Home / Opinion / Frika është vrarë në Prekaz

Frika është vrarë në Prekaz

Shkruan:  Afrim Morina
/Analist i pavarur/

Prishtinë 18.08.2021

Adem Jashari me familjen e tij e vrau frikën për kombin në Prekaz! Pse ju “bijtë bastardë të etërve dinakë” (Migjeni) keni frikë sot?! Ka perënduar koha kur Ibrahim Rugova thoshte “prej Nishit, për dy orë, Serbia, na bënë shkrumb e hi!” Nuk ndodhi atëherë, pse frikoheni sot Buzhal e Miren dhe isombajtësit e juaj? Sot, kur kemi një ushtri, sado e vogël në numër, por është zëdhënëse legjitime, e denjë, për të dhënë kushtrim. Sot, kur kemi një Qeveri, e cila nuk ua shtien frikën si dikur “Qeveria në ekzil” Sot, kur shtetet më të fuqishme të botës e njohin Kosovën si shtet. 

Po, keni të drejtë të frikoheni, sepse më nuk po mundeni t’ia bëni argatin Serbisë, për të cilin jeni betuar dikur! Sot, ju është ngushtuar rrethi dhe ngritni duart duke bërë “Amin”, që serbët të sulen kundër shqiptarëve, të pushtojnë tokat tona. Duhet ta dini ju dhe fashistët serbë, se më nuk ka pushtim të pjesërishëm të tokave shqiptare. Sot, flasin luftëtarët e lirisë, që nuk pyesin pushtetin, nëse kalojnë në taborin e armikut, apo e lënë në baltë atdheun, si dikur Ahmet Zogu. Sot, vepron i gjithë kombi, sado që duket se jemi të ndarë ndër vete. Këtë e dinë edhe vuqiçët, vulinët e daqiçët, se një ndërmarrje e tillë nuk do t’i nxjerri humbës shqiptarët, por do t’ua shuaj ëndrrën serbëve përgjithmonë. Sot, e dinë edhe rusët e pansllavët, se në trojet tona mund të ndizet Lufta e Tretë Botërore. Janë të gatshëm për këtë, kushdo prej armiqve tanë?! Jo! Kjo frikë, po e përsërisë edhe njëherë, është vrarë në Prekaz nga Adem Jashari me familjen dhe bashkëluftëtarët e tij. Është vrarë përgjithmonë dhe ai gjak i rënë në altarin e lirisë do ta ngriti në këmbë gjithë ajkën kombëtare.

Ne nuk jemi Afganistani, për dy arsye:

E para, ne jemi në palcën e Evropës dhe një nga nervat kryesore, që lidh truri me gjymtyrët. Këtë na ka mundësuar pozita gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe po të lëndohet kjo palcë, nga cilado palë, pala tjetër do të mundohet ta ruaj veten, të mos rrëzohet;

E dyta, ne jemi këtu që kur zuri fill njeriu në tokë dhe do të jemi gjithnjë këtu. Çdo pushtuesi iu kemi përgjigjur me armët e kohës, derisa janë shporrur, por jemi tradhtuar nga Evropa, për lakmi të fqinjëve tanë, mirëpo, këtë gabim nuk guxon ta bëjë Evropa më, sepse mund të përflaket edhe ajo.

Mençurakët e kombit tonë na e kanë lënë këtë porosi që herët, çka do të thotë kjo pjesë e Ilirisë për gjithë të tjerët, qofshin fqinjë apo edhe të largët. Lakmitarët e pushteteve të dhuruara nga pushtuesit dhe profiterët nga ata, në rrethana pushtimi, e kanë përçmuar shumë mendimin e tyre. Por, ja që sot na hynë në punë dhe gjithë kjo zhurmë “politike” nga të “gjithëdijshmit”, pa ditur edhe realitetin e shtetit afgan, pa ditur edhe realitetin shqiptar, pa ditur edhe realitetin sllav e pansllav, pa ditur edhe pozicionimin e Evropës për ne, mundohen të japin modalitete, se si mund të mbajmë Amerikën këtu. Ata japin alarmin, se nuk duhet shikuar se si, por duhet pranuar ofertën e Beogradit dhe grenelistëve, që të mbretërojë “paqja” me Serbinë. Dikush e bënë me qëllim, se nuk mund të dali jashtë konturave në të cilat ka hyrë para e gjatë luftës me Serbinë, dikush i rekrutuar nëpër “seminare”, dikush nga padituria, e dikush për të rehabilituar paraardhësit. Por, edhe ashtu nuk janë tabor i madh dhe përfilljes për politikën kombëtare.

