MILITANTI I LIRISË – FADIL VATA

26
Apr
2023

Shkruan: Beqir Elshani
Më 25 prill 1990, militanti i lirisë për çlirimin e Kosovës nga perandoria e kuqe serbosllave, Fadil Vata, pas një sëmundje të shkurtër vdiq në spitalin e Bazelit në Zvicër. Siç dihet, pas demonstratave revolucionare për Kosovën Republikë në vitin 1981, etika mjekësore në Jugosllavi kishte rënë në shifrën zero. Mjekësia dhe drejtësia ligjore në ish-Jugosllavi ishte vënë plotësisht në shërbim të UDB-s jugosllave për dhunën dhe vrasjen sistematike të popullit shqiptar. Fashizmi serbosllav ishte ashpërsuar, prandaj të burgosurit dhe ushtarët shqiptarë i torturonte me metoda çnjerëzore që ia kalonte edhe fashizmit gjerman. Një ndër ato krimet fashiste dalloheshin rastet e vrasjes së Fazli Greiçevcit, Zija Shemsiut, Xhemajli Berishës, Fadil Vatës, Aziz Këlmendit dhe shumë e shumë rekrutëve tjerë me anën e së cilës makineria serboçetnike nuk do të ndalet deri me daljen e UÇK-së dhe NATO-s. Nga torturat e njëpasnjëshme të rënda dhe qëndrimit afatgjatë në qelitë e errëta në Burgun Qendror në Beogradin e njohur me konferencat e vendeve të ashtuquajtura të painkuadruara, luftëtari i lirisë, Fadil Vata, sëmuret rëndë dhe spitalizohet. Megjithatë, në vend se Fadili të shërohet sipas betimit të Hipokratit, me anën e rrezatimit vdekjeprurës nga ana e xhelatëve mjekë të Beogradit fiton kancerin dhe pas disa vitesh vdes. Padyshim që vrasja e Fadilit ishte një nga ato vdekjet e kurdisura me sahat, nën mbikëqyrjen e UDB-ës famëkeqe. Qysh gjatë shërbimit ushtarak, Fadil Vata së bashku me Murat Bytyqin, ishin akuzuar si anëtarë të organizatës ilegale «LPRK». Të dy kishin qenë shokë shkolle, dhe të dy kishin dalë nga kështjella e gjimnazit në Therandë për të përhapur kushtrimin për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin me shtetin amë – Shqipërinë. Prandaj me të drejtë mund të thuhet se Beogradi ishte metropol europian për mbajtjen e konferencave ndërkombëtare, por edhe metropol i armeve biokimike për helmimin masovik të nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e Kosovës, si dhe për vrasjen sistematike të ushtarëve shqiptarë gjatë shërbimit në Armatën Jugosllave.
Nuk mjafton të thuhet vetëm qeli e burgut jugosllav, pa përshkruar edhe qëllimin e saj serbofashist, që ishte krijuar për të shkatërruar rininë shqiptare si në pikëpamje shpirtërore, ashtu edhe fizike. Qelia e betonit, ku mbylleshin të gjithë revolucionarët shqiptarë, ishte fjala e fundit e tiranisë jugosllave, atje rrallë çelej kapaku i derës së hekurt. Nuk është fjala për dënime të rënda 5-6 vjet, që ishin bërë të zakonshme, por dënime të rënda 10-15 vjet e deri te dënimi më i madh apo i përjetshëm, i intelektualit dhe udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës – Adem Demaçi. UDB-a jugosllave Kosovën e kishte në pëllëmbë të dorës, prandaj mund ta dënonte dhe ta terrorizonte sa të dojë dhe kur të dojë rininë revolucionare shqiptare. Derisa në botën e qytetëruar kriminelët ishin barrë e rëndë për shoqërinë e vendit, përkundrazi në ish-Jugosllavi kriminelët serbë ushtroheshin dhe mobilizoheshin për burgosjen dhe torturimin e shqiptarëve që kërkonin Kosovën Republikë. Këtu e ka vendin fjala e urtë, ”si babai ashtu edhe i biri”, që do të thotë se sipas sistemit të sëmurë jugosllav prodhoheshin kriminelët dhe hajdutë serbosllavë që e shkatërronin vendin dhe terrorizonin popullin shqiptar. Kuadro të tilla të zvetënuara kishin hyrë edhe në oligarkinë e pushtetit jugosllav.
Siç dihet, qelia kishte lagështinë, ishte e errët, e ftohtë dhe pa kushte higjienike, prandaj shovinistët serbë shkonin aq larg saqë i thoshin “biruci i shqiptarëve”. Kjo fjalë e fundit kishte depërtuar edhe në fjalorin politik të hyzmeqarëve shqiptarë, të cilët gjithë trimave shqiptarë që kërkonin Republikën e Kosovës u kërcënoheshin me ”birën e miut”, e cila paguhej me groshën turke. Duket qartë që përveç torturave fizike ndaj revolucionarëve shqiptarë, bënin edhe luftën psikologjike për të frikësuar rininë shqiptare. Prandaj në vend se pushtetarët e mjerë shqiptarë të qanin për vëllezërit dhe motrat e tyre, për bijtë më të mirë të popullit shqiptar, që torturoheshin dhe mbyteshin nëpër burgje të panumërta dhe çnjerëzore jugosllave, i këndonin marrisë serboçetnike. Jo vetëm kaq, sepse nëse gjatë shërbimit në APJ ushtarët shqiptarë i dënonte gjykata ushtarake e APJ-së fill pas vuajtjes së burgut dhe kthimit në gjirin familjar i dënonte gjykata komunale, ajo nuk të linte të qetë, tani me një proces të montuar me motive nacionaliste, siç veprohej në mbarë Jugosllavinë fashiste, organet e gjykatës i dënonin përsëdyti. Nëse një epidemi përhapet në vend, ndërmerren të gjitha masat mjekësore për mbrojtjen e banorëve, përkundrazi Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, jo që nuk e pengoi përhapjen e reaksionit e fashizmit serb kundër Kosovës, por e stimuloi me të gjitha mjetet për ndjekjen dhe vrasjen e qytetarëve shqiptarë vetëm pse kërkonin liri dhe barazi kombëtare në ish-federatën jugosllave.
