Home / Të ndryshme / DALLIMI NË MES GRUAS SË MIRË DHE GRUAS SË BUKUR

DALLIMI NË MES GRUAS SË MIRË DHE GRUAS SË BUKUR

Beqir Elshani

Romanin e shkrimtares amerikane, Daniele Steel “En god kvinna” (Gruaja e mirë) e kisha lexuar në gjuhën suedeze, para daljes së botimit në gjuhën shqipe, kurse më vonë nga kureshtja e lexova edhe në gjuhën shqipe me titull “Gruaja e bukur”. Ajo çka më shtyn të shkruajë rreth këtij libri, është ndryshimi i titullit të veprës letrare prej anglishtes në gjuhën shqipe. Prandaj titulli i drejtë i librit “A Good Woman” duhet të jetë “Gruaja e mirë”, jo “Gruaja e bukur”, meqë shkrimtarja, Danielle Stel, nuk flet për pamjen estetike, por për cilësitë e mira të gruas së re, Annabelle Worthington. Me pak fjalë, ngjarja e romanit nis pas përmbysjes së anijes “Titanik” në oqeanin Atlantik, në të cilën babai dhe vëllai i protagonistes (Anabele) mbyten, kurse pas kësaj fatkeqësie i vdes edhe nëna.

Ndërkohë që burri i saj në mënyrë të turpshme e braktis, Anabele, përndryshe mjeke e mirë, detyrohet të shkojë në Francë, pikërisht në zjarrin e luftës, për t’u kujdesur për të plagosurit, mirëpo edhe atje e ndjekin fatkeqësitë e njëjta. Prandaj dallimi në mes gruas së bukur dhe gruas së mirë është si nata me ditën, meqë në roman nuk flitet për pamjen estetike, por për cilësitë e mira të gruas. Kur dikush dëshiron të di për aftësinë e mjekes, nuk pyet nëse ajo është e bukur për nga dukja, por nëse është mjeke e mirë për nga puna, do të thotë të jetë e zonja për mjekim, meqë në qendrat mjekësore nuk flitet për mjeke të bukura, por vetëm për mjeke të mira, të zonja, të vyeshme, vetëmohuese, të cilat i përmbahen etikës mjekësore për shërimin dhe shpëtimin e jetës së njerëzve. Mirësia është universale që e zë vendin e merituar në art, në letërsi dhe në kulturën e njerëzimit, kurse bukuria ka edhe anën vetjake, për të cilën populli thotë se nuk është e mirë çdo gjë e bukur dhe e ndritshme; sepse pamja të gënjen. Duhet pasur parasysh këshillën filozofike të Sokratit, i cili thotë “Nëse merr grua të mirë, bëhesh i lumtur, nëse merr të keqe, bëhesh filozof“, qe konkretisht flitet për mirësinë e gruas, jo për bukurinë e gruas. E njëjta gjë ndodh edhe me veprën e shkrimtarit gjerman, Gunter Gras, veprën e tij “Daullja e llamarintë” (Die Blechtrommel), disa gazetarë e quajnë “Daullja e llamarinës” ose “Daullja prej teneqeje”. Përkthyesit e letërsisë së huaj duhet të kenë kujdes me titujt e librave, sepse kanë rëndësi të madhe për bibliotekën dhe lexuesit. Po të mos e kisha lexuar veprën suedisht, “En god kvinna” (Gruaja e mirë), e cila me të njëjtin titull është botuar kroatisht “Dobra žena” dhe rusisht “Xорошая женщина” me përkthim të natyrshëm të Danielle Stelit, do të mendoja se flitet për ndonjë femër të bukur, siç janë aktoret e teatrit e të filmit, mirëpo shkrimtarja flet për një grua të mirë që gjendet në mesin e të plagosurve. Padyshim që mjekja ishte e bukur, mirëpo autorja flet vetëm për anën parimore të saj si grua të ngritur intelektuale duke vlerësuar punën e saj, jo dukjen estetike. Prandaj Anabela si grua e mirë që ishte nuk e braktisi fëmijën që kishte lindur nga dhunimi i një oficeri francez, por e mbajti dhe e rriti. Ky veprim i ndërrimit të titujve nuk është aspak i drejtë, sepse krijon huti tek lexuesit, që për nga kuptimi kanë dallime. Prandaj sapo lexuesi lexon veprën do të kuptojë se në libër nuk flitet për gruan e bukur, por për gruan me virtyte të larta e të sjellshme. Konkretisht flitet për gruan e mirë, ashtu siç flitet për një burrë të mirë. Pikërisht një vepër e tillë letrare është “Njeriu i mirë” i shkrimtarit tonë, Dritëro Agolli, i cili po ashtu shkruan për mirësinë e njeriut. Vlera e gruas nuk çmohet te bukuria, por te mirësia e saj, që është një veti ngjashëm si te burri i mirë, por jo i bukur, sepse kur një grua apo një burrë ndihmon tjetrin, ai/ajo nuk është i/e bukur, por zemërmirë. Duket qartë që përkthyesja e ka ndryshuar titullin e librit, me një titull që aspak nuk përputhet me përmbajtjen e romanit.

