Home / Lajme / Fjala ime sot, me rastin o organizimit të kremtimit të Festës së Flamurit

Fjala ime sot, me rastin o organizimit të kremtimit të Festës së Flamurit

Të nderuar të pranishëm,
Mirëdita dhe mirë se keni ardhur në festën tonë kombëtare dhe tashmë tradicionale në Gjenevë, që e festojmë me 28 Nëntor. Këtë vit festa është më modeste se zakonisht, për shkak masave të imponuara nga pandemia e shkaktuar nga virusi covid-19.
28 Nëntori është një ditë e shenjtë dhe e bekuar, për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Derisa në Kosovë e quanim dhe e quajmë Festa e Flamurit në Shqipëri është festuar sikur Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kjo ditë na kujton 28 nëntorin e vitit 1443, kur Skënderbeu ngriti flamurin e Kastriotëve në Krujë, dhe plot një çerek shekulli i bëri ballë superfuqisë më të madhe ushtarake të asaj kohe, Perandorisë Osmane.
Na kujton patriotët e shquar shqiptarë me në krye plakun e Vlorës Ismail Qemajlin, të cilët me shumë pjekuri, përpjekje dhe sakrifica të mëdha të popullit shqiptar, të shprehura gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Kryengritjeve të mëdha Shqiptare gjatë viteve 1910, 1911 e 1912, arritën që në Kuvendin e Vlorës, në praninë e delegatëve nga të gjitha viset shqiptare dhe të gjitha konfesioneve, të shpallin Pavarësinë e shtetit Shqiptar. Krijimi i këtij shteti nuk përfshiu të gjitha territoret shqiptare, pasi që fqinjët sllav dhe ata grek, gjatë Luftërave Ballkanike pushtuan Kosovën, Çamërinë, Plavën, Gucinë, Dibrën, Gostivarin, Kumanovën … , kurse Fuqitë e Mëdha nën presionin e Rusisë, në vitin 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e zyrtarizuan këtë grabitje.
Na kujton 28 nëntorin e vitit 1997 kur doli në skenë krenaria jonë kombëtare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur vajzat dhe djemtë e saj filluan një luftë të pabarabartë, por të vendosur për jetë a vdekje, kundër pushtuesit sllav.
Pashmangshëm na kujton ditëlindjen e Kryetrimit të kohërave moderne, Adem Jasharin dhe mbarë familjen Jashari, e cila, me sakrificën e tyre madhështore, të jashtëzakonshme, në kufi të legjendës, gati hyjnore, në emër të lirisë, dinjitetit, atdhedashurisë dhe vlerave më të larta morale, preku ndërgjegjen e një populli, i cili, pas jo pak hezitimeve, vendosmërisht iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Muaji nëntor na kujton edhe qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni, ku në vitin 1908 u mbajt Kongresi i Alfabetit, i cili bashkoi elitën intelektuale shqiptare të asaj kohe, nga të gjitha trojet dhe pa dallime fetare, e cila njëzëri u pajtua ta unifikoj alfabetin shqiptar.
Gjithë këto kujtime, domosdoshmërish edhe na detyrojnë. Na detyrojnë që:
– të përkulemi para të gjithë atyre që ndër shekuj, me gjakun e tyre e skuqën flamurin tonë kombëtar;
– t’i nderojmë të gjithë ata që derdhën djersë e dije, që shkrinë pasurinë e tyre për ta ndihmuar çështjen tonë kombëtare dhe që na lanë trashëgim “këtë gjuhë hyjnore” – siç thotë Fishta;
– t’i përbuzim ata, që sot propagandojnë për kinse lindjen e një kombi dhe një gjuhe të re – asaj kosovare – që për natë po ushtrojnë dhunë psikologjike, nëpërmjet ekraneve televizive dhe mjeteve tjera të informimit, sepse iu është mundësuar uzurpimi i gjithë hapësirës mediatike;
– të falënderojmë ata miq, jo të shumtë ndërkombëtar, që na ndihmuan dhe po na ndihmojnë në rrugën tonë të papërfunduar dhe
– të përkrahim të gjithë ata që edhe sot janë të gatshëm të sakrifikojnë, duke u kthyer në tokat e baballarëve të tyre, duke sjell atje dije, apo, edhe kapital, dhe kështu ndihmojnë zhvillim ekonomik.
Pavarësisht sakrificave të mëdha, megjithatë, edhe sot, 109 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët mbeten të ndarë në disa shtete. Andaj, 28 Nëntori me të drejtë festohet si Ditë e Flamurit Kombëtar Shqiptar, që në këtë mënyrë ti bashkoj shqiptarët kudo që jetojnë, siç thotë edhe himni ynë “rreth flamurit të përbashkuar”.
Përkundër ndarjes aktuale, ideali i Pavarësisë së Shqipërisë natyrale, që nënkupton bashkimin e trojeve shqiptare, është dhe do të mbetet aspiratë e kombit shqiptar gjer sa edhe nuk realizohet, nga kjo apo gjenerata e ardhshme;
Siç shekulli XX, ishte shekull i copëtimit të tokave shqiptare, shekulli XXI, pashmangshëm do jetë shekull i ribashkimit të tyre!
URIME FESTAT E 28 NËNTORIT!
RROFTË POPULLI SHQIPTAR!

About admin

x

Check Also

Merr “flakë” i gjithë Beogradi nga ajo që Albini tha në mediumin kroat për Vuçiqin dhe Putinin

20.12.2021 Në një intervistë për gazetën kroate, Vecernji List, kryeministri i Kosovës, ...