Home / Intervista / MATEMATIKË AGJENTURORE

MATEMATIKË AGJENTURORE

Rrëfim ekskluziv i Bujar Hoxhës

Gazeta “Dita”, 28 shkurt dhe 1 mars  2022

Ish-drejtuesi i Sigurimit të Shtetit në Kukës, Vlorë dhe Tiranë gjatë viteve 1989-1992, rikthehet në gazetën DITA, me një rrëfim ekskluziv për ato vite dhe për shumë të panjohura të asaj periudhe.

E vërteta për “dosjen” për Kadarenë, dhe cili ishte agjenti “Bleta”?

Pse zoti Hoxha i konsideron agjentët e fshehtë si “Pasuri kombëtare”. Disa eliminime enigmatike të agjentëve tanë nga zbulimet e huaja, jugosllave dhe evropiane, të dekonspiruar nga ata që morën pushtetin më 1992…

Intervistoi Xhevdet Shehu

Pyetje: Zoti Bujar, disa rrëfime nga nga përjetimet tuaja si ish-drejtues i Sigurimit të Shtetit në disa rrethe në vitet 1989-1992, kanë tërhequr vëmendjen dhe kanë ngjallur interes tek lexuesit tanë. Dua t’ju pyes: si qëndron aktualisht problemi i dosjeve të ish-Sigurimit dhe ai i informatorëve të shërbimit tuaj në atë kohë?  

  1. Hoxha:– Faleminderit për interesimin dhe sidomos me publikimin që u keni bërë disa fragmenteve të librit tim. Problemi me dosjet ka dominuar debatet prandaj e kam trajtuar me vërtetësi dhe përgjegjësi të lartë në librin tim “Pluralizmi shqiptar dhe Sigurimi i Shtetit”. Opinioni publik duhet të qartësohet se hapja e një dosjeje agjenturore për

një person mbetej faza e fundit. Nëse dilte një e dhënë, le të themi për agjitacion e propagandë, kalohej në procedura fikse. Kundërzbuluesi e admionistronte në fashikullin e informatave duke ia nënshtruar procesit të verifikimit paraprak, që zgjaste tre muaj. Nëse nuk vërtetohej burimi informativ, e dhëna asgjësohej. Edhe kur vërtetohej nga burime alternative, nuk hapej dosje duke ia nënshtruar formave të buta të euzaurimit, duke aplikur procedurën e këshillimit apo demaskimit nga komitetet e partisë të rretheve. Në të shumtën e herës këta persona janë këshilluar tre, kater dhe pesë herë, duke i shmangur nga penalizimet. Të tjerë zbërtheheshin në gjendje të lirë apo rekrutoheshin, duke i shfrytëzuar për interesa operative. Përjashtime ndodhnin për persona me cedime të forta klasore apo të dyshuar për spiunazh, të cilëve iu hapej dosje dhe nisnin procedura për masën e arrestit. Për ta bërë të qartë për publikun, po citoj një raport vjetor të DPB Vlorë, ku për vitin 1988, u arrestuan vetëm dy persona për agjitacion e propagandë, njëri ndiqej si agjent i zbulimit italian dhe tjetri si element antiparti. Të tjerët, për mbi pesëdhjetë, u aplikuan format e parandalimit duke i këshilluar apo demaskuar.

Përjashtim bëhej për dosjet për spiunazh, që mbeteshin aktive për shkak të specifikës në aspektin zbulues dhe dokumentues.

Pyetje:– Më lejoni t’ju ndërpres, zoti Hoxha. Në librin tuaj flisni edhe për një dosje që ju, pra Sigurimi i Shtetit, kishit hapur për shkrimtarin Ismail Kadare. Mund ta sqaroni pak më mirë këtë çështje?

B.Hoxha:– Po. Më lejoni të bëj një sqarim për debatet që shoqëruan shtypin para disa kohësh lidhur me Ismail Kadarenë nëse kishte dosje agjenturore apo të jetë diskutuar ndonjëherë për ta penalizuar, siç ka deklaruar zoti Qemal Lame. Zoti Lame gabon. Sepse atij nuk i jepej asnjë e drejtë që të njihej me dosje të tilla që rezervoheshin me siglën “sekret” dhe “tepër sekret”. Hetuesisë së Përgjithshme i dërgohej relacioni dhe provat për arrestimin e personit të propozuar nga SSH. Në raste të veçanta, në mënyrë konfidenciale mund të jepej me miratim të ministrit ose nga drejtuesi i sigurimit në rreth. Në kartelën e dosjes shënohej fakti i këtij ekspozimi dhe emri i personit që njhej me dosjen. Në dosjen “Kaos” që shtjelloj në këtë libër, them se sistemuam një fashikull (jo dosje) duke administruar jo vetëm raportet e agjentes “Pena e Artë”, por dhe të agjentëve të tjerë.  Kujtoj të dhënat cilësore të agjentit “Bleta” një personalitet i kësaj fushe, që vinte

nga shtresat e pasura dhe që kishte përfunduar universitetin në Vjenë dhe Romë. Përfundimisht mund të them që I. Kadare nuk ka pasur dosje. Për këtë shkak sigurimi nuk i bëri publike edhe marrëdheniet e tij me Ramiz Alinë.

