Home / Të ndryshme / Anekdota: KOLERA DIPLOMATIKE

Anekdota: KOLERA DIPLOMATIKE

Shkrkoleruan: Beqir Elshani

1. GRINDJA
– Duket se e dashura jote është zemëruar me ty? – iu drejtua ujku i vjetër ujkut të ri.
– Është zemëruar vetëm pse i thashë që po sillet sikur të ishte grua me dy këmbë, – tregoi ujku i ri.
– Duhet t’i kërkosh falje, si do të vinte ty, po të thoshte ajo që ti po sillesh si të ishe burrë pa bisht, – e qortoi ujku i vjetër.
2. SHARJET
Dy ujq bisedojnë: – Duket se bariun e kanë zënë hallet, shpeshherë përdor fjalë të ndyta, – tha ujku i parë.
– Jo, bariu nuk ka halle, janë deputetët që grinden e fyejnë me babë e nënë, – tha ujku i dytë.
3. DY APO TRE FËMIJË
– Kam tre fëmijë, dy janë me nga dy këmbë, një me katër këmbë. Të gjithë e duam fëmijën me katër këmbë, – tregoi një grua.
– Me siguri e keni fjalën për qenin me katër këmbë…? – e pyeti fqinja me habi.
– Natyrisht, mendove se po flas për elefantin?! – shtoi e para.
4. MJEDISANTI
– A beson që marrëveshja e Parisit për përmirësimin e klimës do të ulet prej shifrës 1,5? – e pyeti gazetari mjedisantin.
– Përkundrazi, do të ngrihet, – ia ktheu mjedisanti i nervozuar.
5. PALLATI I LUFTËS
– Ku gjendet Pallati i Luftës? – e pyeti një turist doganierin duke hyrë në Kosovë.
– Gjendet në Skënderaj, – u përgjigj polici.
– Ndërsa Pallati i Durimit ku gjendet? – vazhdoi ta pyes turisti.
– …gjendet në Prishtinë, – tregoi doganieri.
6. FIZIKISHT DHE POLITIKISHT
– Shyqyr, ministrat e Kosovës janë të fortë fizikisht, – i lavdëroi një qytetar.
– Për fat të keq, në trupin e tyre nuk gjendet asnjë qelizë kombëtare, prandaj politikisht kanë vdekur, – ia ktheu i dyti.
7. KOLERA DIPLOMATIKE
– Cila prej tyre është më e rrezikshme, kolera epidemike, apo kolera diplomatike? – e pyeti gazetari mjekun e vjetër.
– Për nga përbërja, janë të ndryshme, për nga pasoja janë të njëjta, – u përgjigj mjeku i vjetër.
8. “300 GROSHË”
– Kush është autor i parullës jugosllave “Birja e minit 300 groshë”? – e pyeti arsimtari studentin në gazetari.
– Është daja im që ka punuar në Komitetin Komunal të Gjakovës, – u përgjigj studenti.
– Jo, i nderuar, daja yt është i vogël, për këtë vepër të madhe jugosllave, prandaj autor është Fadil Hoxha, – e korrigjoi arsimtari.
9. RRUGAÇI
– A gjendet sharje më e rëndë për profesorin plak se t’i thuhet rrugaç?! – e pyeti një arsimtare kolegen e punës.
– Patjetër, sharja më e rëndë është t’i thuhet pedofil, – tregoi kolegia.
10. PEDOFILI
– Çfarë përkitje, asnjëherë nuk ka ndodhur që tre emra të fillojnë me germën ‘p’, psh. pedagog, pensionist dhe pedofil, – tregoi një qytetar.
– Tani merakliu pas vashave do të mbetet pa dy të parat, – plotësoi një tjetër.
11. ANTONIMI
– Si quhet fjalia “Mësuesi është i dobët, ministri është i trashë”? – e pyeti arsimtari nxënësin në gjimnaz.
– Antonim gjuhësor, arsimtar, – u përgjigj nxënësi.
– Nuk quhet antonim gjuhësor, por antonim social! – e korrigjoi nxënësi tjetër.
12. MOHIMI I ATDHEUT
