Forca imagjinare ra përfundimisht.
Sot, në Tiranë, më 13 maj 2017, korrupsioni e humbi përfundimisht luftën: rreth 3 mijë njerëz të gënjyer nuk bënë dot asgjë. Pse, vërtet kishit menduar që antivlera mund të bënte revolucion antiperëndimor në një vend të përkrahur nga Perëndimi?
Dy liderët e Partisë Demokratike dhe Heronjtë e Çadrës që krijuan nonsenset e republikës së re.
Veçse duhet theksuar ndërkaq se në pikëllim janë gjithashtu edhe pritësit e mëdhenj të “republikës së re” shqiptare në Moskë, në Shkup, në Athinë dhe në Beograd.
ll.
Pas njëqind vjetësh në Tiranë dështoi haxhiqamilizmi i dytë: në fakt, sepse ishin të pafuqishëm esadistët e rinj të Tiranës. Edhe kjo pritej: dihet që Amerika sot është shumë më e fortë se Austo-Hungaria e djeshme, prandaj disfata neoesadiste ishte e sigurt.
Ishte një pamundësi absolute që çrregullimi mesjetar shqiptar të thyente aleancën aktuale shqiptaro-amerikane, dhe të pengonte anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
lll.
Gjithsesi, asgjë nuk mund të pritej, sepse realisht “revolucioni demokratik” i Berishës ishte një dëshirë për destabilizimin e Shqipërisë, në favor të antishqiptarisë së vjetër ballkanike.
Dhe kjo sepse kurrë nuk mund t’i drejtohesh shoqërisë që të të mbrojë pasi e ke nëpërkëmbur atë dhe, me qeverisjen tënde të korruptuar, e ke lënë në varfëri ekstreme.
lV.
Partia Demokratike mbeti jashtë zgjedhjeve, se vjedhësit donin të shkatërronin Shqipërinë me të vjedhurit, në mënyrë që të ruanin gjënë e vjedhur prej tyre. Kjo ishte vërtet një filozofi degadente dhe e padëgjuar kurrë në histori. Gjënë e vjedhur prej pushtetarëve të korruptuar e ruajnë policët dhe gjyqtarët e korruptuar, dhe kurrë një popull i vjedhur barbarisht. Ja, këtë nuk mund ta dinte Saliu.
V.
Asgjë nuk mbeti më nga “revolucioni Berisha”: mirë Berisha dhe i programuari i tij Basha që bëjnë sikur kanë fituar; por më rëndë duket se janë firmëtarët e një republike të pa lindur.
Pse po heshtin heronjtë e Çadrës Republikë?
Heshtja e heronjve si rregull vjen ose si largim i tyre nga lufta, ose si mospranim i një paturpësie. Përkrahësit e Çadrës duhej ta kishin menduar më thellë fenomenin Berisha: ai tani ka marrë fund në Shqipëri.
Befas ata sot panë që “ushtria” e Berishës ishte iluzion optik si ai i Don Kishotit me kopenë e dhënve.
Në rastin kur koha mbylli sot një epokë të shëmtuar dhe të trishtë, shqiptarët ende s’kanë fituar gjë. Veçse ndërkohë e kanë në forcë të plotë tani aleancën me Shtetet e Bashkuara. Pengesa e zhvillimit modern dhe reformues të shqiptarëve u shkallmua sot nga vetë shqiptarët.
Reforma që vjen, nuk do të kursejë askënd.