on:
Me gardianin Zymer Jashari
Burgu famëkeq i Stara Gadishkës në Kroaci, ka qenë ndër më të vështirët për shqiptarët e dënuar politikisht. Përveç fluksit të shqiptarëve të dënuar për demonstratat e vitit 1981, aty kanë vuajtur dënimin me burg edhe shqiptarë të tjerë për ngjarje të ndryshme, si ato të vitit 1868. Aty ishte Adem Demaçi.
Se çfarë kanë vuajtur shqiptarët në burgun famëkeq të Stara Gradishkës në Kroaci, për revistën “Kosovarja” ka folur për të parën herë një ish-person zyrtar shqiptar, gardiani Zymer Jashari, i cili ka shërbyer në atë burg tetë vjet, konkretisht në vitet 1980-1988.
Adem Demaçi kishte jetuar në kushte tmerrësisht të rënda. Ai përcillej në çdo hap me kë shoqërohej. Nuk kishte shtrat as shtrojë e mbulojë, si të tjerët, nuk kishte as banjë, siç kishin dhomat e tjera të burgut!
Kushdo që shoqërohej me të dënohej, duke i humbur benificionet që mund t’i fitonte, qoftë si dhuratë apo ndonjë vikend në shtëpi, por edhe të humbiste faljen e ndonjë ditë burgu.
Adem Demaçi kurrë nuk kishte bërë asnjë kërkesë në burg: as të falej, as të lirohej, as të kishte ndonjë vikend, as t’i përmirësohej ushqimi, as t’i përmirësohej fjetja. Por, as atij kurrë nuk i bëhej ndonjë kërkesë…
Zymer Jashari, nga Mitrovica, aktualisht punon në burgun e Smrekovnicës.
Zotëri Jashari, si shkuat ju në Stara Gradishkë, për të ushtruar detyrën e gardianit?
– Ishte një projekt shtetëror i atëhershëm, në kuadër të të cilit mendohej aftësimi i gardianëve shqiptarë nga Kosova për gatishmëri pune në burgun e Dubravës, për të cilin flitej se do të hapej. Dhe, unë u gjenda atje, në kuadër të atij projekti. Jurisprudenca kosovare thoshte se vetëm po na përgatisnin për Dubravë.
Kur shkova atje kam qenë 23-vjeçar. Kemi shkuar atje tre shqiptarë: unë, Haki Ahmeti dhe Bajram Behluli.
Kush u priti atje dhe çka u thanë me të arritur në Stara Gradishkë?
– Atje na priti gardiani Ismet Osmani, i cili na i dha informacionet e para, duke na treguar se çka, në fakt, do të bënim dhe cila ishte detyra jonë. Në fakt, na tregoi për shumë detaje, për të cilat duhej të kishim kujdes, e ndër to ishte rrezikshmëria e strukturës së të burgosurve që ishin të dënuar politikë.
A ishit në dijeni se aty ishte Adem Demaçi?
– Jo, nuk isha në dijeni se aty mund të ishte Adem Demaçi. Kisha dëgjuar për Adem Demaçin, ashtu si të tjerët dhe dija po aq sa të tjerët për të se ndodhej diku në burg. Nuk kisha më shumë njohuri për të. Të them të vërtetën, më shumë e dija për të vdekur dhe se nuk jetonte më. Ashtu flitej në qarqe të shumta shqiptare…
Me të nisur detyrën si gardian, zyrtarët e burgut në shpjegim e sipër të detyrave zyrtare, na e thanë: “Të kishim kujdes të shtuar, pasi që aty vuan dënimin armiku më i madh i Jugosllavisë, Adem Demaçi!”. Kur u përmend emri i tij, unë u mbusha kureshtje dhe kuptova se ai ishte gjallë dhe se isha gardian në burgun ku e vuante ai dënimin.
Si ishte takimi i parë me Adem Demaçin?
