Home / Shëndetësi / Lavdi lindjes dhe respekt vdekjes!

Lavdi lindjes dhe respekt vdekjes!

Shkruan: Beqir Elshani

Një ditë unë me vëllain tim morëm pjesë në varrimin e tezes 92-vjeçare, motrës së nënës sonë 90-vjeçare në fshat. Pas varrimit të tezes u kthyem në shtëpi dhe vëllai im nënës i tregoi që motra e saj shkoi në banesën e fundit. “Nanë, sot tezja u nda nga jeta dhe u përcoll në banesën e fundit”, kështu i tregoi vëllai im nënës. Për habi, nëna tha se asgjë nuk kuptonte, prandaj iu afrova nënës dhe i tregova që tezja ka vdekur dhe ne ishim në varrim. Atëherë nëna e emocionuar tha “…iu prehtë shpirti në paqe motrës”. Pastaj qau me lot. Vetë lotët tregonin që nëna e kishte kuptuar që kemi qenë në varrimin e tezes.

Për këtë ngjarje që e kam përjetuar në familjen time, dua të pyes gazetat shqiptare, pse lexuesit i torturojnë me shprehjet figurative, siç janë eufemizmat: ndërroi jetë, dha shpirt, u përcoll në banesën e fundit, a në botën tjetër’, në vend se të shprehen me fjalën e qartë që është pjesë e kulturës sonë kombëtare. Si nuk ka inat shtypi shqiptar, kur mbarë shtypi europian për vdekjen dhe varrimin shkruan me fjalor konkret që është pjesë e kulturës dhe e traditës popullore, kur dihet që fjala e kundërt e lindjes është vdekja, sado e dhimbshme qoftë, jo ndërrimi figurativ i jetës. Ashtu siç e pranon njeriu lindjen me gëzim, detyrohet ta pranojë edhe vdekjen me pikëllim. Gazetarët e dinë fort mirë që shtypi ditor nuk është fletushkë fetare. Të kemi parasysh se asnjë shprehje metaforike nuk ia jep forcën poetike për vdekjen e vjershëtorit tonë të madh – Naim Frashërit, sikur bashkëveprimtari tij, Andon Zako Çajupi, në vjershën ‘Naim Frashëri’:
“Vdiq Naimi, që këndoi trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, që lëvdoi dhe nderoi mëmëdhenë!”
Është poshtërim që për shkrimtarin të shkruhet “Përkujtohet përvjetori i ndarjes nga jeta” në vend se të shkruhet letrarisht “Përkujtohet përvjetori i vdekjes”. Rreptësisht duhet të ndalohet përdorimi eufemizmit në gazetat ditore, kur dihet që vendi i figurave stilistike është në letërsi dhe në shkrime fetare. Uitmani në vjershat e tij shkruan që poetët, filozofët, priftët, martirët, artistët, shpikësit, lëvruesit e gjuhës vdesin, ndërkaq shtypi ynë vazhdon të shprehet me eufemizëm. Prandaj Lavdi lindjes dhe nderim vdekjes! Respekt edhe shkrimtarit amerikan, Uollt Uitman, që në veprën e tij “Fije bari”, me nderime të thella e nderon vdekjen.

Që Ministria e Shëndetësisë luan me ndjenjat e popullit, tregon lajmi ditor në faqet e shtypit shqiptar: “Vetëm dy persona kanë ndërruar jetë nga Covid-19”, ndërkaq të nesërmen shkruan “Asnjë humbje jete brenda 24 orëve të fundit”. Kam menduar se gazetat shqiptare janë aktuale, mirëpo dolën të jenë mesjetare. E njëjta gjendje tronditëse e pandemisë Covidi-19 është edhe në Suedi si dhe në mbarë Europën, mirëpo shtypi i madh suedez kurrë nuk shkruan me eufemizëm “…humbje jete nga COVID-19”, por “…rast vdekje nga COVID-19”. Po ashtu, derisa në shtypin suedez shkruan për vdekjen e personave në kohën e koronavirusit “Mosha e personave që vdesin nga Covid-19”, në shtypin shqiptar shkruan “Mosha e personave që humbën jetën nga Covid-19”. Si mund të shkruhet për humbje jetë njerëzish në Shqipëri, kur njeriu si qenie njerëzore vdes. Lindja dhe vdekja janë të domosdoshme thonë të vjetrit, janë feniks i ripërtëritjes së pandërprerë dhe i ringjalljes së përjetshme. Mos do të thotë që shqiptarët janë më të dhimbshëm se popujt tjerë në Evropë, prandaj vazhdojnë të shkruajnë me eufemizëm! Duhet pasur parasysh. më e rëndë se vdekja natyrale është rënia e numrit të lindjes së fëmijëve dhe vdekja e njerëzve në aksidentet rrugore. Po e zëmë që unë jam i dobët në eufemizëm, mirëpo nuk jam i detyruar ta kuptoj, prandaj kur në lajm shkruan dy herë për ndërrimin e jetës dhe për mbetjen pa ndjenja, domethënë viktima nuk ka vdekur. Shtypi shqiptar askund nuk e përmend vdekjen tragjike të fëmijës 5-vjeçar, të cilën nëna e ka harruar në makinën me vapë, dhe për helmimin e mbesës katërvjeçare, të cilën gjyshja në vend se ta mbronte, e detyroi të pinte uiskin e vdekjes. Prandaj nuk është e rëndë të thuhet për vogëlushet që kanë vdekur, i rëndë është veprimi çnjerëzor i nënës dhe i gjyshes. Pijet alkoolike janë plumba që vrasin, prandaj duhet mbajtur larg fëmijëve. Tragjike është pakujdesia e nënës që fëmijën e ka harruar në makinë, dhe detyrimi brutal i gjyshes ndaj mbesës, dhe jo vdekja e natyrshme, edhe pse në shtypin amerikan shkruan për vdekjen tragjike të fëmijëve.

