Home / Opinion / GJUHA SHQIPE E LUANIT
UÇK
ushtria

GJUHA SHQIPE E LUANIT

 

Beqir Elshani

Beqir Elshani

Një ngjarje dramatike ka ndodhur në shkollën fillore në Therandë. Në ish-Jugosllavinë Socialiste në shkollat fillore të Kosovës nxënësit shqiptarë mësonin lëndën e serbokroatishtes. Në klasë ishte edhe Luani, i biri i drejtorit të fabrikës së gomës “Ballkani”, Bajram Bytyqit. Një ditë Luani kishte munguar në orën e mësimit, prandaj arsimtari nxënësit i pyeti “Ku gjendet Lavi?”, mirëpo nxënësit në klasë ia kthyen se shoku i tyre nuk quhet “Lav”, por “Luan”, sepse është shqiptar, ashtu siç ishin shokët dhe shoqet e tij në klasë, për të cilën edhe Luani kishte mbetur mirënjohës. Nxënësit e kishin kuptuar që arsimtari serb ishte një shovinist i tërbuar, kurrë nuk e thoshte kompozitën “srpskohrvatski jezik”, por vetëm “srpski jezik”. Ky shovinist me dhjetëra nxënës shqiptarë i kishte provokuar me anën e propagandës së tij shoviniste, mirëpo secili ia kishte kthyer me të njëjtën masë.
Një ditë, gjatë orës së mësimit, arsimtari i serbokroatishtes ua parashtroi një pyetje nxënësve shqiptarë, mirëpo nxënësit nuk e dinin përgjigjen. Atëherë arsimtari pyetjen ia parashtroi edhe Luan Bytyqit, mirëpo edhe Luani thotë që nuk e dinte përgjigjen. Siç tregonin nxënësit tjerë në klasë, Luani e dinte përgjigjen, mirëpo nuk dëshironte t’i lëndonte shokët e klasës, prandaj duke mbetur solidar me shokët në klasë, nuk përgjigjet. Për habi, arsimtari i serbokroatishtes vazhdon ta provokojë djaloshin sypetrit se si është e mundur të mos dinte të përgjigjet, kur gjuha amtare e tij është serbishtja. Atëherë Luani zemërohet dhe arsimtarit shovinist flak për flak ia kthen: “Jo, arsimtar, gjuha ime amtare është gjuha shqipe, prandaj gjendem në paralelen shqiptare”. Arsimtari serb mbeti i turpëruar, e pa që nuk i shkoi kungulli mbi ujë. Me dhjetëra herë nxënësit shqiptarë ia kishin shkulur dhëmballët arsimtarit serboçetnik që fliste gjuhën e urrejtjes.
Kur Luani shkon në shtëpi ngjarjen e hidhur të arsimtarit çetnik ia tregon babait të tij, Bajramit. Bajrami tronditet për provokimet shoviniste të arsimtarit ndaj të birit, prandaj të nesërmen shkon drejt e në shkollën fillore, dhe arsimtarin e serbishtes e qorton duke qëlluar me grushte në hundë: “More gomar, gjuha amtare e djalit tim është gjuha shqipe, jo serbishtja”. Në korridor bëhet rrëmujë, aty ndërhyn drejtori i shkollës, për t’i ndarë. Ndërkohë që babai i Luanit po e qëllonte me grushte, arsimtari shovinist mundohej të mbulohej me duar.
Siç dihet Bajram Bytyqi, një kohë të gjatë, qysh prej fillimit të ndërtimit, ka qenë drejtor në fabrikën e gomës “Ballkani” në Therandë, ishte i martuar me një mësuese nga Vojvodina. Luani ishte nxënës shembullor, prandaj jo vetëm që ishte i aftë në lëndën e gjuhës shqipe, por shkruante edhe poezi, të cilat në atë kohë i botonte në revistën “Pionieri”. Padyshim që Luani, si gjithë shokët e tij në klasë, ishte shqiptar, prandaj me të drejtë nuk pranonte të fyhej kombi i tij dhe gjuha amtare shqipe. Në fund vlen të përmendet se Luani pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës është martuar me bijën e veteranit të arsimit, Xhafer Kabashit, nga Korisha e Prizrenit.
Pa dyshim që deklarimi i arsimtarit çetnik për Luanin, kinse gjuha e tij amtare është serbishtja, duhet të jetë e kurdisur me kohë prej qarqeve reaksionare të Beogradit. Prandaj atë rezistencë që bëri një fshatar i arsimuar, siç ishte Bajram Bytyqi nga Semetishti i Therandës, përndryshe i martuar me një vojvodinase, që i biri të quhet Luan, të deklarohet shqiptar dhe tërë jetën e tij të mësojë shqip, gjithashtu edhe të merret me krijimtari letrare shqipe, kurrë nuk e bënin veglat qorre, siç ishin Ali Shukriu, Sinan Hasani, Kolë Shiroka, Rrahman Morina dhe të tjerë. Fëmijët e sahanlëpirësve, jo vetëm që nuk flisnin shqip, por edhe ishin shkrirë në elementin serbosllav që vepronin kundër vendlindjes dhe çështjes kombëtare shqiptare. Ndonëse matriarkati i përkiste komunës primitive, rolin e familjes shqiptare në ish-Jugosllavi e luante gruaja serbe. Prandaj dhëndurët shqiptarë për interesa të fashizmit serb ishin në gjendje të luftonin për kolonizimin e Kosovës. Me të drejtë shqiptarët thoshin se shpirtin ia kishin dhënë dreqit. Prandaj derisa gjuha amtare e Luanit, birit të Bajram Bytyqit, ishte shqipja madhështore, gjuha e fëmijëve të dhëndurëve të lartshënuar të Serbisë, ishte serbishtja shoviniste.

