Home / Opinion / BRITMAT E LUFTËNXITËSIT SERB NË TIRANË

BRITMAT E LUFTËNXITËSIT SERB NË TIRANË

Beqir Elshani

(Shkrim nga arkivi im)

Gjenden disa kafshë të egra, prej të cilëve duhet marrë shembull për mbrojtjen strategjike të atdheut, dhe këta janë bizonët që jetojnë në Amerikën Veriore. Këto kafshë të murrme mbrohen me brirët e tyre të thepisura dhe me trupin e tyre të fuqishëm e të shkathët. Në rast se ujku sulmon tufën e bizonëve, bizonët formojnë një qark me viçat e tyre në mes. Për të marrë ndonjë viç, bishat grabitqare do të mundohen të thyejnë rezistencën rreth e përqark dhe në fund duke mos pasur sukses do të largohen me bishtin nën këmbë. Kjo mbrojtje strategjike e bizonëve është sa interesante po aq edhe e mrekullueshme. Me pak fjalë, simbolika e qëndresës së këtyre kafshëve është se po të bashkohen të gjithë shqiptarët pa dallime fetare dhe partiake, fitorja është e pashmangshme. Kujtoni këngën popullore të Bajram Currit: “Bukë po rri pa ngran vetëm për Kosovë”, që do të thotë se mbarë populli shqiptarë duhet të jetë syçelë përballë pushtuesit shekullor serbosllav. Megjithatë po ndodh e kundërta, jo që liderët – ajka e burokracisë shqiptare si në Shkup, Prishtinë e në Tiranë nuk janë të uritur, por janë anemik për vuajtjen e gjysmës së popullit shqiptar nën robërinë e fqinjëve grabitqarë.

Ndryshe me strategjinë e bizonëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, tregoi përkulje qengji përballë armikut serb me anën e së cilës Beogradin e trimëroi për kolonizimin e Kosovës. Konkretisht, kryebashkiaku i Tiranës si dhe tiranasit e ngazëllyer dolën inferior përballë Beogradit kriminal me fitila të ndezur kundër popullit shqiptar. Treguan respekt jashtëzakonisht të madh, ndaj këngëtarit, përndryshe mik i kriminelëve serbë, të cilët kanë masakruar boshnjakë, shqiptarë e kroatë, ngjashëm siç tregohej respekti ndaj Musolinit të Romës. Çka do të bëjë Edi Rama në të ardhmen kur të nderohet një krijues boshnjak? Më e çmuar do të ishte po t’i dhurohej ndonjë boshnjaku, qoftë edhe po të kishte gjysmën e talentit se që iu dhurua trashëgimtarit të Millosheviqit. Prandaj a do të guxojë Edi Rama që në të ardhmen të nderojë krijuesin boshnjak, birin e popullit të masakruar dhe përdhunimet nga paramilitarët serboçetnikë. Mbase një ditë në Tiranë do të hyj ndonjë trashëgimtar i albanologut kroat Milan Shuflai, të cilin për inat se ishte mik i popullit shqiptar, e vrau “crna ruka” (dora e zezë serbe), dhe ai duke mos pranuar dhuratën shqiptare, do të vë në lojë përkuljen tiranase. Pastaj a do të guxojë Edi Rama të nderojë veprimtarët apo krijuesit e mëdhenj, siç janë: Adem Demaçi, Dr. Rexhep Qosja, Dr. Agim Vinca, Reshat Sahitaj etj. Së pakut për nder të Ukshin Hotit dhe shumë shqiptarëve të zhdukur nga murtaja serbe nuk duhej nderuar agjitatorin serb – Goran Bregoviqin, me çelësin e popullit shqiptar që janë viktimë e shovinizmit serbosllav.

Pa dyshim se mbarë shqiptaria do të fyhet me dhënien e çelësit të Tiranës agjitatorit serb nga dora e një kryebashkiaku kozmopolit. Kjo tregon se Tirana gjunjëzohet para pushtuesit gjakatar, që njëherit shkel gjakun e motrave dhe vëllezërve të Kosovës. Jo vetëm të Kosovës, por edhe për nder të viktimave boshnjakë dhe kroatë, sidomos me kryeveprën e masakruesit serb – Srebrenicën, nuk duhej t’i jepej çelësi birit serb, pa kërkuar falje ndërkombëtare Serbia tepërfashiste. Duket sikur diplomacia shqiptare është e prirë ndaj përkuljes së huaj, meqë kështu veproi edhe kryeministri Sali Berisha, ai armën e trimit Isë Boletini e nxori nga dollapi i Muzeut Kombëtar dhe ia dhuroi ish-kryeministrit britanik John Major. Ia dhuroi pikërisht në Londër, qytet në të cilin në vitin 1913 u gjymtua Shqipëria jonë etnike.