Sipas FGjSh gruaja e mirë dhe gruaja e bukur kanë dallime: e para është mbiemër që flitet për tipare të çmueshme e të pëlqyeshme, që ka cilësi të duhura e të njerëzishme; e dyta ka të bëjë me vetinë objektive e sendeve dhe dukurive, që janë të zhvilluara në mënyrë të harmonishme e të përkryera në llojin e tyre. Pikërisht në bibliotekë gjenden libra të mirë e të frytshëm, që gjithashtu i huazojnë lexuesit e mirë. Prandaj dallimi në mes së bukurës dhe së mirës është se e mira ka nevojë për prova, kurse e bukura jo, thotë Volteri. Derisa te gruaja e mirë na tërheq qëndrimi i sjellshëm, te gruaja e bukur na tërheq pamja e saj në fytyrë apo në trupin e saj të bukur, vija karakteristike që bien në sy, por që nuk mund të jetë e mirë, ashtu siç nuk ka rëndësi nëse gruaja e mirë është e bukur apo jo, por dallon sjellja e saj e mirë ndaj rrethit familjar e shoqëror. Gjithashtu dallimi në mes fjalisë “grua jo e mirë” dhe “grua jo e bukur” është se në rastin e parë flitet për karakterin jo të mirë të gruas, kurse në rastin e dytë flitet për anën pamore jo të bukur të gruas. Cilado grua që sillet mirë në mesin shoqëror, thuhet grua e mirë, prandaj e para “grua jo e mirë” është më e ndjeshme në krahasim me gruan jo të bukur. Ashtu siç ka djem të mirë e vajza të mira, ka edhe djem të bukur e vajza të bukura, por edhe me dy cilësi të mira. Veçori tjetër karakteristike është se gruaja apo burri sado të shëmtuar të jenë, megjithatë mund të kenë sy të bukur. P.sh. shoferja e autobusit mund të jetë e mirë, sepse sillet mirë me udhëtarët, dhe jo shofere e bukur. Pastaj gruaja mund të jetë e bukur, mirëpo mund të jetë edhe përtace, gjithashtu mund të jetë shofere e bukur, por mendjemadhe, në dallim me gruan e mirë dhe shoferen e mirë që kanë sjellje të mirë, që me të drejtë quhen zemërmirë. Vlen të përmendet fjala e urtë angleze, e cila thotë: “Mirësia vlen më shumë se bukuria”, kurse Bukuria është vetëm në sipërfaqe”, prandaj këtu çmohet mirësia, jo bukuria e gruas. Konkretisht, në konkursin për pranimin e punëtorëve të rinj nuk pranohen kandidatet e bukura, por kandidatet e zonja, të ngritura dhe të vyeshme, kurse femrat e bukura marrin pjesë vetëm në misin vendor ose ndërkombëtar. Në anën tjetër, djemtë dhe vajzat mund të jenë me të gjitha cilësitë e dalluara: të jenë të mirë, të bukur dhe të ndershëm.

