Home / Lajme / Barsoleta: LISI SHEKULLOR

Barsoleta: LISI SHEKULLOR

Nga Beqir Elshani

1. MATEMATIKA E RRUGËS
– Sa bëjnë një bukuroshe e Tiranës dhe një bukuroshe e Prishtinës? – pyeti njëri plakën.
– Bëjnë dy cullakane, – u përgjigj plaka e dëshpëruar për femrat që aspak nuk ngurrojnë të zhvishen para botës.

2. DITËLINDJA E QENIT
– Motër, shkojmë ta vizitojmë mamin në fshat, – i tha vëllai motrës modeliste në mobiltelefon.
– Jo, sot qenushi im, Lari, ka ditëlindjen, prandaj eja tek unë të festojmë së bashku, – u përgjigj motra.

3. FLAMURI BLU
– I kujt është flamuri blu me gjashtë zvezdica? – e pyeti gazetari i huaj shtëpiakun.
– I Nexhmedin Spahiut, e ka dhuratë prej Marti Ahtisarit, – u përgjigj shtëpiaku.

4. “PA RROTLLA”
– A gjendet ndonjë program televiziv që e shikon, por edhe që e shan? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Si jo, është programi “pa rrotlla”, – ia ktheu kolegu i tij.

5. ARKAIZMI
– Ju lutem, jam i dobët në arkaizëm, ma komentoni fjalinë “Jo gjinja po edhe gjaja kan mu habit qka ka me bo Albin Kurti” – kështu iu drejtua njëri komentuesve në facebook.
– Si jo, fjalia arkaike shqip del: “Jo, njerëzit, por edhe kafshët kanë për t’u habitur ç’do të bëjë Albin Kurti” – ia ktheu përgjigjen një komentues.

6. KOMIKËT
– Nuk gjenden njerëz më budallenj në botë se komikët Stanlio dhe Ollio! – tha njëri duke shikuar filmat humoristikë të komikëve të famshëm.
– Prandaj me filmat e tyre na bëjnë të qeshim si budallenj, – shtoi një tjetër.

7. PASANIKËT
– Cilët aktorë komikë janë më të pasur: Stan Laureli, Oliver Hardi apo Çarli Çaplini? – e pyeti njëri mikun e vet.
– Financiarisht nuk e di si qëndrojnë, ndërsa në artin e kinematografisë janë më të famshmit në botë, – u përgjigj miku i tij.

8. NJË HAP…
– A kanë dallim shprehjet “Një hap afër luftës së tretë botërore” me “Një hap larg luftës së tretë botërore?” – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Pse të merremi me dallimin, kur tashmë gjendemi në luftën e tretë, – u përgjigj i dyti.

9. FEJA E RE
– Baba, po flitet që do të formohet një fe e re përparimtare, – tha i biri sapo lexoi lajmin në shtyp.
– Kjo fe e re me kanë e mirë, populli e prish, mirëpo me kanë e keqe, e prish popullin, – tregoi babai.

10. NDËRRIM I FESË
– Çka mendon për fshatarin nga Nishori i Therandës, që prej fesë myslimane ka kaluar në fenë katolike? – e pyeti gazetari një mësues të vjetër.
– Vetëm gjuhën dhe kombin mos ta ndërrojë, sa për fenë edhe stërgjyshërit tanë prej fesë krishtere kanë kaluar në fenë myslimane, – tregoi mësuesi i vjetër.

11. DALLIMI I VEZËVE
– Tregtar, vezët në katalog të artikujve ushqimor duken më të mëdha se këto në tezgë, – u ankua myshteriu.
– Ashtu është, vezët në katalog janë zmadhuar me fotoshop, kurse këta janë sipas pulave, – ia ktheu tregtari.

12. KËMBËT DHE KOKA
– A më shumë i ke munduar këmbët apo kokën? – pyeti njëri mikun e tij.
– Kokën e kam munduar duke studiuar në universitet, ndërsa këmbët duke kërkuar punë, – tregoi i dyti.

