Kritika letrare
Libër që sjell dëshmi për shqiptarët
Autori i librit “Polemika, intervista, debate dhe letra”, Xhemil Zeqiri, shquhet për krijimtarinë e tij letrare me motive të atdhedashurisë.
Zeqiri lindi në Tetovë. Një kohë të gjatë veproi ilegalisht. Është themelues i disa organizatave, posaçërisht jashtë vendlindjes. Kontribuoi për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar nëpërmjet letrave, polemikave, debateve dhe intervistave të ndryshme, një pjesë e të cilave janë të botuara në këtë libër.
Libri më tepër është prezantim faktesh dhe të dhënash, që mund të shërbejnë si dëshmi për publikun.
Autori preokupohet me statusin e përgjithshëm të shqiptarëve kudo që jetojnë, në veçanti të shqiptarëve të Kosovës.
Ai shpesh nuk pajtohet edhe me liderët e Shqipërisë dhe atë e shpreh hapur nëpërmjet letrave që ua dërgon autoriteteve më të larta.
Libri ofron edhe fotografi dhe skica të ndryshme, duke paraqitur në mënyrë konkrete ngjarjet që kanë ndodhur.
Në letrat e tij, Zeqiri polemizon jo vetëm me shqiptarët, por edhe me ndërkombëtarët.
Pikëpamjet e autorit janë të qarta dhe ai i shpreh në mënyrë të prerë. Ai nuk bën koncesione për çështje madhore, siç është pavarësia e Kosovës dhe bashkimi i kombit shqiptar.
Autori paraqet realitetin dhe assesi nuk bën prejudikime politike apo të ndonjë natyre tjetër. Po ashtu, ai publikon edhe intervistat e tij dhënë medieve të ndryshme botërore, lidhur me diskriminimin e shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, ashtu si e çdo shkrimtari tjetër nuk mund ta evitojë dashurinë për vendlindjen.
Vepra shpërfaq të gjitha çapitjet e autorit që i bë në forma të ndryshme vetëm e vetëm që shqiptarët të jetojnë të lirë, e të bashkuar, ashtu sikur kanë qenë të bashkuar natyrshëm. Siç edhe shumë bashkëmendimtarë të autorit, bashkimin e tillë e quajnë Shqipëri Natyrale, duke ju kundërvënë kështu tendencave dhe aluzioneve të armiqve rreth terminologjive të ndryshme që i kanë etiketuar shqiptarët dhe atdheun e tyre.
Prishtinë 2012