
Nga Ahmet Qeriqi
(Fakte e dëshmi për jetën dhe veprën e Enver Hoxhës, që nuk mund të mohohen). “Dita”, 16 tetor 2018
Shkatërrim i të shkuarës është ndoshta krimi më i madh ndër të gjithë krimet. E shkuara, qoftë edhe e panjohur fare, ndër neve, në brendësinë tonë,vepron parreshtur.
16 tetori shënon ditën kur në vitin 1908, në Gjirokastër kishte
lindur, Enver Hoxha, prijësi komunist i Shqipërisë, personaliteti më
me ndikim dhe me reputacionin e fortë kombëtar e ideologjik të kohës,
themeluesi i Partisë Komuniste Shqiptare, komandanti partizan, i cili
me bashkëluftëtarët e tij, udhëhoqi me shumë sukses luftën
Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ndërtimin socialist të vendit.
Gjatë tërë kohës së sundimit kishte qenë figura ideologjike e politike
e unitetit mbarëkombëtarë e shtetëror. Edhe pse, disa qendra të
politikave me influencë ndërkombëtare kishin bërë përpjekje të
pareshtura për ta rrëzuar nga froni, asnjë prej tyre nuk kishte
arritur, madje as ta befasonte. Po thuajse të gjithë kishin dështuar.
Ky dështim i qarqeve më të fuqishme të botës ia shtonte fuqinë dhe
besimin se askush nuk mund t’ i bënte asgjë. Dështimet e tilla, bënin
që Enver Hoxha ta sforconte bindjen se ishte i pathyeshëm, në radhë të
parë sepse ishte në të drejtën e tij dhe në saje të besimit se
komunizmi një ditë do të përhapej në tërë botën. Edhe ashtu, komunizmi
ishte ideologji sunduese në dy të tretat e botës. Ajo ishte forca
magnetike, e cila e tërhiqte dhe për më tepër me kohë kishte filluar
të besonte se pasonte e ruante me konsekuencë marksizëm-leninizmin e
vërtetë, atë burimor.
Duke qenë i rrethuar nga shtetet grabitqare fqinje, nga politikat
thellësisht antishqiptare, të cilat mbanin nën pushtim më tepër se dy
të tretat e territorit të Shqipërisë, Enver Hoxha ndiente rrezikun e
gllabërimit nga Jugosllavia, nga Greqia, apo nga të dyja bashkë, dy
shtete armike, të cilat ishin shumë më të fuqishme ekonomikisht e
ushtarakisht se Shqipëria, por ajo e kishte epërsinë morale e
atdhetare. Mbase edhe për këtë qëllim ai kishte shpikur teorinë e
mbrojtjes së përgjithshme të Atdheut nga çdo shqiptar, dhe për çdo
qytetar. Pikërisht për këtë qëllim kishte urdhëruar ndërtimin e
qindra mijëra bunkerëve dhe në të gjitha këndet kilometrike të
Shqipërisë, kishte ndërtuar strehimoret të forta e të shumta për tërë
popullatën, por edhe për kreun e Shtetit.
Me ndihmën e shokëve të idealeve, me punën e palodhshme, me pretendime
dhe me besim të madh në qenie, se gjithçka e bënte në të mirë të
popullit dhe të Shqipërisë, Enver Hoxha doemos se i besonte vizionit
të tij dhe ishte në gjendje që me tërë forcën mendore e fizike ta
mbronte, ta përparonte dhe ta përmbaronte atë vizion, të cilit në mos
të gjithë, i besonte dhe e përqafonte shumica dërrmuese shqiptare e
asaj kohe.
Ndikimi i tij ishte shtrirë po aq fuqishëm edhe te të gjithë
shqiptarët e trojeve të mbetura nën robërinë e regjimit titist të
RSFJ-së. Enver Hoxha ishte lideri më i dashur dhe më i pranuar nga
shumica dërrmuese shqiptare, sidomos nga shqiptarët e viseve të
robëruara nën Jugosllavi.
Enver Hoxha pretendonte që Shqipërinë e vogël dhe të izoluar
socialiste ta shndërronte në qendër botërore të marksizmit e
leninizmit burimor, rrënjësor. Ky ishte fiksioni i tij, Ai, gjatë tërë
jetës së tij kishte studiuar teoritë shkencore të klasikëve të
marksizmit, por edhe teoritë kundërshtare kapitaliste. Duke qenë në
rrjedhë solide të informimit, për tërë atë që po ndodhte në botë, duke
qenë jashtëzakonisht mirë i informuar për të gjitha zhvillimet në
Shqipëri dhe jashtë saj, lideri i pakontestuar komunist i asaj kohe,
Enver Hoxha, i tillë sikur ishte qe shndërruar në një lider të
shumicës së shqiptarëve.
