
Në një shkrim të para pak ditëve, Rexhep Qosja e kishte krahashuar ish-presidentin Ibrahim Rugova me shkrimtarin austriak Peter Handke, pasi sipas Qosjes të dy kanë kërkuar ndaljen e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë
Ndërsa sot ka vazhduar sulmet ndaj partisë që e ka themeluar vetë Rugova, duke i quajtur si “dhunues të historisë së Kosovës”.
Në një shkrim të gjatë të publikuar në llogarinë e tij, Qosja ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, se po e “falsifikon historinë e Kosovës në mënyrë staliniste”.
Në këtë shkrim Qosja ka publikuar edhe “marrëveshjen” që ishte arritur në prillin e 1999-ës në mes të Ibrahim Rugovës dhe kryetarit të Serbisë, Millan Milutinoviq.
Shkrimi i plotë i Qosjes:
DHUNËTARËT E HISTORISË
Udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës qe shumë vjet e dhunon historinë e Kosovës!
Udhëheqja e LDK-së e dhunon historinë e Kosovës duke e falsifikuar historinë e saj.
Meqenëse historia e Kosovës, e Kosovës si territor historik i Shqipërisë, është përbërës i historisë shqiptare në përgjithësi, kuptohet se udhëheqja e LDK-së po e dhunon historinë e popullit shqiptar!
Ky dhunim i historisë shqiptare ishte punë e kahershme e udhëheqjes së LDK-së, e përshtrirë, e përthelluar, sidomos pas krijimit të UÇK-së dhe, si pasojë e krijimit e të luftës së saj, e komprometimit praktik e historik të politikës së LDK-së.
Metodologjia me të cilën LDK e dhunon dhe e falsifikon historinë e Kosovës është metodologji tipike staliniste.
Udhëheqja e LDK-së pa ngurrim përdor anëtarë e zyrtarë të saj dhe gazetarë nga disa medie të kolonizuara prej saj për sulme ndaj atyre studiuesve e intelektualëve që i deklarojnë me gojë a me shkrime të dhënat për veprimet, qëndrimet, sjelljet, bëmat, ngjarjet në të cilat shihen ato dështime e mjerime të saja politike me pasoja kur më të pakta e kur të mëdha për gjendjen e përtashme e për ardhmërinë politike e kombëtare të Kosovës.
Shembull i sjelljes staliniste të udhëheqjes së LDK-së ndaj atyre që e kritikojnë, duke ua hequr maskat falsifikimeve e mashtrimeve të saj të historisë së vet dhe të historisë shqiptare në përgjithësi, është sjellja e një zyrtari të saj në ditën e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit. Ky zyrtar i LDK-së nga një komunë e Kosovës në postimin e vet në profilin e vet të FB-ut, nuk e përmbajti urrejtjen e tij ndaj Adem Demaçit dhe duke e quajtur monstrum shprehu hapur gëzim të cilin e emetuan më pas disa medie elektronike pse, pse, pse më në fund “Përçarësi numër 2 i shqiptarëve ka ikur nga kjo botë! Pritet të ikë edhe Shpendkeqja që është përçarësi numër 1. Këta dy monstruma i bënë pikë e pesë shqiptarët”! Me postimin e tij u pajtuan dhe u solidarizuan edhe dy zyrtarë të tjerë të lartë të LDK-së, njëri prej tyre deputet në Kuvendin e Kosovës.