13. KARIKATURA EVROPIANE
– Për shkak se i pandehuri luftën në Ukrainë e quan karikaturë evropiane, dënohet me dy vjet burg, – deklaroi prokurori vendimin e gjykatës.
– Vendimi juaj është i padrejtë, zoti prokuror! Duhet dënuar shkaktarin që Ukrainën e ka shndërruar në gërmadhë, jo revoltuesin, – kundërshtoi avokati i popullit.

14. BAZA E RAKETAVE
– Dikur Shqipëria jonë ka pasur rreth 2000 raketa kundërajrore, – tregoi një gazetar.
– Me siguri gjenden në bazën e raketave?! – e pyeti me habi kolegu i tij.
– Jo, të gjitha i ka shkrumbuar reaksioni i Sali Berishës, – ia ktheu gazetari.

15. PËR KRITIKËN
– A do ta kritikosh ndonjëherë Albin Kurtin? – e pyetën disa komentues veprimtar Fadil Shytin.
– Patjetër, nëse Albin Kurti e ndjek shembullin e LDK-së dhe PDK-së, – iu përgjigj veprimtari.

16. PULAT E COFËTA
– Tungjatjeta, kushëri, po shkon të gjuash peshk në det? – e përshëndeti njëri kur pa fqinjin duke shkuar me kosh në det.
– Jo, po shkoj të mbledh pulat e cofëta të fermës për qentë e mi, – tregoi fqinji.

17. SHUJTA PËR QENTË
– Këtë verë do të kemi shujta të mira për ngrënie, – i tha bushtra qenit.
– E ke fjalën gërryerjen e eshtrave të demit që ka therur shtëpiaku?! – ia ktheu qeni.
– Jo, në fermën e pronarit kanë ngordhur me mijëra pula, prandaj pritet të kemi shujta të mira, – tregoi bushtra.

18. PROPOZIM I ÇUDITSHËM
– A pajtohesh që Leka Zogu të zgjidhet kryetar i Shqipërisë? – e pyeti deputeti kolegun e tij.
– Nëse jam kundër zgjedhjes së tij, do të më quajnë komunist, nëse pajtohem do të përfundoj në neuropsikiatri, prandaj më mirë komunist se i çmendur, – u përgjigj kolegu i tij.

19. EKSPERTIZA
– Jam i dobët në ekspertizë, nuk di të dalloj të kujt janë gishtat e fitores: të Edi Ramës, të Sali Berishës, apo të Ilir Metës? – u ankua një gazetar para kolegëve.
– Nuk është vështirë të dallohen, për nga madhësia i pari vjen Edi Rama, i dyti, Sali Berisha dhe i treti Ilir Meta, – tregoi avokati që gjendej në mesin e tyre.

20. GABIMI DREJTSHKRIMOR
– A ka ndonjë gabim në fjalinë ”Ata të cilët kanë vjedh këta fonde, Allahu i dënoftë!” – i pyeti arsimtari nxënësit.
– Patjetër, e para në vend të barbarizmit ”Allahu” duhet shkruar shqip ”Zoti”. Në anën tjetër, vjedhësit i dënon populli, jo Zoti. Po të dënonte Zoti Rusinë, nuk do të shkrumbohej Ukraina, – u përgjigj një nxënëse në klasë. Kur Zoti nuk e ka dënuar Serbinë që ka bërë masakër në Kosovë dhe në Bosnjë, nuk e dënon as Rusinë.

21. ZBULIM SHKENCOR
– Zbulim i madh shkencor, për shkak të përdorimit të shpeshtë të plastikës hulumtuesit kanë zbuluar gjurmët e mikroplastikës në gjakun e njeriut, – tregoi një mjek kur lexoi lajmin në shtyp.
– Prandaj hulumtuesi do të fitojë çmimin Nobël, kurse njerëzit do të vdesin nga substancat kimike, – shtoi kolegu i tij.