Pyetje:– Le të kthehemi tek libri dhe tek pyetja që ju bëra në fillim. Çfarë mendoni se përbën interes për publikun nga veprimtaria e organeve të Sigurimit në atë kohë?

B.Hoxha:– Shifrat gjithmonë kanë mbizotëruar propagandën kundër SSH, veçanërisht dosjet për agjitacion dhe propagandë, ku veprimtaria gjurmuese dhe finalizimi për t’i çuar në bankën e të akuzuarve kalonte nëpër shkallë që ngjiteshin sipas ligjit, e jo sipas dëshirave. Nëse një person (në gjuhën profesionale emërtohej objekt) fokusohej si kundërshtar i regjimit për çdo tendencë kriminale si spiun, terrorist, sabotator apo agjitacion e propagandë, ndiqej me masa aktive. Verifikoheshin rrethanat paraprake, aplikoheshin mjete operative të regjistrimit të aktivitetit ilegal, grumbulloheshin provat e domosdoshme dhe në analizë të fundit gjykohej masa e sigurisë: këshillim, demaskim, arrestim apo forma operative. I diferencuari për t’u goditur me arrestim i kalonte sektorit të hetuesisë që detyrohej të verifikonte të dhënat operative, provat (kishin vlerën e deklarimeve operative) e administruara dhe rrethana të tjera plotësuese. Me pas e gjithë dosja dërgohej në Drejtorinë e Hetuesisë së Përgjithshme në Tiranë për vlerësim. Relacioni me provat shkonin tek  Prokurori i Përgjithshëm që sanksiononte apo refuzonte masën e arrestit. Përfundimi i hetimit kontrollohej nga Prokuroria që përgatiste akuzën dhe pas afatit ligjor, çështja i kalohej gjykatës për ta gjykuar. Vetëm në gjykatë provoheshin provat e administruara e cila jepte verdiktin e saj. Ligjërisht, SSH luante rolin kallëzues pranë organeve të drejtësisë, njëlloj siç denonconin edhe organet e tjera shtetërore.

Nga numri i përgjithshëm i dosjeve në raport me popullsinë, 5.2% që kishte Tirana, afërsisht 30% e tyre cilësoheshin në fushën e ndërgjegjes dhe arratisjes, nga këto 70% ( e 30% ) e tyre këshilloheshin dhe demaskoheshin nga kuadrot e lartë në Komitetet e Partive.

Në këto dosje futeshin persona që ndiqeshin për spiunazh apo tendenca të mprehta, kryesisht me cedime të forta klasore, por që përfaqësonin një minoritet. Gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare të sistemit komunist numri i tyre shkonte në shifrën 17.200 persona që mbartnin lloje të ndryshme dënimesh. Nga ky numër i përgjithshëm 8.500 ishin të dënuar për krime të ndërgjegjes që emërtohej agjitacion e propagandë (dhe tendencë arratisje), ndërsa të tjerët mbanin mbi shpatulla fajësinë e spiunit, terroristit, sabotatorit etj. Pas viteve 1978, porosia e prerë ishte që arrestimi në fushën e ndërgjegjes të ishte “fisheku i fundit”. Kjo është e vërteta.

Pyetje:– Mund të na tregoni se si ishte situata reale në Sigurimin e Shtetit në kohën e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri?

B.Hoxha:– Kjo është një pyetje vërtet interesante. Në fundin e dimrit 1992, në seminarin e zhvilluar nga CIA në Sofie të Bullgarisë me shefat e shërbimeve sekrete të Europës Lindore ku ishim dhe ne, rezultonte se gati 55 – 60 % e popullsisë së atyre vendeve kishin dosje në ndjekje, ndërsa gati 40% ishin informatorë sekret. U pranua se në këto vende, duke përfshirë dhe ish Bashkimin Sovjetik, një në katër apo pesë qytetarë ishin informatorë sekret.