Reagimet që kjo deklaratë makabre e zyrtarit të LDK-së shkaktoi në opinion, e detyruan udhëheqjen e LDK-së ta detyrojë deklaruesin që t’i kërkojë falje familjes së Adem Demaçit, por, natyrisht, jo edhe të urryerit numër 1 të kësaj specie që me gjuhë të shtazërishme të hienës politike dëshiron të mbrojë Kosovën me dhuratat që udhëheqja e tij ua çonte Millosheviqit e Millutinoviqit! E dinte Udhëheqja e LDK-së se kundër të urryerit numër 1 do të organizojë fushata të reja, fushata të reja siç ishte kjo mbas botimit të shkrimit të tij për reagimet tona “gjithëkombëtare” kundër Komitetit Nobel, në të cilën ajo, udhëheqja e LDK-së, i përmblodhi afër 50 anëtarë dhe rrogëtarë që i stolisën disa gazeta, disa televizione dhe shumë portale të rrjetit social me urrejtje, shpifje, gënjeshtra, denoncime partiake ldk-iste ndaj Rexhep Qosjes! Dhe, kjo fushatë e re e LDK-së, le të thuhet, e anëtarëve të vjetër më shumë se e atyre të brezit të ri të saj, e shtyri Rexhep Qosjen të shkruajë këtë skicë për politikën falimentuese të udhëheqjeve të deritashme të LDK-së!
2. Udhëheqja e LDK-së reagonte mosdurueshëm kur i thuhej me gojë a me shkrim se pas krijimit, në fund të vitit 1989, ajo e kishte regjistruar partinë e saj, e quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, ngjashëm me Lidhjen e Komunistëve të Kosovës, në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë në Beograd!
3. Udhëheqja e LDK-së reagonte e reagon dhe tani ashpër, me fjalë fyese ndaj autorëve të të dhënave që dëshmojnë se udhëheqja e saj e përparme, përmes kryetarit të saj, sa e sa herë i ka penguar studentët të çohen në demonstrata, duke u thënë se ashtu do të pengojnë zgjedhjet serbe në Serbi në përgjithësi.
4. Udhëheqja e LDK-së reagonte posaçërisht vrazhdë kur i thuhej se me politikën e saj, të vetëquajtur paqësore, e në të vërtetë nënshtruese, si parti opozitare e Serbisë, duke përmbushur të gjitha obligimet “shtetërore” ndaj Serbisë, po e dobësonte, në të vërtetë po e shkatërronte lëvizjen kombëtare në krye me organizatën studentore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
5. Udhëheqja e LDK-së reagonte shumë vrazhdë, kur i thuhej me gojë a me shkrim se në mbledhjen e saj, në objektin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku e kishte selinë ajo, ditën e vrasjes së një pjesëtari të lavdishëm të UÇK-së është deklaruar: sot është vrarë një mafi vrasja e të cilit i ka gëzuar serbët dhe shqiptarët! Kjo informatë u është thënë disa personave prej një anëtari të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, që sot me disa anëtarë të familjes së vet e mjel PDK-në, e mandej është bërë publike prej Komisarit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Jirzhi Dintsbir.
6. Udhëheqja e LDK-së reagon vrazhdë, fyeshëm, kur shkruhet se prej anëtarëve të Kryesisë së saj, madje prej kryetarit të saj, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është quajtur, kur dorë e zgjatur e Serbisë, kur grupe njerëzish të frustruar, kur organizatë terroriste, kurse, si shkruante gazeta Koha Ditore me 22.9.1998, Komisarit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së Jirzhi Dintsbir, i është thënë se UÇK” është turpi më i madh i popullit shqiptar”!
7. Udhëheqja e LDK-së reagon vrazhdë edhe kur i tregohet e botuar Marrëveshja që kryetari i saj, me 28 prill 1999, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, e ka nënshkruar me kryetarin e atëhershëm të Serbisë, Millan Millutinoviq, me të cilën krijohet qeveria kuislinge e Kosovës. Ndërsa, Millan Millutinoviqi në këtë Marrëveshje nënshkruhet si kryetar i Serbisë, kryetari i LDK-së, i shpallur dhe kryetar i Kosovës në “zgjedhjet” e vitit 1998 në gjendje lufte!!! nënshkruhet si kryetar i LDK-së. Është e qartë se nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje ishte akt tradhtie që kryetari i LDK-së po bënte jo vetëm ndaj Kosovës së shpallur e pavarur në mbledhjen e ish deputetëve të Kosovës në Kaçanik, po edhe ndaj kërkesës për Kosovën e lirë e të pavarur për të cilën po demonstronin, po burgoseshin e po vriteshin sa e sa studentë e të rinj të tjerë. E aktet e tilla, të tradhtisë, dihet si quhen, si gjykohen e si dënohen në politikën, në gjykatat e në historinë e popujve historikë, me dinjitet e me kulturë politike e shtetërore.