– A mund të shkaktojë kronavirusi humbjen e kujtesës kombëtare? – e pyeti gazetari mbimjekun.
– Patjetër, nëse qytetari e mohon atdheun dhe Skënderbeun, dihet që të ka prekur koronavirusi, – u përgjigj mbimjeku.
13. DASHURIA
– Cili prej tyre e do më shumë Serbinë, Edi Rama apo Sali Berisha? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Nuk mund t’i ndaj, të dytë e duan njësoj, – u përgjigj i dyti.
14. PARASHIKIMI
E pyetën orakullin se kush do të zgjidhet kryetar i Republikës së Shqipërisë, prandaj orakulli tha se do të zgjidhet ai që do të puthë nënën Shqipëri.
– Për fat të keq, tek ne nuk ka mbetur asnjë trim që e puthë nënën Shqipëri, të gjithë po e puthin njerkën, – tregoi një plak i mençur.
15. NONGRATA
– Cila fotografi e ngjarjes të ka bërë përshtypje të madhe? – e pyeti gazetari tiranasin në sheshin Skënderbej.
– Fotografia e ish-kryeministrit të Shqipërisë, me pseudonimin “Nongrata”, që është rrëzuar në Pallatin e Kongreseve, – tregoi tiranasi.
16. NOSTALGJIA
– A mund të ndodhë ndonjëherë që Serbia ta urrejë Francën dhe Rusinë, e cila i do më shumë se veten? – e pyeti gazetari diplomatin gjerman.
– Patjetër, kur nuk e shpërblejnë më me toka shqiptare, – u përgjigj diplomati gjerman.
17. SHARJE NË KUVEND
– Komentues të nderuar, nuk shkruhet “Deputetët në Kuvendin e Kosovës shahen, fyhen, kapen, përplasen, kacafyten, grinden, rrihen dhe zihen, sepse janë fjalë sinonime, mjafton të shkruhet njëra prej tyre, me anën së cilës kursehet kohë, letër dhe ngjyrë”, – kështu shkroi redaktori i gazetës Bota sot.
– Redaktor i nderuar, kur deputetët që marrin rroga nuk sillen me edukatë, atëherë pse të kursej unë ngjyrë e letër, – ia ktheu një komentues i revoltuar.
18. KAMPIONI I SHARJES
– Po të shpërblehen njerëzit sipas sharjes së madhe, bashkëshorti im do të zinte vendin e parë në botë, – tregoi një grua.
– Mbase bashkëshorti yt punon në kopshtin zoologjik, prandaj detyrohet t’i qortojë kafshët e egra?! – e pyeti një kolege.
– Jo, është deputet në Kuvendin Republikan, – u përgjigj e para.
19. DARKA NË BULEVARD
“Ftoheni të merrni pjesë në darkën solemne që mbahet në Bulevardin e qytetit!”, – kështu shkruante në ftesën e organizatorit.
– Ju faleminderit, për ftesën, mirëpo nuk jam endacak që darkën ta haj në rrugë, prandaj më mirë bukë e kripë në shtëpi, se mish zogu në rrugë, – ia ktheu përgjigjen prishtinasi.
20. IFTARI NË KLASË
– Për habi, nxënësit më shumë e duan mësuesin se bibliotekarin, – e hapi bisedën një plak.
– Normale, edhe ne në kohën tonë e kemi dashur mësuesin, – ndërhyri një tjetër.
– Mirëpo nxënësit e duan pasi që ai farë mësuesi i ka nderuar me darkën e iftarit, – tregoi i pari.
21. ZGJEDHIMI I FOLJES
– Arditë, si bëhet zgjedhimi i foljes “sundoj” në kohën e ardhme? – e pyeti arsimtari i gjuhës nxënësen.
– Unë do të sundoj shtetin, ti do të shfrytëzosh popullin, ai do të shkatërroj vendin, ne do të pësojmë, ju do të tronditeni, ata do të vuajnë, – u përgjigj nxënësja.
22. MARTESA ME DETYRIM