Po cili ishte Enveri në të vërtetë?
A gaboi shumë duke menduar se ishte më i pagabueshmi?
A gaboi me qëllim, që ta dëmtonte sa më shumë Shqipërinë, të cilën e
deshi më shumë se gjithçka në jetë?
A gaboi vetë apo e yshtën të gabojë, (nëse gaboi me të vërtetë), nëse
gaboi duke e përvetësuar teorinë marksiste-leniniste, që kishte
evoluar si proces ideologjik botëror dhe ishte përhapur në dy të
tretat e shteteve të botës?
Marksizmi nuk kishte qenë shpikja e tij. Marksi, Engelsi, Lenini
kishin rrojtur gati një shekull para se të lindte Enveri.
A gaboi dhe sa gaboi ndaj atyre, të cilëve u kishte falur besimin dhe
jo vetëm njëherë e kishin mashtruar e zhgënjyer, qoftë me dashje apo
pa dashje?
Figura dhe personaliteti i Enver Hoxhës do parë e studiuar në të
gjitha segmentet: kombëtare, ideologjike, politike, filozofike e mbi
të gjitha do parë afria e tij me njerëz, dashuria për ta, sinqeriteti
dhe miqësia, pa lënë anash edhe luftën pa asnjë kompromis kundër të
keqes, kundër tradhtisë, kundër armikut të klasës, kundër asaj që ai e
konsideronte të keqe e tradhtare dhe besonte me gjithë mend se e
tillë ishte.
Kjo është njëra anë e medaljes.
Cila është ana tjetër, ajo e “errëta”?
A kishte anë të errët Enveri, apo regjimi të cilin e përvetësoi ai me
shokët e tij me mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullit?
A ishte vetëm i errët ai regjim, ndërsa ky i sotmi më i bardhi dhe më i miri?
A mund të konstatohet se gabimi më i madh i tij ishte botëkuptimi,
bindja dhe pikëpamja filozofike marksiste leniniste, kur ajo nuk
ishte shpikja e tij, por ishte realiteti i mbisunduar në një pjesë të
madhe të botës, në kohën e Enverit në dy të tretat e botës, ishte një
realitet që po e dridhte kapitalizmin botëror madje edhe vetë Amerikën
dhe aleatët e saj?
Nuk ishte socializmi e komunizmi vetëm përzgjedhja e Enver Hoxhës.
Enveri nuk ishte shpikës i ideologjisë komuniste, por e kishte
zgjedhur atë, dhe nuk ishte i vetmi shqiptar që e zgjodhi. Fillimisht
e kishte zgjedhur Ali Kelmendi, Halim Xhelo e shumë e shumë të tjerë.
Ai i besonte kësaj ideologjie po aq sa i kishin besuar: Marksi,
Engelsi, Lenini, Stalini, Tito, Mao Ce duni, Fidel Kastro, Zhivkovi,
Dupçeku, Hrushqovi, Ho Shi Mini, dhe qindra udhëheqës komunistë nga
mbarë bota, në mënyrat dhe qasjet e tyre.
A ishte diçka tjetër Enver Hoxha?
Realisht jo. Me fakte e dëshmi jo.
Me gënjeshtra amputime, falsifikime anime nga këndi tjetër i
vështrimit edhe mund të kundrohet, por nuk mund të akuzohet pse ishte
marksist leninist dhe pse zhduku disa nga kundërshtarët, fakt realist
ky, sepse kundërshtarët politikë i zhduk çdo regjim në botë, kush më
shumë e kush më pak, dikush i zhduk duka ua vrarë ardhmërinë, duke i
katandisur nëpër botë, duke i lejuar të hakmerren, duke i lejuar të
drogohen të trafikojnë, të mbjellin, të korrin e të përdorin droga, të
shesin e të kultivojnë bimët e vdekjes, të merren lirshëm me të gjitha
trafiqet, në të cilat pësojnë të varfërit, të nëpërkëmburit. Dikush i
zhduk duke mos i arsimuar, apo duke i bërë ithtarë të Zotit të vetëm
që nuk pranon asnjë zot dhe asnjë fe tjetër. Krejt kjo ka ndodhur dhe
po ndodh aktualisht, ashtu si dje e pardje ashtu edhe sot e nesër.
Kundërshtarët e sotëm të Enver Hoxhës janë realiteti i argumentuar
faktik që tregon më së miri se ai nuk i kishte zhdukur, sepse ose
kishin qëndruar urtë e butë dhe nuk kishin pasur pikë trimërie e
dinjiteti për ta kundërshtuar, ose kishin qenë bashkëpjesëmarrës në të
gjitha veprimet e tij, ose kishin qenë të dyja bashkë.
