Home / Lajme / NË GJUHËN DHE TRADITËN SHQIPTARE KAFSHËT NGORDHIN

NË GJUHËN DHE TRADITËN SHQIPTARE KAFSHËT NGORDHIN

Beqir Elshani

Derisa gjuha angleze e ka të vetmen fjalë died (stop living) = vdes (pushoj së jetuari), që përdoret si për njerëzit dhe bimët, ashtu edhe për kafshët, gjuha shqipe ka fjalën kuptimplote vdes për njerëzit dhe bimët si dhe ngordh për kafshët. Në faqet e shtypi elektronik shpeshherë shkruhet për jetën e drurit dhe të pyjeve, të cilët në vend se të shkruajnë për vdekjen e drurit dhe pyllit, shkruajnë “pylli i ngordhur”. Edhe pse në letërsi pëllumbi, bilbili, kau, ujku, luani si kafshë biologjike ngordhin. Mirëpo nëse thuhet “vdes pëllumbi i paqes”, “vdes bilbili i gjuhës shqipe” dhe “vdes ujku i detit”, vdes bleta e fushës”, atëherë janë shprehje metaforike, meqë në rastin parë flitet për vdekjen e njeriut të paqes, në rastin e dytë për vdekjen e gjuhëtarit shqiptar, në të tretin për vdekjen e detarit të vjetër me përvojë të madhe, kurse në rastin e katërt për vdekjen e gruas punëtore. Pastaj dallimi në mes vdekjes së Bletës dhe Luanit si dhe ngordhjes së bletës dhe luanit është se për të parët flitet për vdekjen e njerëzve, kurse për të dytët flitet për ngordhjen e kafshëve. Ndryshe me fjalën vdes që në gjuhën shqipe ka përdorim të gjerë, fjala ngordh përdoret vetëm për kafshët kur pushojnë së jetuari, kurse për veprime tjera përdoret si shprehje figurative. Sipas traditës së gjuhës shqipe kafshët nuk ndërrojnë jetë, as nuk vdesin, por ngordhin, meqë eufemizmi ndërroi jetë është vetëm për qeniet njerëzore, që do të thotë zbutje e dhimbjes për emërtimin e vdekjes, edhe pse kjo fjalë librore nuk përdoret në lajmet ditore, pos në krijimtari artistike. Psh. nëse thuhet “Jugosllavia vdiq”, është lajm libror, meqë është krijuar me dashurinë e sllavëve, me synim për shtypjen dhe vrasjen e popullit shqiptar, por nëse thuhet “Jugosllavia ngordhi”, atëherë është lajm ironik, të cilën e thonë shqiptarët që kanë vuajtur të zitë e ullirit. Prandaj Jugosllavia për popujt sllavë ka qenë parajsë, kurse për shqiptarët ka qenë përbindësh. Duhet pasur parasysh se shprehje figurative është edhe kur për armikun thuhet “Ngordhën fashistët”, ashtu siç është shprehje figurative edhe për kafshën “Vdiq papagalli im”.

Prandaj shprehja figurative “Ngordh pas librave” dhe “Vdes pas librave” ndryshon, sepse shprehja e parë është ironike, e dyta ka kuptim metaforik që do të thotë se njeriu lexon shumë. Ndërsa shprehja figurative “E ngordhi në dru”, ka kuptimin e rrahjes me pasoja të rënda”, jo të vdekjes. Për vrasjen e ariut në malet e Kosovës, shtypi shkroi “Ariu bie prej shkëmbit në lumë dhe vdes”. Për habi, në lajm vdekja e ariut është përsëritur disa herë. Nuk besoj që fshatarët thonë që ariu vdiq, meqë tradicionalisht thonë ariu cofi (lexo: ngordhi). Duhet pasur kujdes me lajmin “Truri i derrit rikthehet në jetë katër orë pas vdekjes”, pasi që kafshët nuk vdesin, por ngordhin. Kurse shprehja “Mes jetës dhe vdekjes së derrit” duhet të jetë “Mes jetës dhe ngordhjes së derrit”. Duhet pasur parasysh në strukturën e togfjalëshit “vdiq derri” dhe “ngordhi derri”, e para është shprehje ironike ndaj njeriut mizor, e dyta biologjike. Edhe lajmi i përkthyer nga shtypi anglez “Loneliest duck has died” shqip është botuar “Rosa e vetmuar ka vdekur, kurse duhet të jetë “ka ngordhur”, meqë sipas natyrës së gjuhës angleze fjala ngordh nuk ekziston, prandaj kafshët, insektet dhe bimët vdesin, ndërsa në gjuhën shqipe njerëzit dhe bimët vdesin, kurse kafshët dhe insektet ngordhin. Gjithashtu zjarri dhe flaka si pjesë e botës bimore vdes.