8. Udhëheqja e LDK-së reagon vrazhdë, fyeshëm, me fjalë banale kur dëgjon a lexon se në solemnitetin e nënshkrimit të asaj Marrëveshjeje kryetari i LDK-së dhe i Kosovës, i Kosovës autonomi, në të vërtetë koloni e Serbisë, do t’i dhurojë kryetarit të Serbisë, Millan Millutinoviq, dhurata të cilat, siç do të deklarojë ai në bisedë me gazetarët ditën kur po dorëzonte detyrën e kryetarit të Serbisë dhe po bëhej gati të udhëtonte për Hagë, për t’iu paraqitur Gjykatës Speciale Ndërkombëtare, do ta stolisin gjatë Kabinetin e tij në Qeverinë e Serbisë!
9. Udhëheqja e LDK-së reagon vrazhdë, fyeshëm, kur i thuhet me gojë, në radio e televizione a me shkrim në gazeta se LDK-ja në radhët e saj kishte anëtarë e zyrtarë sekretë të cilët e informonin Sigurimin e Brendshëm Shtetëror të Serbisë në Kosovë për përbërjen dhe një varg çështjesh të tjera që kishin të bënin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!
10. Udhëheqja e LDK-së reagon ashpër, fyeshëm, kërcënueshëm kur i thuhet me gojë në radio e televizion a me shkrime në gazeta se kryetari i LDK-së, një kohë pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Millan Millutinoviqin do të shkojë në Beograd, në takim me kryetarin e Serbisë, Sllobodan Millosheviqin, të cilit do t’i çohen dhurata si Millan Millutinoviqit me rastin e nënshkrimit të asaj Marrëveshjeje. Çka është biseduar, çka ka ndodhur, çka është nënshkruar në atë takim do ta thonë një ditë arkivat e Serbisë, të cilat sot për sot nuk mund t’i shfrytëzojnë historianët shqiptarë. Tani për tani dihet vetëm se mbas atij takimi kryetari i LDK-së, i quajtur kryetar historik i Kosovës, koloni e Serbisë, i përcjellë prej njerëzve të Milloshit do të shkojë në Aeroportin e Beogradit dhe prej tij do të fluturojë për Itali, ku pa u vonuar shumë, do të deklarojë se duhet të ndalen bombardimet e Serbisë prej Forcave të NATO-s! Dhe, do të shtojë: Millosheviqi është lideri i nderuar i Serbisë me të cilin duhet të bisedohet!
11. Se takimet dhe bisedat e disahershme të kryetarit të LDK-së dhe kryetarit të Kosovës koloni e Serbisë me Millutinoviqin, përmbanin një turp për Kosovën është thënë prej shumë veprimtarëve politikë shqiptarë në Kosovë e në Evropë. Një dëshmi për karakterin dhe “dinjitetin” e këtyre takimeve Millosheviq – Rugova do ta lërë njëri prej kundërshtarëve të Milloshit, i cili shkruante edhe për disa gazeta evropiane, malazezi Stojan Ceroviq, i lindur në vitin 1949 e i vdekur në vitin 2005, në librin e tij Dalje nga historia. Aty, përpos të tjerash, ai do të shkruajë: në gjysmën e viteve të nëntëdhjeta një diplomat amerikan i propozon atij, Ceroviqit, të shkojë në Uashington dhe atje të vizitojë Arkivin që po krijohej. Kur Ceroviqi e pyet se çka do të ishte me interes për të në atë Arkiv ai, diplomati amerikan, do t’i përgjigjet: aty do të gjesh, fjala vjen, edhe raportet e Ambasadës Amerikane në Beograd në të cilat tregohet se sa është i korruptuar kryetari i LDK-së.
