Home / Opinion / Nocioni i Lirisë dhe Republikës në këndvështrimin e Dr. Sadri Ramabajës

Nocioni i Lirisë dhe Republikës në këndvështrimin e Dr. Sadri Ramabajës

Autori Dr Sadri Ramabaja  në esetë e fundit të këtij libri, sjell dhe shqetësimin qytetar, se si duhet të funksionojë Republika, duke kujtuar iluministët francezë, për ndarjen e pushteteve, se pa këtë ndarje pushtetesh, Kushtetuta ngelet një kufomë që i ngjan një mumjeje, dhe historia na ripërsëritet sa e sa herë! Ai i bën thirrje rinisë që të inkuadrohet në partitë politike, për të marrë pjesë me debate e diskutime të frytshme, për një impenjim politik, që në horizont të mos duken më retë e zeza të fashistëve modern dhe  bashkë me ta dhe olhokratët…

Shkruan Dr. Odise Çaçi

Vlorë, më 21 gusht 2021

Recension për librin “Liria pa heronj-Republika në kthetrat e olhokratëve”, Onufri, Tiranë, 2021, f.436

Lexuesi shqiptar, falë edhe botuesit Bujar Hudhri, themelues e drejtues i Shtëpisë më të madhe Botuese në gjithë hapësirën tonë kombëtare, ka në dorë librin Liria pa heronj- Republika në kthetrat e olhokratëve“, që ka për autor njërin prej prej mendimtarëve tanë bashkëkohorë në fushën e mendimit politik, Dr Sadri Ramabaja.

Libri  ka katër pjesë, njëra më komplekse se tjetra. Recensentët e tij, gjithashtu emra ët njohur të shkencës shqiptare: Dr Martin Berishaj, politolog, ligjërues në Universitetin e Lubjanës; Dr Sabri Kiçmari, sociolog, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, ish ambasador i Republikës së Kosovës në Austri e Australi; Docent Andrea Mueller, politolog, gazetar në TV zviceran DRS. Libri është i pajisur me apartur shkencore dhe bibliografi të gjatë botimesh në lëmin e shkencave politike, filozofi, histori… në gjuhën shqipe, gjermane, serbe  e angleze.

Në këtë libër  përfshihet historia e një patrioti dhe intelektuali që kaloi nëpër burgjet serbe (në vitet tetëdhjeta), e ato të olhokratëve (pas çlirimit!). Si në vitet tetëdhjeta edhe në dekadën e dytë të këtij shekulli, arsyeja themelore pse u përndoq është se ai gjithmonë ka mbrojtur me fanatizëm Lirinë, aq shumë të përfolur nga krerë dhe organizata, por që Liria e afruar gjithmonë ka qenë  dhe mbetet një ëndërr.

Kur bisedon me Sadriun për librin, ai të përgjigjet me një buzëqeshje, sikur nuk ka ndodhur asgjë, para asaj që ai ka kërkuar gjithmonë: Lirinë!

Libri ka një aparat metodik që rrjedh butë, pa e kuptuar ai të ka marrë me vete, duke të treguar episode dhe skena rrëqethëse, duke e mbyllur me  vendimin e Gjykatës  të datës 25.04.2020, duke i dhënë fund odisesë së gjykimit  politik, me shpresë se tutje do të fillojë funksionimi i shtetit ligjor,  me bindjen se një Republikë e Lirë, nuk duron më tej të burgosur politikë.

Që në hyrje të librit autori na thotë se, atë ja dedikon „Taulantit dhe Lumit (djemve të tij); si dhe brezit të tyre, që kanë në dorë ta bëjnë Federatën Shqiptare, dhe me këtë, Shqipërinë Evropiane!“ Unë do shtoja  dhe  gruas së tij, që i qëndroi si burrneshë pranë, si një heroinë  e jashtëzakonshme, që kurrë nuk e humbi besimin tek e ardhmja dhe në fitoren e Sadriut),por dhe brezit të ri shqiptar që do ët jetë i përgatitur mirë për të luftuar për një Shqipëri  të integruar në Bashkimin Evropian.

Ky libër ka njëzetenjë kapituj, prej të cilëve, siç shprehet autori (shtatëmbëdhjetë janë  shkruar në burgun e Lipjanit dhe në atë të Gjilanit – 2018-2020).

