MOIKOM ZEQO: 100 VJETORI I HARRUAR I ESAT MEKULITMË
Moikom Zeqo
Më 17 dhjetor të këtij viti ishte 100 vjetori i lindjes së Esat Mekulit, një jubilar i plotë, diçka përmbajtësore institucionale, si dhe mbarëkombëtare.
Meqë kam patur fatin dhe nderin e madh ta njoh Esat Mekulin që kur ka qenë gjallë, ngaqë kam një respekt real për veprën e tij serioze dhe të patjetërsueshme në kulturën shqiptare, kam qenë i prirur të mendoj se 100 vjetori i lindjes së Esat Mekulit do të përkujtohej me të gjithë peshën semantike dhe simbolikën historike që mbart në trojet shqiptare këtej Drinit dhe andej Drinit.
Esat Mekuli është një Prijëtar i madh i kulturës shqiptare. Kjo parakupton në mënyrë të ngjeshur dhe lakonike përcaktueshmërinë etnike dhe origjinalitetin e kombit shqiptar.
Esat Mekuli është një figurë e ndritur e shek.XX, e cila në shumë aspekte nuk mund të ketë një të dytë. Kjo ka të bëjë me lëvizjet e brendshme historike, ligjësitë jetike të ngjarjeve dhe të një Rilindje përtej tërë kronologjive të vonesave, të gjysmës së kombit shqiptar, të Kosovës martire. Në këtë pikëpamje Esat Mekuli qe Njeriu i një Misioni Historik.
Ky njeri i madh, me një thjeshtësi dhe modesti sfiduese dhe me një dritë të brendshme të qenies, ka lindur në qytezën legjendare Plava të Malit të Zi. Ai shkollohet në Pejë dhe studimet e larta i bëri për veterinari në Universitetin e Beogradit, duke u strukturuar në një profil shkencor të mirëfilltë. Në 1949 themelon revistën kryesore letrare dhe kulturore “Jeta e Re” që e drejtoi me vizion, me urtësi si një mentor i madh deri në vitet ‘70. Ajo që të bën përshtypje befasuese në figurën e Esat Mekulit është fakti që ai shfaqet në vitet ’30 të shek.XX si një poet modern. Kjo qe diçka e pazakontë për shqiptarët e Kosovës, qe një kapërcim i madh, qe kalimi i Rubikonit shpirtëror të poezisë së kultivuar dhe të nivelit cilësor plot atribute moderne për kohën.\
Historia e kulturës shqiptare për trojet e Kosovës do të ketë optikën e ngërthyer të një prapambetje retrograde, sidomos në kulturën moderne laike.
Është e vërtetë që Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1848 krijon një atu të madhe të historisë moderne drejt Pavarësisë të Kombit Shqiptar. Ndërkohë s’duhet harruar se Rilindja Kombëtare Kulturore Shqiptare, e romantizmit të shek.XIX që përbën epokën më dinjitoze, më idealiste dhe më stoike në historinë moderne të shqiptarëve, ka në panteonin e saj figura të mëdha si De Rada, Naim Frashëri, Abdyli dhe Samiu, Vaso Pasha i pavdekshëm, Serembe, Gavril Dara etj., por për fat të keq nuk rezulton një figurë e tillë e ngjashme nga trojet e Kosovës. Kjo krijon një hiatus. Por spirale të tilla historike, qoftë dhe paradoksale janë përherë konvencione dhe jo diçka absolute.
Në vitet ’30 Esat Mekuli tejkalon shumë boshllëqe dhe shfaqet si një poet rebel, i pafrikshëm dhe vizionar.
Poezia e tij është e krahasueshme me poezinë e mesianikut social dhe ndoshta shkrimtarit më të madh konceptual të të gjithë kohërave, Migjenit.
Esat Mekuli shkruan një poezi ku gërshetohet struktura tradicionale poetike me vargjet e lira. Poezi e tij është kundër gjenocidit ndaj shqiptarëve, është kundër shtypjes, është plot ide antifashiste, ide që përbëjnë kulturën e re të pashembullt të njerëzimit në Luftën e Dytë Botërore.
Duke shfletuar librin “Për ty”, Prishtinë, 1955, ku janë poezitë e tij të hershme të cikluara, mund të lexosh një poezi të 7 marsit 1938 me titull “A janë fajtorë shqiptarët?”
Kjo poezi kundërshton gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të cilët i shtynin ppër një refugjim në Turqi për të arritur ëndrrën makabre shoviniste “të pastrimit etnik të Kosovës”.
