Home / Të ndryshme / Anekdota: ORAKULLI

Anekdota: ORAKULLI

Beqir Elshani

1. FISNIKU
– Ku është dallimi në mes njeriut të mençur dhe njeriut fisnik? – pyeti njëri mikun e vet.
– Dallimi është se i mençuri jeton, kurse fisniku nderohet, – u përgjigj i dytit.
2. KRIPA
– A më e mirë është kripa e derrit apo e deles? – e pyeti njëri miku e tij.
– Për njeriun e pafe të dyja janë të njësoj, – përgjigj i dyti.
3. 24 KARATË
– Baba, e di çka domethënë burrë 24 karatë, por nuk e di çka domethënë spiun 24 karatë? – e pyeti i biri babain.
– Është e kundërta e vlerës së arit, domethënë që nuk ka sasi të vlerës kombëtare, – tregoi babai.
4. FËMIJËT E SHËNDOSHË
– A më mirë t’i kishim lindur fëmijët me të meta trupor, apo budallenj? – e pyeti plaku plakën e vet.
– Më mirë që i kemi lindur me trup dhe me arsye të shëndoshë, – tha plaka.
5. GISHTI I AGAIT
– Ehe, dikur gjyshi i sekretarit të komitetit komunal ka qenë gishti i agait turk, – tregoi një burrë.
– Ç’përkitje, tani nipi është bërë vegël e pushtetit serbosllav, – ia ktheu tjetri.
6. DIPLOMË PA STUDIME
– Ju lutem zotëri, më tregoni ku gjendet Universiteti? – e pyeti mërgimtari tiranasin.
– Dëshironi të ndiqni studimet, apo…?! – ia ktheu me pyetje tiranasi.
– Jo, po shkoj të marrë diplomën, – tregoi padashur mërgimtari.
7. MASA E DËNIMIT
– Nëse qytetari dënohet 6 muaj burg për 10 euro ryshfet, sa muaj duhet të dënohet politikani që ka vjedhë thesarin e shtetit? – e pyeti gazetari avokatin e popullit.
– Djalosh, në matematikë jam i dobët, mirëpo nëse 10-shit ia shtojmë dy zero, atëherë qytetari dënohet hiq më pak se 50 vjet burg. Sa për vjedhjen e thesarit prej dy milionësh nuk i kap kalemi, – tregoi avokati i popullit.
8. MALLKIMI
– Cila prej tyre është më e rëndë: sharja apo mallkimi? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Për njeriun e pafe sharja është e rëndë, për fetarin të dyja, – u përgjigj i dyti.
9. PARULLA
Një mik poetin atdhetar, Fadil Shytin, e pyeti si thuhet shqip parulla frënge “Vive la France, vive Charles de Gaulle!”?
– Fadili pa humbur kohë ia përktheu: “Rroftë Shqipëria, rroftë Enver Hoxha!”.
10. ORAKULLI
Kur orakujt e kishin pyetur fabulistin e parë, Ezopin, a më i lavdishëm është të thuhet Zeusi qoftë me ty, apo hyjnitë qofshin me ty, Ezopi ua ktheu: – “Me asnjërin”.
11. LULJA MË E BUKUR
– Cila lule është më e bukur në botën bimore? – e pyeti vëllai motrën.
– Orkidea, u përgjigj, – motra e tij.
– Jo, luledielli është lulja më e bukur në botë, sepse krahas bukurisë jep edhe vajin për ushqim, – tregoi vëllai.
12. DUHANI
– A është duhani ushqim apo helm? – e pyeti arsimtari i kimisë nxënësen në klasë.
– Për xhaxhain tim që tymos duhan, është ushqim, për fëmijët është helm, – u përgjigj nxënësja në klasë.
13. MARTESA
– A më mirë është që vajza të martohet me një vrasës, apo të mbetet e pamartuar? – e pyeti mbesa gjyshen.
– Më mirë të mbetet e pamartuar se të martohet me një burrë që ia merr jetën, – tha lokja e dëshpëruar për vrasjen e nuseve të reja pa e mbushur motmotin.
14. MË I MADHI
Një i aktor i teatrit arsimtarit i parashtroi pyetjen se cili prej mjeshtërve të dramaturgjisë klasike greke është më i madh: Eskili, Sofokli apo Euripidi?
– Sofokli është mjeshtër më i madh, ai ia kaloi edhe mësuesit të tij, Eskilit, kurse më vonë nxënësit të tij – Euripidit, – tregoi arsimtari.
15. KOHA E KOPERNIKUT