Shtypi shqiptar për ngordhjen e bletës shkruan me eufemizëm: “Miliona bletë vdesin në Kroaci – shkaku i katastrofës natyrore”. Ky lajm në të cilin flitet vetëm për vdekjen e bletës, kurse në shtypin kroat prej nga ky lajm është përkthyer, nuk shkruan për vdekjen, por për ngordhjen e bletës: “U Hrvatskoj uginule milijun pčelice – uzrok prirodne katastrofe“. Nuk dihet nëse shtypi nën ndikimin eufemizmit, nuk ka guxim të shkruajë për ngordhjen e bletës. Sipas traditës popullore shqiptare bleta është e bukur dhe bijë e dritës, prandaj sipas stilistikës letrare vdes, mirëpo shkencërisht ngordh, sepse është insekt dhe bie në grupin e kafshëve. Në anën tjetër, në letërsi e në fe mund të shkruhet me eufemizëm, që bleta, kali, lopa vdesin, kurse njeriu ndërroi jetë, shkoi në parajsë, në qiell e të ngjashme, mirëpo sipas gjuhës standarde shkruhet që bleta e bletarit ngordhi, jo vdiq, sepse bleta është mizë, ndonëse është mizë fisnike dhe e frytshme. Kështu shkruhet, sepse është lajm shkencor, për shkak se në shkencë njerëzit vdesin, kurse kafshët ngordhin. Gjithashtu të vegjlit e dhelprës quhen këlyshë, prandaj dhelpra kujdeset të mos ngordhin, meqë nuk vdesin.

Shembulli i fjalisë “Mjellmat rrinë së bashku dhe vdesin së bashku” duhet shkruar ”…ngordhin së bashku”. Sipas legjendës kënga e fundit e mjellmës quhet kënga e vdekjes, mirëpo në biologji mjellma nuk vdes, por ngordh, sepse është kafshë. Duhet pasur kujdes se sipas FGjSh njeriu është qenia më e lartë që është e aftë të mendojë e të flasë, të bëj vegla e t’i përdorë ato në procesin e punës shoqërore, prandaj vetëm kjo qenia e arsyeshme njerëzore vdes, kurse të gjitha kafshët, qoftë edhe lopa që me qumështin e saj ushqen mbarë njerëzimin në botë, nuk vdes, por ngordh si të gjitha kafshët e botës shtazore. Edhe pula që sipas përrallave që bën vezë të arta, nuk vdes, por ngordh, siç ngordh mbarë fisi i zogjve. Siç dihet, Ezopi dhe La Fonteni në fabulat e tyre shpeshherë flasin për vdekjen e kafshëve, mirëpo me anën e tyre fabulistët personifikojnë njerëzit.

E njëjta gjë vlen edhe për traditën indiane, vend ku lopa nderohet dhe mishi saj nuk hahet, as nuk milet, ndaj kur të ngordhë, thonë vdes ose ndërroi jetë. Përkundrazi tradita e gjuhës shqipe nuk bën përjashtime në gjuhët dhe në traditat e huaja, prandaj duhet të thuhet se lopa, kali, bibani apo qeni dhe macja ngordh dhe jo vdes (ndërroi jetë), kurse mishi i lopës në shumë vende të botës hahet. Po si të mos hahet mishi, kur vetë qumështi është pjesë e mishit të lopës. Ne nuk i detyrojmë indianët që të thonë se lopa ngordhi, por as ne nuk i detyrohemi traditës indiane që të themi se lopa apo kali vdes, sepse është shkelje e traditës kombëtare e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Prandaj populli shqiptar, në rastet, kur dikujt i ngordh një kafshë shtëpiake, sado që është me pasoja të rënda ekonomike, shprehet me mospërfillje “e marrtë të ligën (të keqen)”.