Nuk ka dyshim se cilësori i korruptuar flet jo vetëm për korrupsionin material po edhe për korrupsionin politik të kryetarit të LDK-së!
12.Udhëheqja e LDK-së reagon vrazhdë, tmerrueshëm, kërcënueshëm kur gojarisht a me shkrim i bëhen pyetje se çka ka bërë ajo gjatë një vargu vitesh me paratë e popullit, me atë tre përqindëshin, që milej prej popullit? Ku shkuan gjithë ata miliona të mbledhur në Kosovë, në shtetet e Evropës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në shtetet e kontinentet e tjera ku jetonin e punonin shqiptarë, nuk u ble me to e me të tjera të mjela si ato prej popullit vetëm shtëpia e kryetarit të LDK-së! U blenë edhe të mira të tjera, edhe pasuri të tjera, edhe privilegje e lukse të tjera të drejtuesve të LDK-së dhe shfrytëzuesve të djersës së mërgimtarëve tanë të degdisur në Botë.
Nuk kemi shtet të së drejtës se po të kishim, udhëheqja e LDK-së do të duhej të jepte përgjigje para prokurorëve e pastaj para gjykatësve për fatin e gjithë atyre milionave ashtu si për fatin e shumë milionave të tjerë.
13. Udhëheqja e LDK-së reagon me mospajtim të disafytyrshëm kur i thuhet se që në kohën e dhunës e terrorit të regjimit të Millosheviqit e ka uzurpuar e privatizuar Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës me 12-13 anëtarë të Kryesisë e të Këshillit të Përgjithshëm të saj, duke e sunduar qe 25 vjet me 3 “kryepartiakë” e dy shërbëtorë të tyre dhe duke e bërë filial banke prej të cilit i mbushin xhepat ata me shumë shtesa, honorar e paushallë, që rrjedhin pandalshëm, dhe duke ua mbyllur dyert e saj disa shkrimtarëve të shquar, disa gjuhëtarëve të shquar, disa historianëve të shquar të popullit, disa historianëve të shquar të letërsisë, disa mjekëve e disa studiuesve të tjerë shkencorë shumë të merituar pse s’ishin anëtarë të LDK-së!
14. Udhëheqja e LDK-së reagon skajshëm pezmatueshëm, vrazhdë dhe kërcënueshëm kur i përmendet FARK-u (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës). Pse të mos reagojë ashtu? Udhëheqja e LDK-së e kishte krijuar FARK-un jo për të luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në kohën kur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ishte duke luftuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës e njohur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës. Udhëheqja e LDK-së e kishte krijuar FARK-un si gjoja ushtri të saj për të mos lejuar që UÇK-ja të marrë pushtetin. FARK-u në të vërtetë ishte forca e shkretë e udhëheqjes së LDK-së për luftë qytetare pas çlirimit të Kosovës. Por, për fat djemtë e FARK-ut shpejt do të kuptojnë se për çfarë qëllimi kundërkombëtar i kishte mbledhur ata udhëheqja e LDK-së, prandaj do të kalojnë në radhët e UÇK-së. Marrëveshja e nënshkruar prej kryetarit të Serbisë, Millan Millutinoviq, dhe kryetarit të LDK-së, në të vërtetë ishte “kushtetuta” e vonuar serbo-shqiptare me të cilën bëhej i ligjshëm pushteti, pushteti i LDK-së në Kosovën autonomi e Serbisë.
15. Të gjitha të dhënat e sipërthëna dëshmojnë se Redaksia e gazetës së njohur franceze, Le Monde, ishte treguar shumë largpamëse në qëndrimet e saj parathënëse ndaj politikës së LDK-së kur kryetarin e saj, në fillimet e karrierës së tij ldk-iste, e kishte paraqitur përmes një karikature në prehrin e Millosheviqit, i cili do të ushtrojë dhunë e terror, krime lufte e krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe do t’i dëbojë afër tetëqind mijë shqiptarë prej Kosovës në pranverën e vitit 1999 jo vetëm duke mos qenë aspak i trazuar prej partisë së pagëzuar LDK, po, përkundrazi, duke qenë i vizituar ai vetë dhe kryetari para tij, i Serbisë, Millan Millutinoviq, me dhurata nga duart e kryetarit të LDK-së!