22. LISI SHEKULLOR
– Baba, lisin e madh dyqindvjeçar në zabel e ka rrëzuar stuhia, – i treguan djemtë për lisin e madh në të cilin gjatë verës mrizonte bagëtia.
– E pamundur, vetëm nëse krimbat ia kanë gërryer rrënjët, përndryshe asnjë furtunë nuk do ta rrëzonte, – kundërshtoi plaku i vjetër.
– Më duket se baba prej shtëpisë po ia sheh zgavrën e trungut që e kanë gërryer milingonat, – shtoi djali i dytë.

23. VDEKJA E KRIMINELIT
– Shtypi botëror shkruan që Adolf Hitleri nuk ka vdekur, ende jeton, – tha një diplomat.
– Që Hileri ka vdekur nuk ka asnjë dyshim, mirëpo, për fat të keq, jetojnë këlyshët e tij, – u përgjigj i kolegu i tij.

24. NJERËZIT MË TË URRYER
– Kush kanë qenë tre njerëzit më të urryer shekullin e kaluar? – e pyeti gazetari analistin gjerman.
– Kanë qenë Adolf Hitleri, Benedito Musolini dhe Sllobodan Millosheviqi, – u përgjigj analisti.
– Mirëpo kush janë në qindvjetëshin e fundit? – vazhdoi të pyes gazetari.
– Janë Vlladimir Putini dhe Dik Marti, – u përgjigj analisti.
– Nuk e përmende të tretin?! – ndërhyri gazetari.
– Duhet pritur, ende gjendemi në fillim të shekullit XXI… – u përgjigj analisti gjerman.

25. NË DOGANË
– Dajë, a vjen me mua shkojmë në Tiranë? – i tha nipi dajës.
– Jo se nuk kam pasaportë, as vërtetim për vaksinë nuk kam, – tha daja.
– Mos u brengos, me 20 euro ryshfet kufirin e kalojmë si në bahçe të babës, – ia ktheu me kapardisje nipi.

26. PLAKU I MENÇUR
– A më shumë dëshiron të vdesësh si mendar apo si këngëtar? – e pyetën disa djem plakun 90-vjeçar.
– Më shumë dëshiroj të jetoj si bari, – u përgjigj plaku i mençur.

27. SHKALLËT PËR KRYETAR
– Kush do të zgjidhet kryetar i shtetit? – e pyeti gazetari një deputet.
– Do të zgjidhet ai që fiton votën e popullit, – u përgjigj deputeti.
– Jo, do të zgjidhet ai që mund të ngjitet shkallëve të ndërtesës, – ndërhyri një tjetër.

28. DHUNIMI
– Avokat, çka mendon për mjekroshët shqiptarë që e kanë droguar dhe dhunuar anglezen e re? – e pyeti njëri avokatin.
– Po habitem, si nuk qëlloi njëri prej tyre i arsyeshëm që të kundërshtonte veprimin e turpshëm, – u përgjigj avokati.

29. ZEMËRIMI
– Prej zemërimit dy shokë i shava, njërit i thashë derr, tjetrit lepurush, – i tregoi njëri mikut të tij.
– Si u ndave pastaj? – e pyeti miku i tij.
– Shokut që i thashë derr, më sulmoi, kurse atij që i thashë lepurush, buzëqeshi, – tregoi i pari.

30. RUBRIKA E ZEZË
– Zotëri kryeredaktor, lajmin për skandalin seksual të nxënëses, a mund ta vendos në rubrikën e zezë? – e pyeti redaktori i shtypit.
– Nuk ka vend në rubrikën e zezë, botoje në rubrikën politike, – e këshilloi kryeredaktori.

Suedi, 20.04.2022

About xhzeqiri

x

Check Also

Xhemil Zeqiri, veprimtar heroik i çështjes kombëtare shqiptare

/ Nga Arkivi i diplomcis.dk/ Epoka e Re, 24.01.2004 Prishtinë, janar – ...