Me një libër anglisht shkruante për qenin “Henric died”, mirëpo vështirë të përcaktohet nëse flitet për Henrikun njeri apo për Henrikun qen. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ngordhjen e qenit “Arthur has died”, mirëpo nuk mund të dihet nëse flitet për njeriun apo për qenin që quhet “Artur”, prandaj nëse është fjala për qenin, duhet shkruar “Arturi ka ngordhur”, jo “Arturi ka vdekur”, pasi që kafsha ngordh, kurse njeriu vdes. Me fjalë të tjera, dallimi në mes vdekjes së Arturit dhe ngordhjes së Arturit është se i pari është njeri, ndërsa i dyti kafshë. Nëse fshatari për qenin e tij thotë: “Napoloni im ka vdekur”, atëherë krijon huti te lexuesi shqiptar. Prandaj për të ditur që flitet për kafshën, duhet shkruar “Napoloni im ka ngordhur”. Duket qartë që kafshët me emra njerëzish në spitalin e kafshëve nuk vdesin, por ngordhin. Po të thoshte ndonjë qytetar shqiptar “Qeni im vdiq në aksidentin rrugor”, kuptohet që fëmijët shqiptarë do të qeshnin me të, sepse ata e dinë që njeriu vdes, kurse kafsha ngordh. Po shprehem me pak humor, po të dinin kafshët do të zemëroheshin për fjalën vdekje në vend të fjalës biologjike ngordhje ngjashëm siç zemërohen njerëzit për fjalën e kundërt. Eufemizëm është edhe kur njeriu qenin e thërret “Ku je djalë?”, ose “Më vdiq djali”, kurse pelën e quan vajzë të bukur, me anën e së cilës dëshiron ta nderojë kafshën e tij mike. Këtë dhunti e ka gjuha shqipe, të cilën pak gjuhë në botë e kanë, prandaj thonë vdes njeriu, ngordh qeni, macja dhe zogu. Pikërisht anglisht thuhet në dy variante të drejta gramatikore “My son died”, si për njeriun ashtu edhe për kafshën.

Në lajmin “Beteja e vështirë e djemve kundër anakondës për të shpëtuar qenin nga vdekja mizore” duhet shkruar “…nga ngordhja mizore”, pasi qeni është kafshë. Bota shtazore dhe bota njerëzore me fjalën e vetme leksikore jeton, mirëpo derisa e para ngordh, e dyta vdes. Gjithashtu edhe bota bimore vdes, psh. “Mali pa lisa vdes, ndërsa kafshët ngordhin”. Pastaj nervi pamor i qenit si pjesë e organit anatomik vdes, ndërsa qeni ngordh. Duhet pasur parasysh nëse thuhet “pas vdekjes së bilbilit apo dallëndyshes, atëherë janë emra me të cilët nderohen krijuesit letrarë në dallim me emrat e kafshëve për të cilët duhet shkruar “ngordhi bilbili dhe dallëndyshja”. Në shembullin anglisht “When the mountain dies, the animals die” përkthimi i fjalës së dyfishtë “die” do të dilte “vdes”, mirëpo sipas natyrës së gjuhës shqipe fjalia përkthehet “Kur vdes mali, vdesin kafshët”, meqë njerëzit, malet dhe lumenjtë vdesin, ndërsa kafshët, zogjtë, peshqit dhe insektet ngordhin. Një ngjarje historike për mbretin epirot, tregohet se kur Pyrroja vdiq, shqiponja u pikëllua aq shumë sa që prej mosngrënies ngordhi (När kung Pyrro avled, blev örn så sorgsen att den slutade äta och dog). Kjo do të thotë derisa në shembullin suedisht kemi dy herë vdes, një shembullin shqip kemi një vdekje dhe një ngordhje; dmth. njeriu vdes, kurse kafsha ngordh.