Kur shkova ta shihja, ai kishte të veshur një përparëse plastike dhe ndërtonte me shavarina disa pjesë mobiliesh, që atëherë kishin shije në treg. Ai na njohu nga pamja dhe u tha të burgosurve se këta janë shqiptarë. Unë, kur e pash për të parën herë, thash me vete: “Eu baca Adem, shyqyr që qenke gjallë!”.
Në këtë moment po më kujtohet një detaj: Sa të largët dukeshim atëherë në burg e sa të afërm tash, kur shkova para një muaji ta vizitoja, sepse e kisha vizituar edhe kur doli nga burgu. Më tha: “Atëherë nuk mund të të përqafoja, por tash a ka kush që mund të na ndalë të mos përqafohemi?!”. Dhe, më kapi ngryk, si është adeti ynë.
A keni mundur të flisni ndonjëherë me Adem Demaçin?
– Ka pasur raste që kam folur me të, qoftë në dhomën e tij apo në shëtitore. Ai kujdesej të na ruante neve, edhe pse ishim gardianë. Ishte i ngritur dhe i dijshëm. Tek ecte, një herë më tha, duke mos më shikuar fare në sy e as duke mos e kthyer kokën kah unë: “Kujdes, po të përcjellin të zitë!”. E kuptova për çka ishte fjala. Realisht, çdo gjë përcillej në burg, e edhe jashtë tij. Dihej çdo gjë: nga ushqimi që vinte, nga veshja, kë kontaktonim e me kë flisnim. Ishte një rrjet i përpiktë informativ, jo vetëm në burg brenda, por edhe jashtë tij. Kam hyrë shpesh në dhomën e tij dhe kemi biseduar. E gjeja rastin kur nuk ishin zyrtarët në burg.
Si ishte dhoma e Adem Demaçit dhe a dallonte prej të tjerave?
– Po, dallonte shumë dhoma e bacës Adem nga dhomat e të burgosurve të tjerë. Të gjitha dhomat e tjera kishin tualet dhe banjë, ndërsa dhoma e bacës Adem nuk kishte tualet. Në të ndodhej një vegsh dhe asgjë më shumë. Shërbente në vend të banjës. Baca Adem bënte jetë në rrethana të tjera prej të burgosurve të tjerë, sepse trajtohej si armiku më i përbetuar i Jugosllavisë.
Cilat ishin karakteristikat e tij si i burgosur politik, cili ishte karakteri i tij?
– Kishte karakter tepër të fortë dhe burrëror. Unë tash them se kur të përmendet emri i Adem Demaçit, duhet të ngrihemi në këmbë! Ishte i qëndrueshëm fizikisht, kurse nga karakteri as që ishte parë një njeri i tillë me aq pozitivitet në burg. Një të burgosur njeriu mësohet ta sheh të vranët në pamje, pak a shumë depresiv dhe të mërzitur. Por, Adem Demaçi ishte krejt ndryshe… Ai reflektonte shumë pozitivitet dhe ishte shumë stabil. Lexonte. Vetëm lexonte… E kishte bibliotekën e vet të leximit dhe kishte një kuzhinë të vogël, ku mund të përgatiste për vete, në ndonjë rast.
Ai kurrë nuk ka bërë asnjë kërkesë: as të lirohet, as të lëshohet në vikend, as për përmirësim të kushteve në burg, meqë ndodhej në një burg me kushte tepër të rënda. As nuk kishte ushqim të mirë, as nuk kishte nxehje. “Krahu i katërt”, siç quhej aty ku ishte Adem Demaçi, ishte një burg kah lumi Sava dhe goditej pamëshirshëm nga ajri i ftohët dhe erërat e ftohta. Mirëpo, kurrë nuk ka bërë kërkesë për asgjë. Për gjithçka që e pyesnim apo edhe kushdo tjetër që e pyeste, thoshte se është mirë gjithçka… I sugjeronte të burgosurit të lexonin dhe vetëm të lexonin…
Sa vjet i kishte mbajtur burg kur ti shkove si gardian?
