Home / Lajme / REGJISTRIMI I POPULLSISË NË MAQEDONINË VERIORE – 2021

REGJISTRIMI I POPULLSISË NË MAQEDONINË VERIORE – 2021

Shkruan: Prof.DR. Abdulla Mehmeti

(28.IX.2021)

Kur operacioni statistikor shndërrohet në interes politik, numri i votuesve gjithmonë del më i madh se numri i përgjithshëm i banorëve!

(Problemi kryesor në këtë shtet nuk është vetëm zvogëlimi i numrit të banorëve nga shpërngulja në botën e jashtme, por loja e pushtetit me numrin e votuesve. Afërsisht 1 milion e gjashtëqindmijë janë banorë rezidentë, ndërsa mbi 1 milion e tetëqind e njëzetekatër mijë qytetarë paraqiten si votues! Sipas listës së votuesve, bashkë me numrin e banorëve të moshës 0-18, të cilët nuk kanë të drejtë vote (afër 400 mijë), Maqedonia Veriore duhet të ketë mbi 2 milion e 2 mijë banorë. Ti presim rezultatet nga regjistrimi aktaul dhe vazhdojmë me analizën e situatës.)

Siç raportojnë mediet e vendit dhe ato të jashtme, dy ditë pas skadimit të afatit ligjor, më 30 shtator, në Maqedoninë Veriore janë regjistruar 1.619.857 persona, 503.491 ekonomi familjare dhe 711.695 banesa.

Enti Shtetëror i Statistikës ka njoftuar se, mundësinë për vetëregjistrim e kanë shfrytëzuar 198.589 qytetarë të vendit që jetojnë në botën e jashtme.

Regjistrimi i popullsisë, zyrtarisht nisi më 5 shtator, ndërsa do të përfundojë më 30 shtator.

Pavarësisht nga parregullsitë dhe pengesat gjatë regjistrimit, ky operacion statistikor duhet të përfundojë, përderisa Maqedonia Veriore bashkë me Somalinë janë dy vende të vetme në botë që nuk e kanë kryer këtë operacion statistikor, ndërsa në nivel të Evropës, Maqedonia Veriore është shteti i vetëm që duhet ta kryej këtë operacion statistikor, si detyrim edhe për anëtarësimin e saj në BE dhe në strukturat integruese ndërkombëtare, edhe për planifikimin shoqëror, ekonomik dhe zhvillimor të vendit.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në këtë shtet është realizuar më 2002, ndërsa numri i përgjithshëm i banorëve në këtë vend, sipas të dhënave zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave ka qenë 2.022.547 banorë.

Sipas të dhënave nga institucionet ndërkombëtare (Banka Botërore), nga Maqedonia Veriore pas pavarësimit të saj, nga viti 1991-2021, janë larguar në botën e jashtme afërisht 640.000 banorë.

Numri i banorë të regjistruar nga data 5 shtator deri dy ditë para përfundimit të këtij operacioni, më 30 shtator 2021, afërsisht i përgjigjet realitetit në terren, me regjistrimin e afër 1.619.857 banorëve rezidentë, sigurisht me ndonjë lëshim dhe parregullsi, për shkak të gjendjes së përgjithshme nga pandemia dhe nga pengesat e vazhdueshme që i janë bërë këtij operacioni me ndërhyrjet në sistemin e të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës.

Ky proces duhet të përfundojë për të mirën e vendit dhe të qytetarëve, pavarësisht nga dobësitë dhe lëshimet. Sidoqoftë, me regjistrimin zyrtar të popullsisë nuk do të përfundojnë debatet politike, sidomos në lidhje me përkatësinë etnike të banorëve dhe përqindjen e tyre, përderisa të drejtat e tyre varen kryesisht nga këto të dhëna, sidomos të banorëve shqiptarë, të cilët vazhdojnë të trajtohen si pakicë kombëtare, ndërsa realisht janë popull shumicë, të barabartë ndoshta edhe më tepër se banorët me përkatësi maqedonase, duke pasur parasysh përbërjen etnike të banorëve të këtij shteti, ku jetojnë së pak 29 bashkësi etnike të ndryshme, pjesën kryesore të të cilëve e përbëjnë shqiptarët, maqedonasit, romët, turqit, vllahët, boshnjakët, serbët dhe bullgarët.

Askujt në këtë shtet, tradicionalisht nuk i ka penguar përkatësia etnike e fqinjëve të tyre nëse pushteti ka funksionuar siç duhet, por ka qenë politika ajo që i ka ndarë, përçarë dhe diskriminuar banorët e këtij vendi, mbi baza etnike, fetare, ideologjike dhe rajonale.

Mbetet të shpresojmë se me përfundimin e këtij operacioni statistikor dhe shpalljen e rezultateve të tij (pas 4-6 muajve), së paku do të zbutet retorika e qarqeve politike të ndryshme, nga brenda dhe jashtë vendit, për manipulimin e të dhënave për numrin dhe përqindjen e banorëve të këtij shteti, sidomos të përkatësisë etnike të tyre, për qëllime politike dhe propagandistike.

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, orë dore dhe teksti

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...