Po tek ne? Njerëzit nën zë dhe rrëzë veshit flisnin se në Shqipëri një në dy apo tre persona ishte informator i fshehtë. I shtonin edhe faktin e “tetëqintlekshëve”, të cilët për hir të së vërtetës nuk figuronin në asnjë bordero financiare: ata ishin vullnetarë të deklaruar që aktivizoheshin për sigurinë publike kur ishte e nevojshme, punë që kryhej pa pagesë dhe jashtë kohës së punës apo me orar të reduktuar. Në krahun e majtë u vihej shenja me inicialet “AGBV”. Kaq ishte e gjitha!

Kryeqyteti kishte në arkivat e saj dosje që zinin 5.2% të personave në ndjekje dhe 4.8% të qytetarëve që bashkëpunonin fshehurazi me SSH.

Për të shëruar kureshtjen kujtoni Kryetarin e Komisionit të Vlerësimit të Figurave Nafiz Bezhani që para shqiptarëve në televizionin shtetëror deklaroi në vitin 1998 se 4% e popullsisë në Shqipëri kishin dosje, nga këto 1.5% ishin dosje përpunimi dhe 2.5% ishin bashkëpunëtorë të fshehtë.

Të arratisurit nga Shqipëria ishin rreth 12.000, ku regjistroheshin kriminelët e luftës (lista e tyre ishte e veçantë), numrin më të madh e përbënin persona apo grup personash (familjar) të arratisur në vitet 1944-1946, periudhë e një situate ku shteti ishte në formim e sipër.

Në studimin e përgatitur nga SSH, përcaktohej si shkak kryesor për arratisje, gjendja e rëndë ekonomike, të ardhurat e pamjaftueshme për të përballuar nevojat e domosdoshme, që shoqërohej me nxitje dhe përhapje paniku, të qëllimshme, duke krijuar atmosferë pasigurie për këta njerëz. Dukej e trishtueshme, por dhe e dhimbshme që për motive, në shumë raste dhe ordinere, të trajtoheshin si emigrantë politikë, duke rënduar jo vetëm pozitën e lidhjeve të tyre në Shqipëri, por dhe humnerën patriotike që duhet pranuar, se për pjesën më të madhe mbahej me pasion e krenari. Nga ana tjetër, kishte dhe të tillë që organizoheshin aktivisht duke kontribuar pa asnjë përfitim, vetëm se ishin shqiptarë, duke dhënë informacione tepër të rëndësishme për vendin tonë, ku ndihej mirënjohja duke lehtësuar dhe detyrat e SSH. Nisën procedura për heqjen e motivit politik dhe iu hapën dyert për të ardhur pranë familjeve të tyre. Ndërkohë, diçka (për sigurimin ishte përllogaritur si mundësi) e ” prishi ” operacionin, kur një prej të ardhurve nga zona e Dropullit mori familjen dhe u arratis në Greqi. Dyshimet shkonin tek zbulimi grek. Lajmi mori dhenë, veçanërisht nëpër korridorët partiakë të rrethit, diskutonin dështimet e SSH, për më tepër kërkonin ndëshkim për shkaktarët. E vërteta ishte që për problemin kishte dhënë miratimin personalisht R. Alia, por emri i tij s’do përmendej. Bubullimat vazhduan për shumë kohë, saqë detyroi një funksionar të lartë të SSH të shkonte në Gjirokastër për të dhënë llogari përpara Byrosë së Partisë të Rrethit. Është ironi, por SSH duhej të përballej edhe me të tilla gjëra, pjesë e një politike cingërrimtare, therëse autoritare dhe imponuese për gjithçka.

Pavarësisht nga pengesat, u përparua në praktikë duke lejuar ardhjen e këtyre njerëzve edhe në zona të tjera, por gjithnjë duke ruajtur masat e sigurisë për të evituar incidente të llojit që pasqyruam.

Pyetje:– Zoti Bujar, le të flasim më konkretisht: Cilët ishin më të preferuar nga ju, domethënë Sigurimi i Shtetit për t’u rekrutuar?

B.Hoxha:– Duke u menduar për përgjigjen e kësaj pyetjeje, më erdhi ndërmend kjo thënie: Mos e merrni për dobësi heshtjen time, se nëse unë flas, ju nuk do të mund ta përballoni.

Në rrjetin e kundërspiunazhit shqiptar dominonin agjentë dhe informatorë me pozicion aktiv: akademikë, përfaqësues të fushave të shkencave, shkrimtarë, artistë, mjeshtër muzike, njerëz të thjeshtë e deri batakçinj të paskrupullt e “zhvatës”, kishte dhe të tillë që s’vlenin asnjë dyshkë.