Shtypi botëror për ngordhjen e hundëbririt të bardhë 55-vjeçar në Kopshtin Zoologjik Francez, shkroi “Vdes hundëbriri më i vjetër i bardhë në botë”. Dihet që ky lajm është përkthyer prej anglishtes “World’s oldest white rhino has died” (Ka ngordhur hundëbriri i bardhë më i vjetër në botë). Nëse novelisti dëshiron të shkruajë tregim për kafshët, mund të shkruajë për vdekjen e tyre, mirëpo si lajm zyrtar dhe si temë shkencore duhet shkruar me fjalën konkrete ngordh, të cilën pak gjuhë e kanë sikur gjuha shqipe, pasi që anglisht dies përdoret si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët. Lajm i njëjtë i pazakonshëm për vdekjen e kafshëve është botuar në shtypin shqiptar “Është hedhur në gjyq Akuariumi francez për shkak të vdekjes së peshkaqenëve” në vend se të shkruhet për ngordhjen e parakohshme të 30 peshkaqenëve. Duhet pasur parasysh, dallimin në mes fjalisë “vdekja e peshkaqenëve” dhe “ngordhja e peshkaqenëve”, në shembullin e parë flitet për lajmin ironik ndaj armiqve, kurse në shembullin e dytë flitet për ngordhjen e dhimbshme të kafshëve, siç janë peshkaqenët në Akuariumi i Nausica në qytetin Boulogne-sur-Mer në jug të Francës. Sidomos në fjalinë e ngatërruar “Ai vdiq nga kërpudha e njëjtë që shkaktoi vdekjen e 29 peshkaqenëve të tjerë”, nuk dihet nëse flitet për vdekjen e njeriut apo peshkaqenit. Për habi, shtypi shqiptar për vrasjen e balenave shprehet me eufemizëm, që kanë vdekur nga grepat dhe litarët e gjuetarëve që çuan trupat e tyre në breg. Për lajmin suedisht “Död val hittades i Baltik” shtypi shqiptar shkruan “Balena e vdekur u gjet në Baltik”, në vend se të shkruante “Balena e ngordhur…”. Dihet, balenat e mëdha, si çdo peshk në det, dhe si çdo zog në qiell nuk vdesin, por ngordhin. Nëse anglisht thuhet “I found a dead snake”, shqip thuhet “Unë gjeta një gjarpër të ngordhur”, jo “…”të vdekur”, “a dead dolphin on the beach”, (delfin i vdekur në bregdet), por “delfin i ngordhur në bregdet”.

Ndryshe me fjalën angleze “died” që përfshihen njerëzit, kafshët dhe zogjtë, pothuaj çdo gjë në jetën dhe aktivitetin e tyre, në gjuhën shqipe me fjalën vdes përfshihen njerëzit, malet dhe objektet, ndërsa me fjalën ngordh, përfshihen të gjitha kafshët. Prandaj nuk thuhet “Kafshët vdesin nga i nxehti në Australi”, por “ngordhin”, as “Kërpudhat janë zbërthyes të trupit të bimëve dhe kafshëve të vdekura”, por “të ngordhura”. Kurse në vend të fjalisë ”Varri i kafshës së vdekur” duhet të jetë ”Varri i kafshës së ngordhur”, qoftë edhe varr me simbol fetar, sado që njerëzit e duan. Mirëpo nëse njeriu e nderon kalin e ngordhur, atëherë shkruan me thonjëza: “Vdes” sokoli im, “Vdes” mbreti i kafshëve – luani”, kurse për kafshën mike shkruan “Vdes” macja e shtëpisë. Përkundrazi nëse njeriu dëshiron të tallet me vdekjen e armikut, atëherë shkruan me ironi: “Ngordhi” tradhtari, “Ngordhi” qeni udbash, “Ngordhi” bajlozi” e të ngjashme.

Kafshët ngordhin, kurse njerëzit dhe bimët vdesin
Është bërë një traditë e keqe, sa më shumë gazeta që botohen, aq më shumë gabime gjuhësore shfaqen. Dihet që shtypi nuk e ka vetëm rolin e informimit, por edhe rolin edukativ dhe zhvillimit kulturor ndaj masës, me revolucionarizmin e ideve përparimtare. Nëse shtypi shkruan për një ngjarje në pyll, dhe në kllapa shpjegon që ”ujku është kafshë grabitqare”, lexuesit do të neveriten me shpjegimin e tepërt, që do të thotë sikur lexuesit nuk e dinë ç’është ujku. Duhet pasur parasysh: nëse nxënësi në hartim shkruan ”vdes lopa, kali apo zogu”, atëherë merr notë të dobët. Fatkeqësia më e madhe është se fëmijët shqiptarë me edukatën familjare e dinë që kafsha ngordh, mirëpo kur rriten, atëherë thonë se kafsha vdes. Kjo do të thotë se fjala ngordh po pëson dy gabime kryesore: e para, si fjalë drejtshkrimore e gjuhës shqipe dhe e dyta, si pjesë e etikës familjare dhe shoqërore, meqë për vdekjen e njeriut dhe ngordhjen e kafshës po shkruhet ndërroi jetë. Kështu fjala tradicionale vdekje po zhduket prej fjalorit të gjuhës shqipe. Derisa në shumë vende të botës merren masa për mbrojtjen e gjuhës kombëtare dhe ndëshkimin ndaj atyre që shkelin rregullat e drejtshkrimit të gjuhës, në trojet tona krekosen me futjen e fjalëve të çoroditura, me anën e së cilës shformojnë gjuhën shqipe në masën e gjerë shqiptare.