Martesat e përziera jugosllave në dëm të kombit dhe atdheut
Sa i përket martesave të përziera, dallimi është nëse burri apo gruaja martohet me një ruse apo rus, atëherë të dytë me gjithë fëmijët e tyre i shërbejnë politikës serbe, këtë e dëshmon edhe rasti deputetit fraksionist në Bundestagun gjerman, Anton Frizen, i cili si nip rus në dëm të popullit shqiptar i shërben politikës reaksionare ruse-serbe.
Pak fjalë për martesat e përziera në ish-Jugosllavi. Për habi, Kolë Shiroka, Rrahman Morina, Sinan Hasani, Ali Shukriu, dy herë e kishin tradhtuar atdheun e tyre: herën e parë me bazë kombëtare si shqiptar duhej të martoheshin me shqiptare vendëse, kurse herën e dytë me përkatësi fetare tre të parët ishin myslimanë, ndërsa tjetri i krishterë, prandaj kurrsesi nuk duhej të martoheshin me femra të huaja. Po të martoheshin me femra shqiptare në vendlindje, siç thuhet do të kishin bashkëshorten shqiptare, me anën e së cilës do të bëhej emancipimi i femrës shqiptare, pastaj fëmijët shqiptarë, që njëkohësisht do të ishin nipa të shqiptarëve me farefis në Kosovë. Dhëndurët shqiptarë të Serbisë, nuk dhanë asnjë shembull, që gratë e tyre ta përkrahin Kosovën Republikë, përkundrazi ranë nën ndikimin e grave, jo vetëm serbe, por edhe shoviniste. Pikërisht këngëtari dhe kompozitori shqiptar, Avni Mula, ishte i martuar me Ninën ruse, mirëpo pas ndërprerjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Rusinë, nusja ruse për interesa politike nuk e braktisi Avni Mulën, ajo së bashku bashkëshortin dhe dy vajzat vazhdoi të jetojë në Shqipëri. Natyrisht që Nina, bashkëshortja e Avni Mulës, e donte vendlindjen – Rusinë, mirëpo nuk veproi në dëm të Shqipërisë. Ajo mbeti mjeshtër e respektuar e artit të muzikës. Parashtrohet pyetja, a mund të bënin dhëndurët shqiptarë punën e Avni dhe Nina Mulës në shërbim të artit dhe kulturës kombëtare në Shqipëri. E kundërta e kompozitorit shqipta, Avni Mula, është Bekim Fehmiu, mirëpo ky i fundit për skaj bashkëshortes serbe e braktisi Kosovën.
Përkundrazi, ata në dëm të vendlindjes, kishin bërë lidhje me familjen e pushtuesit të huaj. Pastaj në vend se fëmijët e tyre ta urrenin pushtuesin, ata vepronin edhe më keq, fashizmit serb i thoshin dajë. Në anën tjetër, martesa e grave serbe me burra shqiptarë ishte një fitore, meqë në Serbi ishin mbushur femrat e martuara me intelektualë, prandaj martoheshin me të huajt, ndërkohë që ato po i përvetësonin në shërbim të politikës serbe për kolonizimin e Kosovës. Tekembramja, martesa e djemve shqiptarë me vajza serbe, ka qenë mjet politik për shtypjen e popullit shqiptar. Koha tregoi se asnjë dhëndër nuk ndikoi që gruaja serbe t’i dojë shqiptarët, por ndodhi e kundërta, dhëndurët u bënë vegël e grave që vepronin në shërbim të shovinizmit serbosllav. Asimilimi i tyre të kujton historianin grek, Polibi, i cili u zu rob nga romakët, fill pastaj u shndërrua në adhurues i perandorisë romake, domethënë historiani grek u vesh me lëkurën romake, mirëpo dijetarin grek me dhëndurët jugosllav i ndanë epoka dymijë e dyqind vjeçare.
Martesat e përziera në ish-Jugosllavi kanë qenë në shërbim të politikës jugosllave që bëheshin në dëm të familjes dhe popullit shqiptar. Martesat të tilla aq sa kanë qenë të dobishme për politikën jugosllave, po aq kanë qenë në dëm të popullit shqiptar. Në dallim me martesat e studentëve shqiptarë në vende të ndryshme të Europës, që janë bërë me dashuri të ndërsjellë, pikërisht Hasani, Shukriu, Shiroka, Morina, nuk ishin studentë, por politika jugosllave i martoi, duke i shkrirë në elementin serbosllav. Politika serbe është munduar që edhe në Slloveni të nxitë martesën e burrave sllovenë me gra serbe, mirëpo nuk kanë pasur sukses, edhe pse i përkasin grupit të njëjtë sllav. Dallimi në mes Dimitrije Tucoviqiqt dhe Ali Shukriut është se të parin e nderojmë, sepse ishte internacionalist, konkretisht mbrojtës i popullit shqiptar nga shtypja dhe shfarosja, kurse i dyti (Shukriu) ka qenë mohues i vendlindjes dhe vrasës i popullit shqiptar, ashtu siç ka vepruar Muharrem Bajraktari – vegël e fashizmit gjerman, dhe si Ballaban Pasha – vegël e perandorisë turke. Prandaj njëri prej tyre duhet nderuar Tucoviqi ose Shukriu dhe Skënderbeu ose Ballabani. Të dytë nuk shkojnë, sepse njëri është vrasës, tjetri është mbrojtës i popullit shqiptar. Kështu duhet të edukohet rinia përparimtare serbe.

