Duke i vlerësuar drejtuesit e qeverisë dhe shtetit të korruptuar dhe të paftë, lideri i VV-së Albin Kurti në tubimin e parë me qytetarë të mbajtur në qytetin e Vushtrrisë, i ka bërë thirrje qytetarëve të Vushtrrisë dhe krejt Kosovës, që të ngrihen në protesta paqësore për rrëzimin e qeverisë Haradinaj dhe drejtuesve të Shtetit, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Duke përshkruar kapjen e shtetit nga Thaçi e Haradinaj, përmes punësimeve të familjarëve të tyre, Kurti tha se Shteti i Kosovës ka aq institucione sa kanë Thaçi e Haradinaj kushëri.
E në këtë tubim të parin të mbajtur në Vushtrri, në kuadër të tubimeve të paralajmëruara kundër me moton Kundër ‘PANhajnisë’, kryetari i VV-së ka akuzuar edhe prokurorin e shtetit për mosveprim ndaj rasteve të korrupsionit, nepotizimit e keqpërdorimit.
“Të gjithë po i shohin punësimet e keqpërdorimet familjare, veç kryeprokurori nuk po i sheh. Kryeprokurori i mban 7 vende të punës, dhe nuk ka kohë të merret me këto raste”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se korrupsionin e ndalin vetëm zgjedhjet e reja, për të cilat tha se do të largojnë politikanët e korruptuar nga shteti.