Home / Të ndryshme / Te orakulli i Dodonës

Te orakulli i Dodonës

Shkruan: Beqir Elshani

Sipas mitologjisë së lashtë Dodona ka qenë mali i orëve, atje gjendej orakulli, ku perënditë flisnin me njerëz. Një nevojtar shkoi në faltoren e Dodonës, dëshironte të dinte për ardhmërinë e tij, ndërsa orakulli ia kishte kthyer: “Zotëri, na vjen keq, nuk mund të parashikojmë ardhmërinë tënde”. Prandaj nevojtari u detyrua të kthehet prapa. Duket se nevojtari ishte fatkeq, prandaj nga keqardhja orakulli nuk deshi t’ia parashikojë ardhmërinë tragjike. Orakulli është i mençur, nuk dëshiron ta lëndojë fatkeqin. Kështu edhe unë iu drejtova orakullit të Dodonës, i tregova që një kohë të gjatë po vuaj prej sëmundjes kronike të veshëve, si pasojë e së cilës kam humbur dëgjimin. Për habi, orakulli nuk më largoi sikur nevojtarin e parë, por më tha se do të vazhdoj të vuaj, jo vetëm prej sëmundjes së veshëve, por edhe prej gjendjes së vështirë psikologjike, dhe se megjithatë do të jetoj 100 vjet. “Nuk besoj, ia ktheva unë, si është e mundur të jetoj me gjithë këto mundime 100 vjet?” “Megjithatë do të jetosh…” ma përsëdyti parashikimin orakulli, pastaj një prift më nxori jashtë. Kur u ktheva në shtëpi, bashkëshortes sime i tregova parashikimin e orakullit. “Mirë, i dashur, nga e dinte orakulli gjendjen e familjes sonë”, më pyeti e gruaja me habi. “Eee, e dashur, si nuk e di orakulli, kur hallin tonë e kanë marrë vesh fqinjët, e merr veshë edhe orakulli i Dodonës”, i thashë unë gruas sime.
Siç dihet, përgjigja e orakullit të Delfit për fatin e luftës ka qenë me dy kuptime, ata ishin të sprovuar, përvoja i kishte mësuar që të parashikonin ardhmërinë me dy kuptime, jo të njëanshme. Atëherë kanë mundur të mashtrojnë edhe mbretërit e asaj kohe që ishin më në zë, mirëpo sot predikuesit nuk mund të mashtrojnë një fëmijë, pasi që fëmija do të kërkojë të di se cili do të jetë humbës dhe cili fitues. “Nëse kapërceni lumin Halys, do të rrëzoni një mbretëri të madhe”, kështu kishte thënë orakulli, që e kishte parashikuar fatin e luftës në kohën e lashtë. Prandaj mbretëria që pësoi disfatë ishte e vetë Kreuzit. Duket qartë që profecia me shprehjen “do të ketë luftë të madhe dhe do të vriten shumë njerëz” është përmbushur, mirëpo fituesi dhe humbësi ishin pa emër. Orakulli ishte sentimental, prandaj ishte i përmbajtur, e kishte të ndaluar të thoshte se cili do të jetë humbës dhe cili fitues, për shkak se mund të shkaktonte pakënaqësi prej nga do ta humbnin besimin te populli, sidomos te udhëheqësit luftarakë. Ngjashëm edhe në Luftën e Parë Botërore kur luftuan dy popuj të mëdhenj (francezët me gjermanët), i luteshin zotit për fitore, dhe kjo fitore ishte me pasoja të mëdha, e cila shkaktoi viktima në të dy palët. Shembullin e parashikimit të ngjarjes më së miri e tregon horoskopi në mbarë botën bashkëkohore, pasi që kjo fantazi i përket paganizmit. Në asnjë rast të 12 shenjave të parashikimit, siç janë dashi, demi, binjakët, gaforrja, luani, virgjëresha, peshorja, akrepi, shigjetari, bricjapi, ujori dhe peshqit nuk paraqitet urrejtja, vrasja, disfata, por vetëm puna, shëndeti dhe dashuria në mes njerëzve. Kjo tregon që horoskopi burimin e ka qysh në mitologjinë e lashtë. Pastaj te orakulli nuk ka mundur të shkojë gjithkush, por vetëm prijësit e njohur luftarakë, të cilët dëshironin të dinin fatin e luftës.
Edhe në atë kohë kishte njerëz që nuk u besonin lutjeve dogmatike, dhe njëri ndër ta ka qenë fabulisti i famshëm, Ezopi, prandaj prej zemërimit priftat e vranë. Që besimi në zot asgjë nuk ndihmonte, e vërteton edhe historiani i vjetër, Plutarku, i cili shkruan se kur është përhapur murtaja në vendet mesdhetare, më kot njerëzit i luteshin Zeusit për largimin e sëmundjes ngjitëse, pasi që ishte besim dogmatik. Njerëzit e prapambetur besonin se Zeusi ua kishte dërguar, prandaj i luteshin që ta largonte. Mirëpo Zeusi nuk mund të thoshte që vetë populli e ka përhapur sëmundjen ngjitëse, prandaj duhej larguar me anën e shërimit mjekësor në mjedisin e pastër.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...