Home / Të ndryshme / Patkoi i kalit dhe fiku

Patkoi i kalit dhe fiku

Shkruan: Beqir Elshani

Sipas besimeve popullore thuhet se kur gjen tre patkonj, në vend të patkoit të katërt vjen kali. Njeriu që gjen patkoin e parë, pastaj të dytin, të cilin nuk e harron, prandaj sapo gjen patkoin e tretë i kujtohen të parat. Unë me vëllezërit e mi ishim të rinj dhe shkonim për të punuar në arë, ndaj duke prashitur vreshtin dhe kallamboqin në arë, sa herë që gjeja ndonjë patkonj, Bislimi më thoshte se tani e ka radhën të vijë kali. Nuk kishte gëzim më të madhe se në oborr të vinte kali, që ta zbukuron shtëpinë. Të ketë njeriu një kalë në atë kohë, ishte sikur të ketë traktor, megjithëse edhe sot njerëzit kalin e quajnë traktor pa karburant. Atëherë nuk dinim si quhet kryetari i komunës, as emrin e drejtorit të shkollës fillore nuk ia dinim, por ia dinim emrin e pronarit të kuajve. Pastaj bariut që kishte tufën e madhe të dhenve ia dinim jo vetëm emrin, por edhe shtëpinë me gjithë vath. Dikur në vitet ’50-dhjeta, prej qendrës së veterinarit në Therandë deri në Reçan zbardhej udha me dhentë e Bali Berishës. Prandaj në atë kohë ardhja e kalit ka qenë gëzim i madh për shtëpinë. Me kalë mund të punoje fushën, mund të udhëtoje për Prizren, Gjakovë; gjatë ditëve të verës mund të shkoje në pellgun e Banjës ose te Ura e Shenjtë për larje. Mirëpo me anën e patkonjve të mbledhur në fushë e në arë kurrë nuk erdhi kali, qoftë edhe pa dhëmbë, siç thonë pleqtë se kalit të falur nuk duhet shikuar dhëmbët.

Pas një çerek shekulli, duke shëtitur me bashkëshorten time, Zylfien, në parkun e qytetit gjeta një laps grafit dhe dy lapsa kimikë, ndaj bashkëshortja, ngjashëm si Bislimi dikur, më tha se e katërta vjen diploma e universitetit. Vërtet, ashtu edhe më doli, sepse pas një jave udhëtova për ta vizituar Tiranën, përndryshe qendrën e parë universitare dhe kulturore të mbarë shqiptarisë. Me përshtypje të mëdha u ktheva në shtëpi. Jo vetëm kaq, sepse në Tiranë kisha shkuar me duar në xhepa, por u ktheva me diplomë universiteti. Megjithatë më i lumtur do të isha atëherë po të kisha fituar një kalë, qoftë edhe gërdallë, se sot diplomën e universitetit. Atëkohë të kishte njeriu një kalë, kishte vlerë dhe autoritet më të madh se sot njeriu me automobil, jo më me diplomë. Po kush mbeti sot pa diplomë universiteti, edhe fqinji im nallban, që nuk di të lidhë dy fjalë, është bërë profesor, ndonëse flet me zhargonin baritor. Ka gjasa që nallbani, më falni, profesori, vitin e ardhshëm të marrë pjesë në garën e zgjedhjeve për deputet në kuvendin republikan. Kur Xhuzepe D’Agata me qortimin në mes dy mjekëve në asistencë prej zemërimit thotë se me diplomën tënde as prapanicën s’e fshij, atëherë ç’të thuhet për disa kapadainj që diplomën e kanë blerë në institucione universitare. Duket qartë që ka poetë të frytshëm që ia dalin të notojnë në detin e madh letrar, ndërsa një numër i vogël mbyten në përroin e cekët.