– Kur e mora detyrën e gardianit, Adem Demaçi kishte pasur dhjetë vjet burg të mbajtur. E gjeta aty dhe e lash aty si të burgosur…
Është tmerr kur dëgjoj njerëz teksa flasin se Adem Demaçi në burg i ka pasur të gjitha të mirat! Më befasojnë, meqë kam dëgjuar vetë edhe tek flasin…
Adem Demaçi nuk ka pasur në dhomë as batanije, madje! Ai është mbuluar me “qulla të kuajve”! Ka pasur ushqim të dobët, shumë të dobët!
A është sëmurë ndonjëherë Adem Demaçi?
– Interesante, kurrë nuk është sëmurë baca Adem! Ka pasur shëndet të mirë, karshi kushteve që ndodheshin në burg. Të burgosurit e tjerë shumë herë janë helmuar, kurse nuk di ai të ketë pasur ndonjëherë probleme me shëndet… Dhe, kur sëmurej ndokush në burg, në “Krahun 4”, derën nuk ua hapte kush deri në mbrëmje. Edhe po të vdiste, dera nuk hapej. Ndërkaq, Adem Demaçi ka qëndruar vetëm në dhomë.
A ia kishin frikën Adem Demaçit?
– Po, bacës Adem ia kishin shumë frikën. E kanë përcjell rregullisht me kënd shoqërohej, me kë fliste e kush i ofrohej.
Çka ndodhte, pastaj, me ata që i ofroheshin?
– Ata që shoqëroheshin me të i privonin nga beneficionet e mundshme. Nëse mund të shkonte në shtëpi në ndonjë vikend, për shembull, atij ia hiqnin të drejtën të shkonte, apo nëse duhej të merrnin diçka atij nuk ia jepnin.
A ka pasur të burgosur jo shqiptarë që e donin Adem Demaçin?
– Po, ishte një kroat, i dënuar politik, me të cilin shoqërohej Adem Demaçi. Kanë qenë shokë. Kroati e ka dashur shumë Demaçin, por e donin edhe kroatët e tjerë të dënuar politikisht…
A ka pasur të burgosur të tjerë politikë shqiptarë dhe si qëndronin gjërat me valën e shqiptarëve të dënuar politikisht pas vitit 1981?
– Në fakt, burgjet filluan të mbusheshin me të burgosur shqiptarë që nga viti 1981 dhe në kuadër të atij dënimi më 1982 UDB-a serbe solli dy kombibusë me të dënuar politikë shqiptarë në Stara Gradishkë. Ishin rreth 30 të dënuar politikë nga demonstratat e vitit 1981 në Kosovë. Mbaj mend se ua kanë hapur dyert dhe i kanë zbritur me një trajtim që mund t’u bëhet vetëm kafshëve!
Ishin të lodhur, të rraskapitur, sepse mbaheshin me pranga të dyfishta. Madje, të lidhur edhe me zinxhirë!
Ku i vendosën ata?
– Pasi u nxorën, i dërguan në sallën e filmave në kuadër të burgut. Mua dhe një gardiani tjetër na thanë t’u jepnim ujë. Kur u ofrova ujë, e mbaja dorën në zemër, që ta kuptonin se jam shqiptar. Njëri prej tyre më pyeti: “A është këtu mirë?”. “Po”, i thashë.
Dhe, kaq zgjati atë ditë ajo bisedë…
A i vendosën aty të burgosurit shqiptarë apo i dërguan diku tjetër?
– Jo, nuk i vendosën aty. Pas një ore i renditën dhe i nisën me të njëjtët automjete të burgut për në burgun e Gospiqit. Në përcjellje i dërguan gardianët më të fortë dhe më të mëdhenj fizikisht… Por, pas një muaji i kanë kthyer sërish në burgun e Stara Gradishkës në vuajtje të dënimit.
A i kishin keqtrajtuar në burgun e Gospiqit?