Me një lajmi ditor të shtypit dhe informatorit elektronik shkruante: “Många nötkreatur dör varje år till följd av skador från metallskärvor i magen”, (Shumë kafshë vdesin çdo vit si pasojë e dëmtimit nga ciflat metalike në stomak), duhet të jetë “Shumë bagëti ngordhin…”, pastaj ”Vdes qeni brenda në valixhe”, duke vazhduar me tekstin e mjerë: ”Kafsha e gjorë vdiq për shkak të një krize nervash”, me anën e së cilës shkelen rregullat e gjuhës e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, sepse për veshin e popullit shqiptar është e padurueshme të dëgjojë shprehjen jashtë traditës dhe kulturës shqiptare për vdekjen e qenit apo kalit. Po ashtu një lajm tjetër shkruante: “Në moshën 15 vjeçare vdes qeni më i shëmtuar në botë”, duket qartë se nuk është fjala për eufemizëm, por pakujdesi e shtypit, të cilët lajmin me burim nga shtypi angleze, fjalën died (vdes/ngordh). Ngjashëm është keqpërkthyer lajmi për ngordhjen e kafshëve në botë “300 milionë kafshë vdesin çdo vit në testime laboratorike”, në vend të fjalës kapitale – ngordhin. Siç duket, shkaktar i mospërdorimit të fjalës shqipe ngordh për kafshët, është bërë shtypi i huaj fizikë dhe elektronik, meqë për togfjalëshin anglisht “the dead horse”, rezultati i përkthimit në google nuk del “kali i ngordhur”, por “kali i vdekur”. Pastaj në dallim me gjuhën suedeze “Dödsstraff för brottslingen och rabiatiska hunden” (Dënim me vdekje për kriminelin dhe për qenin e tërbuar), shqip shkruhet “Dënim me vdekje për kriminelin dhe dënim me ngordhje për qenin e tërbuar”. Pastaj shembulli i fjalisë: “Mannen och hans hund dog i bilen” (Njeriu dhe qeni i tij vdiqën në makinë), kurse sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe duhet të shkruhet: “Njeriu vdiq dhe qeni i tij ngordhi në makinë”. Ngjashëm anglisht me të njëjtën fjalë si për njerëzit ashtu edhe për kafshët thuhet: “The dead man, and his dead horse”; “The horse is dead” dhe “The man is dead”, kurse shqip shkruhet veçmas: “Njeriu ka vdekur dhe kali i tij ka ngordhur”. Pastaj në lajmin “Gjejnë një piton të vdekur me stomak të fryrë, shokohen kur i çajnë barkun, gjejnë iriqin e vdekur” duhet shkruar “Gjejnë një piton të ngordhur…”, kurse në vend të barbarizmit “shokohen” duhet shkruar fjalën e qëlluar shqipe “befasohen”, pasi që janë kafshë, por do të ishte tronditje po të kishte kafshuar ndonjë njeri. Një lajm tjetër i çuditshëm është për torturimin e kafshës “Një kujdestar në kopshtin zoologjik në Francë ka rrahur për vdekje strucin”, në vend se të shkruhet për ngordhje. Për ngordhjen e kafshës më të vjetër në Kinë shkruan: “Vdes panda më e vjetër në botë”, në vend se të shkruhet “Ngordh panda…”. Edhe ky lajm është marrë nga shtypi anglez me titullin “The world’s oldest panda has died”, me që fjala “has died” ka kuptim të përgjithshëm: si për njerëz ashtu edhe për kafshët dhe bimët. Ndërkohë që gjuha shqipe e ka fjalën e përshtatshme biologjike për ngordhjen e kafshëve, zogjve dhe insekteve, dhe për vdekjen e njerëzve. Prandaj në vend shprehjes për vdekje duhet shkruar për ngordhje, që as si shprehje metaforike nuk duhet të përdoret. Po qe se shtypi për luanin e ngordhur shkruan “Luani vdiq”, atëherë lexuesit do ta marrin për qenie njerëzore, me që sipas natyrës së gjuhës njeriu vdes, kurse kafsha ngordh. Pastaj në shkrimin shkencor në revistën për fëmijë “Pionieri” “A mërziten kafshët kur u vdesin të afërmit?”, duhet shkruar “…kur u ngordhin të afërmit?”. Gjithashtu edhe në shembullin e fjalisë “kafshët mund të mbajnë zi për vdekjen e të afërmeve” duhet shkruar “…për ngordhjen e të afërmve”. Me eufemizëm është shkruar edhe lajmi për ngordhjen e qenit 11-vjeçar, për të cilin shkruan që u nda nga pronarja e tij ditën e Krishtlindjes. Duket qartë që shtypi shqiptar nuk ka guxim të shprehet se qeni i pronares ka ngordhur, ngjashëm siç kanë ngordhur macet e shenjta në Egjiptin e vjetër.