Gjithashtu dallimi në mes katundit të mirë dhe katundit të bukur është i madh, derisa i pari ka të bëj me njerëz të mirë e bujarë që kanë marrëdhënie të mira dhe që e nderojnë mikun, i dyti ka të bëj vetëm me ndërtimin e harmonishëm të shtëpive të bukura dhe rregullimin kopshteve me pemë e me të gjitha të mirat, me çezme e me udhë të hapura etj. Rast konkret është nusja kur hyn në shtëpi të dhëndrit është e bukur, por jo e mirë, sepse për sjellje të mirë e të vyeshme duhen prova një kohë të gjatë, prej nga nusja mund të jetë e bukur si dielli që shkëlqen, por jo e mirë si dielli. Prandaj populli thotë se më mirë është të zgjidhet gruaja me vesh, se me sy. Për nderimin e mësueses së dalluar në shkollë nuk thuhet “mësuese e bukur”, por “mësuese e mirë”, meqë e para ka të bëj me pamjen e bukur të mësueses, por që mund të jetë një kompliment, në dallim me mësuesen e mirë që ka të bëj me sjelljen dhe punën e saj pedagogjike që është më e vlefshme dhe më njerëzore. Gjithashtu e shpallja e studentes më të mirë dhe më të bukur në universitet kanë dallime si dita me natën, e para ka të bëjë me suksesin në studime, e dyta për bukurinë estetike. Bukuria ka edhe anën psikologjike, kur edukatori dhe edukatorja janë të mirë, atëherë fëmijët parashkollorë thonë që janë të bukur, përkundrazi po të jenë të ashpër, nuk thonë që janë të bukur.

Përshkrimi i pesonazhes

Pastaj protagonistja Kozeta në romanit ”Kozeta” të Viktor Hygos nuk është vajzë e bukur, por është e këndshme. Prandaj në shkollë nuk ka mësues/e dhe nxënës/e të bukur/a, por mësues/e dhe nxënës/e të mirë. E njëjta gjë vlen edhe për vlerësimin e klasës më të mirë për nga suksesi, mirëpo nëse flitet për klasën më të bukur, atëherë ka të bëjë për arkitekturën e brendshme të klasës. Nëse në shembullin e fjalisë “Dy vajza të bukura pozojnë para veturës Mustang” në vend të fjalës “të bukura” do të shënonim “të mira”, atëherë nuk do të ishte aspak etike, meqë vajzat e bukura e kanë vendin në reklama, kurse të mirat në veprimtarinë punuese. Duhet pasur parasysh se e kundërta e fjalës “e mirë” është “e keqe”, kurse e kundërta e fjalës “e bukur” është “e shëmtuar”. Mirësia vazhdimisht e ka vendin e merituar në art dhe në kulturën e njerëzimit, kurse bukuria ka edhe anën vetjake, për të cilën Shekspiri i madh thotë: “Bukuria i tërheq vjedhësit më tepër se ari”.

