Home / Të ndryshme / Ngurrim për shqiptimin e fjalës së natyrshme

Ngurrim për shqiptimin e fjalës së natyrshme

Shkruan: Beqir Elshani

Në tabelën e skulpturës së njohur të djaloshit, duke hedhur ujin e tij, i cili është ngritur në vitin 1619 në Bruksel, gjermanisht shkruan “Manneken Pis”, që sipas përkthimit të natyrshëm do të thotë “Djaloshi shurrak”, i cili në vitin 1300 me anën e shurrimit ka asgjësuar bombën. Është për të ardhur keq, shtypi shqiptar ngurron që titullin e skulpturës ta shkruajë shqip, prandaj shkruan me eufemizëm: “Djaloshi që urinon”. Në këtë rast titulli i skulpturës është pjesë e emërtimit të monumenteve të kulturës, prandaj duhet shkruar qartë “Djaloshi shurrak”, ashtu siç shkruhet “Djaloshi aksionist”. Edhe shembulli i fjalisë në gjuhën angleze “A urinal is a sanitary plumbing fixture for urination only” shqip duhet të përkthehet “Shurrësja” është një pajisje sanitare për shurrim”, jo me përshkrimin e fjalisë angleze, të cilën Vedat Kokona fjalën frënge pissoir e përkthen në shurrëtore.

Dihet që të gjithë fëmijët shqiptarë rriten me fjalën shurrë, prandaj kjo fjalë për nevojën fiziologjike të njeriut, nuk është aspak e turpshme, por e natyrshme dhe e domosdoshme në jetën e njeriut, ashtu siç janë lotët e syve, pështyma e gojës, qurrat e hundës dhe djersa e trupit. Shikuar për nga etika shoqërore, më e shëmtuar është po qe se njeriu shikon ndonjë qytetar të mbuluar me tatuazh në trup, se të dëgjojë fjalën e natyrshme shurrë. Me një faqe shqiptare të rrjetit elektronik shkruan se nëna kërkon këshillën e mjekut për urinimin e fëmijës në shtrat, gjë që është e pamundur që nëna të përdorë fjalën e huaj “fëmija im urinon” në vend të shprehjes shqipe “Fëmija im shurron”. Në vazhdim, me një faqe elektronike shkruante: “Njeriu i pafat, aq shumë u tremb, saqë e bëri urinën në pantallona”, “Këngëtarja e njohur urinoi në skenë”, “I padituri urinoi në gjykatore” dhe tjetra “Natën bënte ujin e hollë”, që janë shprehje figurative të shurrës etj., kurse duhet shkruar me fjalën e natyrshme: shurroi. Pastaj ironia suedeze ”Kissa inte på min integritet”, nuk përkthehet ndryshe pos “Mos shurro në mbi integritetin tim”. Të tillët që në vend të fjalës shqipe shurroi shprehen me fjalën latine “urinoi”, paraqiten sikur janë të kujdesshëm. Pa dyshim që ky eufemizëm tingëllon sikur në vend të pështymës shqiptarët të shprehen me fjalën latine saliva. Tekembramja, po të ishte fjala shurrë aq e turpshme, kuptohet që Brukseli nuk do ta vendoste skulpturën e djaloshit të zhveshur duke shurruar; pastaj nënat shqiptare nuk dinë fjalë tjetër më të përshtatshme përveç fjalës shqipe shurrë. Pikërisht në FGjSh gjenden me dhjetëra kompozita me fjalën “shurrë”.

Me një libër shkruante: “Nxori shaminë dhe fshiu hundët”. Me të drejtë parashtrohet pyetja se çka fshiu (personi) në hundë. Dihet që për objekt ka “qurrat”, ngjashëm siç fshihen lotët e syve. Pastaj në romanin “Ferma e kafshëve” të Xhorxh Orwelit, të cilin e ka përkthyer Arben Kallamata, shkruan “(derri) ngriti këmbën dhe pshurri“. Këtu e ka vendin të përmendet edhe lirika e plakës vlonjate, e cila thotë “Pasha shurrën pikë-pikë, nuk ta jap asnjë kokërr kripë”. Ndërkaq në reklamën televizive, nëna fëmijës i thotë “Zemër, mos urino në oborr”, kurse në filmin televiziv përkthimi i nënës del: “Urino në kovë”, në vend të shqiptimit të natyrshëm shurro. Duke qartë që asnjë nënë shqiptare nuk i thotë fëmijës (mos) urino. Prandaj nuk ka arsye që shtypi të ngurrojë për shqiptimin e drejtë të shprehjes intime. Për habi, derisa në filmat e kinematografisë botërore shprehen me ngjyrim emocional për marrëdhënie seksuale, përkthimi shqip ngurron të përmendë shurrën fiziologjike. Tekembramja këto fjalë intime mund të përmenden me trepikëshin e heshtjes. Pikërisht shembulli i fjalisë “Adesso aveva smesso di gettare acqua” në romanin “Mërzia” të shkrimtarit, Alberto Moravia, përkthyesi shqiptar e ka përshtatur me fjalën latine “Çeçilia ndërkohë kishte urinuar” në vend se ta përkthente sipas origjinalit italisht “Çeçilia kishte hedhur ujin”. Duhet pasur parasysh se përdorimi i shprehjes latine në vend të idiomës burimore është fyerje ndaj shkrimtarit. Prandaj përkthyesi detyrohet ta përkthejë veprën ashtu siç shkruan. Nëse personi thotë shurroj, edhe përkthyesi detyrohet ta përkthejë shurroj.