– A më e mirë ka qenë koha e inkuizicionit apo koha jonë? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Përgjigja është e vështirë, megjithatë më e mirë ka qenë koha e Kopernikut, – u përgjigj i dyti.
16. KOLERA
– A e di qysh largohet kolera dhe përtacia? – e pyeti njëri plakun e vjetër.
– Ehe, e para largohet me vaksinë, e dyta me punë, – tregoi plaku.
17. AS TE THEMBRA
– Ku është dallimi i frazeologjisë ”Nuk arrin t’i afrohet as te thembra e këmbës” dhe ”Nuk arrin t’i afrohet as te pulpa e këmbës”? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Dallimi në gjuhën shqipe është i njëjtë, kurse në matematikë është 1%, – u përgjigj i dyti.
18. GËNJESHTRA
– A gjendet kurs diplomatik në botë që ia kalon valutës? – e pyeti njëri kolegun e punës.
– Po, është kursi i gënjeshtrës, – u përgjigj tjetri.
19. EUFEMIZMI
– Ç’është eufemizëm? – e pyeti njëri kolegun e punës.
– Eufemizëm është një shprehje e zbutur, kur në vend se të thuhet “Qeveria vjedh”, thuhet “Qeveria ka dorë”, pastaj në vend se të thuhet kryetari gënjen, thuhet “Kryetari nuk e thotë të vërtetën”, – tregoi kolegu i tij.
20. BESIMI NË ZOT
– A beson në zot? – e pyeti njëri kolegun e punës.
– Kur shkoj në xhami them që ka zot, kur shkoj në bibliotekë, them që nuk ka zot, – tha kolegu.
– Atëherë shko në kafene, – ia ktheu i pari.
– Mirë, më jep para që të shkoj në kafene, – iu drejtua kolegu.
Kur djaloshi shkoi në kafene, thyente gota dhe shante zotin. Prandaj biblioteka doli më e mirë se xhamia dhe kafeneja.
21. MËSUESI DHE IMAMI
– Si bëhet inversioni në mes imamit dhe mësuesit? – e pyeti arsimtari i gjuhës nxënësin.
– Imami bëhet mësues afetar, kurse mësuesi… imam fetar, – u përgjigj nxënësi.
– Mirëpo nëse mësuesi bëhet fetar, nderohet, nëse imami bëhet mësues, sulmohet, – ndërhyri nxënësi tjetër.
22. MAGAR-GOMAR
– Ti je magar, – e shau deputeti i parë të dytin.
– Nëse unë jam magar sipas arkaizmit, atëherë ti je gomar sipas Fjalorit Drejtshkrimor, – ia ktheu i dyti.
23. MËSUESE PA GOJË
– Dua një mësuese pa gojë, mësuese që flet me shkronja të arta, – iu drejtua nxënësi drejtorit.
– Pse nuk kërkon një mësuese që flet me gojë, por me shkronja, – e pyeti drejtori.
– E dua me shkronja, sepse jam i shurdhër, prandaj fjalët i marrë me anën e tekstit, – shtoi i shurdhëri.
24. I PARI I KOSOVËS
– Kush po thotë që populli ha bar? – e pyeti njëri deputetin republikan.
– Opozita për inat të Albin Kurtit që ka fituar në zgjedhje parlamentare të popullit, – ia ktheu tjetri.
25. RETORIZMI
– Si bëhet retorizmi i fjalisë “Sali Berisha është tradhtar i kombit? – e pyeti arsimtari nxënësin.
– Sali Berisha është mik i Serbisë dhe i Rusisë, – u përgjigj studenti.
26. KRIJIMI I NJERIUT
– Kush e krijoi njeriun, zoti apo natyra? – e pyeti shoku i tij.
– Gjyshi im është profesor dhe u plak me libra në dorë, megjithatë thotë që zoti e krijoi njeriun, kurse unë nxënës në shkollën fillore them që natyra dhe puna e krijoi njeriun, – tregoi djaloshi.
27. KUPTIMI I EMRIT
– Ç’kuptim ka emri ministrit sllovak të Bashkimit Europian “Misosllav”? – pyeti një gazetar në konferencën e gazetarëve.
– Në gjuhën shqipe ka kuptimin e armikut të popullit shqiptar, kurse në gjuhën serbe ka kuptimin e mikut të mirë, – u përgjigj shkurt organizatori.
28. NGJASHMËRIA
– Mik i nderuar, i përngjaj ujkut apo dhelprës? – e pyeti kryetari serb mikun e tij.
– Për fat të keq, Sllobodanit i përngjan, – tregoi miku i tij.
29. PËRTACI
– Eh moj vezë, unë të bleva për ngrënie, kurse ti më dole zog, – u ankua një përtac.