Informatorët e fshehtë për çdo shërbim të këtij lloji janë si gjak jetësor, që u sigurojnë organeve zbuluese një informacion specifik, i cili nuk mund të merret nga burime të tjera. Kjo mbetet strategji dhe taktikë e fshehtë e këtyre shërbimeve që pranohet si e keqe e paevitueshme.Nëse do rreshtonim emrat e koduar të agjentëve të fshehtë që kontribuan në këto procese inteligjente nuk do mjaftonte letra dhe boja, që ishin susta shpërthyese për SSH, të tillë që mund t’u ngresh monumente në shenjë mirënjohje për kontributet e dhëna. Disa syresh do ishin “Koritniku”, “Gjeologu”, “Zeusi”, “Skifteri”, “Pena e Artë”, “Artisti”…  Janë shumë, e megjithatë do flasim për disa prej tyre. Më parë të themi, se këta njerëz të shkëlqyer të fushës së fshehtësisë u seleksionuan pa arsye, u quajtën provokatorë, kriminelë dhe tradhtarë, u thirrën dhunshëm, kryesisht në mjediset e njohura, lindën dyshime dhe ka të ngjarë, që të tillë me vlerë dhe të jenë asgjësuar. Megjithatë, unë mendoj se rrjeti i fshehtë është pasuri kombëtare.

Pyetje:– Pse?

B.Hoxha:– Sepse duhet kuptuar: rrjeti i fshehtë informativ konsiderohet aset kombëtar, pasuri e vyer e një shteti serioz. Nuk mund të lejohet në asnjë rast dhe për asnjë arsye të abuzohet me këtë thesar të fshehtë që është determinant për sigurinë kombëtare. Këta njerëz të talentuar u përkushtuan për mbrojtjen e atdheut nga njerëz që punonin pabesisht kundër interesave të vendit tonë dhe për këtë ka parametra të vlerësimit. Në libër fola për ekzekutimin e agjentit Arbëri nga spiunazhi grek, që nuk është i vetmi. Mund të trajtoja edhe ekzekutimin makabër të një agjenti tjetër të SSH të njohur si Hasan Spata, i vrarë dhe zhdukur në rrethana misterioze nga spiunazhi jugosllav në zonën e Dibrës. Por edhe më tronditëse është ekzekutimi i një agjenti të zbulimit shqiptar në një vend europian, me gradën gjeneral të dekonspiruar nga njerëzit që na zëvendësuan pas vitit 1992. Një shtet serioz duhet të bëhet barrikadë për të evituar fatkeqësi të tilla që cedojnë sigurinë kombëtare. Këta njerëz të fshehtësisë kanë sakrifikuar për të justifikuar misionin e tyre dhe ne duhet t’i vlerësojmë.

Pyetje:– Ju folët për vetëmohim nga ata që shërbenin në Sigurimin e Shtetit. Mund ta ilustroni këtë me ndonjë episod?

B.Hoxha:– Po. Do flisja pak për një nga agjentët e spikatur të SSH, të quajturin Halit Bajrami që vepronte brenda bandës së Xhevdet Mustafës. Formalisht u dënua se nuk u tregua në lartërsinë e duhur për të evituar pasojat e bandës në vrasjen e personave të pafajshëm nga banditi Xh. Mustafa. U mbajt në një apartament konspirativ të SSH dhe nisën procedurat për kalimin ilegalisht nga Shqipëria. U arrit të sigurohej rruga e depërtimit në një vend të Amerikes Latine. Para se të largohej, kërkoi të takohej me nënën e tij që jetonte e vetmuar në fshat. U shoqërua dhe në afërsi të shtëpisë makina ndaloi me dëshirën e Halitit. Nga makina pa nënën që ndodhej e ulur në oborr, e vetme. Qëndroi pak në heshtje dhe kërkoi të ktheheshin. Nuk pati kurajon të takohej me nënën e tij se gjykoi se mund të ndodhej para ndonjë situate të rëndë… “Më mirë të më konsiderojë të humbur”, foli dhe i përlotur u largua… Ishte tronditëse, do thoshte specialisti që e shoqëronte. Këto mund të quhen drama, dhe ndodhin në veprimtarinë e shërbimeve sekrete.

Pyetje:– Ju më keni folur për një dosje që e kishit quajtur “Kaos”. Mund të na tregoni ndonjë hollësi më shumë?  