Disa shkojnë edhe më larg, sa e krahasojnë edhe fitoren e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, në fund të luftës së dytë botërore dhe ikjen e kuislingëve dhe tradhtarëve të Shqipërisë përmes Athinës e Beogradit, të ngjashme me situatën në Afganistan. Tipat si Gjonmarkaj, që mundohet të rehabilitojnë baballarët e vet, janë shumuar ditëve të “demokracisë” në Shqipërinë londineze. Këta marrin guximin edhe të bëjnë krahasime më fitoren e çlirimtarëve, kundër nazizmit e fashizmit dikur dhe talebanëve sot, mirëpo, historia ka dëshmuar se, ata, çlirimtarë ishin të renditur në taborin e fituesit të asaj lufte botërore dhe ne duhet të ndihemi krenar. Këtë krenari na e njeh edhe historia, prandaj më kotë çirren e vajtojnë baballarët e tyre, se ishin në anën e të fortëve të kohës: nazizmit e fashizmit, por ja që koha i nxori të dobët, të mundur e të poshtëruar. Dhe ju lumtë, që ua luani eshtrat në varre dhe ua përkujtoni këtë disfatë, se disa prej tyre, të vrarë gjatë luftës nën emblemën e pushtuesve, nuk e kanë përjetuar. Për fitoren e kësaj ushtrie u gëzua edhe Amerika, edhe Anglia dhe gjithë shtetet liridashëse, ndërsa për talebanët duhet pritur, sepse njëherë për njëherë janë të interesuar për shpëtimin e jetëve të kundërshtarëve të tyre, përveç Turqisë, e cila e barrikadoi kufirin e vet me mur. Ata që e njohin politikën e dinë pse Turqia ka marrë një veprim të tillë! Me mure nuk ndahen kombet, këtë e ka dëshmuar Muri i Berlinit.

Marrëveshja me talebanët nga Presidenti Amerikan dhe tërheqja e trupave ushtarake, ka dhënë për të kuptuar, se ardhja e talebanëve në pushtet është e pashmangshme, por nuk është pritur kaq shpejt të ndodhë. Me çfarë emri do ta quajnë presidentin e tyre afganët, kur më shumë u kujdes për të marrë thesarin shtetëror me vete, se sa të qëndronte deri në fund, krahas bashkëluftëtarëve të tij. Ajo është çështje e tyre. Për te do të flasë historia e tyre. Ndërsa historia jonë e ka ndarë shapin prej sheqeri, lidhur me Ahmet Zogun. Prandaj pushtetarët e tillë nuk duhet mbrojtur!

Në gjithë këtë rrëmujë, ne informohemi vetëm nga një burim propagande, që jemi mësuar, por nuk e dimë edhe anën tjetër të medaljes. Kjo ka ndodhur edhe me ne para, gjatë e pas luftës. Të ndërgjegjshmit, mençurakët, luftëtarët e lirisë, i bëjnë mirë e mirë analizat, japin mendimet e tyre, pa frikë, nga kushdo që vjen.

Morali i dobët i shtynë njerëzit të frikësohen! Morali i dobët i shtynë njerëzit të shfrytëzojnë momente për rehabilitim të vetes dhe paraardhësit e vet. Gjithë kjo bëhet, sa herë të ndodh diçka  në botë, siç është rasti me Afganistanin. Mirëpo, nuk janë të shijshme për ngrënie njësoj, si lëkura e pulës dhe ajo e buallit. Të parën e hamë, me të dytën mbarojmë opinga!

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...