Home / Të ndryshme / DALLIMI NË MES NJERIUT TË SHËNDOSHË DHE NJERIUT TË TRASHË

DALLIMI NË MES NJERIUT TË SHËNDOSHË DHE NJERIUT TË TRASHË

Beqir Elshani

Në lajmin e ditës për vdekjen e një gruaje të trashë në Britaninë e Madhe, me anën e shtypit shqiptar u pa se gazetari ishte i dobët: si në fushën e kulturës së gjuhës, ashtu edhe në traditën kombëtare, i cili shkroi ”Ka ndërruar jetë në spital gruaja më e shëndoshë në Britaninë e Madhe”. Me keqardhje them se këtë lajm e kisha lexuar anglisht, të cilin e kuptova më mirë se në gjuhën amtare: ”Vdes në spital gruaja më e trashë në Britaninë e Madhe”, kështu shkruante anglisht, përndryshe po të ishte gruaja e shëndoshë, nuk do të shtrihej në spital. Jo vetëm që anglisht shkruante për vdekjen e gruas së trashë, por vetë paraqitja e fotografisë tregonte se ngjarja flitet për gruan e trashë – jo për gruan e shëndoshë. Në lajmin tjetër anglisht shtypi shqiptar Keith Martinin e quan burrin më të shëndoshë në botë, ndërkaq ky lajmi anglisht shkruante: “World’s Fattest Man Keith Martin” (Burri më i trashë në botë…). Po ashtu në shembullin e lajmit “burri më i shëndoshë në botë me 444 kilogramë, tashmë ka rënë rreth 300 kg”, prapëseprapë burri nuk është i shëndoshë, por i trashë, mbipesha e të cilit me anën e operimit ka rënë më poshtë. Prandaj nëse është fjala për ndonjë burrë apo grua me mbipeshë, atëherë duhet të shkruhet … i, (e) trashë. Si mund të thuhet për njeriun e trashë i shëndoshë, kur për të duhet të kujdesen të tjerët, qoftë për ushqim, qoftë në veshmbathje. Duhet pasur kujdes, sepse burri apo gruaja që kalon mbi 200 kg mbipeshë, sipas shkencës fiziologjike nuk mund të jetë më i madh apo më i shëndoshë në botë, por vetëm më i trashë, i cili nuk është i aftë të kujdeset për trupin e vet. Në anën tjetër, mbiemri “i shëndoshë” ka fjalën e kundërt “i sëmurë”, kurse mbiemrat “i hollë” ka fjalën e kundërt “i trashë”, “i ftohtë – i nxehtë”, “i gjatë – i shkurtër”, “i madh – i vogël” etj. Ngjashëm ndodh edhe me lajmin e përkthyer prej suedishtes: “Svenska folket blir allt fetare” (Njerëzit suedezë bëhen më të trashë), të cilën përkthyesi shqiptar e shtrembëron strukturën e fjalisë ”Njerëzit suedezë bëhen më të shëndoshë”, prandaj kjo e fundit aspak nuk është etike. Në këtë rast, gruaja ruse, Svetlana Pankratova, është më e gjatë apo më e madhe në botë, e cila mesataren e trupit e ka të barabartë me peshën e trupit dhe si e tillë ka hyrë në librin e rekordeve Guinness. Prandaj rusja e gjatë dhe e madhe është e shëndoshë dhe simpatike (në dallim me të trashët), sepse mund të veprojë e të punojë.

Është për të ardhur keq vdekja e papritur e qytetarit meksikan, megjithatë lajmi duhet shkruar sipas gjendjes së tij shëndetësore, jo “Vdes burri më i shëndoshë në botë”, por “Vdes burri më i trashë në botë”. Me anën e shpalljes së këtij lajmi, do të thotë sikur gjuha shqipe është e varfër dhe i mungon përcaktori (i, e) trashë. Vetë redaksia duhet kuptuar se qytetari 48 vjeçar nuk ka vdekur për shkak se ka qenë më i shëndoshë, por për shkak se ka qenë më i trashë, konkretisht më i sëmurë. Dihet që njeriu i shëndoshë është i fortë dhe nuk shkon te mjeku, as nuk e kërkon ndihmën e tjetrit, gjithashtu edhe nuk qëndron pa lëvizur një kohë të gjatë në shtrat. Pikërisht meksikani, Manuel Uribe, si njeri i trashë me peshë më të madhe në botë 597 kilogramësh ka hyrë në librin e rekordit botëror, dhe jo si njeri më i shëndoshë, sepse nuk mbahet rekordi për njeriun më të shëndoshë në botë. Prandaj fatkeqi meksikan me peshën e madhe të trupit nuk ishte i shëndoshë, as i fortë, as i lumtur nuk ishte, por i sëmurë e i brengosur. Të afërmit e tij nuk ishin të shqetësuar pse i biri i tyre jetonte, por sepse vuante prej trashjes – peshës shumë të madhe dhe jetën e kishte në rrezik. Parashtrohet pyetja, si mund të jetë meksikani i shëndoshë, kur shtatë persona e kanë ngritur në shtrat?! Duket qartë se po të ishte meksikani i shëndoshë, nuk do të mbetej i shtrirë në shtratin e tij të madh, por do të merrej me aktivitete fizike. Për rastin e vdekjes së meksikanit të trashë u mor mbarë shtypi botëror, prandaj në shtypin amerikan nuk shkruante se në botë numri i njerëzve të shëndoshë shkon duke u shtuar, por numri i njerëzve të trashë shkon duke u shtuar. Është për t’u habitur se si shtypi shqiptar ngurron për të përshkruar gjendjen fizike të qytetarit me mbipeshë. Këtë e vërteton lajmi tjetër i shoferit me mbipeshë, ndonëse me peshë më të ultë se meksikani, me vështirësi hynte dhe dilte prej automobilit. Prandaj kategoria e tij nuk mund të quhet shofer i shëndoshë, por shofer i trashë. Duhet pasur parasysh se kur njeriu e tejkalon mesataren e peshës së trupit nuk është i shëndoshë, por i trashë. Fjalët i shëndoshë dhe i trashë kanë edhe fjalën me kuptim të kundërt (antonimin): i shëndoshë – i sëmurë dhe i trashë – i hollë, prandaj kurrsesi nuk bën të ngatërrohen. Në anën tjetër, nëse gazetari e ka shkruar me ironi “Vdes meksikani më i shëndoshë”, atëherë ka lënduar familjen e të ndjerit, që do të thotë sikur i ndjeri ka qenë më i shëndoshë se të tjerët që jetojnë. Pastaj kur personeli policor vesh rrobat me pajisje policore, nuk shëndoshen me rroba, por trashen.

Në vazhdim “Kompania e fluturimeve mund të refuzojë të udhëtosh me aeroplan pasi je tepër i shëndoshë”, kështu shkruante në lajmin elektronik për kompaninë “British Airways”, që nuk ka pranuar rikthimin e familjes franceze nga ShBA-të në Francë, pasi 27-vjeçari peshonte 230 kilogramë. Duket qartë që ky lajm është përkthyer prej anglishtes, në të cilin shkruante për njeriun e trashë, jo tepër të shëndoshë. Dallimi në mes refuzimit të udhëtarit të shëndoshë dhe udhëtarit të trashë është i madh, kur dihet se të gjithë udhëtarët e shëndoshë kanë udhëtuar me aeroplan, me përjashtim të një udhëtari të trashë. Në lajmet ditore të shtypit “Do të bëhet gruaja më e shëndoshë…” dhe “Mamaja dëshiron të bëhet gruaja më e shëndoshë…”, por edhe “E la gruan se ishte e shëndoshë” pastaj “Njihuni me njeriun më të shëndoshë në botë” janë lajme ironike, sepse fjala (i, e) shëndoshë është përdorur në vend të fjalës së natyrshme (i, e) trashë. Me një foto në faqen e shtypit duken disa njerëz të trashë, në të cilën shkruante: “Këta janë njerëzit më të shëndoshë në botë”, mirëpo një fëmijë sapo i pa në fotografi, klithi: “Sa të trashë qenkan…”, që të kujton përrallën e “Mbretit lakuriq” të Hans K. Andersenit. Ngjashëm edhe deklarimi sipas filmit televiziv ‘Arratia e prindërve’ kur bashkëshorti gruas së tij shtatzëne i thotë: “I love you even if you get so fat” (Të dua edhe nëse trashesh shumë), shqip është ketrajtuar “Të dua edhe nëse shëndoshesh shumë”. Duket qartë, dallimi në mes shëndoshjes dhe trashjes është si nata me ditën, prandaj përkthyesi nuk duhet ngurruar për ta konkretizuar shprehjen sipas origjinalit.

Me një lajm tjetër në shtyp shkruan “Martohet me kuzhinierin që të bëhet më e shëndoshë”, me anën e së cilës duket sikur femra është e dobët apo vuan nga ndonjë sëmundje, prandaj dëshiron të martohet që të bëhet e shëndetshme, edhe pse synimi i saj është të përfshihet në mesin e femrave të trasha. Duhet pasur parasysh se sharrëxhinjtë që prenë dhe bartin lisa të mëdhenj e të rëndë në pyje malore thuhet që janë të trashë e të fuqishëm, por jo të shëndoshë e të fuqishëm, sepse i shëndoshë është edhe shefi i ekipit punues, por nuk është i trashë e i fuqishëm sikur punëtorët e tij. Ja si e përshkruan rrjedhshëm shkrimtari rus, N.V. Gogol, në romanin ”Frymë të vdekura”, përkthyer nga Dhimitër Pasko: “Në karrocë rrinte një zotëri as i bukur, po as i shëmtuar në të pamë, as shumë i trashë, as shumë i hollë; s’mundet të thuash se ishte plak, po as shumë i ri”. Lajmi në faqet elektronike “Nëse konsumoni ushqim pas orës 18:00, shanset për t’u shëndoshur janë të larta” nuk është etik, sepse flitet për mbrojtjen e trupit nga mbipesha, jo nga shëndeti, prandaj duhet shkruar “…shanset për t’u trashur janë të larta”, pasi që subjekt i studimit është mbrojte nga trashja e trupit.

Në librin “555 kuriozitete” të Jorgaq Perikas në fq. 130 shkruan: “Në vitin 1948, në një lokalitet të vogël të Spanjës, u zhvillua një ndeshje futbolli midis të dobëtëve, që peshonin jo më shumë se 55 kg dhe të shëndoshëve që peshonin mbi 100 kg. Natyrisht që fituan më të dobëtit 3 me 1”. Duhet pasur kujdes se sipas lajmit kureshtar flitet për ekipin me lojtarë të trashë ose mbipeshë, jo për lojtarë të shëndoshë, sepse të dy palët janë të shëndoshë. Vetë fakti tregon se po të ishin të parët të dobët, nuk do të mund të luanin, jo më të fitonin ndeshjen. Të “ndjeshmit” kanë ndërhyrë edhe në filmat artistikë, në të cilën, aktorja anglisht thotë “I am little thick”, (Jam pak e trashë), kurse teksti shqip del “Jam pak e shëndoshë”. Gjithashtu nuk do të ishte aspak etike po të thuhet se nëna është më e shëndoshë se bija, në vend se të thuhet qartë “e ëma është më e trashë se e bija”, meqë të dyja janë të shëndosha. Po të parashtrohet pyetja se cili prej dy të trashëve është më i shëndoshë, kuptohet që ata do të ndjehen të fyer, sepse ka kuptim shëndetësor se cili prej tyre është më e sëmurë, kur dihet që të dyja janë të shëndoshë si molla, në krahasim me pyetjen e logjikshme se cila prej tyre është më e trashë, që është një pyetje arsyeshme për mbipeshën e tyre dhe që mund të hiqet me anën e gjimnastikës. Shpeshherë shtypi botëror shkruan për problemet e trashjes së fëmijëve në shkollë, prandaj nuk shkruhet me eufemizëm “fëmijët po shëndoshen”, por “fëmijët po trashen”. Pikërisht në fjalorin suedisht-shqip mbiemri tjock shqip përkthehet: (i,e) trashë, i gjerë, topolak, i plotë, i mbushur dhe i ngjeshur; kurse fjala suedeze “frisk” përkthehet (i,e) shëndoshë, i fortë dhe i fuqishëm. Çka do të thotë se sinonimi i mbiemrit (i,e) shëndoshë në vend të mbiemrit (i,e) trashë në fjalorin suedez nuk përmendet. Shtypi shqiptar duhet pasur kujdes me paraqitjen e lajmit sipas Fjalorit Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe, me anën e së cilës bëhet edukimi i lexuesve, në mënyrë që të bëjnë dallimin në mes njeriut të trashë dhe të shëndoshë, sepse mbiemri (i,e) trashë ka të bëjë me njerëzit mbipeshë, kurse mbiemri (i,e) shëndoshë është me kuptim më të gjerë që flitet për njerëzit e shëndoshë, të fortë e të fuqishëm. Pastaj dallimi në mes fjalisë “Lopët janë të trasha sikur elefantët” dhe “Lopët janë të shëndosha sikur elefantët” është se në të parën flitet për trashjen e lopëve, ndërsa në të dytën flitet për shëndetin e lopëve.

Ngurrim për shqiptimin e fjalës së qartë

Ka një kohë të gjatë që redaksitë e lajmeve ditore po e keqpërdorin Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe, në vend të fjalës së natyrshme, përdorin, shprehjen zbutëse (eufemizmin) që bie në kundërshtim me rregullat e gjuhës letrare shqipe dhe etikën kombëtare. Dallimi në mes të deklarimit të qytetarit “jam më i trashë se vitin e kaluar” dhe “jam më i shëndoshë se vitin e kaluar”, është se e para ka të bëjë me gjendjen e tij fiziologjike, kurse e dyta ka të bëjë me gjendjen e tij shëndetësore, meqë qytetari mund të jetë i trashë, por me shëndet të mirë. Prandaj kur njeriu e tejkalon peshën mesatare 90 kilogramësh dhe për femra 70 kilogramësh, ai ose ajo shqetësohet, ndaj nuk mund të thuhet se është i/e shëndoshë, jo më mbi 200 kilogramë. Në dokumentarin televiziv, një qytetare qante prej dëshpërimit kur mori vesh që pesha e trupit të saj ishte rritur dukshëm. Si zakonisht lajmin e vdekjes së meksikanit shtypi shqiptar e ka marrë prej burimit të anglishtes, që natyrshëm shkruante “Dies Manuel Uribe thick in the world“ (Vdes Manuel Uribe më i trashë në botë), në shtypin frëng: “Manuel, l’ancien homme le plus gros du monde, est mort“ (Vdes ish-njeriu më i trashë në botë), gjithashtu në shtypin suedez shkruante: “Världens fetaste man är död” (Vdes njeriu më i trashë në botë). Po të shkruante ndonjë gazetë suedeze me përzierje fjalësh në vend të fjalës së duhur, do të dënohej nga gjykata për shkeljen e rregullave të gjuhës letrare suedeze. Prandaj këshillohet që redaksitë shqiptare titullin dhe tekstin e lajmit ta shkruajnë drejt, kuptueshëm dhe me etikë: “Vdes njeriu më i trashë në botë”, sepse dëmtohet gjuha letrare shqipe dhe kultura e të shprehurit te lexuesit e rinj shqiptarë.

Në vazhdim shkruante se trashja shton rrezikun për vdekje të parakohshme të njerëzve, të cilët më së shumti gjenden në dhjetë vende të ndryshme të botës. Gjithashtu flitet për shtimin e trashjes së fëmijëve mbi peshën mesatare të trupit, jo për shtimin e fëmijëve të shëndoshë. Prandaj nëse shtypi shqiptar shkruan se shtohet numri i fëmijëve të shëndoshë, atëherë është lajm ironik, për të cilën duhet shkruar me etikë “Shtohet numri i fëmijëve të trashë me mbipeshë”. Nëse fëmija është mbi peshën mesatare, mjeku i fëmijëve (pediatri) nuk i thotë nënës që fëmija është i shëndoshë, por “fëmija është i trashë”, prandaj e këshillon për zvogëlimin e peshës. Gjithashtu nuk do të ishte aspak etike po të thuhet se njeri prej tre-katër personave është më i shëndoshë, që do të thotë se të tjerët janë me pasoja, por duhet të thuhet se njëri prej tyre është më i trashë dhe asgjë të keqe nuk ka. Në qytet mund të shihen me dhjetëra qytetarë me mbipeshë, megjithatë nuk quhen të shëndoshë, por të trashë, me që të gjithë qytetarët pa dallime fiziologjike janë të shëndoshë. Mbase me anën e përdorimit të shprehjes i/e “shëndoshë” njeriu mundohet të zbutë ndikimin ndaj personit me mbipeshë, i cili nga keqardhja nuk mund të thotë që është i/e trashë, sidomos të rinjtë ndaj njëri-tjetrit, mirëpo kjo nuk duhet të ndodhë në lajmin ditor. Në anën tjetër do të thotë që shtypi duke mos pasur guxim të theksojë fjalët konkrete “i,e trashë, dhe “vdes”, përdorë shprehjen zbutëse “shëndoshë” dhe “ndërroi jetë”.

Gjithashtu një grua 30-vjeçare që peshonte 140 kilogramë, që do të thotë dyfish më shumë, nuk mund të quhet e shëndoshë, por e trashë. Ajo ka ushtruar një kohë të gjatë, njëkohësisht edhe i është nënshtruar operacionit kirurgjik për heqjen e tepricës së dhjamit në trup, domethënë një të dytën së peshës. Mirëpo, për çudinë më të madhe, shtypi ngurron që gruan 30-vjeçare ta quaj të trashë. Prandaj me deklaratën e saj: “Nuk doja ta shihja veten aq të shëndoshë”, bie në kundërshtim me arsyen dhe etikën, sepse gruaja e re nuk ankohet për shëndetin e saj të mirë, por për mbipeshën e saj, domethënë trashjen e saj. Pastaj, ajo, me anën e ushtrimeve nuk kërkon të humbë shëndetin, por kërkon të heqë gjysmën peshës së saj. Sidomos në Suedi shumë të rinj ankohen për trashjen dhe problemin e peshës, jo për shëndoshjen e tyre, prandaj prej fizioterapeutëve kërkojnë këshilla për dobësim. Nuk ka asnjë dyshim që në lajmin anglisht flitet për gruan e trashë 140 kg, jo për gruan e shëndoshë. Pikërisht në televizionin suedez një gazetare e re pa ngurrim fliste për trashjen e saj, ndërkohë fliste edhe për shëndetin e mirë të saj. Një grua tjetër me mbipeshë tregoi se vitin e kaluar ka qenë e trashë, kurse tani falë ushtrimeve është dobësuar. Duke shikuar filmin nostalgjik “Odisea”, hasa një përkthim të shtrembëruar: “Je shumë i shëndoshë Leokos për të përkulur harkun”. Duket qartë që përkthimi vjen prej anglishtes “You’re too thick Leochos to bend the bow“, shqip: “Je shumë i trashë Leokos për të përkulur harkun”. Prandaj shembulli i fjalisë duhet përkthyer “shumë i trashë”, sepse të gjithë të pranishmit në kështjellën e Itakës janë të shëndoshë. Prandaj, nuk është turp që njeriut të trashë t’i thuhet i trashë. Nëse dikush ka këmbë të trasha, e disa të holla, nuk thuhet ”ka këmbë të shëndosha”, sepse edhe njëri edhe tjetri kanë këmbë të shëndosha. Prandaj sipas romanit të Gogolit Bubulina trime i kishte këmbët e trasha, jo të shëndosha. Padyshim që edhe shkrimi mjekësor me titull “Tiroidja, shkak i shëndoshjes dhe lodhjes” është përkthyer prej anglishtes ”Thyroid, cause of weight and fatigue”, në të cilën flitet për peshën e trupit, jo për shëndoshjen, meqë fjala angleze “weight” domethënë “peshë”, kurrsesi shëndoshje. Që fjala angleze “weight” domethënë “peshë, e dinë edhe filloristët shqiptarë, prandaj shtypi nuk duhet t’i ngatërrojë. Shembulli i reklamës ”Moda për femrat e shëndosha” është përkthyer gabimisht prej anglishtes “Fashion for weight Women“, e cila duhet të shkruhet “Moda për gratë me peshë”; pasi që fjala “femër” anglisht del “female”. Sipas botëkuptimit filozofik kemi parime të shëndosha dhe parime të trasha: e para është e mirë, e dyta e shëmtuar; prandaj dy parimet eufemizmit nuk mund të quhen të shëndosha. Mbase shtypi shqiptar për shkak të eufemizmit ngurron që njerëzit me mbipeshë t’i quajë të trashë, ndërkohë që shtypi anglez tregohet korrekt në përputhje me normat e gjuhës angleze. Parashtrohet pyetja, kush duhet të humbë kilogramët e tepërt sipas këshillës së mjekut, njerëzit e shëndoshë apo njerëzit e trashë? Dihet që fjala është për njerëzit e trashë për humbjen e peshës, jo për njerëzit e shëndoshë. Duhet pasur parasysh se një person që nuk e zë dera e aeroplanit dhe një person që i zë dy karrige në autobus, nuk quhet i shëndoshë, por i trashë. Po të mos e ngacmonin shoqet vajzën 20-vjeçare për shkak të mbipeshës 110 kilogramë, ajo nuk do të turpërohej dhe nuk do të dobësohej. Tani ka humbur një të dytën e peshës, domethënë 55 kg, dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Prandaj edhe inati e ka arsyen e vet, për shkak se vajzën topolake e detyron të marr masa me kohë për mbrojtjen e trupit. Nëse merr notë të dobët, zemërohen prindërit, nëse merr not të mirë, e përgëzojnë.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...