– A jeni të kënaqur me demokracinë në Kosovës? – i pyeti gazetari një grup qytetarësh.
– Nuk jemi të kënaqur, në Svaziland të Afrikës, burrat detyrohen të martohen me nga dy gra, ndërsa neve na ndalohet martesa e burrit me burrë, – u ankua një homoseksual.
– Mut atje, mut këtu, – shtoi me mllef një tjetër.
23. PROTESTA
– Për çka po proteston? – e pyeti gazetari një protestues që kishte dalë me simbolin e ylberit në qendër të Prishtinës.
– Po protestoj për drejtat e komunitetit feminist, – tregoi qytetari.
– Duket se nuk e di që Një Maji është Dita e Klasës Punëtore, prandaj protestohet për të drejtat e punëtorëve në punë dhe për ngritjen e pagave, – ia ktheu sindikalisti i revoltuar.
24. PARTIA MË E MADHE
– Cila parti është më e madhe, Sindikata e Punëtorëve apo Partia e Hajdutëve? – e pyeti njëri avokatin e popullit.
– Dihet Sindikata e Punëtorëve është më e madhe, mirëpo Partia e Hajdutëve ekonomikisht është më e fortë dhe më e organizuar, – tregoi avokati i popullit.
25. GODITJE ME SHISHE
– E tmerrshme, prej nervozes deputeti po e godet tryezën me shishe, bam, bam… – shprehu keqardhje një qytetar.
– Ehe, i bie dritares të dëgjojë dera, prandaj e godet tryezën të dëgjojë Gërmia, pasi që pasuria dhe familja e tij vijnë mbi shtetin, – ia ktheu tjetri.
26. DOZA E SHARJES
– Duhet të bëhet testimi i sharjes dhe urrejtjes opozitare me aparat, para se deputeti të flasë në kuvend, – deklaroi një gazetar.
– Nuk do të ishte keq që me aparat të matet doza e servilizmit të Ramës dhe Berishës ndaj Serbisë për Ballkanin e hapur, – ndërhyri avokati i popullit.
27. SHARJE NË KUVEND
– Sipas sharjes “Ua q… robtë (robërit)” çfarë pozite duhet të ketë deputeti në kuvendin republikan? – i pyeti arsimtari nxënësit në klasë.
– Pozitë skllavopronare, arsimtar, – u përgjigj një nxënës.
28. MË LEHTË
– A më lehtë është që njeriu të bëhet lexues, apo shkrimtar? – e pyeti njëri mësuesin e vjetër.
– Me këtë kibernetikën e lartë njeriu më lehtë mund të bëhet shkrimtar se lexues, shkrimtarët që lexojnë kërkohen me qiri, – u përgjigj mësuesi i vjetër.
29. STREHIMORE
– Doktor, kërkoj që babain tim ta çoj në strehimore, është bërë agresiv, sapo Sali Berishën e ka parë lajmet televizive, prej zemërimit e ka thyer televizorin.
– Edhe babai im e ka thyer televizorin, por nuk e kam larguar prej shtëpisë. Më mirë pa televizor, se pa babain, – tha mjeku.
30. REFUGJATI
– A pajtohesh të punosh pastrues për mirëmbajtjen e qytetit? – e pyeti shefi i kompanisë së mirëmbajtjes refugjatin.
– E pamundur, në Shqipëri kam lënë detyrën e drejtorit, kurse në Spanjë më ofroni fshesën, – kundërshtoi refugjati shqiptar.
– Po të kishe qenë drejtor, nuk do të vije në Spanjën e largët, – ia ktheu shefi i kompanisë së pastrimit.
31. LUMTURIA
– Lumturia zgjat sa të jetë thesi plotë, kur të zbrazet, zhduket edhe lumturia, – tha fshatari i revoltuar.
– Prandaj ministrat bujarë që të varfërve u japin falas ushqim, nuk zgjat me shumë se një javë, – ia ktheu i dyti.