– Po, i kishin rrahur e maltretuar shumë… I kishin marrë në pyetje, edhe pse ata veç ishin dënuar! I kishin pyetur, madje, ç’kanë kërkuar në demonstratat në Kosovë. Të burgosurit shqiptarë ishin përgjigjur se vepra e tyre ishte shënuar në vendimet e gjyqit… Por, qëllimi i tyre ishte që nga goja e tyre ta thonë fjalën “republikë”, në mënyrë që të kenë mundësi t’u japin dhunë fizike… I kishin rrahur, madje, edhe në organe gjenitale e në veshka dhe në vende të tjera, ku edhe mund të pasonin dëmet e mëvonshme…
Të gjithë ishin të dërrmuar.
A ua ke mbajtur mend emrat?
– Po, ua kam mbajtur mend emrat. Ata ishin:
Avdi Limani (Gjilan), Ajet Duli (Prishtinë), Xhabir Morina (Zhegër-Gjilan), Fatmir Mehmeti (Gjilan), Sami Popova (Podujevë), Adem Salihaj (Ferizaj), Ilmi Muzaqi (Vushtrri), Abdurrahim Maxhuni (Vushtrri), Sabri Haxhiu (Mitrovicë), Bedri Deliu (Rrezallë-Skenderaj), Murat Ceta (Istog), Mustafë Lipa (Vrellë-Istog), Binak Dinaj (Deçan), Isa Balaj (Istog), Riza Demaj, Ahmet Bllaca (Dardhishtë- Obiliq), Haxhi Gashi (Suharekë), Fehmi Lladrovci (Drenas) dhe Haki Shala. Të gjithë janë keqtrajtuar aq shumë saqë ka gjëra për të shkruar jo vetëm artikuj gazetaresk, por edhe libra të tërë. Kanë qenë të dënuar deri më 13 vjet burg, kurse dënimi më i vogël ishte shtatë vjet.
Është interesant fakti se të gjithë ose e kishin të kryer fakultetin ose ishin absolventë. Dhe, të gjithë ishin të fejuar… Të gjithë të burgosurit shqiptarë në Stara Gradishkë u kërkonin të fejuarave të tyre të gjenin fat tjetër në martesa të reja, por asnjëra nuk ka pranuar…
A u vinin të fejuarat në vizitë?
– Të gjitha të fejuarat e të burgosurve politikë nga Kosova, për të ardhur në vizitë, duhej të merrnin nga një vërtetim në zyrat e vendit, që të dëshmonin se ishin të fejuarat e tyre! Dhe, siç thashë më lart, gjatë vizitave u thoshin të fejuarave të gjenin tjetrin e të mos prisnin, sepse e ardhmja e tyre nuk dihej si do përfundonte… Por, gjithsecila thoshte se do presin deri në fund të jetës…
Në vizitë te Fehmi Lladrovci vinte Xheva, me veshje kuq e zi. I tha Fehmiu të mos e priste, por të gjente fat tjetër. Xheva i tha: “A po e thua me mendje a me zemër?”. Dhe, pas këtyre fjalëve ajo e qortoi shumë Fehmiun.
Një herë në vizitë te Fehmiu erdhi baba i Fehmiut, Tushi. I tha: “Po të martojmë pas dy javësh. A e di ti këtë punë?”.
Dhe, mbetëm të habitur si do të martohej Fehmiu derisa ishte dënuar maksimalisht me burg të rëndë. Andaj, pas dy javësh Xheva ishte bërë nuse dhe kishte shkuar në shtëpi të Fehmiut. Pra, nuse pa dhëndër…
Si u kuptua se Xheva ishte martuar?
Babai i Fehmiut, Tushi, pas tri javësh e bëri publik lajmin e martesës së Fehmiut. I tha Fehmiut: “Të kemi martuar. Xheva është bërë nuse në shtëpinë tonë”. Ishte moment shumë emocionues. Moment që na bëri me vaj, por edhe interesant…
Çka ndodhi pasi u kuptua martesa e tyre?