Pastaj pritja e grupit artistik serb dhe ceremonia e nderimit me çelësin e kryeqytetit shqiptar nuk duhej të bëhej së paku para se të kalojnë një shekull vitesh nga masakrat që ka shkaktuar Serbia kriminale ndaj popujve të pafajshëm boshnjak e shqiptar. Dikush do të thoshte se po të ndodhte e kundërta që solisti i talentuar Kastriot Tusha të nderohej me çelësin e Beogradit si do të reagonim ne shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Pa dyshim që dallimi është bukur i madh. Së pari në Beograd do të nderohej artisti i popullit të paqes dhe lirisë, popull që kurrë në jetën e tij nuk ka qenë vrasës as pushtues i tokave të huaja. Përkundrazi Serbia, në mënyrë dinjitoze, konsiderohet një ndër pushtuesit më të mëdhenj dhe vendi më problematik në Ballkan dhe Evropë: AJO ka qenë dhe mbetet vrasëse dhe kolonizuese e trojeve shqiptare. Nuk kam asgjë kundër rrobave folklorike të orkestrinës serbe në Tiranë, edhe pse i përkasin shtetit me synim të kolonizimit të Kosovës, mirëpo, po të ndodh që orkestrina shqiptare të paraqitet para publikut beogradas, pa dyshim që radikalët serbë do të sulmonin solistët shqiptarë. Raste të tilla ndodhin edhe në Athinë, ku për inat të këngës shqiptare dhe flamurit kuqezi vriten me dhjetëra të rinj shqiptarë.

Në fund shtoj, se zotëri Rama, solistin serb e shpalli qytetar nderi të Tiranës, tani çka do t’u thotë nënave pa sy – bijtë e tyre të vrarë dhe të zhdukur nga dora kriminale serbe. Çfarë ironie, në kohën kur heroi dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbledh fondin e tij prej 5 milionë eurosh për mbrojtjen e pafajësisë së tij në Gjykatën e Hagës, qytetarët e Tiranës derdhin fondin e tyre në xhep të shkjaut, që me ato para Serbia mund të blej armë dhe të vrasë rininë e bukur shqiptare të Kosovës. Sipas këngës popullore që dikur këndohej në valët e Radio Tiranës “Gjaku i dëshmorëve, o, nuk bëhet, ujë”, megjithatë gjaku i dëshmorëve shqiptarë po bëhet jo vetëm ujë, por edhe moçal mushkonjash. Po shkelen idealet e dëshmorëve për çlirimin e pjesëve të shkëputura me darët e dhunshme diplomatike dhe bashkimin e tyre me nënën më të dashur – SHQIPËRINË.

Ndryshe me zbavitjen e rinisë tiranase nën tingujt e Goran Bregoviqit, artistët danezë kanë bërë një mesazh, të cilët me anën e shkrimeve të ngjitura mbi pllakate kanë treguar se NATO dhe qeveria serbe nuk interesohen të arrestojnë kriminelët serbë. Artistët danezë, që ishin në Serbi gjatë varrimit të Millosheviqit, kishin mbetur të habitur nga mungesa e vullnetit të serbëve për dorëzimin e Mladiqit në Gjykatën e Hagë, kështu njoftonte agjencia e lajmeve në Londër. Më kujtohet një film i Bosnjë Hercegovinës, kur një gjerman pas përfundimit të luftës punonte infermier në spitalin e Sarajevës. Një ditë infermieri gjerman hyn në dhomën e të plagosurve për të dhënë injeksione. Posa e pa partizani i plagosur menjëherë vrapoi tek dritarja dhe tha: “Po nuk e nxorët jashtë gjermanin, unë do të bëj vetëvrasje”. Kot u munduan shokët tij ta bindin pacientin se infermieri është amnistuar dhe punon në shërbim të vendit. Megjithatë pacienti shtoi se tërë kohën kishte luftuar kundër fashizmit gjerman, ndaj ku dinte se ç’mbante shiringu i tij?

(Marrë nga albaniapres, 2014)

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...