Në esenë e para jepet një pasqyrë e prapavijës së thellë politike të demonstratave të vitit 1981 në mbarë Kosovën. Në këtë ese të gjatë ai rigjykon me këndvështrimin e një politologu e njohësi të skenës politike revolucionare të Kosovës së viteve, kur po shtrohej kërkesa për Republikë, si hapi i parë i dekolonizimit dhe barazisë nacionale të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Aty jepen tablo të qarta edhe të prapaskenave politike në funksion të mbajtjes së  një popull në errësirën mesjetare, në funksion të të cilës ide shërbeu edhe rrjeti i merimangës së shqipfolësve. Kjo ese, jo vetëm se është më e gjata, por ajo për shumëçka, pas eseve të Ukshin Hotit mbi Vitin e kthesës së madhe – 1981, është më shteruesi.

Në pjesën e dytë, autori stigmatizon ata që drejtojnë Shtetin e dytë shqiptar në Ballkan. Ai me të drejtë  e quan “Republika e qenve”! Kjo Republikë nuk ka asgjë  të përbashkët me Republikën e ëndërruar nga disa breza idealistësh, me shtetin ku respektohen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Autori kujton Motin e Madh, kur në krye të shtetit ishte Gjergji i Madh, Kastrioti, që gozhdoi Perandorinë Osmane, më të madhen e Kohës, duke u bërë gjedh mbrojtës i civilizimit Perëndimor.

Pastaj nostalgjia na çon tek Rilindja Kombëtare për një Shqipëri Natyrale, për një shtet demokratik, ku njeriu do të gëzojë të Drejtat, por do ët ketë edhe detyrimet karshi shtetit, dhe jo ndaj olhokratëve, të cilët përçajnë popullin për interesat e tyre klanore.

Dr Sadri Ramabaja është vërtet një zë i guximshëm, që del nga kraharori i  martirëve kosovarë në shekuj: Liri dhe vetëm Liri!

Shqiptari nuk mund të jetë skllav në vendin e vet. Sadriu me penën e tij që kullon atdhedashuri, kërkon që heronjtë, por edhe mitet që ka krijuar populli rreth tyre të mos harrohen, por të jenë lejtmotiv për brezat. Ai na sjell shembuj nga historia dhe letërsia botërore, Hamletin, Otellon, Jul Qezarin, Aleksandrin e Madh, ku mitet mbizotëruese kanë qenë frymëzim për popujt e shtypur, për të parë të ardhmen. Në funksion të këtij pasqyrimi  autori na sjell para nesh aktet heroike të Shote e Azem Galicës, Isa Buletinit, Oso Kukës, Perlat Rexhepit, Qemal Stafës,  Rexhep Malës, Nuhi Berishes deri tek vigani liberator Adem Jashari… Dhe historia vazhdon  si krenari kombëtare.

Ne, kjo krenari na zhytë në shekuj, duke kërkuar dhjetëra perandorë në Romën e Lashtë me origjinë ilire, me udhëheqës fetarë në Vatikan, me vezirë e kryeministra në Perandorinë Osmane, me President dhe udhëheqës shtetesh si në Rumani, Bullgari, Argjentinë, Greqi deri në SHBA.

Pra nuk ka fushë ku shqiptarët nuk kanë dhënë kontributin e tyre për lirinë e popujve të tjerë. Dr Ramabaja  ngre pyetjen e ligjshme: po Shqipërinë, në dorë të kujt do e lëmë? A guxojmë ta lëmë në dorë  të olhokratëve, që nuk i lidh asgjë me këtë vend të hyjnishëm?! Ata vetëm na nxjerrin Nënën në Semafor, për një euro.  Këta janë Olhokratët modern…

Dhe autori shkruan: ”Jetuam kështu tok, njëkohësisht dy realitete: Atë të mitit dhe të qenësishmen-ekzistencialen, duke i mbrojtur në jetë që të dyja. Sa më të përafërta t`i bëjmë këto realitete në jetën tonë të përditshme, aq më të denjë e bëjmë jetën”, duke vazhduar po në këtë frymë ”Ky bashkëdyjëzim i këtyre dy botëve në fund të shekullit XX qe shkrirë në tri shkronja: UÇK, që si rezultat solli lirinë”.

Por, Sadriu kujton dhe tërheq vëmendjen se “Republika  dhe Liria, funksionalizimi i plotë i tyre, kanë nevojë që mitit mbi trimërinë, flijimin në emër të vlerave, t`i shtojmë, atë mbi urtësinë dhe dijen, meqë Republika dhe qytetaria  kanë nevojë  për mendimin e maturuar”.