B.Hoxha:– Kjo dosje ka të bëjë me teorinë zero dhe çekun e bardhë. Në dosjen “Kaos” SSH administroi taktikat që do përdorte opozita radikale për nënshtrimin psikologjik të turmave të eksituara për t’i mashtruar në fitimin e zgjedhjeve. Për këtë hodhi në tregun politik “teorinë zero” dhe “çekun e bardhë”. Promotor u bë Gramoz Pashko, e nxorrën në krye me pretekstin si i përkëdhelur i pushtetit komunist dhe me pak mundësi për t’u penalizuar. Nga pas i ngjitën Azem Hajdarin që atë kohë konsiderohej “heroi i demokracisë” dhe që mund të maskohej pas deklarimeve dhe veprimeve politike. Meqë vinte shpesh në zyrat qendrore të SHIK-ut, në një rast e ngacmova duke i thënë të ishte më i përmbajtur se “dogje Shqipërinë”. Kërcënueshëm më kërkoi sqarime se nga i dija këto gjëra. I thashë se “ushtria” që të ndjek kontrollohet nga shërbimet tona duke i ekspozuar një person që e kishte të besuarin kryesor dhe që kishte bashkëpunuar me SSH në një proces të rëndësishëm dhe që dënimi me vdekje i ishte kthyer në njëzet e pesë vjet heqje lirie. Përdori fjalën manipulim por kur i ekspozuam kartelën mbeti pa fjalë dhe, duke na akuzuar si kriminelë, u largua gjithë tersëllim.

 Pyetje:– Çfarë ndodhi më tej me Azemin?

B.Hoxha:– Që në fillim  “ushtari i pagdhendur” që vinte nga fshati, u bë tepër i fuqishëm, saqë nisi të shkelë hapur ligjet e kohës, si një metodë normale të demokracisë. Pastaj iu vu punës për të zbatuar “teorinë zero” duke shkatërruar gjithçka që mbante siglën “made in komuniste “. Sipas “Skifterit”, Azem Hajdari do të kthehej në një “minë shëtitëse”, një kërcënim serioz për çështjet që pasuan vendin deri në zgjedhje. Zbatuesi i “teoricienit Pashko”, xhindi Azem, kryesonte turmat e irrituara, të mbushur me militantë me mendje të pakontrolluara. Të orientuar me sindromën ekzoterike, e shfrytëzuar për të çuar popullin në një gjendje hipnoze në masë. “Atje ku shkel këmba e Azemit digjet bari” citonte “ Skifteri “, natyrisht nuk dinim ç’të bënim me këtë njeri të përfolur, me këtë djalë babai, që, vetëm sokëllinte. Njerëzit e tij gëlonin në gjithë Shqipërinë për të shkatërruar gjithçka, diçka që nuk ishte e vështirë, po të kihet parasysh pushteti politik dhe ekonomik që mbanin akoma humbësit e trembur komunistë. Në një miting në qytetin e Elbasanit, mori me vete edhe “Skifterin “ që e donte së tepërmi (e kush nuk e donte atë?!). Nga të gjithë fjalamanët politikë, do fliste dhe Azemi.  Në përfundim, të ulur në një tavolinë të zgjeruar, për të qenë në qendër të vëmendjes e pyeti si u paraqit në podium. “Skifteri” mes gotave të rakisë, e krahasoi se ngjasonte me një “buf agresiv”. Të gjithë qeshën.

Pyetje: – Sidoqoftë shef i opozitës ishte Sali Berisha. Si ishin raportet e Azemit me të?

B.Hoxha:– Azemi shpesh dilte nga vetja dhe krijonte konflikte befasuese. Kështu nisi dhe me Sali Berishën, por u prezantua keq, tamam si çirak i përbuzur dhe u largua me krenari të fyer. Në bisedat e ngushta nisi thashethemet me spec kundër S. Berishës. E dinte se certifikatën e sigurisë e kishte në xhepin e vogël, pa besuar se çoheshin në kohë në paradhomën e Berishës që do i mbante vath në vesh. Azemi e mbante një sy nga posti i ministrit të Brendshëm, por në kushtet e krijuara kjo biletë ishte grisur. Kur e kuptoi, nisi të hapë sherre me “doktorin” dhe nisi të bëjë deklarime publike, për ta acaruar atë, pikërisht njeriun që dinte të menaxhonte me dinakëri dhe fuqishëm forcat e tij. Para Saliut, Azemi dukej si një gjel i vogël kokorosh. Agjenti “Bisturia” ishte rreshtuar ne strukturat e opozitës, por pa larguar vëmendjen nga shërbimi që e kishte rritur. Në raportet e tij, e cilësonte Azemin me çrregullime psikike, një paranojak dhe me shenjat e delirit të madhështisë, që përbënin dhe stilin e tij komik. Dëshira e tij të shtrinte lidhjet e komunikimit me funksionarë të shërbimit të fshehtë, paraqitej edhe fodull edhe kërcënueshëm. Ai nuk do të linte në harresë faktin që ndaj tij, para vitit ’90, SSH e kishte intervistuar për një problem me “zarar” si dhe që në rrethin e tij të ngushtë kishte informatorë të SSH. Kjo e vinte në siklet të madh, “e ka nga siptomat patologjike” raportonte “Bisturia”. Njeri që mbahej fort në shalë, që synonte të ishte në qendër të vëmendjes, në çdo rast, i gatshëm të shqyente me euforinë e tij oratorike, jo shaka.

