndërsa tash po na del se pensioni nga marrëdhënia e punës, me shkollë të mesme, e tejkalon pensionin e veteranit, duke mos ua përfshirë rangun e shkollimit.

[b]E rëndësishme[/b] E rëndësishme është grumbullimi i gjithë këtij potenciale, për të koordinuar veprimet, nga ai profesional deri te artikulimi politik, për të përshpejtuar vënien e rendit dhe ligjit. Çdo ditë e mosveprimit është e humbu. Çdo shkapërderdhje e energjisë profesionale, biologjike, financiare, në hapësirën kombëtare, do të thotë nënshkrimi i dështimi dhe bartje e problemeve të fëmijët tanë.

Prishtinë, 03.03.2016

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...