– Të burgosurit shqiptarë i gëzoi Adem Demaçi. Ai e kishte një kuzhinë të vogël, në të cilën herë-herë përgatiste ushqim për vete. Ai bëri hallvë dhe u dha të gjithë shqiptarëve të dënuar aty. “Ta ëmbëlsojmë martesën e Xhevës dhe Fehmi Lladrovcit!”, tha ai.
A e ke njohur mirë Fehmiun?
– Po. Në një rast, e kam pas një përjetim me Fehmiun, i kam shërbyer. Ai e kishte kryer fakultetin në Zagreb dhe e njihte mirë serbishten e kroatishten. E kishte pasur një problem në gjykatën e Sisakut. Gjatë mbajtjes së dënimit me burg në Stara Gradishkë, u desh të shkonte edhe në Sisak, për të dëshmuar për atë vepër. E kishin gjetur përkthyes një shqiptar a goran. Nuk përkthente mirë. Dhe, përkthimi jo i mirë mund ta ndryshonte gjendjen. Fehmiu e dinte se përkthimi ishte katastrofë, por nuk fliste. Në atë moment reagova para gjykatës. U thashë se përkthimi nuk është adekuat. Gjyqtari më tha: “A mund ta marrësh ti rolin e përkthyesit nëse e di gjuhën?”. “Po”, i thashë. Dhe, ashtu u bë…
Dhe, nga ai gjykim në Sisak nuk mori ndëshkim.
A ka pasur të burgosur që sot i njohim nëpërmjet politikës?
– Po, ishte Xhavit Haliti, njëri prej tyre. Ai ka vuajtur aty dënimin si i burgosur politik.
A je takuar me Xhavit Halitin ndonjëherë?
– Po, pas lufte e kam takuar në hotelin “Grand” në Prishtinë. Ishte takimi i vetëm me Xhavit Halitin. Më ka porositur kafe dhe kemi biseduar. Por, në atë kohë ai veç qe bërë faktor i rëndësishëm politik në Kosovë.
Në kohën sa ke qenë gardian, a ka pasur rast kur i kanë rrahur të burgosurit shqiptarë a i kanë keqtrajtuar?
– Jo, nuk ka pasur ndonjë rast të tillë. Por, për këtë i takon një falënderim i madh Adem Demaçit, sepse ai ka qenë njeriu më i duhur që ua ka mësuar të burgosurve rendin e burgut dhe, në anën tjetër, kishte autoritet te të burgosurit politikë shqiptarë. Nëse duhej të bëhej diç prej të burgosurve, e bënte Adem Demaçi. Ai fliste i pari. Para tij nuk ka folur kush…
A keni folur ndonjëherë me bacën Adem për demonstratat e vitit 1981?
– Kemi folur, sepse ai nuk frikësohej. I thashë: “Demonstratat e vitit 1981 a janë mirë a keq për ne?”. Ai më tha: “Ne po e shohim vetëm tymin, por pas pak kemi për ta parë edhe flakën kah i del Jugosllavisë, duke u nisur në Kosovë!”.
Në fund, si e përshkruani figurën e Adem Demaçit në burgun e Stara Gradishkës?
– Adem Demaçi edhe në burg ishte njeri i madh. Ishte human. I sillnin shumë rroba në vizitat që i bënin, nga familja dhe rrethi familjar. Sepse, siç thashë në pjesën e parë të këtij shkrimi, dhoma ku ndodhej Adem Demaçi rrihej nga era e ftohët e lumit “Sava”, që e bënte tepër të ftohët dhomën e tij. Por, edhe pse e kishte ftohtë, ai ua jepte çorapët e veta të burgosurve që mërdhinin…
Nga dija ishte në nivel tepër të lartë, sepse lexonte gjithë kohën dhe kjo i detyronte autoritetet e burgut që ta siguronin ambientin përreth burgut…
Adem Demaçi ishte shqiptar i patrembur, por nuk i thyente rregullat e burgut…
Ju faleminderit për këto fjalë mjaft interesante!
– Faleminderit juve për intervistë!
Gani Dili Safet Krivaça