Është e pamundur që fshatari të tregojë që ka urinuar në pantallona, pos që ka shurruar në pantallona: e para – fshatari nuk e di fjalën latine, e dyta – shurra nuk është e turpshme. Shtypi shqiptar duhet të ketë kujdes rreth paraqitjes objektive të veprimit, sepse me anën e përdorimit të fjalës latine “urinoi” në vend të fjalës së natyrshme “shurroi”, që si e tillë ka zënë vend edhe në folklorin shqiptar, dhunon kulturën kombëtare të gjuhës shqipe, që tingëllon sikur shqiptarët turpërohen nga shqiptimi i fjalës së natyrshme. Me një film televiziv ngatërrohen fjalët shurrë dhe urinoj, prandaj duhet shkruar dy herë shqip shurrë dhe shurroj. I njëjti ngatërrim ndodh edhe me fjalën “fshikëza e shurrës” duke kthyer në “fshikëza e urinës” Konkretisht, përdorimi i fjalës latine urin(ë) në vend të fjalës shqipe shurrë, tregon mungesën e kulturës dhe emancipimit të popullit. Kështu veprohet edhe me fjalën nevojtore, (vend për jashtëqitje vetjake), me të cilën njerëzit rriten në gjirin familjar, mirëpo më vonë ndërprenë traditën e shqiptimit të natyrshëm dhe në vend të tyre thonë WC, dyshkronja që vijnë prej anglishtes water-closet, shqip përkthehet “nevojtore me ujë”. Dhe krejt në fund, duhet pasur parasysh që fjala latine “urin” në FGjSh nuk përfshihet. Prandaj fjalët e përditshme familjare e shoqërore shurrë e nevojtore nuk duhet të fliten me ngurrim, përkundrazi duhet të jenë shprehje e lirë dhe e kulturuar në mesin e njerëzve. Është për t’u habitur se si nuk shpëton film televiziv pa u përmendur shprehja banale bythë e mut dhe fjalë të tjera të pista, kurse në vend të fjalës së natyrshme shurrë, prej ngurrimit përdoret fjala e latine urinë.

Nëse suedezi pyet si thuhet shqip “barnet kissar”, duhet treguar “fëmija shurron”. Edhe pse mjeku në detyrën e tij mjekësore e përdor fjalën “urinë”, megjithatë të sëmurit i kërkon analizën e shurrës, jo urinës. Po ashtu fjalori latinisht-shqip, anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip fjalën urin e përkthejnë shurrë-a, shurroj. Duhet pasur parasysh se mosshqiptimi i drejtë i fjalëve shqipe, tregon mungesën e kulturës gjuhësore dhe guximit të të shprehurit, kur dihet që nëna shqiptare mjekut nuk i thotë ”djali im urinon”, por shqip ”djali im shurron”. Gjithashtu fëmijëve nuk u thonë “bëje urinën (në nevojtore)”, por “bëje shurrën”. Kjo do të thotë që shqiptari të rritet me fjalën shtëpiake shurrë e nevojtore, kurse të shformohet me fjalën gazetareske urinë apo “WC”. E vetmja pengesë është që shqiptarët turpërohen pa arsye, ndaj në vend të fjalëve burimore shqipe përdorin barbarizma latine e angleze. Po kështu edhe nxënësit po mësohen të shprehen me eufemizëm: kur gjenden në shtëpi thonë “kam nevojën e shurrës”, kur gjenden në shkollë, thonë “kam nevojën e vogël”, që pa arsye fshehin fjalën konkrete fiziologjike. Ndryshe me nxënësit shqiptarë që turpërohen, nxënësit suedezë pa ngurrim thonë “kam nevojën e shurrës” (jag har kissnödig). Është një frazeologji shqiptare, e cila në popull shpeshherë thuhet “U pshurra së qeshuri”, suedisht thuhet “Jag kissade av skratë” (jo …urinade av skratt). Pastaj në komedinë filmore “Mr, Beans semester” zonja Sabina thotë “I have to stop and pee”, prandaj përkthyesi duhet shkruar me strukturë: “Unë duhet të ndalem dhe të shurroj”, jo të urinoj. Shpeshherë urologët në shkrimet e tyre, në vend të fjalës së kuptueshme shqipe për fëmijët që shurrojnë në shtrat, shprehen me terminologji mjekësore “fëmijët urinojnë”, edhe pse të gjitha fjalët mbi anatominë e shurrës gjenden në FGjSh. Në anën tjetër, dallimi i urinës latine me shurrën shqipe është se në të parën gjenden lëndët kimike që quhet urea dhe që gjatë shurrimit shndërrohet në amoniak që shkakton erë të fortë. Ngjashëm si idioma në anglishte “Child wet the be” dhe suedisht “barn väter sängen” edhe në gjuhën shqipe shprehet me idiomë “fëmija laget në shtrat”. Nëse shkrimi është këshillë mjekësore për nënat shqiptare, fëmijët e të cilëve shurrojnë në shtrat, atëherë mjekët duhet të shprehen me fjalor të qartë shqip. Shembull konkret, mjeku i dhëmbëve para pacientit nuk shprehet me terminologjinë mjekësore për dhëmbët në kavitetin oral, por për dhëmbët në zgavrën e gojës.