Kush nuk dëshiron të vdesë sikur francezi në moshën 112, për të cilin shtypi anglez shkruan “Oldest Frenchman has died qt 112” (Në moshën 112 ka vdekur francezi më i moshuar”, ndërkohë shtypi shqiptar vazhdon të shkruajë me eufemizëm “Francezi më i moshuar ndërron jetë…”. Ngjashëm vepron edhe në lajmin gjerman “E moshuara ka vdekur nga kanceri” shtypi shqiptar e kthen në eufemizëm “E moshuara ka ndërruar jetë…” Prandaj derisa shtypi anglez dhe gjerman me vdekjen biologjike i nderojnë të ndjerët, shtypi shqiptar i lëndon me eufemizëm. Në radhë vjen deklarata e aktorit të shquar anglez, Daniel Craig, i cili ka deklaruar se pas vdekjes nuk do t’u lë trashëgim fëmijëve, kurse shtypi shqiptar e kthen në eufemizëm “pas ndarjes nga jeta”. Eufemizëm i ngjashëm është edhe për italianin e moshuar që ka ndërruar jetë në shtrat me prostitutën, ndërkohë karabinieria italiane fatkeqin që vuante prej sëmundjes së zemrës e ka gjetur pa jetë. Lajm i ngjashëm është botuar edhe për vdekjen e një burri me dashnoren në Tiranë, askund nuk përmendet vdekja tragjike prej asfiksimit: “u gjetën të pajetë dhe kishin ndërruar jetë”. Duket qartë, shtypit shqiptar i mungon emancipimi social, në vend se të shkruajë me fjalor konkret që viktima ka vdekur dhe karabinieria italiane e ka gjetur të vdekur, shkruan me eufemizëm. Për punëtorin më mirë është të mbrohet jeta e tij, eufemizmi me shprehje zbutëse nuk ndihmon! Eufemizmi ndërroi jetë është lojë fjalësh që përdoret në vend të fjalës natyrale vdes. Që gazetarët tmerrohen prej fjalës konkrete shihet se në lajmin e tyre disa herë shkruan përcjelljen e të vdekurit në banesën e fundit, në vend se të shkruhet në varrezat e qytetit apo të fshatit. Prandaj njerëzit shqip po ndërrojnë jetë dhe po ndahen nga jeta, ndërsa italisht, gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht – po vdesin.

Frikë prej vdekjes shkencore
Për habi, shtypi shqiptar nuk ka guxim shkencor për vdekjen e fizikanit të njohur, Stephen Hawking, siç kanë vdekur të parët e tij mjeshtër të mëdhenj, mendimtarë e shkencëtarë të famshëm në Britaninë e Madhe, por shkruajnë me eufemizëm “Ndërroi jetë fizikani i njohur, Stephen Hawking”. Jo vetëm në fillim të lajmit, por edhe në vazhdim të lajmit shtypi shqiptar gënjen që familjarët e shkencëtarit të ndjerë kanë njoftuar se fizikani i njohur, Stefen Havking, është shuar në moshën 76-vjeçare, pastaj ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e tij në Kembrixh. Duket qartë që shtypi i Tiranës, përndryshe kryeqytet i kulturës dhe i gjuhës letrare shqipe, jo vetëm që shtrembëron lajmin për vdekjen e njerëzve, sepse në shtypin e tyre prej nga të gjitha lajmet i kanë marrë nga shtypi huaj, në të cilin shkruan që fizikani i njohur, Havking, ka vdekur në moshën 76 vjeçare. Në fund shtoj se Radio Amerika “Here & Now” nuk shprehet me eufemizëm “Pas ndarjes nga jeta të shkencëtarit me famë botërore, Stephen Hawking”, por shprehet me fjalën e vetme të kuptueshme, sado e dhimbshme të jetë “Pas vdekjes së shkencëtarit me famë botërore, Stefen Havking”.