Në vazhdim, në librin tjetër të shkrimtares amerikane, Danielle Stil “Vajza e madhe”, në të cilin flitet për Viktorinë, e cila në karrierën e saj rinoshe ka probleme me mbipeshë dhe është e trashë, kështu shkruan në librin origjinal anglisht “Big girl”, kurse përkthyesja e paraqet si vajzë të shëndoshë. Prandaj dallimi në mes vajzës së shëndoshë e të trashë apo mbipeshë është dukshëm i madh, me që anglisht shkruan “weight”. Kuptohet që sipas shembullit të fjalisë anglisht dëshpërimi i vajzës “I’m overweight, I’m not as pretty as my sister”, duhet të përkthehet drejt “Jam mbipeshë, nuk jam e bukur si motra ime”, dhe jo “Jam e shëndoshë, nuk jam e bukur si motra ime“, pastaj në fjalinë tjetër del sikur vajza ankohet pse është e shëndoshë, që është jashtë logjikës, meqë bëhet fjalë për mbipeshën e saj fiziologjike. Kjo formë e strukturës së fjalisë krijon huti te lexuesi, prandaj nuk duhet shkruar “Asnjë s’ka për të më dashur, për sa kohë jam e shëndoshë” (No one is going to love me if I’m thick”, she said glumly), sepse askush nuk ankohet për shëndetin e mirë, por duhet të jetë “Asnjë s’ka për të më dashur, për sa kohë jam e trashë”, meqë ajo ankohet për mbipeshën e saj. Dallimi në mes fjalës “shëndoshë” dhe “trashë” është se e para do të thotë njeriu që ka shëndet të plotë dhe që nuk vuan nga ndonjë sëmundje, kurse e dyta do të thotë njeriu që i kapërcen përmasat dhe vëllimin e trupit. Pastaj shembulli i fjalisë: “Someone who loves you will love you fat, thin, or any” (Ai që të do, do të dojë njëlloj, edhe sikur të jesh e shëndoshë, e dobët apo në çfarëdo lloje forme), duhet të shkruhet: “Ai që të do, do të dojë njëlloj, edhe sikur të jesh e trashë, e hollë apo në çfarëdo forme”. Pikërisht shtypit suedez “Metro” (26.08.2015) shkruante për një vajzë 19 vjeçare, e cila për shkak të trashjes me peshë prej 57 kg kishte humbur punën modeliste “Agnes, för tjock för att få jobb” (Agnes shumë e trashë për të siguruar punë) në të cilën fjala “tjock” domethënë (i,e) trashë, jo (i,e) shëndoshë. Tekembramja ka raste kur mbiemri “i, e shëndoshë” përdoret me ironi për njerëzit që janë të trashë e mbipeshë.

Me një libër për të rinj ”Këmbëngul të jesh vetvetja” të autores Al Deseta, përkthyer nga Ermira Rrapushi, sipas titullit të skicës ”Si t’i trajtosh njerëzit e shëndoshë” duket se flitet për njerëzit e shëndoshë, kurse në tekst flitet mbi paragjykimin e të rinjve për nxënësen me mbipeshë. Nxënësja tregon se është 18 vjeçe dhe peshon më shumë se 90 kg, e cila ankohet se si gjatë gjithë jetës ka pasur probleme me peshën. Përkundrazi sipas titullit anglisht “How to treat overweight people” në libër flitet për vajzën e trashë me mbipeshë, jo për vajzën e shëndoshë. Duhet pasur kujdes në etikën shkollore, sepse e kundërta e fjalës ”e trashë” është ”e hollë”, kurse kundërta e fjalës ”e shëndoshë” është ”e sëmurë”, prandaj vetë ngurrimi i përkthyeses del paragjykim ndaj të rinjve, kur dihet që pesha mesatare e nxënëses 18 vjeçare është rreth 50-60 kg, prandaj ajo shqetësohet. Dihet, askush nuk ankohet, as nuk qanë për trupin e shëndoshë me përmasa të zakonshme, por ankohen për mbipeshën e tyre. Gabimi i njëjtë është përsëritur edhe në faqen 153, në të cilën lexuesi mund ta marrë për shprehje ironike, ndërkohë që shprehja “e shëndoshë” nuk përputhet me shprehjen “e shëmtuar”, meqë i shëndoshi nuk është i shëmtuar, por flitet për vajzën e cila ankohet për problemet e trashjes së shëmtuar: “…Merediti ishte e shëndoshë dhe e shëmtuar”. Prandaj duhet shkruar me logjikë: “…Merediti ishte e trashë dhe e shëmtuar”. Duket sikur përkthyesja ngurron të shkruajë rrjedhshëm, ashtu siç e ka shkruar autorja e librit anglisht. Duhet pasur parasysh se mbiemri “(i,e) shëndoshë” me mbiemrin “(i,e) trashë” kanë dallime si nata me ditën, sepse njerëzit e shëndoshë nuk ankohen për shëndetin e tyre, përkundrazi njerëzit e trashë me mbipeshë dëshirojnë të dobësohen, njëkohësisht bëjnë përpjekje të mëdha për të zvogëluar peshën e trupit. Interesante, ndërkohë që mjekët deklarojnë se trashja apo dhjami është depozitë vdekjeprurëse, shtypi nguron të përmendë trashjen dhe vdekjen.