Nxënësja shqiptare, viktimë e dhunës politike
Qysh para dy dekadash kam shkruar për Hanife Berishën, nxënëse e klasës së VII-të fillore, e cila në Bujanoc më 19 maj të vitit 1987 bëri vetëvrasje, që kishte rënë viktimë e dhunës politike. Siç dihet, Libër leximi për klasën e VII-të të shkollës fillore ka qenë pronë vetjake e nxënëses, prandaj kujdestari apo kushdo qoftë tjetër nuk kishin të drejtë të merren për shqyerjen e portretit të J.B.Titos në librin e nxënëses, pasi që ka qenë pronë e saj vetjake. Edhe po t’ia kishte falë librin shkolla, prapëseprapë është e pronë e saj. Për habi, përdorimi i librit të nxënëses së ndjerë nuk ka pasur më shumë se dhjetë ditë, pasi që ishte në prag të përfundimit të viti shkollor. Megjithatë, kujdestari apo drejtori i shkollës tetëvjeçare mund ta dënonte nxënësen nëse ajo në shenjë zemërimi do ta thyente bankën, tabelën e zezë apo xhamin e dritares si pjesë të inventarit në klasë, jo për dëmtimin e librit vetjak. Prandaj kujdestari i klasës nuk duhej ta dramatizonte aksidentin, ai duhej të kuptonte pasojat psikologjike të nxënësve në shkollën fillore. Kështu nuk duhet vepruar as ndaj nxënëseve në shkollën e mesme, jo më në shkollën fillore. Për ironi, në vend se tre edukatorët (arsimtari, drejtori dhe zëvendësdrejtori) në shkollën fillore të silleshin në mënyrë pedagogjike ndaj nxënëses për ta qetësuar, ata e kanë torturuar sikur ajo të ishte grua e re. Për një çast zyra e drejtorit kishte marrë pozitën e ndëshkimit policor. Prandaj vogëlushja, në shenjë dëshpërimi, sapo shkon në shtëpi, kryen vetëvrasje. Vetëvrasja e nxënëses tregon se ishte shenjë e mungesës së lirisë dhe demokracisë së nxënësve në shkollën tetëvjeçare. Në vend se shkolla fillore të merret me edukimin dhe arsimin e nxënësve, institucioni arsimor ishte shndërruar në kamp fashizmi. Tekembramja, nxënësit duhet stimuluar për dashurinë ndaj mësimit, jo të kërcënohen me përjashtim dhe me burgosje. Në anën tjetër, po të kishte qenë vajza studente, kuptohet që para derrave fashistë nuk do të trembej aspak, mirëpo ajo ende ishte vogëlushe. Prandaj me të drejtë pedagogjike nxënësit quhen filloristë.