Mendoj se shtypi është faqe dokumentare, dhe jo faqe fetare, prandaj detyrohet të shkruajë me fjalor shkencor. Pikërisht unë që kam moshën e pleqërisë, nuk dëshiroj të ndërroj jetë sipas paragjykimit fetar, por do të vdes si pjesëtar i shoqërisë njerëzore. Unë krenohem me fjalët e themelta shqiptare lindje/vdekje, prandaj nuk dëshiroj që ime më të më sjellë në jetë, as të ndërrojë jetë, përveç lindjes dhe vdekjes biologjike – e para gëzim, e dyta pikëllim. Kështu duhet të ndodhë, për shkak se mes lindjes dhe vdekjes është jeta, prandaj pas vdekjes tjetër jetë nuk ka, pasi që vdekja e ka kuptimin e jetës që ka lindur dhe ka jetuar deri në vdekje. Shpeshherë pleqtë këshillojnë që njeriu nuk duhet të vdesë, para se të vdesë, që ka kuptimin e bashkëjetesës familjare dhe shoqërore. Prandaj lindja dhe vdekja nuk duhet ti nënshtrohen eufemizmit. Nuk është etike të pyetet njeriu “Në cilin vit të ka sjellë nëna në jetë? Si dhe “Kur kanë ndërruar jetë prindërit?”, në vend të pyetjeve letrare “Kur ke lindur?” dhe “Kur të kanë vdekur prindërit?”.

Eufemizmi i bletës
Bleta mëmëz jeton deri në pesë vjet, pas pesë vitesh nuk vdes, por ngordh, ashtu siç ngordh elefanti trupmadh dhe kali këmbëshpejtë. Kështu them, për shkak se nuk jam duke shkruar ndonjë tregim të bukur për nderimin e kultit të bletës sipas traditës popullore, por jam duke shkruar tregim shkencor për jetën dhe punën biologjike të bletës punëtore. Duhet pasur kujdes, nëse shqiptarët thonë që bleta apo lopa vdes, atëherë mjaltin dhe qumështin e tyre nuk duhet ngrënë. Pikërisht në Fjalorin e Gjuhës Shqipe shkruan që bleta është mizë me krahë që mbledh nektarin e luleve dhe bën mjaltin, prandaj me të drejtë shkencore bleta nuk vdes, por ngordh si të gjitha insektet, kafshët dhe zogjtë në botë. Në librin për bletën autori flet për jetën dhe veprimtarinë e natyrshme të bletës, kurse në fund flet për ngordhjen dhe jo për vdekjen e mëmëzës së vjetër të bletës. Sundimtarin e qiellit, shqiponjën, njerëzit e adhurojnë aq shumë sa që nuk kanë guxim të thonë që ngordh, por vdes, megjithatë shkencërisht shqiponja ngordh si të gjitha kafshët në botë. Kjo është dhunti e gjuhës shqipe që botën shtazore me botën njerëzore e dallon në dy grupe të veçanta – vdes dhe ngordh. Prandaj, nëse fanatikët zemërohen që në shkrimin tim them se bleta ngordh, përkundrazi bleta më “falënderon” për ngordhjen e saj, sepse është insekt.

Me një gazetar dhe poet, gjatë rrezitjes në plazhin e Ulqinit diskutuam për vdekjen e njerëzve dhe ngordhjen e kafshëve sipas FGjSh, dhe njëra ndër to ishte bleta. Edhe pse unë i thashë se bleta është mizë që bie në grupin e kafshëve, prandaj në biologji ngordh, kurse njerëzit dhe bimët vdesin. Me përjashtim që bleta vdes vetëm në fushën e letërsisë. Mirëpo gazetari këmbëngulte në të veten, nuk pajtohej me ngordhjen e bletës, tha se bleta vdes. Të nesërmen, në plazhin e njëjtë, afrohet një qytetar, më pyeti se çka jam me profesion. I tregova që jam bibliotekar, por merrem edhe me kulturën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ndërkohë më tregoi që ishte profesor i biologjisë dhe kishte dhënë mësim në gjimnaz. Të tretë ishim në moshën e pensionit. Në vazhdim biologu më tregoi që me vëmendje e kishte dëgjuar diskutimin tim për bletën. Ai e përkrahte mendimin tim për vdekjen e njerëzve dhe ngordhjen e kafshëve dhe mizave, duke përfshirë edhe bletën e vyeshme. Prandaj ishte tronditur me deklarimin konservativ të gazetarit kokëfortë, ani poet dhe atë nga Gjakova, qytet që njihet për pastërtinë e gjuhës shqipe.