Një rast u takuam te kafeja brenda “Pallatit të Kongreseve”, u përshëndetëm ftohtë dhe me “shaka” më quajti “sigurims i fshehtë”. Iu pergjigja se fshehtësia ishte profesioni im, por ti pse fshihesh, pikërisht në lagjet periferike të Tiranës. Shtangu, më kërcënoi me gjeste dhe gjithë tërsëllim u largua. E kuptoi që kishte lënë gjurmë duke bërë gilivili në një banesë private. E dija që ishte hakmarrës dhe nuk e refuzonte kush. Ai përdorte telefonin dhe pa pasur nevojë për hyrje “zoti kompetent” tha: “Ma hiq qafe këtë horr komunist”. Dihej se kishte siguruar status të veçantë edhe honorifik dhe real, si njeri me të ardhme të madhe (shumë të madhe!). “Ai është një politikan zhurmues ronxho-boxho “, do citonte agjenti “ Bisturia”.

Pyetje:– Cili është sipas jush raporti midis SSH dje dhe SHIK sot dhe sa ndryshojnë nga njëri-tjetri këto shërbime sekrete në kohë të ndryshme?

B.Hoxha:– Mund të them pa mëdyshje: do të duhen dekada qëprofesionalizmi dhe devotshmëria të manifestohen bindshëm në shërbimin sekret aktual. Fajtore është kjo politikë mediokre që ka karakterizuar politikanët tanë dhe mungesa e kurajos nga drejtuesit e këtij shërbimi që vegjetojnë por nuk i japin zgjidhje peroblemeve kyçe të shërbimit. Këte e kam konstatuar edhe në marrëdhëniet e shërbimit sekret me policinë e shtetit,  me që kam punuar nga viti 2000 deri në 2013 në policinë e shtetit. Informacionet që vinin nga shërbimi sekret ishin të zbehta, jo me nivel të dukshëm inteligjent, por që formalisht vinin në lëvizje strukturat e antikrimit në polici që për nga niveli informativ janë në nivel mjeran. Të dy këto institucione përballen me një vakuum të dukshëm informativ dhe, e them me dhimbje, tërësisht të paaftë për t’u përballur me krimin e organizuar dhe korrupsionin që po gërryen sistemin. Duket që optimizmi është tepër i vakët për të shpresuar në ndryshimin e gjendjes. Për këtë krizë informative, zbuluese dhe parandaluese kam folur me detaje në dy librat që kam botuar “Krimi dhe Antikrimi” si dhe “Kumbarët  Shqiptarë”.

Pyetje:– Zoti Bujar, po kthehemi edhe njëherë tek teza e Gramoz Pashkos për “Çekun e bardhë”. A ishte kjo një kokëshkrepje e Gramoz Pashkos, apo ishte direktivë e mirëmenduar?

B.Hoxha:– Me këtë pyetje miku im Xhevdet, më kujtove një shprehje të Gëtes, i cili ka thënë se “Kur një njeri lajthit, mund ta verë re cilido. Kur ai gënjen, këtë nuk e vë re kushdo.”

Sali Berisha e kishte shaluar politikën shqiptare dhe kërkonte haraçin e pushtetit me çdo çmim, ndërkohë R. Alia lëshonte mesazhe pritëse dhe shpresa për ta pasur atë si ëngjëll mbrojtës i kishte ikur nga duart. Ai përpiqej t’i bënte llogaritë mirë, me një kujdes gati të tepruar, por nuk besonte sfidën nga personaliteti neurotik i S. Berishës, kështu që shpresonte në gjetjen e një moduli mirëkuptues. Atë që R. Alia e thoshte sotto volçe, S. Berisha tanimë ndihej i lirë ta deklaronte pa u kufizuar. Por nuk ishte në natyrën e Saliut të priste, që R. Alia ta pengonte në iniciativën e tij. Dukej që R. Alia vegjetonte në monotoninë e tij se gjërat do kalonin me bisedime, ndërkohë që Saliu me hapin e tij të gjatë deklaronte anë e cep se nuk ishte koha për fjalë, por për vepra. Paralelisht me rrëzimin e qeverise teknike, Saliu shmangte përplasjet për të qetësuar  bashkëpunëtorët e tij kanosës, të cilët do rrethoheshin në vijën e kuqe të llogarive politike. Në kushtet e diktuara, dy forcat politike filluan të shtyhen midis tyre në të gjithë largësinë e elektoratit mbështetës. Për zgjuarsi praktike, R. Alia e pranoi këmbënguljen inatçore të Saliut, nga frika se mund të nxirrte të majtën dhe veten në ankand.