Shpeshherë përkthimi i fjalës konkrete shtrembërohet, psh. në Fjalorin suedisht-shqip fjala fet dhe tjock është përkthyer gabimisht: en fet dierektör: një drejtor i shëndoshë; en fet cigarr: një cigare e trashë, në vend se të përkthehet “drejtori i trashë”, pasi që nuk flitet për drejtorin e shëndoshë, por për drejtorin e trashë, ashtu siç flitet për cigaren e trashë. Parashtrohet pyetja, nëse përkthyesi ngurron që fjalën konkrete “en fet (tjock) direktör” shqip ta bëjë të trashë, atëherë si do ta nxjerrë fjalën “en dumskalle” që shqip del “kokëtrashë”. Duket qartë se fjala shqipe “drejtori i shëndoshë” suedisht përkthehet “en frisk direktör”. Ngurrim të ngjashëm bëjnë edhe faqet elektronike shqiptare, nëse qytetari në kompaninë e të dhënave “google” shënon togfjalëshin anglisht “a healthy women” paraqiten gra të shëndosha, nëse shënon “a thick women” paraqiten gra të trasha. Mirëpo kjo nuk ndodh në google shqip, sepse me shënimin e togfjalëshit “gra të shëndosha”, në instagram paraqiten foto të përziera me gra të trasha dhe të shëndosha. Prandaj derisa në lajmin bazë anglisht flitet për gra dhe burra të trashë, në lajmin e përkthyer shqip flitet për gra dhe burra të shëndoshë, kur dihet që dallimi në mes njeriut të trashë dhe të shëndoshë është si nata me ditën. Kjo tregon mungesën e kulturës së të shprehurit në gjuhën shqipe. Duhet pasur parasysh se polici nuk pyet nëse hajduti në arrati është i hollë apo i shëndoshë, por nëse është i hollë apo i trashë.

Me një faqe të shtypit shkruante për të ëmën që është më e shëndosh se bija. Prandaj edhe këtu e ëma mund të jetë më e trashë se bija, por jo më e shëndoshë se bija, meqë të dyja janë të shëndosha. Tekembramja, edhe burri apo gruaja, djaloshi apo vajza, fëmija apo foshnja ka kufirin kur thuhet se ai apo ajo është i, e shëndoshë, sepse kur pesha e trupit e tejkalon mesataren, atëherë njerëzit nuk thonë qenka i, e shëndoshë, por i, e trashë, sepse përshtypja “i, e shëndoshë”, është shprehje ironike që edhe mjedisi e merr për tallje. Nëse shkruesit nuk dinë se çka do të thotë fjala ”i, e shëndoshë”, të shikojnë FGjSh, aty shkruan se mbiemri (i, e) shëndoshë do të thotë njeri, kafshë apo organizëm i tyre që gëzon shëndet të plotë, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje, që është i fortë nga trupi. Pikërisht ndonjë kokërr molle, dardhe apo pjeshke mund të jenë të mëdha për nga madhësia, por jo të shëndosha nëse janë me krimba. Prandaj kudo që përdoret ky mbiemër, ka tipare të mira dhe përparimtare, kundër së keqes, sëmundjes dhe të shëmtimit: burrë ose grua i (e) shëndoshë; arsim i shëndoshë; traditë e shëndoshë; brumë i shëndoshë; molla të shëndosha etj. Suedi, 2 maj 2015

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...