Mua më vjen inati që shtypi shqiptar po bëhet më fetar se shtypi italian, siç thuhet më katolik se papa. Një gjë duhet pasur parasysh, eufemizmit duhet t’i ndalohet hyrja një institucionet shtetërore, siç janë mjetet e informimit zyrtar, prandaj me ligj duhet të dënohet shkelja e rregullave të drejtshkrimit, ngjashëm siç dënohet shoferi për shkeljen e rregullave në trafik. Është madhështi shkencore kur shtypi shkruan “Vdes mësuesi, mjeku, agronomi, fizikani, veterani, imami, prifti etj. Nëse shtypi shqiptar vazhdon të merret me shprehjet arkaike, atëherë burrat dhe gratë 60-vjeçarë duhet t’i quajmë djem e vajza, ndërsa delet e bardha duhet t’i quajmë goca. Prandaj duke shkruar me eufemizëm për ndërrimin e jetës së njerëzve, po vdes shtypi shqiptar.

Njeriu është pronar i qenit, jo e kundërta
Shpeshherë dashamirët qenin e nderojnë duke i thënë “Oskari është djalë i mirë” (Oscar is a good boy), megjithëse qeni është kafshë, jo njeri, mirëpo njeriu qenin e nderon si mik. Sipas FGjSh njeriu është pjesëtar i shoqërisë njerëzore, kurse qeni është kafshë gjitare që mbahet për të ruajtur shtëpinë dhe bagëtinë. Prandaj vrasja e njeriut me vrasjen e qenit kanë dallim, pasi që njeriu është pronar i qenit. Po t’i thotë njeriu qenit: “Ulu, djalë i mirë”, dihet që qeni do të fyhet, ngjashëm siç fyhet njeriu po t’i thuhet “Ulu qen i mirë”. Eufemizëm është edhe kur njeriu qenin e thërret “Ku je, djalosh?”, ose “Më vdiq djali”, me anën e së cilës dëshiron ta nderojë kafshën e tij mike, megjithëse në biologjinë shqiptare kafshët ngordhin. Këtë dhunti e ka gjuha shqipe, të cilën pak gjuhë e kanë, prandaj thuhet vdes njeriu, kurse ngordh qeni, macja dhe zogu. Nëse gjahtari me kalë mbyten në mal, atëherë thuhet “Gjahtari vdiq, ndërsa kali i tij ngordhi”, kurse në gjuhën angleze thuhet: “The hunter and his horse died” (Gjahtari me kalin vdiqën), pasi që fjala “died” ka kuptimin e vdekjes së njeriut dhe ngordhjes së kafshës. Dihet që sipas etikës shqiptare nuk mund të thuhet “Gjahtari me kalin vdiqën”, pasi që lajmi del qesharak. Nuk ka vdekje më të bukur se vdekja e natyrës në vjeshtë. Prandaj kur gjethet e pemëve bien në tokë është vdekje e bukur. Kështu duhet të ndodhë, në mënyrë që pas dimrit të vijë pranvera me verën e begatshme.

Nëse ndokush thotë që qeni ka vdekur, atëherë duhet pasur parasysh se edhe kafsha ka arsye të zemërohet, sepse qeni krenohet me fisin e tij shtazor, prandaj sipas ligjit biologjik dëshiron të ngordhë si mbarë bota e tij shtazore, jo të vdesë. Kafshët e egra parapëlqejnë të ngordhin ashtu siç ngordhin mbretërit e tyre, siç janë luani në tokë dhe shqiponja në qiell. Këtu e ka vendin poezia e poetit, Zeqir Duraku, në të cilin shkruan se qeni është zemëruar me pronarin, për shkak se e ka quajtur “njeri”. Duhet pasur parasysh se ashtu siç krenohemi ne që jemi njerëz, krenohen edhe qentë, edhe ujqit, edhe luanët, edhe shqiponjat, edhe zebrat që janë kafshë. Po cili njeri do ta shoqëronte bariun në male për kullotjen e dhenve në stane, përveç qenit. Prandaj atë mbrojtje besnike që bën qeni për kujdesin e dhenve, nuk e bën dot asnjëri.

14.04.2022

About xhzeqiri

x

Check Also

RESPEKT – Mjeku nga Kamenica shëron sëmundjen e sheqerit për një ditë

Kirurgu nga Kamenica, Arber Morina, ka sjellë Risi shkencore në Kirurgjinë Matabolike,...