Teoricienët “akademikë” që “shpikën” formulën famëkeqe të “çekut të bardhë” nuk e kuptonin as vetë termin e hedhur kuturu. Për ta thënë më shkoqur: “mbajini në errësirë dhe ushqejini me budallallëqe ishte nënteksti i “dijetarëve” demokratë që ishin gati të “flijoheshin” për Shqipërinë.

Politika financiare e demokratëve të “rilindur”, synonte të krijonte “bume” duke shpotitur teori virtuale pa e puthitur shpinën në prizë. Ekonomistë dhe gazetarë ekonomistë të “stërprovuar”, pjesa më e madhe e të cilëve gajaseshin duke thënë se “bumet” dhe “krizat” janë pjesë e zhvillimit, “bumit ekonomik”.

Larg të qenit e kufizuar në auditorët me pluhur të qendrës studentore, apo në ndonjë laborator të errët, shoqëria e G. Pashkos shfaqte entuziazmin e tij në vilën ku banonte, duke e kthyer në një vend alegrie dhe diskutimi të fshehtë politik. Ishte si një vorbull personazhesh të çuditshëm, profesorësh, shkrimtarësh që hargaliseshin kokëngulthi në biseda liberale, duke diskutuar për çështje të ndryshme, deri në mesnatë.

Pyetje:– Cilat ishin pasojat e një politike të tillë?

B.Hoxha:– Pas tridhjetë vjetësh nuk ka më enigma. Ato dihen nga të gjithë dhe janë denoncuar edhe nga vetë demokratët. Dhjetëra mijëra pemë frutore, vreshta të shkatërruara duke shkaktuar një dëm kolosal, një gjenocid ekonomik. Të gjitha do rrëzoheshin përdhe nga sakica e kriminelëve të frymëzuar nga “çeku i bardhë” dhe “teoria zero”. Në raportet e lëshuara, paralajmërohej cunami që do sillte pasojat e njohura, ndërkohë politikanët i gëzoheshin devidentit politik. Të gjithë së bashku do i shtrëngonin duart G. Pashkos dhe A. Hajdarit, duke ndarë hiset e fitores. Ata që luftonin për pushtet, të tjerët për para. Kundërzbulimit i kishin rënë bateritë, dukej që kjo situatë nuk ishte brumë për dhëmbët e tij. Varfëria dhe shkatërrimet rezultuan fatkeqësi kombëtare, fryt i manipulimit të këtyre teoricienëve dhe prakticienëve. Ky lloj manipulimi, u regjistrua si fatal dhe akoma deri më sot nuk ka dalë dikush ta thotë publikisht : -Kujt i leverdisi kjo gjë?. Me ardhjen e demokratëve në pushtet, u krijua një shtet alla Robin Hudçe, ku për të ndihmuar të varfrit nuk ishte e nevojshme t’ua grabisje të pasurve, që akoma s’ishin krijuar, ishin asetet shtetërore publike që dhuroheshin tek militantët besnikë të partisë. Askush prej tyre nuk kishte frikë, në dorë kishin kambialin e sigurisë. Më pas do vihej në zbatim “kursi” i ri, një shpikje e këtyre manjatëve të etur që politika  ia afroi popullit shqiptar, për të përpjesëtuar pasurinë publike të krijuar ndër vite, që do mbahej mend si grabitja më e pështirë, duke miratuar ligje pas ligjesh, në shkëmbim copash letre me (pa) vlerë. Kjo ishte  e nevojshme, u tha, për të mbajtur premtimin e barazisë. Ishte si t’u thuash shqiptarëve : “ua futa!”. Politika e kohës kishte si qëllim të mirën e shqiptarëve? Oh po, sigurisht! Çudia do ndodhë: këtë herë edhe gomari do fluturonte!

Por shqiptarëve u janë shterur fuqitë nga këto mashtrime dhe vazhdojnë t’i shteren. Vendi i të lirëve? Të vjen për të qeshur! Nëse kërkon të vërtetën, ndonjëherë mashtrimi do t’ju brofë përpara syve. Kur pushteti i së vërtetës fillon të mungojë, atëherë krijohet një lloj burgu mendor. Duke folur në mënyrën më korrekte, pikërisht për figurat e politikanëve shqiptarë, historia e pluralizmit identifikojë pranimin e natyrës tipike shqiptare.

Pyetje:– Po roli i shërbimit inteligjent cili ishte në këto zhvillime që tashmë dihen?