Po citoj:
“A asht fajtor Shqiptari, pse nën këtë qiell jeton,
Nën këtë qiell, – në trojet e të parëve të vet!
A ësht fajtor, pse asht, e përkundër të gjithëve qëndron?
Shqiptari, rob i mjerë, që do i vetvetes të jetë!”
A asht fajtor Shqiptari, pse, si të tjerët, po don,
Të jetojë si Njeri, në të vetët, sot e përjetë,
A asht fajtor, pse përkundër dhunës qëndron,
Nën qiellin e Kosovës-loke, në trollin e të parëve të vet!”
Esteti i madh amerikan Emerson në esetë e tij të jashtëzakonshme thotë se metaforika e vargjeve të poetëve përmbajnë profeci të vërteta, në plan krahasimtar të bën përshtypje që kjo poezi në vitet 1937 gati parashikon gjenocidin e Milosheviçit që përzuri kosovarët, për shkak të idesë së tij totalitariste serboide mbi Kosovën në vitin 1998-1999.
Duket sikur një tablo makabre përsëritet edhe para edhe mbrapa telajos me të njëjtën semantikë. Por dihet që në 1999 ndodhi lufta madhështore e UÇK dhe sulmi i NATO-s, Kosova u çlirua, fitoi lirinë dhe sot është Republika e Kosovës, më sakt shteti i dytë shqiptar në Europë.
Për të arritur në këtë fitore kolosale për kombin shqiptar, fitore që ndodh një herë në 2000 vjet, studiuesit kanë të drejtë t’i shikojnë të gjitha detajet e historisë, por në mënyrë të veçantë të strukturojnë idetë e plotfuqishme të kulturës dhe dinjitetit.
Në këtë brendi të pashmangshme idetë poetike të Esat Mekulit janë dhe do ët mbeten të pazëvendësueshme. Unë e quajta një Prijetar të Madh dhe i tillë ishte.
Me të nis letërsia moderne dhe dija moderne në Kosovë. Kurrë nuk u mburr ky njeri, i qëndrueshëm si askush, i thjeshtë gjer në një madhështi të papërsëritshme të karakterit ai kish lindur për një mision dhe e kreu këtë mision.
Kam pritur që 100 vjetori i lindjes së Esat Mekulit të qe një subjekt reflektues kryesor për vitin 2017, qoftë për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Prishtinës, qoftë për Akademinë e Shkencave të Tiranës.
Ky 100 vjetor meritonte të festohej kudo në të gjitha trojet ku jetojnë dhe marrin frymë shqiptarët, në të gjitha shtetet dhe kontinentet ku shqiptarët kanë një kujtesë kombëtare dhe kanë një fuqi të brendshme për të mos i harruar njerëzit e mëdhenj.
Të vjen keq që viti 2016 u zotërua nga një banalitet i politikës, i spektaklit të neveritshëm politik shqiptar, i grindjeve të pafundme, i mungesës së një kulture gati dhe mesatare të politikanëve shqiptarë, për të cilët emri i Esat Mekulit është një emër ose i padëgjuar, ose i papërfillshëm, sepse pikërisht këto qenie pushtetore të politikës janë qeniet më antikulturë ,që ka prodhuar ndonjëherë historia në shekuj.
Për ta bërë të plotë reflektimin tim po ribotoj një shkrim që e kam shkruar vitin kur vdiq Esat Mekuli në moshën 77 vjeçare, në vitin 1993 dhe që unë e kam përmbleshur në librin tim “rexhep Qosja dhe Çështja Kombëtare Shqiptare”, Tiranë 1994, faqe 188-190.
Besoj se ky shkrimi im i para 23 vjetëve (o Zot sa shpejt ikin vitet, në mënyrë marramendëse!) ka një kuptueshmëri të dyfishtë edhe për faktin se shkrimi im në shtypin shqiptar për vdekjen e Esat Mekulit qe i vetmi shkrim që u botua në atë kohë.
Por Esat Mekuli nuk është i harruar as në lindje as në vdekje. Ky njeri i madh i kombit shqiptar është një figurë mbarëkombëtare. Ky njeri i shquar tregon profilin e rëndësishëm të intelektualit në jetën kombëtare, me një forcë të veçantë të karakterit njerëzor, të humanizmit dhe të besimit ftillëzues dhe vizionar të së ardhmes të kombit shqiptar.