                                                                                                *             *             *

Në pjesën  e dytë autori trajton me objektivitet Republikën e krijuar pas qershorit të 1999, me theks atë  pas shpalljes së Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008). Ai kujton se  qytetari i thjeshtë lufton për mbijetesë. Mjerimi ka mbuluar Kosovën dhe u kujton politikanëve se mesazhi i Bill Klintonit është aktual: ”Ne luftën , ju paqen”. Pavarësisht këtij mesazhi kaq të qartë, drejtuesit i harruan premtimet e para luftës për popullin e thjeshtë, duke  punuar e u pasuruar vet –  me vila e kapitale të ngurtësuara në bankat e huaja.

Sadriut i dhemb gjendja e popullit të Kosovës, qenia e tij e  izoluar, pa viza dhe pa lëvizje të lirë. Kjo është dhe një akuzë për Perëndimin, që  viktimën e akuzon si vrasës dhe vrasësin si viktimë. Kjo paralele  shërben dhe për politikanët në Shqipëri, ku ka premtime, por Shqipëria në këto tridhjetë vjet vazhdon të jetë vendi më i varfër i Evropës, duke na çuar në shumë burime, ku uji ka shteruar së bashku me idetë e politikanëve tanë. Këta politikanë ,siç shprehet profesor Sadri Ramabaja tutje ”tallen me demokracinë dhe idealin mbi shtetin e mirëqenies  dhe të drejtësisë sociale”.

Ai i akuzon politikanët si vasalë tipik, pa një pik gjaku, duke i krahasuar “me sojin e Esat Toptanit”. Profesor Ramabaja u kërkon shqiptarëve  në Shqipërinë politike, për një riorganizim politik real, zgjim politik…si mjet i vetëm politik për çlirimin e Republikës  nga Olhokratët”.

                                                                                                *             *             *

Pjesa e tretë e librit rrok një periudhë, ndonëse të shtruar e trajtuar në kuadër të eseve politike, nga një këndvështrim sociopolitik, ato trajtojnë luftën permanente midis  serbëve dhe shqiptarëve. Shqiptarët për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe serbët për shfarosjen e  shqiptarëve nëpërmjet teorive ekstreme nacionaliste të Ilia Grashaninit me shokë, që pohojnë se ”Pa shkelë këmba e ushtarit serb në Durrës, nuk mund  të shfarosen shqiptarët”. Tutje trajton të gjitha marrëveshjet e serbëve me Qeverinë turke dhe greke për shpërnguljen e shqiptarëve drejt Anadollit, për ti pasur si kundërpeshë ndaj kurdëve. Marrëveshja e Lozanës e vitit 1923 mes qeverisë turke dhe asaj greke, për shpërnguljen dhe përzënien e Çamëve  nga trojet etnike drejt Izmirit e me tej.

Këto pazarllëqe dhe marrëveshje të fshehta : greko-turke-serbe kanë pasur dhe pëlqimin e  Fuqive të Mëdha të kohës, që çështjen e trojeve shqiptare e kanë parë si monedhë shkëmbimi. Mjafton që Evropa të jetë e qetë, pavarësisht se kjo qetësi është si  hiri mbi prush.

Shqiptarët si Kombi më i vjetër i Evropës – Pellazgët, Atlandët e vjetër nuk kanë pasur kurrë aleatë. Përse? Sepse Kombi Shqiptar nuk ka pranuar kurrë të trajtohet si skllav…

                                                                                *             *             *

Në pjesën e katërt, Dr Sadri Ramabaja trajton Kosovën si një koloni të RFJ, të mbështetur haptazi nga Fuqitë e Mëdha në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, si dhe pas saj, deri sa e kuptuan se  shkatërrimi e kësaj federate do sillte pavarësi për kombet që   bënin pjesë në këtë federatë: si Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia me dy rajone autonome Vojvodinën dhe Kosovën.

Autori na sjell këndvështrim specifik prej politologu e njohësi të marrëdhënieve ndërkombëtare, për  Luftën e Ftohtë (45 vjeçare) për raportet Lindje  e Perëndim dhe pasojat dramatike  të saj, sidomos për popujt e vegjël.

