Home / Opinion / A janë gati shqiptarët të vdesin për Taiwanin?

A janë gati shqiptarët të vdesin për Taiwanin?

Nga:Kastriot Myftaraj

24 gusht 2021

Në 19 gusht, katër ditë pas rënies së Kabulit, Presidenti amerikan Biden tha se në rast sulmi ndaj Taiwanit SHBA do të reagonte në mënyrë të ngjashme me detyrimet që kishte sipas nenit 5 të Traktatit të NATO-s. Sipas këtij neni çdo vend anëtar i NATO-s hyn automatikisht në luftë në rast agresioni të armatosur ndaj një vendi tjetër anëtar të aleancës. Përmendja e nenit 5 të Traktatit të NATO-s duke iu referuar detyrimeve të SHBA ndaj një vendi që nuk është anëtar i aleancës atlantike që nuk gjendet fare në zonën gjeografike të përcaktuar nga neni 5 (ky nen saktëson që agresioni duhet të ketë ndodhur në Amerikën e Veriut ose në Europë.) të jep të kuptosh se SHBA po i bëjnë Traktatit të NATO-s një interpretim edhe më të lirshëm se ai që i bënë që i bënë kur e angazhuan NATO-n në Afganistan. E thënë më qartë, Biden tha se nëse SHBA hyn në luftë me Kinën për shkak të Taiwanit, atëherë të gjithë vendet anëtare të NATO-s duhet të hynë në luftë kundër Kinës, në anën e SHBA. Një interpretim të tillë të nenit 5 me siguri që nuk do ta pranojë asnjë vend i NATO-s përveç Shqipërisë. As Britania e Madhe dhe Kanadaja që janë gjithmonë në anën e SHBA nuk do të guxojnë ta ndjekin SHBA në këtë aventurë, ku çdo vend që përzihet rrezikon të zhduket nga harta e botës.

Kina është një fuqi bërthamore, madje për nga kapaciteti ushtarak që ka mund të quhet superfuqia e dytë e botës. Në vitet pesëdhjetë kur Kina kishte 600 milionë banorë lideri i saj Mao Ce Dun (Mao Zedong) ka thënë se Kina nuk i trembej një lufte me SHBA sepse edhe nëse do të vdisnin 300 milionë kinezë, do të mbeteshin 300 milionë të tjerë. Sot Kina ka 1.4 miliard banorë dhe nëse vdesin 600 milion kinezë do të mbeten 800 milionë të tjerë. Por SHBA ka vetëm 330 milionë banorë. Presidenti Biden në 19 gusht iu tha amerikanëve dhe botës se ai merr parasysh zhdukjen e vendit dhe popullit të tij dhe të vendeve aleate për të mbrojtur një ishull që është shtet i vetëshpallur të cilin nuk e njeh as SHBA dhe asnjë vend i aleancës. Gjithsesi, një gjë është e sigurt. Qeveria shqiptare do ta rreshtojë Shqipërinë pa ngurim në këtë luftë në anën e SHBA. Kryeministri Rama do t’ u thotë shqiptarëve se kemi detyrime ndaj SHBA dhe NATO-s (?) prandaj do të jemi edhe këtë herë në anën e saj. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe qeveria e Kosovës. Po ashtu edhe opozita në Tiranë dhe Prishtinë. Por a janë gati shqiptarët të vdesin për Taiwanin?

Ata në Kosovë ndoshta po, por ata në Shqipëri me siguri që jo. Dikur, në kohën që Shqipëria komuniste ishte anëtare e Traktatit të Varshavës dhe Enver Hoxha i qortonte udhëheqësit sovjetikë se këta kishin frikë nga lufta bërthamore me SHBA, nga Kremlini erdhi përgjigjia e famshme përçmuese se mjaftonte një bombë atomike amerikane për të zhdukur nga harta Shqipërinë e vogël. Enver Hoxha si demagog mashtrues që ishte e tjetërsoi kuptimin e këtij paralajmërimi duke thënë se nga Moska i kishte ardhur një kërcënim me goditje bërthamore. Gjithsesi nëse Shqipëria i bashkohet SHBA në një luftë kundër Kinës për Taiwanin ekziston rreziku shumë serioz që një bombë atomike kineze ta zhdukë Shqipërinë e vogël nga harta. A i kanë dhënë mandat votuesit socialistë Edi Ramës në 25 prill që ta futë vendin në rreziqe të tilla? Deklarata e Biden është e tillë që duhet të shkaktojë panik total në Shqipëri sepse qeveria jonë është gati që ta ndjekë SHBA në çdo aventurë sado të paimagjinueshme.

Mediat duhet ta pyesin kryeministrin Rama nëse e pranon këtë interpretim të nenit 5 të traktatit të aleancës që ka bërë Presidenti Biden. Dikush mund të thotë se mediat nuk kanë pyetur liderët e vendeve të tjerë të NATO-s. Por këto vende kanë treguar se nuk e ndjekin pas SHBA në çdo aventurë ndërsa Shqipëria ka treguar të kundërtën. O shqiptarë! Sjellja e qeverisë dhe opozitës sonë krijon shkak të arsyeshëm për panik, në lidhje me deklaratën e Presidentit Biden. Në rrethana të caktuara paniku është reagimi i fundit mbrojtës i qënieve të gjalla. Neni i Kodit Penal që dënon përhapjen e panikut nënkupton panikun e pajustifikuar me rrethanat e faktit siç thuhet në terma juridiko-penale.

Por kur rrethanat e faktit, siç ndodh në këtë rast e justifikojnë panikun, ai është reagimi i fundit mbrojtës që i mbetet popullsisë së vënë në rrezik nga qeveria e saj. Paniku total publiku është forma më e skajshme dhe e dëshpëruar e protestës vetëmbrojtjëse të një shoqërie që nuk ka mjete të tjera vetëmbrojtjeje nga rreziku. Prandaj, unë iu bëj thirrje publike qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që të panikohen pas deklaratës së Presidentit Biden për të shmangur rrezikun! Unë me vetëdije qytetare dhe ligjore po nxit panik publik, si reagim të fundit mbrojtës për rrezikun ekzistencial që i vjen Shqipërisë nga deklarata e Presidentit Biden duke pasur parasysh që qeveria shqiptare pranon çdo kërkesë të SHBA të arsyetuar si detyrim ndaj NATO-s.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...