B.Hoxha– Nuk është e vështirë për ta kuptuar apo marrë me mend. Në raportet e përpunuara, Sigurimi i Shtetit analizonte skepticizmin e teorisë së hedhur si një histeri e një manie të re për magjepsje masive, pasion tipik të puritanizmit shqiptar, një lloj shakaje me publikun, që sillte një kënaqësi të përzier me lëndime të forta. Arkitektët e kësaj doktrine kabareje, nuk do të kishin menduar kurrë që vrulli taktik i “tokës së djegur” do katandisej në një shënjestër katastrofale për vendin dhe shoqërinë shqiptare. “Ëndrra e arkitektëve”, u duk papritur, si relikë e dështuar për një proces të pritshëm demokratik, të lëshuar nga njerëz me shthurje liberale ekstreme, që pa ndryshuar sistemi mbylleshin në vilat e bllokut, dhe në ahengun e orgjive degjenerative, bënin plane për të pastruar biografinë e etërve. Nuk do kishte hetime apo gjyqe, mjaftohej me slloganin “ne qeverisim, bota na ndihmon”.

Të gjitha këto “ide gjeniale” do dilnin nga vila e Gramoz Pashkos e CO, që gajaseshin mes luksit duke e kthyer në një çerdhe degjenerative. Gramozi nën tempin e euforisë liberale, përpiqej të imitonte figura të vendeve perëndimore për të rritur tavolinën e tij personale me shije komediane. Kundërzbulimi i dinte qëndrimet teorike liberale të G.Pashkos, paturpësisht i pashoq, me sarkazëm të shtuar si komunist, demokrat apo i persekutuar, që bënin pjesë në retorikat e papjekura të gatuara në bodrumet tip pabesh, pikërisht në vilën e bllokut ku banonte.

Kur G. Pashko dhe A. Hajdari dalin në podium, atëherë ju bëhet mirë të mbyllni sytë për gjumë, sepse, normalisht sapo largohen, shpërthen kaosi. Pyetni punëtorët dhe fshatarët e tymosur nga zjarri. Për këto masakra, është me të vërtetë e rëndësishme që perdja të ngrihet.

Në kohën e një alarmi të përhapur, opozita vuri në veprim një program mashtrimi duke e përhapur në zonat rurale, kështu praktikisht, askush të mund të shpëtonte nga nënshtrimi psikologjik. Në këtë lëvizje “spastrimi”, kryesisht fshatarët me kafshë e pasuri u sulmuan barbarisht. Mizoria dhe ashpërsia e treguar në këtë fushatë djallëzore ndëshkuese, la gjurmë në procesin zgjedhor duke u paralajmëruar se “revolucioni demokratik ishte nisur në mënyrë të pandalshme”. Me gjithë fillimin e rrufeshëm dhe plot kërcënime entuziaste me të cilën kishte nisur, lëvizja radikale po fitonte terren, e destinuar për të qenë përpëlitja e fundit e sistemit komunist, për më tepër që populli vazhdonte të diskutonte çështjen nëse duhej treguar besnikëri ndaj R. Alisë. Ndërkaq, duke kaluar në fillim të vitit ’92, tani që R.Alia nuk ishte gjë tjetër veçse një udhëheqës i modës së vjetër tashmë i mbaruar, bëhej me vend ta shaje, me qëllimin për t’a pastruar fushën nga çdo rezistencë. Por, pikërisht nga aktet e marrjes në pyetje, të cilave iu nënshtruan disa organizatorë dhe shkatërrues të pasurisë publike, u arritën të merreshin informacione më domëthënëse të “çekut të bardhë” dhe “teorisë zero”, një shprehje tipike, që shoqërohej me një breshëri pyetjesh shtrënguese dhe këmbëngulëse. Ama vetëm kaq! Zgjedhjet do fitoheshin vërtetë nga opozita demokratike, por parlamenti i kontrolluar nga një epërsi e dukshme nuk do ishte produkt real i zgjedhur në mënyrë demokratike nga vullneti i popullit.

 Pyetje:– Zoti Bujar, duke ju falënderuar dhe mbyllur për sot këtë intervistë interesante, mendoj ta lemë bisedën të hapur për një të ardhme të afërt. Si thoni?

B.Hoxha:– Me kënaqësi, sepse ka edhe plot gjëra të tjera për të treguar që mos të vazhdohet t’i hidhet hi syve këtij populli edhe pas tridhjetë vjetësh!

/marrë nga Gazeta dita/

 

About admin

x

Check Also

Aktiv

Pëllumb Xhufi: Shqipëria po përjeton epokën e zhbërjes!

  Pëllumb Xhufi, vjen sot ekskluzivisht në Voxnews.al në një bisedë të ...