Sadriu nuk harron të kujtoj kontributin e  politologut e filozofit Ukshin Hotit, duke ju rikthyer sa e sa herë studimit të tij kapital ”Filozofia  politike e çështjes shqiptare”, por edhe duke trajtuar jetën e tij, me theks  zhdukjen e tij dhe heshtjen e turpshme të qeverive shqiptare…

Ai kujton debatet  publike  që duhet të bëhen në rrafshin e shkencave sociale e politike, duke i shikuar problemet me syrin e së ardhmes, si thotë ai me “një iluzion shkencor”, duke parë  nën dritën  e së ardhmes, programet e partive politike shqiptare, ku rolin kryesor duhet ta kenë “historianët dhe politologët” dhe jo  injoranca… Këtu  ai kujton me shumë respekt, udhëheqësit e demostratave, që shpërthyen në Kosovë në vitin 1981 , me kërkesën kryesore që u shtri gjithandej : “Kosova Republikë”; më pas rezistencën masive nën drejtimin e UÇK-së dhe shpalljen e Pavarësisë në shkurt 2008.

Ne sot ,thekson autori, jemi  në dekadën e tretë të shekullit XXI, ku nisin ”Betejat në rrafshin gjeopolitik, të cilat  kanë marrë shtrirje më  polarizuese”.

Autori i rikthehet edhe një herë  “Demonstratave  të  vitit 1981”, derisa ishte sërish në burgun e Gjilanit. Derisa vështron qytetin nga qelia e tij (maj 2020!), atij  i parakalojnë  në mëndje  dëshmorë e bashkëveprimtarë të tij, si Nuhi Berisha,  Behadin Allaqi etj. Në këtë paradë kujtimesh i shpërfaqet edhe  Ernesto Sabatos ”…i plakur, gjeni e tepër racional, por përherë  njeri progresiv, i zhytur në depresionet e zeza, në lagështinë dëshpëruese”, me të cilat u përballë gjatë gjithë jetës. Ai mbeti përjetësisht i ndërgjegjshëm në përplasjet me jetën, ndërkaq në një prej eseve të tij më të mira, e potencoi  se “vetëm akti krijues, kishte qënë  shpëtimi i tij dhe fortesa e tij!” Duket se pikërisht tek ky fakt, kishte gjetur shpëtimin dhe mënyrën e të mbijetuarit në përplasjen n e tij titanike me olhokratët modern.

Autori Dr Sadri Ramabaja  në esetë e fundit të këtij libri, sjell dhe shqetësimin qytetar, se si duhet të funksionojë Republika, duke kujtuar iluministët francezë, për ndarjen e pushteteve, se pa këtë ndarje pushtetesh, Kushtetuta ngelet një kufomë që i ngjan një mumjeje, dhe historia na ripërsëritet sa e sa herë! Ai i bën thirrje rinisë që të inkuadrohet në partitë politike, për të marrë pjesë me debate e diskutime të frytshme, për një impenjim politik, që në horizont të mos duken më retë e zeza të fashistëve modern dhe  bashkë me ta dhe olhokratët…

Libri “Liria pa heronj – Republika në kthetrat e olhokratëve” është një thesar që fsheh në vetvete shumë enigma. Shih për këtë, ju ftojë ta lexoni dhe atëherë do ta kuptoni veprimtarinë e një personaliteti që i dha shumë lëvizjes për demokraci në Kosovë, por që nga olhokratët që për njëzetë vite kishin sunduar Kosovën, ishte shndërruar në një lloj pengu sui generis i vetë Republikës dhe demokracisë së gjakuar. Ju ftoj ti lexoni esetë politike nga më të veçantat në letrat shqipe, të përmbledhura në këtë libër kapital.

Libri ka vlera shumëplanëshe, ndërkaq përmes tij mund ta njihni edhe më mirë historinë politike moderne të Kosovës. Por gjithsesi aty gjeni edhe shpjegimet e duhura mbi  padrejtësitë që iu bënë Kombit Shqiptar me Traktate e Marrëveshje, që nisin me Kongresin e Berlinit 1878, Konferencën e bixhozxhinjëve të Londrës 1913, Konferencën e Parisit 1919, si dhe Konferencën e Parisit të vitit 1946, duke përfunduar me Konferencën e Rambujesë në Francë më 1999.

Materialet  e paraqitura dhe të trajtuara nga profesor Sadri Ramabaja janë një akuzë publike për Fuqitë e Mëdha, që tutje i përmbahen rezolutave të OKB, duke vazhduar ta mbajnë Kosovën peng sui generis.

Ky libër të ngjallë një krenari kombëtare të ligjshme; ai është shkruar nga një penë me një individualitet  të veçantë. Libri lexohet me ëndje dhe është i kuptueshëm për çdo moshë.

I përcjell  profesorit urime për librin si dhe  për detyrën  e re të tij në cilësinë e drejtorit të  Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë, me  qendër në Prishtinë.

/Huazuar nga Pamfleti/


About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...