Më së miri do të kishte qenë që arsimtari, pasi që edhe vetë ishte kujdestar i klasës, në fillim të bisedonte me babain e nxënëses, dhe jo ta politizonte ngjarjen në shërbim të shovinizmit jugosllav. Në këtë rast, heshtja e arsimtarit do të ishte më e mirë. Me dhjetëra raste kanë përjetuar arsimtarët me nxënësit nëpër shkolla fillore e të mesme në ish-Jugosllavi, por nuk i kanë dramatizuar as nuk i kanë përhapur. Një rast i ngjashëm ka ndodhur në vitin 1967 në Beograd, në Shkollën e Mesme të Bibliotekës, ku mësoja unë, një shok i klasës gjatë ushtrimeve paraushtarake me pushkë ajrore e qëllon fotografinë e Titos në mur. Ndërkohë që fotografia u bë copë e grimë, tjetri e përgëzoi “bravooo!” Arsimtari e qortoi nxënësin problematik, ndonëse ishte 18-vjeçar, mirëpo askush nuk e mori vesh. Tekembramja, arsimtari në Bujanoc nuk e kishte detyrën e policit në institucionin shkollor, por ishte edukator, prandaj çështjen mund ta zgjidhte në mënyrë pedagogjike. Nëse njeriu e ka dëmtuar gishtin e dorës, mjeku duhet mjekuar, jo t’ia shkurtojë dorën, prandaj mësuesi në vend sa ta këshillonte në mënyrë pedagogjike nxënësen, e ndëshkoi me vdekje.
Dënimi i babait për nxënësen që ka shqyer foton e Titos në libër lexim, i ngjante mbretit për të cilin i faleshin me jetë. Prandaj Tito nuk ishte socialist, monark ishte. Po sikur me dhjetëra foto të griseshin, nuk duhet tmerruar ngjarjen. Në këto raste arsimtarët duhet të jenë të përmbajtur ndaj nxënësve, jo të veprojnë rrëmbyeshëm. Tekefundit nëse fëmijët bëjnë dëme, përgjegjës është mësuesi në klasë, pastaj prindi. Nëse nxënësi shkakton pasoja, bie fjala e thyen tabelën, duhet gjetur metoda edukative për të mos e dëmtuar psikologjinë e fëmijëve. Nuk thoshte kot populli se ato vite hallva jugosllave ka qenë e shijshme. Për habi revolta e nxënëses ka qenë e rastit dhe atë një javë para përfundimit të vitit shkollor, që tashmë libri po dilte prej përdorimit. Duket qartë, arsimtari me gjithë drejtorin e shkollës kanë qenë vegël fashiste që vepronin në shërbim të reaksionit jugosllav. Ata vendin e kishin në stallën e derrave, jo në institucionet shkollore. Prandaj arsimtari kujdestar i klasës mbeti vrasës i nxënëses, e cila sot do të ishte një mësuese apo një mjeke e re shqiptare. Shkurt, Hanifja do të krijonte familjen e re shqiptare – me djem e me çupa. Respekt, vogëlushes kryengritëse, e cila u vra në lulen e rinisë!
Suedi, 20.05.2020

About admin

x

Check Also

Dyluftimi i integristëve!

Shkruan: Medai Shaholli I ashtuquajturi ‘grupi i zjarrit’ brenda integristëve me protagonistë...