Nga: Agim Sulejmani
Edhe një dëshmi më shumë se sa fort është i kapur sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe sa shumë punë ka në reformën e drejtësisë. Të ngritet një aktakuzë e tillë me aq shumë të involvuar në një rrjet të tillë kriminal dhe me aq shumë dëshmitarë dhe kur as për së afërmi nuk shihej fundi i këtij procesi gjyqësor që ishte shpallur si proces maratonik dhe shumë i gjatë gjyqësor, dalin e na thonë sot se shpallen të pafajshëm!
Nëse këta janë të pafajshëm, atëherë duhet arrestuar policët dhe prokurorët që i arrestuan dhe iu ngritën aktakuza të tilla dhe hapën procedurë të tillë shumë të kushtueshme gjyqësore.
Një “gjyqësi” e tillë bën që me ta gërditë drejtësinë! Kjo i bie, se mund të vjedhësh sa të duash në Kosovë, mund të mashtrosh kënd të duash e sa të duash në Kosovë, bile edhe mund të vrasësh dikë, dhe në fund të shpallin të “pafajshëm”!
Kjo ma kujtoi procesin gjyqësor dyvjeçar kundër Fatmir Limajt dhe në fund thanë se ai nuk qenka hajn dhe nuk ka vjedhë fare, doli i “pafajshëm”! Por njëkohësisht treguan edhe për shpenzimet e procesit ndaj tij, e sidomos shpenzimet e avokatëve të Fatmir Limajt, të cilat kalonin shumën mbi dy milionë euro! Si ka mundësi që një njëri që deri dje s’kishte brekë, të ketë sot vetëm për avokat brenda dy vitesh mbi dy milionë euro, (pa vjedhur fare!!)!? Si shumë e pabesueshme!
Aq e pabesueshme duket edhe epilogu i kësaj farse gjyqësore në procesin marramendës të mashtrimeve të Milaim Zekës me kompani!