16. Nuk e quaj të nevojshme t’i komentoj reagimet e udhëheqjeve të LDK-së ndaj të dhënave që për politikën e saj dëgjohen a shkruhen prej historianëve a intelektualëve të Kosovës në Prishtinë, të Shqipërisë në Tiranë a kudo qoftë tjetër.
E quaj të nevojshme vetëm t’ia sjell në mendje kësaj udhëheqjeje dy të vërteta që në shtetet demokratike, me tradita shtetërore, kulturore e qytetëruese, janë ligje etike e juridike.
E vërteta e parë është kjo: kryetar kuvendi, kryeministër apo kryetar shteti nuk bëhesh për të bërë qejfe, për të pirë e për të ngrënë ushqime e pije sa më të shtrenjta e falas, për të bredhur nëpër botë zyrtarisht a jozyrtarisht, për t’u pasuruar duke keqpërdorur karriget politike, për t’u rrethuar me servilë e mendjepaktë, që bëjnë krejt çka u thuhet mirë e keq! Kryetar kuvendi, kryeministër e kryetar shteti, nuk bëhesh, pra, për të zhvatur shtetin. Jo. Kryetar kuvendi, kryeministër e sidomos kryetar shteti, bëhesh, siç ishte bërë kryetari i LDK-së kryetar i Kosovës koloni e, mandej, shtet protektorat, që, në rast se e kërkojnë punët tragjike historike, edhe për të dhënë jetën për atë shtet, për nderim e dinjitetin e popullit që përfaqëson. E jo, jo, jo për të nënshkruar Marrëveshje tradhtie siç është ajo që u nënshkrua prej kryetarit të LDK-së e të Kosovës me kryetarin e Serbisë, shtetit okupator të Kosovës, Millan Millutinoviqin më 28 prill, 1999!
E vërteta e dytë është:
Krim nuk quhet vetëm vrasja e njeriut, po edhe vrasja e të vërtetës dhe e të drejtës.
Udhëheqja e LDK-së po vret të vërtetat dhe të drejtat që nuk i pëlqejnë, që nuk janë në interesin e saj, që e zbulojnë, e përfushin, e tregojnë politikën e saj në thelbin e saj: gjithnjë politikë e mjerë e, siç u pa më lart, në disa raste edhe politikë tradhtare.
Për fatin e historisë shqiptare, këto vrasje janë të përkohshme.
Historinë e Kosovës, historinë shkencore të Kosovës, nuk do ta shkruajë LDK-ja po historianët. Historia e falsifikuar që LDK-ja e ka shkruar për veten e Kosovën do të ketë fatin e historive partiake e shtetërore që Stalini e Duçe kishin shkruar për partitë e tyre dhe për shtetet që kishin sunduar me dhunë: do të hidhet në plehun e historisë!
Historinë e Kosovës dhe të Shqipërisë së bashkuar nuk do ta shkruajnë partitë po historianët e Shqipërisë dhe të Kosovës së Bashkuar. Një shkrues i saj jam edhe unë jo vetëm me Ditarët e mi.
Por, para se të shkruhet kjo histori e Kosovës, pasi Kosova të bëhet shtet i së drejtës, shpresoj që të vërtetat dhe të drejtat të cilat do t’u shpëtojnë vrasjeve prej rrenave, shpifjeve e urrejtjeve të anëtarëve, të udhëheqësve të kryehershëm dhe të mëvonshëm të LDK-së dhe të rrogëtarëve të saj do t’i sjellin shumë të dhëna e dëshmi të reja arkivore e kujtimore asaj historie.