Një laramani të ngjashme kemi edhe me lajmin e pakuptueshëm po aq edhe të pasjellshëm për ngordhjen e kafshës oktapodi në Oberhausen të Gjermanisë, i cili si kafshë e zgjuar e detit kishte bërë parashikime të sakta të ndeshjeve në kampionatin botëror. Duket qartë që këtu mungon guximi i shtypit shqiptar që të shkruajë me fjalor të natyrshëm shqip, për shkak se të gjitha kafshët prej milingonës deri te luani ngordhin, ndaj as nuk vdesin shkencërisht, as nuk ndërrojnë jetë fetarisht. Mendoj se pak njerëz kanë besuar që në lajmet sportive flitet për ngordhjen e kafshës, sepse kur njerëzit kanë lexuar për vdekjen e oktapodit me emrin Paul, kanë menduar se flitet për vdekjen e njeriut me dy këmbë. Një lajm tjetër prej danishtes përkthehet kështu: “Tigerunge dog inför besökarna på Zoo i Köpenhamn”. (Vogëlushi tigër vdiq para vizitorëve), kurse duhet përkthehet: “Këlysh tigri ngordhi para vizitorëve në Zoo Kopenhagë”. Në lajmin e zbulimit biologjik “Gjendet këlyshi 18.000 vjeçar” shkruan: “Këlyshi ishte vetëm dy muajsh kur vdiq, por falë kushteve të akullta në Siberi, trupi i tij u ruajt në mënyrë të përsosur, përfshirë leshrat, surratin dhe dhëmbët”, duket se është lajm i përkthyer nga anglishtja bazë. Prandaj fjalia në gjuhën shqipe duhet të jetë “Këlyshi ishte vetëm dy muaj kur ngordhi”, pasi që kafshët në gjuhën shqipe nuk vdesin, por ngordhin si të gjitha kafshët e botës shtazore. Pastaj “Äldsta kråkan över 25 år gammal Europa har döt” (Sorra më e vjetër në Europë mbi 25 ka vdekur) në vend se të shkruhet “…ka ngordhur”, pasi që në suedishte njeriu dhe kafsha vdesin. Kurse elefanti në kamboxhia që për 15 ka bartur turistë, nuk vdes nga lodhja, por ngordh, sepse është kafshë. Ka raste kur shtypi elektronik në vend të fjalës së natyrshme shqipe “këlysh qeni, ujku, ariu, mace, lepuri, elefanti, që i përkasin pjellës së vogël të një gjitari, shkruajnë sipas origjinalit anglisht: i vogli i tigrit, i qenit, i maces etj. Në lajmin “Në Kil janë gjetur 20 kondorë të helmuar me insekticid, prej të cilit dy zogj kanë vdekur, kanë kumtuar zyrtarët”, kuptohet që zyrtarët kilianë kanë kumtuar për ngordhjen e zogjve, jo për vdekjen e tyre nga ndotja e mjedisit natyror.