Fadil Vata ishte luftëtar i paepur për çlirimin e Kosovës nga prangat kolonialiste të Jugosllavisë serbe. Fushëbeteja e tij në luftë kundër gjakatarëve serbë dhe shërbëtorëve të tyre ishte në Prishtinë. Atje duhej hequr koka e kentaurit serb, i cili për qëllime grabitqare ka hyrë në Kosovë. Janë disa shenja ndërkombëtare që të shurdhët i përdorin për komunikim, prandaj për Prishtinën përdoret shenja e hapjes së gishtave të duarve në formë të hapjes së petaleve të trëndafilit. Megjithatë kjo shenjë nuk ka të bëjë fare me trëndafilin e kuq, por ka të bëjë me demonstratat tradicionale dhe të zjarrta të Prishtinës Heroike. Kështu që Prishtina ishte qytet i vetëm europian me simbolin e protestave të zjarrta e të mëdha kundër hordhive serbofashiste. Prandaj ashtu siç e njohim Austrinë, të cilën në prag të Luftës së dytë Botërore e pushtoi Fashizmi Gjerman, e njohin ndërkombëtarët Kosovën, e cila qysh në Kongresin e Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913 iu dha serbomalezezëve. Ndarja tragjike e Kosovës nuk përfundoi me kaq, sepse një pjesë e Kosovës iu dha edhe sllavëve të Maqedonisë, e cila u krijua për inat të popullit shqiptar. Prandaj copëtimi dhe mbicopëtimi bëhej sa për ta zvogëluar rezistencën kombëtare shqiptare për të penguar çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me shtetin amë – Shqipërinë.
Ato ditë, kur mbarë populli priste ardhjen e trupit të Fadil Vatës në vendlindje, në Therandë arriti redaktori i gazetës ”Shkëndija” dhe veprimtari kombëtar, Prof. Beqir Berisha. Ai kishte ardhur për t’i shprehur ngushëllime familjes Vata në Lumbardh (Sallagrazhdë), për vdekjen e birit të tyre dhe të Kosovës – Fadilit. Prandaj unë e shoqërova dhe së bashku udhëtuam për Lumbardh. Sapo autobusi kaloi lumin e vrullshëm të pranverës, që vinte nga bjeshkët e larta të Sharrit krenar me dëborë, shokut tim i tregova se hymë në Lumbardh. Udha në drejtim të shtëpisë së babait të Fadilit, Nebih Vata, kishte plotë njerëz që prisnin miqtë për ngushëllim. Në krye të udhës, skaj shtëpisë, qëndronte një tryezë e vogël me portretin e dëshmorit – Fadil Vata. Në fletoren e kujtimeve të dëshmorit, më parë shënoi, miku im, Beqir Berisha, pastaj shënova edhe unë për të dytën herë. Ndërkohë që ne nderonim me ngritjen e grushtit revolucionar militantin e lirisë, Fadil Vatën, një kolonë e gjatë burrash pritnin hyrjen tonë në drejtim të odës. I tërë katundi ishte bërë odë për pritjen e miqve për ngushëllime. Lumbardhi ishte bërë kryeqendra e përkohshme e Kosovës kreshnike, sepse vinin shqiptarë nga të gjitha anët e Kosovës, përveç Shqipërisë mëmë, me të cilën na ndante kufiri i dhunshëm me makinerinë e rëndë ushtarake të Armatës Jugosllave. Kufiri i zi në mes të tokave shqiptare është vendosur me ndihmën e forcës diplomatike të Europës, siç këndon rapsodi popullor, Dervish Shaqa, “Kjo Europa zemër katile, Shqipnisë sonë ia bani me hile”. Prandaj populli shqiptar ende duhet derdhur gjak për heqjen e kufirit të dhunshëm në mes trojeve shqiptare. Ato ditë Theranda ishte bërë qyteti më i rrethuar në botë, mbushur me policë e paramilitarë serbë, plotë me tanke e pizgauerë dhe me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, pa përmendur fluturimin e aeroplanëve supersonikë të APJ-së, të cilët zhurmonin dhe gati sa nuk preknin majat e lisave të fshatit dhe çatitë e shtëpive. Shpeshherë me anën e hijes në tokë mund të kuptoje se në qiell fluturojnë avionët ushtarak. Kurse përgjatë udhës qëndronin kokat e ngjeshura të fashistëve jugosllavë në formë të robotit, i ngjanin pikturës së tmerrshme “3 Maj 1808” të piktorit spanjoll – Francisko de Goja.
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË FADIL VATËS!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk