Home / Të ndryshme / NGATËRRIMI I FJALËS SË HUAJ ME FJALËN SHQIPE

NGATËRRIMI I FJALËS SË HUAJ ME FJALËN SHQIPE

Beqir Elshani

Fjala shokuar vjen prej frëngjishtes (choc për choquer) që do të thotë tmerr, shtangie, rrëqethës, ngjethës, kurse sipas Fjalorit frëngjisht-shqip është goditje, përplasje, tronditje, domethënë në gjuhën frënge përdoret me kuptim të gjerë. Përkundrazi gjuha shqipe i ka fjalët e veta me kuptim të caktuar sipas ngjarjes psikologjike, siç janë: befasohem, tronditem, çuditem, habitem, shqetësohem etj. Ndërkaq shprehjet shok-u dhe shokuar kanë kuptime të ndryshme, kur dikush është i shokuar, atëherë është i tronditur nga një ngjarje e papritur dhe nuk mund të reagojë në mënyrë racionale. Shkurt, është një gjendje e rëndë psikike. Shok-lëndimi përbëhet edhe prej fatkeqësive serioze, shpesh së bashku me plagë djegëse apo gjakderdhjes së njeriut nga pasoja të ndryshme. Nëse njeriun e godet shoku është rrezik i madh të mos ia dalë të shërohet. Përshkrimi i ngjarjes me fjalën e huaj shokuar, që pa të drejtë është përhapur në të gjitha mjetet informimit dhe bisedat e njerëzve, do të thotë sikur ngjarja të jetë shumë e tmerrshme. Shpeshherë në faqet e shtypit botohen lajme me fjalën e huaj shokuar (FGjSh nuk e përfshin) në vend të fjalës së kuptueshme dhe të përshtatshme shqipe tronditur ose sipas kuptimit të ngjarjes në fjali befasuar. Kjo fjalë përdoret vetëm kur njeriu ndjen ndonjë rrezik, tragjedi, fatkeqësi apo frikë të madhe, humbje vetëdije, diçka që është e padurueshme, që tek njeriu shkakton dhimbje të madhe e të thellë. Prandaj kur dikush merr lajmin e papritur për vdekjen e të afërmve nuk shokohet, por tronditet.

Për aftësitë dhe pyetjet e “çuditshme” të fëmijëve drejtuar nënave, ato nuk mbeten të shokuara, as nuk tronditen, por befasohen për guximin dhe aftësitë e fëmijëve. Duhet pasur kujdes se fjala shokuar kurrë nuk është përmendur te populli shqiptar, por si raketë erdhi prej Europës Perëndimore dhe zuri vend në shtypin shqiptar. Kjo fjalë hyri sikur gjuha shqipe të ishte e varfër, kur dihet që gjuha shqipe ka një varg fjalësh të caktuara që kanë kuptime me ngjyra të ndryshme emocionale, dhe këto janë: befasohem, çuditem, habitem, hidhërohem, mahnitem, ngjethem, rrëqethem, shastisem, shqetësohem, shtangem, tmerrohem, trazohem, trembem, tronditem, turbullohem, pastaj idiomën mbeta pa mend. Në gjuhën shqipe ka gabime të lehta dhe gabime të rënda, prandaj përdorimi i fjalës së huaj shokuar-shokoj në vend të fjalës së duhur shqipe është i rëndë, në dallim me fjalën kualitet që përdoret në vend të fjalës shqipe cilësi. Prandaj shtypi duhet të marrë fjalën e caktuar shqipe sipas ngjarjes që flitet, jo fjalën e huaj pa e peshuar mirë. Në fjalinë “Rrëfimi shokues i 26-vjeçarit se si zbuloi tradhtinë e të dashurës” në vend të barbarizmit shokues mund të përdoret fjala shqipe ngjethës. Gjithashtu për zbulimin e lypsares së paralizuar në Bejrut, që pas vdekjes kishte një milion dollarë, njerëzit janë befasuar, nuk janë shokuar, as nuk janë tronditur. Pastaj ngjarja në lajmin për lypsarët dhe të pastrehët që kërkojnë lëmoshë nuk është shokuese, por tronditëse për gjendjen e tyre sociale. Nëse kështu vazhdon, atëherë në vend të kërkimfaljes “Më falni që po iu shqetësoj” sipas kësaj do të dilte: “Më falni që po iu shokoj!”, pasi që fjala shokoj ka zënë vendin e shqetësimit.

Nëse njeriu e shikon ushqimin e prishur, nuk është ndonjë tmerr sa të shokohet, por është habi ose befasi. Në lajmet “Berisha është shokuar për reformën në drejtësi” dhe “Komuna e Skenderajt është shokuar me vendimin që ka marrë” duhet shkruar fjalën e qëlluar “befasuar” (habitur, tronditur apo tmerruar) për reformën në drejtësi”, të cilën më së miri e di gazetari. Mirëpo nëse vendimi i komunës është i ashpër apo i padrejtë, atëherë shkruhet “Komuna e Skenderajt është tronditur me vendimin që ka marrë”. Në lajmin tjetër ”Afro 30 burra e gra shkëmbejnë grushte e shkelma, kalimtarët e shokuar filmojnë ngjarjen” në vend të fjalës së huaj shokuar duhet shkruar, jo vetëm fjala e qartë shqipe, por edhe e caktuar tronditur. Në shembullin e fjalisë “U shokova për ngjarjen që pashë”, duket se flitet për ndonjë ngjarje të tmerrshme, mirëpo doli se (…) kishte parë një mi, prej të cilit u frikua. Duket qartë që njeriu nuk shokohet, kur e sheh miun apo macen, por trembet. Shembulli i fjalisë “Pyetja që më shokoi pa masë” prej anglishtes është përkthyer me fjalën e panjohur, me që në vend të fjalës shokoi duhet shkruar fjalën e qëlluar shqipe, dhe me siguri duhet të jetë tronditi. Ndërsa në këshillën mjekësore me fjalën e frënge: “Do të jeni të surprizuar me uljen e shtypjes së gjakut dhe kolesterinës” duhet shkruar shqip: “Do të jeni të befasuar…”. Në lajmin tjetër shkruante: “Shokohen rusët, në Shën Petersburg bie borë e kaltër”, ndërkohë që në lajmin burimor rusisht shkruante që rusët janë habitur kur e kanë parë borën e kaltër (россияне удивлены, в Санкт-Петербурге выпал синий снег”, në të cilën fjala ruse удивлены shqip përkthehet befasohen. Duket qartë që fjala e huaj është përdorur në vendin e gabuar, sepse askush nuk ka vdekur kur e ka parë borën e kaltër. Ndryshe me përdorimin e përgjithshëm të fjalës shokoj-shokohem në gjuhën angleze, gjuha shqipe në çdo formë psikologjike e ka fjalën e duhur, siç i përmenda më lart.

Në vend të togfjalëshit “Mesazhi shokues i një punëtori nga Kina” dhe në fjalinë ”Vjen lajmi shokues për zhdukjen e studentes”, duhet të shkruhet lajmi tronditës. Kurse në lajmin “Fotografi kishte mbetur i shokuar kur kishte parë kokën e zebrës në gojën e krokodilit”, në vend të barbarizmit shokuar duhet shkruar fjalën e caktuar shqipe befasuar, ashtu siç e sheh shqiponjën me kthetra duke rrëmbyer lepurin në fushë. Fjala shtangur (shokuar) mund të përdoret vetëm nëse fotografi e fotografon krokodilin apo peshkaqenin duke kafshuar njeriun. Edhe zogun që sulmon gjarprin është ngjarje e zakonshme, për të cilën njeriu habitet ose befasohet. Në lajmin e bujshëm për shëndetësi “Ky mjekim për variçet ka shokuar të gjithë mjekët”, mjekimi nuk mund të jetë i shokuar apo i tronditur, por vetëm lajm befasues për shërimin e venave të zgjeruara në këmbë. Përkundrazi në shembullin e fjalisë “Një grua ka shokuar botën duke e hedhur foshnjën e porsalindur në kontejner” në vend të barbarizmit shkouar duhet të shkruhet tronditur, ndërsa befasi është pastruesi që e ka gjetur foshnjën. Pastaj në fjalinë “Kemi mbetur të shokuar kur mjekët na thanë se fëmija peshon 7.1 kilogramë” duhet shkruar fjala e qëlluar shqipe befasuar, meqë fëmija me peshë ka lindur shëndoshë e mirë, mirëpo do të tronditeshin po të kishte vdekur fëmija. Gjithashtu në shembullin e fjalisë “Mendonte se i dashuri po i propozon martesë, por kur e hapi kutinë e unazës mbeti e shokuar”, duhet shkruar mbeti e befasuar. Duhet pasur parasysh se çdo zbulimet e papritura befasojnë. Kurse në lajmin tjetër “Mërgimtari është shokuar kur i ka hapur jogurtët e prishur”, mund të përdoret fjala e kuptueshme që njeriu, si zakonisht, habitet për ushqimin e prishur ose neveritet. Ndërsa në fjalinë “Shkoi në dyqan për të blerë jogurt, kur hapi frigoriferin mbeti i shokuar nga ajo që pa (është fjala për gjarprin në Afrikën e Jugut)” në vend të fjalës së huaj i shokuar mund të shkruhet shqip mbeti i tmerruar.

Në titullin e lajmit “Shokohen shkencëtarët me këtë zbulim për shqiptarët” prej nga lexuesit do ta kuptojnë me hamendje nëse flitet për ndonjë befasi apo habi, prandaj në vend të barbarizmit shokohen duhet shkruar: befasohen. Në shembullin e lajmit “Këngëtarja është shokuar me numrin e vogël të publikut në Stokholm” duhet të jetë është befasuar, sepse atyre nuk u ka ndodhur ndonjë sulm apo vrasje që shkakton tronditje. Në fjalinë “Shokon deputeti me fjalimin në parlament” dhe “…ka bërë një pohim shokues”, flitet për një fshehtësi morale, prandaj duhet shkruar shqip: Trondit deputeti pastaj pohim tronditës. Për lindjen e fëmijës me dy koka, mjekët nuk shokohen, por tronditen nga një ngjarje e papritur, gjithashtu për tragjedinë e shkaktuar në fshat banorët nuk shokohen, por tronditen. Fjalia “Shokon i riu në Nju Jork, udhëton i ‘varur’ pas trenit që të mos paguajë biletë” duhet shkruar me fjalën e qëlluar shqetëson, sepse kur njerëzit shohin ndonjë udhëtar pa biletë shprehin keqardhje, domethënë shqetësohen. Në shembullin e fjalisë “Although Ibsen’s plays shocked contemporary audiences, they were championed by such serious critics” nuk duhet përshkruar fjalën e njëjtë angleze shocked (shokuar) për shkak se është e papërcaktuar, prej nga lexuesi e ka të paqartë fjalinë. Prandaj duhet shkruar “Edhe pse shfaqjet e Ibzenit tronditën audiencën bashkëkohore, ato u mbrojtën nga kritikët e tillë seriozë”.

Me shprehjet “Jam i shokuar me pamjet e sulmit” dhe “Jam i shokuar nga informacionet e kryeministrit” parapëlqehet që të shkruhet “Jam i tronditur…” sipas shqetësimit shpirtëror. Duket qartë që përdorimi i fjalës së huaj në vend të fjalës shqipe është shenjë e karrierizmit. Kjo është sikur në vend të nderimit zyrtar “Shkëlqesia juaj” të shprehet me barbarizmin “Ekselenca juaj” (anglisht: Your excellence). Prandaj përdorimi i fjalës së huaj në vend të fjalës shqipe, është sulm ndaj gjuhës dhe kulturës kombëtare. Për habi, unë në Suedi jetoj dhe në shkrimet e mia kurrë nuk e përdori fjalën e huaj shokuar, prandaj pse shtypi shqiptar e përdor fjalën e huaj në vende të fjalës së kuptueshme shqipe?! Aq më tepër, për nder të fjalës tradicionale miqësore shok fjalori i gjuhës shqipe nuk duhet të ngatërrohet me barbarizmin shok-uar. Pse të mos shkruhet shqip me kallëzues të thjeshtë “Australiani u tronditë kur pa në bodrum një piton prej tre metrash”, në vend të barbarizmit “mbeti në shok”.

Dukuri tjetër është edhe reklamimi i shitjes së mallit nëpër shitore, në vend se tregtarët të shpallin shqip: “Çmime befasuese” (mall me çmim të lirë), ata shkruajnë: “Çmime shokuese”. Ndërsa në shembullin e fjalisë “Reporteri mbeti gojëhapur, kur pa një grua duke i dhënë gji derrit”, ndajfolja gojëhapur është shprehje figurative që është përdorur në vend të fjalës dokumentare mahnitur, për të cilën reporteri është habitur për ngjarjen. Megjithatë ndajfolja “gojëhapur” është fjalë shqipe në dallim me fjalën e papërcaktuar shokuar. Këto janë veprime biologjike të njerëzve me kujdesin që tregojnë ndaj kafshëve, prandaj nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Kurse për fjalinë “Pamje shokuese kanë arritur në redaksi” me siguri flitet për pamje tronditëse ose të tmerrshme, prandaj duhet të shkruhet pamje tronditëse. Nuk thuhet “Njeriu mori një vështrim shokues”, por vështrim trazues. Pastaj shembulli i fjalisë “Albin Kurti shokon Baton Haxhiun në debatin televiziv” duhet shkruar fjalën e qëlluar sipas veprimit dhe ngjarjes: trondit, trazon, tmerron, frikëson, befason, sulmon e të ngjashme. Kur unë e lexoj lajmin me fjalën e huaj “Shokon ministri” dhe “Shokohet drejtori me suksesin e nxënësve”, atëherë prindërve të mi duhet t’ua komentoj shqip “Tronditet ministri” dhe “Befasohet drejtori…”.

Fjalia “Kryejnë testin e ADN-së, çifti mbetet i shokuar nga rezultatet” është shkruar me fjalën e huaj, në vend të fjalës shqipe të tronditur, sepse ishin martuar pa e ditur që janë vëlla e motër. Në anën tjetër, varet pesha psikologjike e ngjarjes, përndryshe po të ishte ndonjë fejesë, atëherë pas testit të rinjtë nuk do të tronditeshin që janë vëlla e motër, por do të habiteshin, meqë fejesa ka dallim me martesën, me anën së cilës bëhet rinjohja e vëllait me motrën. Në fjalinë “Bebja që po shokon mjekët: Edhe pse tetë muajshe, ajo peshon 17 kilogramë”, në vend të fjalës së huaj shokon duhet të shkruhet shqip “befason”. Përndryshe mjekët nuk guxojnë të shokohen (tmerrohen), ata duhet të jenë vigjilentë për kujdesin e nënës gjatë lindjes së fëmijës. Pastaj mjekët nuk janë shokuar, por janë shqetësuar për qindra gra që kanë vdekur nga moskontrollimi i gjinjve në Britani. Në shembullin “Profesori boshnjak shokon serbët: Nga dinastia Karagjorgjeviq deri te Novak Gjokoviq, të gjithë janë shqiptarë”, duhet të përdoret fjala shqipe tmerron. Në fjalinë “Pamjet shokuese na vijnë nga Meksika” me siguri flitet për ndonjë ngjarje të tmerrshme, prandaj duhet shkruar “Pamje tmerruese …” Fjalia “fyerje shokuese ndaj të sëmurit”, siç është shprehja “Mos u shëroft!”, duhet të jetë “fyerje shqetësuese ndaj të sëmurit”.

Me një lajm rreth rrahjes së bashkëshortit me shkop nga ana e gruas nervoze, shtypi nuk ngurron të përmendë fjalën e dyfishtë shokuar/shokuese, në vend të fjalës së kuptueshme shqipe “ngjarja e grindjes ishte tronditëse dhe kalimtarët janë habitur”. Sepse bashkëshortja e zemëruar nuk e ka sulmuar bashkëshortin me dru, por me grushte. Në shembullin e fjalisë “Shkoi në bankë për të tërhequr para, mbeti e shokuar”, nuk dihet nëse qytetari është tronditur për mungesën e parave në bankë, nëse është habitur për pagesën e ndonjë fature, apo nëse është befasuar për inkasimin e parave të shumta. Prandaj më së miri është të shkruhet sipas ngjarjes në fjali, dhe jo vetëm anglisht, që është sinonim i fjalëve të ndryshme. Siç janë: tronditje, habitur, tmerruar, turbulluar, befasuar, goditur, shqetësuar dhe hidhëruar. Në lajmin “Zbulimi në Greqi që ka shokuar historianët”, nuk dihet kuptimi i fjalës së huaj shokuar, mirëpo pas leximit të tekstit shihet se flitet për zbulimin e eshtrave në Malin Atos, prandaj në vend të fjalës së huaj duhet shkruar tronditur. Përndryshe po të ishte zbuluar ndonjë shkrim i vjetër grek apo thesar, arkeologët do të ishin befasuar. E kundërta e shembullit të lartshënuar në lajmin Zëvendësministri i Ekonomisë shokohet me atë që gjeti në zyrën e tij”, mirëpo nuk dihet nëse zëvendësministri është befasuar, habitur apo tmerruar. Prandaj sipas lajmit që flitet, duhet të shkruhet befasohet. Në lajmin ”Vogëlushi që shokoi botën” flitet për mijëra njerëz të vdekur për shkak të pasojave të luftës së Jemenit, prandaj shqip shkruhet me fjalën e përshtatshme ”Vogëlushi që tmerroi botën”. Përkundrazi lajmi “Momenti shokues kur një “hajn” 13-vjeçar qëllohet për vdekje në një dyqan në Las Vegasështë ngjarje tronditëse, prandaj duhet shkruar “Moment tronditës”. Për shembull, fjalia suedisht “Läkare överraskade för mamma som förlorade 12 kg på 4 veckor” shqip përkthehet “Mjeku është befasuar për nënën që për 4 javë ka humbur 12 kg”. Mirëpo nëse nëna nuk do të kishte sukses në humbjen e peshës, atëherë mjeku do të ishte shqetësuar.

Duhet pasur parasysh se me përdorimin e fjalës së huaj shok-uar po komprometohet fjala tradicionale shqiptare shok-u, që do të thotë miqësi e lidhur e njeriu gjatë jetës në veprimtarinë e punës dhe luftës. Kurse në shembullin e fjalisë ”Ngjarja e vetëvrasjes së djaloshit ka shokuar jo vetëm familjarët e viktimës, por gjithë banorët e Maqellarës”, në vend të fjalës së huaj ka shokuar duhet të jetë fjala e qëlluar dhe e qartë shqipe ka tronditur. Jam më se i bindur që dibranët kanë të drejtë të mos e dinë kuptimin e barbarizmit shokuar.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...