Pikërisht në shtypin suedez shkruante “Kissade blod…” (Shurroi gjak…)”, jo me fjalën latine “(Urinerade blod…=Urinoi gjak…) dhe shembulli tjetër që suedisht thuhet pa ngurrim: “Barnet kan inte kissa” (Fëmija nuk mund të shurrojë)”. Pastaj me anën e shurrës, (jo me anën e urinës) qentë njohin rrethin e vet. Gjithashtu nuk thuhet “Qeni ngriti këmbën dhe urinoi”, por shqip shurroi. I njëjti eufemizëm për stërvitjen e qenve është përdorur urinimi në vend të fjalës shqipe shurrimi. Prandaj nuk është turp të thuhet që kafsha shurron. Pastaj nuk thuhet qeni kryen nevojat vetjake, por ”qeni kryen nevojat fiziologjike”, ose kujdeset për higjienën vetjake, pasi që fjala vetjake, ka kuptimin e jetës, familjes, dhe pronës së njeriut, domethënë që nuk është i përbashkët. Pikërisht në mjekësinë popullore populli shqiptar është shëruar me shurrë, me anën e së cilës kanë lyer plagën në pjesët e ndryshme të trupit, sa herë që janë lënduar apo djegur nga pakujdesia, pasi që shurra ka qenë lëng kryesor për shërimin më të shpejtë të plagës, që sot janë zëvendësuar me metoda të reja mjekësore. Prandaj nuk thonë kot mjekët që shurra është pasqyrë e shëndetit të njeriut.

Vërtet skandaloze është që shkolla nuk ka nevojtore për nxënësit, por edhe më skandaloze është që lajmi nuk është shkruar fare me kulturën e gjuhës shqipe. Nuk është njësoj sikur të thuhet “doktor” dhe “urinë”, sepse e para është titull ndërkombëtar që është përfshirë në mbarë botën, e dyta është fjalë latine, që përdoret vetëm në fushën e mjekësisë. Për lajmin “Në shkollën e fshatit, nxënësit urinojnë në natyrë” duhet shkruar shqip shurrojnë meqë fjala latine urinë shqip thuhet shurrë. Gazetarët e mjeteve të informimit duhet të kenë kujdes, të mos i frikësojnë fëmijët shqiptarë që në fjalorin e tyre të përditshëm të përdorin fjalët e nevojave fiziologjike në gjuhën amtare shqipe. Gjithashtu, prindërit nuk janë të detyruar të dinë kuptimin e fjalës urinë, përveç fjalës shqipe me të cilën fëmijët bashkëbisedojnë në shtëpi, që sipas traditës popullore kurrë nuk thonë urinë, por vetëm shurrë dhe shurroj, që aspak nuk është turp të shurrojë shqip, por është turp të urinojë latinisht. Duhet pasur parasysh, fshatarët kurrë nuk thonë latinisht “urina e pulës” ose “lopa urinon”, por shqip “shurra e pulës”, ose “lopa shurron (pop. pshurrë)”. Prandaj thuhet “Në kotec vjen era e glasës dhe e shurrës së pulave”, jo e urinës së pulave.

Asnjë gazetë informative suedeze nuk shprehet me fjalën e huaj, pos me fjalën burimore, psh.: “U pshurra në vete” (Jag kissade på mig), pasi që fjala latine urinoi vendin e ka në terminologjinë e mjekësisë, jo në jetën e përditshme. Për fat të keq, eufemizmi ka ndikuar edhe në korporatën e përkthimit, në vend të përkthimit sipas rregullave të drejtshkrimit “Min hund kissade i sängen” (Qeni im shurroi në shtrat), rezultati doli “Qeni im urinoi në shtrat”. Duhet pasur parasysh fjalorin të bariut malor, ai nuk thotë “qeni im urinoi”, por e shqipton natyrshëm “Qeni im shurroi”. Gjithashtu asnjë shkollar/shkollare nuk thotë “Po shkoj… të urinoj”, por shkurt e shqip “Po shkoj… të shurroj”. Sipas komenteve në lajmet elektronike shihet që më mirë janë shprehur lexuesit se redaksitë e faqeve të shtypit e të librit. Kjo tregon mungesën e guximit të shprehjes së natyrshme, siç thotë populli pa eufemizëm. Ndryshe me gazetarët që ngurrojnë apo më mirë të themi që turpërohen prej fjalës shqipe shurrë, FGjSh nuk turpërohet, por shkruan ngjashëm siç shkruajnë fjalorët e gjuhëve të ndryshme botërore: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, kroatisht, suedisht etj. Prandaj qytetarët detyrohen t’i përmbehen rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...