32. KLASA PUNËTORE
– Unë dhe Sali Berisha me kompaninë e tij në kohën e Enver Hoxhës kemi qenë klasë punëtore, – tregoi një nostalgjik.
– Atëherë përse Berisha sot është oligark, kurse ne të varfër e barkthatë, – u ankua i dyti.
– Epo, ne i duam karamelet italiane, jo fasulen tonë, – ia ktheu i pari.
33. MINISTRI
– Kurrë nuk e pashë ministrin shqiptar duke qarë për varfërimin e vendit tonë, – tregoi një qytetar.
– Pse të qajë, kur mollët dhe dardhat e kalbura po i shiten, dhe një ndër ta që i blejmë, jemi unë dhe ti, – ia ktheu i dyti.
34. KOMEDIA
– Ku është dallimi në mes komedisë dhe tragjedisë? – e pyeti një diplomat kolegun.
– Nëse Serbia masakron një numër të madh njerëzish, Bashkimi Evropian e quan komedi, nëse në Kosovë lëndohen disa hajdutë serbë, Bashkimi Evropian e quan tragjedi, – tregoi i dyti.
– Prandaj serbëve edhe këndesi u pjellë vezë, kurse Kosovës as pula nuk i pjellë… – tregoi i pari.
35. SHPATA E LEKËS SË MADH
– Ti që e ke sjellë shpatën e Lekës së Madh, me siguri mund të sjellësh edhe dorën e Lekës së Madh për të qëlluar Nyjën e ngatërruar gordiane, – tha një historian.
– Unë mund të sjell edhe shpatën e Akilit, mirëpo nuk i sjell dot Akilin dhe Lekën e Madh, – ia ktheu arkeologu.
36. DY FOTOGRAFITË
– Në faqen e shtypit elektronik shfaqen dy fotografi, njëra e Vlladimir Putinit, tjetra e Bella Hadidit, cilin prej tyre do ta shikoje? – e pyeti njëri shokun e tij.
– nuk jam fashist…, prandaj do ta shkoja araben e bukur, – u përgjigj shoku i tij.
37. MUNGESA E USHQIMIT
– Shekullin e kaluar mbi 50 milionë njerëz në botë kanë vuajtur për ushqim, pas një shekulli sa njerëz duhet të vuajnë për ushqim? – e pyeti gazetari ekonomistin.
– Shumë lehtë, 50 milionëshit i shtohet një zero dhe shifra del 500 milionë njerëz të varfër që do të vuajnë për ushqim, – u përgjigj ekonomisti.
38. OPTIMISTI / PESIMISTI
– Cilat kushte duhet plotësuar optimisti dhe cilat pesimisti? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Shumë lehtë, të parit i duhet buzëqeshja, të dytit – skamja, – u përgjigj i dyti.
39. TRADHTIA
– Ku qëndron simbolika e kthimit të monarkisë zogiste në Shqipëri? – e pyeti njëri juristin e vjetër.
– Simbolika e kthimit qëndron në atë se pas tij vijnë tradhtia ndaj atdheut, shfrytëzimi i punëtorëve dhe shtypja e popullit, – u përgjigj juristi.
40. STANDARDI
– Për nga kategoria e keqpërdorimit, të parët vijnë tekstilistët, të dytët qumështoret, të tretët bukëpjekësit, – e hapi bisedën një mësues i vjetër.
– Tekstilistët nuk e shtrenjtojnë mallin, por e shesin stofin e dobët, prandaj njerëzit mërdhijnë; qumështoret qumështit i shtojnë ujë, prandaj njerëzit sëmuren; kurse bukëpjekësit nuk e shtrenjtojnë bukën, por ia ulin peshën, dhe kështu populli vazhdon të vuajë, – plotësoi miku i tij.

Suedi, 12 maj 2022

About xhzeqiri

x

Check Also

Xhemil Zeqiri, veprimtar heroik i çështjes kombëtare shqiptare

/ Nga Arkivi i diplomcis.dk/ Epoka e Re, 24.01.2004 Prishtinë, janar – ...