Kështu ndodh edhe me një shkrim në art-cafe, ku autori për ngordhjen e kafshës së bukur, kalit, shprehet me stil të lartë: ”Gjatë garës, kali i lodhur vdes aksidentalisht dhe Vronski shpëton me pak lëndime”. Me një lajm tjetër ditor shkruante se ”Gibsoni, një qen i po të njëjtës racë vdiq nga kanceri i eshtrave”, kurse sipas rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe duhet shkruar ”…ngordhi nga kanceri i eshtrave”. Kështu shkruhet edhe për gjirafën, për të cilën fëmijët do të mendojnë sikur kjo kafshë e madhe e veçantë nuk ngordh, por vdes: “Në kopshtin zoologjik në Indonezi vdiq një gjirafë, në barkun e saj u gjetën 20 kg plastikë”. Natyrisht që ky lajm është përkthyer nga gjuha e madhe angleze: “At the zoo in Indonesia a giraffe died in her womb was found 20 kg of plastic”, në të cilën togfjalëshi anglisht a giraffe died në gjuhën shqipe duhet të shkruhet ngordh një gjirafë. Me një lajm tjetër të shtypit ditor shkruante ”Helmohen 20 kondorë, dy vdesin”, kur dihet që kondorët bien në grupin e kafshëve, prandaj ngordhin. Pastaj në enciklopedinë elektronike në gjuhën shqipe “wikipedia”, ku flitet për ndotjen e ujërave në Kosovë, shkruan: “Është gjetur një breshkë e vdekur në brigjet e detit Argjentinas, e cila ka vdekur si pasojë e ngrënies së mbeturinave plastike që hidhen në Oqean”, është një shkrim që bie në kundërshtim me etikën njerëzore, me që të gjitha kafshët në botë nuk vdesin, por ngordhin, që tradicionalisht fshatarët thonë breshkë e coftë. Dallimi në mes lajmit të zgjeruar dhe të thjeshtë, më i qartë është lajmi i thjeshtë. Prandaj në vend të lajmit të zgjeruar ”Një burrë e risjellë në jetë një qen, i cili gjendej pa shenja jete” duhet të shkruhet ”Një burrë e ringjall një qen, i cili gjendej pothuaj i ngordhur”, pasi që vetëm fjala ”ringjall” domethënë kthej përsëri në jetë.

Ngjashëm shkruan edhe në librin e mrekullueshëm “555 kuriozitete” të Jorgaq Perikës, se në Egjiptin e lashtë pas vdekjes trupat e luanëve balsamoheshin, kurse për breshkën gjigante në Oqeanin Indian shkruan se vdiq në vitin 1918, kur dihet që ky libër është shkencor, ndaj duhet shkruar me tekst shkencor; ngordh për kafshët dhe vdes për njerëzit. Gjithashtu edhe për breshkën e shenjtë tremijë vjeçare që ruhet në muzeun kinez nuk thuhet e vdekur, por e ngordhur, meqë i takon grupit të kafshëve, që nuk e kanë aftësinë mendore dhe nuk janë në gjendje të veprojnë në mënyrë të ndërgjegjshme si njerëzit. Po e përshkruaj një koment të një lexuesi në faqen elektronike “Telegrafi”, i cili nga zemërimi për vdekjen e qenit, redaksisë i shkroi se “Qeni vdiq, kurse gazetari ngordhi”. Në lajmin tjetër shkruan “Argëtohen duke parë qentë që përleshen deri në vdekje“, në të cilën me anën e fjalës vdekje lexuesi dyshon se flitet për vdekjen e njerëzve, kurse në lajm flitet për përleshjen e qenve deri në ngordhje. Edhe në shembullin e fjalisë “Nuk ka jetë shpendësh në plazhe, sepse të gjithë peshqit dhe shumica e bimëve vdesin në Detin e vdekur, të tillë të kripur” duhet të shkruhet ndaras: “Nuk ka jetë shpendësh në plazhe, sepse të gjithë peshqit ngordhin dhe shumica e bimëve vdesin në Detin e Vdekur”. Pastaj lajmi për ngordhjen e kafshëve nga gjuha angleze “death of animal” dhe “animal die” nuk përkthehet vdekja e kafshës as kafsha vdes, por ngordhja e kafshës dhe kafsha ngordh. Psh. në lajmin në suedisht “Död apa väcker oro för feber” dhe “Död man väcker oro för feber, në shembullin e parë flitet për kafshën, prandaj shkruhet: “Majmuni i ngordhur shqetëson për ngritjen e temperaturës”, ndërsa në shembullin e dytë flitet për njeriun: prandaj shkruhet: “Njeriu i vdekur shqetëson për ngritjen e temperaturës”. Duhet pasur kujdes, sepse nëse shkruhet vdekja e majmunit apo e qenit, atëherë mund të merret për ironi ndaj njeriut pasi që në letërsi majmunët vdesin, ndërsa në biologji ngordhin, sepse janë kafshë. Gjithashtu në faqe 67 të romanit shkruan: “Ndërkohë, nëntë prej tyre kishin vdekur. I varrosa duke njoftuar se kishin vdekur nga një sëmundje e rrezikshme”. Sipas ngjarjes në roman flitet për ngordhjen e kafshëve, edhe pse me alegori, duhet të shkruhet “Kishin ngordhur prej sëmundjes”. Nëse pronari i firmës, zoti Xhons, vdes si njeri, kafshët në fermën e tij nuk vdesin, por ngordhin si të gjitha kafshët në botën shtazore. (nuk burimi e librit). Prandaj kali, siç është Bukefali i Lekës së Madh dhe shqiponja e Pirros, pastaj mbreti i kafshëve – luani, sado miq apo kafshë të lavdishme qofshin nuk vdesin, por ngordhin si të gjitha kafshët, shpezët dhe insektet në botë. Vërtet Leka i Madh, pas humbjes së mikut të tij, Bukefali në moshën 30 vjeçare, e varrosi me nderime ushtarake, mirëpo kali ngordhi si kafshë biologjike, sepse nuk ishte qenie njerëzore.