– Të lutem më mbaj në shtëpi, vitin tjetër të bëj një shportë me vezë! – iu lut zogu i sapoçelur.
– Më vjen keq, edhe qentë e katundit më njohin që jam përtac, – ia ktheu përtaci.
30. ANKESA E PACIFISTIT
– Gjatë luftës më kanë rrahur ushtarët e UÇK-së, – tregoi një pacifist.
– Mund të na tregoni shkakun e rrahjes? – e pyetën gazetarët?
– Më kanë rrahur, për shkak se prej nervozizmit e kam sharë Adem Demaçin, – tregoi i akuzuari.
– Atëherë mirë ta kanë bërë. Ty duhet dënuar me burg të përjetshëm, mor këlyshi jugosllav, – ia kthyen me zemërim gazetarët.
31. ËNDRRA
– E dashur a ka dallim gjumi ynë në shtrat, – e pyeti burri bashkëshorten e tij.
– Patjetër, unë ëndërroj për djaloshin që e kam dashur, kurse ti ëndërron për vajzën që ke dashur, – u përgjigj bashkëshortja, siç thuhet në kubik.
– Po të dija se do të marrë këtë përgjigje nuk do të pyesja, – ia ktheu me dëshpërim bashkëshorti.
32. KËSHILLA MITOLOGJIKE
– Si mund kthehet këshilla biologjike në kohën e sotme “Më mirë të jetosh në federatën jugosllave se në mesin e kafshëve në pyll?” – e pyeti arsimtari nxënësin.
– “Më mirë të jetosh në mesin e kafshëve në pyll, se në federatën jugosllave?” – u përgjigj drejt nxënësi.
33. GOLI OTOKU
– Çka do të thotë idioma “Ma la Goli Otokun”? – e pyeti nipi gjyshin.
– Idioma “Ma la Goli Otokun” ka kuptimin e njeriut që e tradhton shokun dhe lëvizjen revolucionare, – tregoi gjyshi që kishte vuajtur burgun në ishullin fashist.
34. GOJA LESH
– A gjendet njeri që i zë goja lesh? – e pyeti gazetari avokatin e popullit.
– Po, janë deputetët në Kuvendin e Republikës që lodhen duke folur, – u përgjigj avokati.
35. MOHIMI KOMBËTAR
Një aktor shqiptar për skaj përcaktimit fetar është deklaruar grek, ngjashëm edhe një tjetër për skaj fesë myslimane është deklaruar turk! – shkruante shtypi shqiptar.
– Një poet gjerman e ka një varg poetik ku thotë “Të mbesim të pastër nga krundet”, prandaj edhe Shqipëria duhet të pastrohet nga fundërrinat që vrapojnë pas drahmës greke dhe lirës turke, – shtoi mësuesi pensionist.
36. VJEDHËSIT
– Cilët janë më të rrezikshëm: vjedhësit apo vjedhësit e vjedhësve? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Vjedhësit janë më të rrezikshëm, po të mos vidhnin të parët, nuk do të vidhnin të dytët, – u përgjigj i dyti..
37. VJEDHJA E LOPËVE
– A kanë dallim në mes hajnave të lopëve në Madagaskar me hajnat e thesarit në Kosovë? – pyeti qytetari avokatin.
– Po, në Madagaskar fshatarët luftojnë për mbrojtjen e bagëtisë, kurse në Kosovë i zhdukin gjurmët e vjedhjes, – tregoi avokati.
38. PARAZITI
– Si mund të dallosh parazitin njëjës në shqiptim prej shumësit? – e pyeti arsimtari nxënësin.
– Shumë lehtë, me anën e kallëzuesit njëjës “është parazit” dhe kallëzuesit shumës “janë parazitë”? – u përgjigj drejt nxënësi.
39. PARASHIKIMI I GABUAR
– I nderuari prokuror, e akuzoj nënën time, për shkak se kur isha i vogël më ka thënë se do të bëhem mjek, mirëpo unë jam bërë hajdut, – u ankua një burrë.
– Atëherë duhet dënuar ty që nuk ia ke plotësuar dëshirën nënës sate, – ia ktheu prokurori.
40. GËZIM DHE HIDHËRIM
– Djali im me nusen e kanë gojën mjaltë, prandaj kur pinë kafe, nuk e përdorin sheqerin, – tregoi e ëma prej gëzimit për martesën e të birit. Mirëpo pas një kohe nëna e ndryshoi deklarimin dhe tha: – Djali me nusen e kanë gojën helm, prandaj u larguam dhe tani banojmë në pleme.

Therandë, 10 tetor 2021

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...