Ka disa gjëra që bien në kundërshtim, jo me arsyen, por me traditën tonë popullore. Në fëmijëri në Therandë isha rritur duke ngrënë pemë e perime të paqëruara, siç janë mollët dhe kastravecët, i merrja në kopsht dhe menjëherë i kafshoja. Ngjashëm i kam ngrënë edhe fiqtë, nuk i qëroja, por menjëherë i kollofitja si lejleku peshkun. Duket qartë, më natyral kam qenë si fëmijë se tani si burrë. Të them të drejtën, as që kam ditur që fiqtë qërohen. Mirëpo, pas shumë vitesh, duke shkuar gjatë verës në Ulqin, u mësova që fiqtë para ngrënies t’i qëroja. Siç dihet, fiku i përket familjes së pemëve Moraceae, që tradicionalisht rritet në trojet tona me emrin po ashtu shqiptar “murikë”, e cila bën fryte të bardha dhe të ëmbla. Fiku është pemë arabike (tropikale), domethënë i përket klimës mesdhetare. Në dallim me ulqinakët, që në oborret e tyre gjenden me dhjetëra trupa fiq e ullinj, vëllai im Agimi, është agronom, në kopshtin e tij ka pjergullën e hardhisë me rrush dhe një fik plotë fryte. Edhe gjyshi ynë në kohën e tij kishte fik në oborr, piqeshin në fillim të vjeshtës. Prandaj fill pas kthimit prej Ulqinit që kisha ngrënë fiq të qëruar, te Agimi u mësova të hajë fiq të paqëruar. Në fillim Agimi u habit, pastaj më tregoi se fiqtë hahen ashtu siç hahen kokrrat e rrushit, për shkak se fiqtë e freskët me lëkurë kanë më shumë proteina se fiqtë e tharë. Kështu nostalgjinë e ushqimit me fiq të paqëruar ma ktheu vëllai im agronom. Këshilla e tij e ka edhe një të mirë, në vend të duarve për qërimin e mundimshëm të fikut, e vë në veprim lukthin për tretjen e fikut me gjithë lëvozhg. Tekembramja, lëkura e fikut nuk është e fortë sikur lëvozhga e arrës, prandaj zorrët e përlajnë.

Në vend të përshëndetjes

“I nderuar mik, unë jam i poshtër, nuk e pyeta gruan time qysh je me shëndet, por e pyeta qysh e ke vneshtin”. Kurse miku im, Mehmet Bajraktari, përndryshe vëlla i bashkëshortes sime, me anën e mobiltelefonit menjëherë ma ktheu përgjigjen: “Jo, mik i nderuar, burrnisht je shprehur, sepse kur vneshtin e kam mirë, atëherë edhe shëndetin e kam shumë mirë”. Meta, kështu e thërras unë mikun tim, është i njohur edhe me prodhimin e rakisë tradicionale të vendit në fshatin Samadragjë: në vjeshtën e dytë prej rrushit të shtrydhur e nxjerrë mushtin, kurse gjatë dimrit në fabrikën e tij të vogël e pjekë rakinë. Përveç vreshtit, ka edhe pemë të ndryshme, siç thuhet prej kumbullës deri te fiku tropikal. Duke ngritur dollinë, miku tha: ”Rakia e Metës, shëndeti i Beqës”. Dikur Meta me traktor barte rrushin prej rrafshnaltës së Shirokës në drejtim të Bodrumit të Venës Ato vite nxënësit e qendrës së shkollave të mesme e vilnin rrushin me kënaqësi. Sot Bodrumi i Venës i pafajshëm në qendër të qytetit ka mbetur si kështjellë e braktisur mesjetare. Fill pas përfundimit të luftës, me privatizimin e ndërmarrjeve u shuan dy ndërmarrje kapitale – fabrika e gomës dhe bodrumi i venës, duke lënë me mijëra punëtorë në rrugë. Megjithatë miku im vreshtar me autokritikë thotë se më i lumtur do të ishte po të punonte në Bodrumin i Venës në Therandë se me dhjetëra përpunues që punojnë nëpër fshatra. Lidhur me këtë po tregoj se filozofi i shquar, Erazmo Roterdami, ka qenë më trim se ne, pasi që në kohën e tij mesjetare Zeusin e quante hipokrit, hyjninë Pani e quante ngatërrestar, Hefestin e quante çalaman, pastaj perëndeshën e mençurisë dhe të luftës, Paladën, që botërisht ishte shkaktare e luftës së Trojës, e urrente. Prandaj respekt dijetarit të shquar, Erazmo Roerdamit. Gjithashtu respekt mikut tim që kujdeset për vreshtin.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...