Dukuri e ngjashme në traditën indiane, në vendin ku mbrohet kulti i kafshëve, sidomos i lopës dhe i elefantit, shtypi shkruante me shprehje figurative: “Indianët përcjellin me lutje dhe lule elefantët e pajetë”, kuptimi i të cilëve do të thotë se elefantë janë të ngordhur që bien në grupin e gjitarëve. Duket qartë që ceremonia e varrimit të elefantit është bërë në mënyrë fetare sipas besimit hindu, mirëpo shtypi duhet të shprehet me tekst administrativ. Prandaj kafsha e pajetë quhet e ngordhur, kurse njeriu i pajetë quhet i vdekur, gjithashtu gjuha e zhdukur dhe druri i thatë quhen të vdekur. Pikërisht pas varrimit të Tutankamonit në Egjiptin e vjetër janë sakrifikuar shumë gra skllave dhe kuaj, që sipas paragjykimeve duhej të kujdeseshin për mbretin e vdekur në botën tjetër. Prandaj arkeologu nuk shkruan për gratë skllave të vdekura dhe kuaj të vdekur, por për gratë e vdekura dhe kuajt e ngordhur. Të njëjtin kult kishin edhe ilirët, në tumat e njerëzve të vdekurve janë gjetur kafshët që adhuroheshin. Prandaj arkeologu shqiptar shkruan që në tumat ilire u gjet trupi i vdekur njeriut me kaun e ngordhur (jo kaun e vdekur). Dukuri tjetër është kur shtypi ose nuk e di ose ngurron, sepse i vogli i elefantit quhet këlysh, ashtu siç quhet këlyshi i bushtrës, por edhe të gjitha kafshëve e racës së qenit quhen këlyshë. Dukuri tjetër është kur në faqet e shtypit elektronik “I vogli i elefantit nuk pranon të largohet nga nëna e vdekur”, në vend se të shkruhet “Këlyshi i elefantit nuk pranon të largohet nga nëna e ngordhur”. Kurse në shembullin e lajmit në vend të fjalëve të nënvizuara: “Nuk është befasi që delfinët vajtojnë kur vdes një i tyre. Hulumtuesit thonë se delfinët kalojnë kohë të vështira duke e pranuar vdekjen, dhe shpesh qëndrojnë me të vdekurin e tyre për shumë ditë duke vajtuar” duhet shkruar: ngordh, ngordhur dhe ngordhurin.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...