Nuk vuajti asnjë ditë në burgjet e Enver Hoxhës, Sali Berisha
kundërshtari më i ashpër, më i pa kompromis dhe i hakërryer deri në
çmenduri kundër atij regjimi, përkundrazi kishte qenë mjeku personal
dhe mik i ngushtë nga ana e tij, pavarësisht se kishte apo nuk kishte
Enveri respekt për të. Nëse Berisha pranon se ia ka punuar nën rrogëz,
atëherë ai duhet të tregojë hapur se cilës qendër të spiunazhit i
kishte shërbyer?
Nuk janë pak ata që shtiren se i kishte dënuar, injoruar apo
katandisur regjimi, por vepra e tyre penale vërteton vetë se për çka
ishin dënuar, për bindje politike apo për veprat të tjera penale.
Janë po ata që kishin brohoritur, jo vetëm njëherë dhe jo vetëm me
një rast: “Parti Enver Jemi gati kurdoherë”. Janë po ata që e kishin
lavdëruar e madhëruar dje dhe që shajnë e pështyjnë sot. Kanë moral
këta njerëz, kanë dinjitet, derisa nuk pranojnë hapur dhe botërisht
se ishin kishin qenë pjesë e regjimit, se nëse komunizmi kishte qenë
fajtori kryesor, ata vetë kishin qenë bashkëfajtorë.
Nëse 40 vitet e kohës së komunizmit kishin qenë faj njerëzor, ai ishte
edhe faji i tyre. Ata ishin të tillë si Enveri, i kishin besuar me
gjithë mend marksizëm leninizmit, ata kanë lënë mijëra vepra
trashëgim dhe dëshmi të atij besimi. Nuk mohohen këto fakte me një
fjalë goje. Për më keq, janë ata, që mohojnë një pjesë mbase pjesën më
të madhe dhe më meritore të jetës së tyre, të aktivitetit, zhvillimit
e përparimit të familjeve dhe të afërmve të tyre. Në këtë mes ka edhe
shkrimtarë e artistë të mëdhenj që ai regjim i kishte ngritur dhe i
kishte bërë të tillë.
Përpjekja për t’ia veshur Enver Hoxhës dhe familjes e trashëgimtarëve
të tij të gjitha fajet, nëse i marrim dhe i pranojmë si të tilla, pra
si faje të rënda, është përpjekje hipokrite, është mungesë morali
qytetar, njerëzor e kombëtar, është mungesë identiteti e dinjiteti,
është mungesë nderi e burrërie. Nuk mund ta ndërtojë dot një botë të
mirë apo të keqe një njeri i vetëm, vetëm me familjen e tij pa pasur
përkrahjen e shumicës, pavarësisht rrethanave që kanë ekzistuar.
Enveri dhe të gjithë liderët e bllokut komunist e kishin përkrahjen e
shumicës, ose thirreshin në faktin se e kishin besimin e shumicës, një
qëndrim gjithsesi demokratik. Edhe sot në Shqipëri sundon klasa
politike, që ka fituar besimin e shumicës, ashtu sikur ndodh në pjesën
dërrmuese të vendeve të botës.
Është apo nuk është më mirë sot, do të na vlerësojnë nesër, ashtu
sikur ne sot vlerësojmë të kaluarën.
Enver Hoxha në të gjallë të tij nuk e pa rrënimin dhe rënien e
sistemit, te i cili i kishte varur shpresat dhe kishte punuar gjatë
tërë jetës.
Ai vdiq me besim se Shqipëria do të mbijetonte.
Po ashtu vdiq me besimin e patundur se Jugosllavia, e sëmura e
Ballkanit, do të shpartallohej dhe Kosova e viset e tjera shqiptare do
të çliroheshin nga robëria.
Për shumë çka koha dhe zhvillimet pas vdekjes së tij i dhanë të
drejtë, por është e pafalshme padrejtësia që po vazhdon t i bëhet ende
nga politika shqiptare, e cila ka frikë nga vetvetja ta pranojë të
vërtetën për Enver Hoxhën.
Respekt për të gjithë ata që kanë vuajtur nëpër burgjet e regjimit të
Enver Hoxhës për shkak të bindjeve të tyre politike e ideologjike,
sepse në regjimet njëpartiake nuk lejohet konkurrenca, mendimi i lirë
dhe veprimi ndryshe. Nuk mund të kihet respekt për ata që bënë
përpjekje për ta rrëzuar dhunshëm regjimin, me diversione, vrasje të
zyrtarëve të partisë, vrasjen e mësuesve dhe aktivisteve, vrasjen e
shqiptarëve…