Home / Histori / DJEGIA E FASADËS PRANË XHAMISË

DJEGIA E FASADËS PRANË XHAMISË

Shkruan: Beqir Elshani

Kushtuar veteranit të UÇK-së – Hysen Gegaj

Djaloshi me një bidon benzinë kaloi skaj murit të xhamisë dhe papritur e derdhi në lulishten e mbjellë me qiparisa dekorues me emrin “TITO”, që ishte emër i udhëheqësit jugosllav. Për habi, qytetarët e Therandës, që kishin parë djaloshin me bidon në dorë, menduan se po i vadiste lulet, mirëpo ishin mashtruar, sepse era e benzinës dhe tymi i zi ua prishi mendjen, ndaj si reaksion i mbyllën hundët me dorë. Pas pak gufoi flaka dhe peizazhi i gjelbër i Titos, u shkrumbua me rrënjë, sa që nuk mbeti asnjë fije bari në shpatin pranë xhamisë në qendër të qytetit. Vera sado e thatë që ishte, sa që edhe malet i digjte, por nuk e digjte dot peizazhin e gjelbër skaj xhamisë, meqë, siç thuhet, titistët nuk e lënin të fishket. Në librin “Manastiri i Parmës”, shkrimtari francez, Stendali, shkruan se duke predikuar priftërinjtë fjalën e zotit, kërkonin të arrinin qëllime të larta; prandaj pushteti reaksionar në Kosovë duke predikuar titizmin, dëshironte për të arritur në hierarkinë e fashizmit jugosllav.

Në anën e kundërt të rrugës qendrore gjendej kafeneja me tarracë e me shkallë të shumta, aty zakonisht hanin e pinin pushtetarët komunalë, kënaqeshin duke shikuar peizazhin e “Titos” që gjendej matanë rrugës, mu në hyrje të xhamisë. Pikërisht në tarracën e kafenesë ishte sulmuar me thikë kryeudbashi, Millan Gjuriq, i cili në aksionin e mbledhjes së armëve, në dimrin e vitit 1956, ka rrahur për vdekje me dhjetëra shqiptarë të pafajshëm. Po ky kryedbash kishte prekur edhe në moralin e familjeve shqiptare, nën direktivat e tij është dhunuar një nuse e sapomartuar shqiptare, në fund, për të mbuluar gjurmët, e kishin mbytur. Duket qartë që barbaria serbe me të gjitha metodat çnjerëzore i terrorizonte banorët e e vendit. Për fat të keq, thika e kryengritësit therandas për hakmarrje nuk arriti ta shuajë nga faqja e dheut gjakatarin serb, megjithatë pas rënies së kasapit federativ – Aleksander Rankoviçit, është arrestuar dhe në procesin gjyqësor dënohet tre vjet burg. Flitej se spiunët shqipfolës nuk e kishin harruar mikun e tyre serboçetnik, ende shpresonin për lirimin dhe kthimin e tij në pushtet, duket qartë, kryeudbashi u jepte zemër këlyshëve të tij se së shpejti do të vazhdonte zanatin e terrorit në Kosovë. Sipas këngës popullore të Dervish Shaqës, “Kurrë Kosovë s’tu da gazepi”, ashtu edhe ndodhi, kolonizatori serb kishte thyer qafet, tani pas rënies së sundimtarit Rankoviq, vinte udbashi i dresuar, lindur e rritur në Kosovë. Megjithatë luftën e popullit shqiptar për liri dhe bashkim me shtetin amë, asnjë pushtues nuk mund ta ndalte, ndaj edhe diplomacia europiane e kishte kot të merret me mbrojtjen e shtetit përbindësh me emrin Jugosllavi.

Atë ditë ishte e martë, ditë tregu në qytet, ndaj të gjithë njerëzit e panë flakën që ndizej para se në Kosovë të vinte Revolucioni i vitit 1981. Djaloshi trim mund ta bënte edhe ditëve tjera gjatë javës, mirëpo ai donte që flakën e “lulishtes” në shpat ta shikonte mbarë populli; donte t’u tregonte se liria fitohet: – me flakën e barotit. Derisa qytetarët e përgëzonin djaloshin trim për djegien fasadës në qendër të qytetit, Komiteti Komunal së bashku me bandën e vet u hallakatën, ata e intensifikuan kontrollin në mbarë komunën e Therandës – ditë e natë. Agjentët jugosllavë nëpër institucione dhe fabrika punëtorët me forcë i detyronin të bënin roje edhe gjatë natës, me anën e së cilës donin t’i torturonin banorët, në mënyrë që të jetojnë me ankth. Prandaj në kohën kur me afshin e shfrenuar ushtonin këngët për Josip Broz Titon në Radio Prishtinë, djaloshi guximtar, porsi Kajo Karafili partizan, i vuri zjarrin oazës me qiparisa të gjelbër – dimër e verë. Një gjë dihet, stafeta e Titos, rinisë shqiptare i kishte ardhur në maje të hundës dhe nuk e duronte dot. Për çdo vit arsimtarët detyroheshin t’i nxirrnin nxënësit në rrugë, duhej brohoritur emrin e qoftëlargut, ndërkohë që titistët po i zbardhnin dhëmbët në tribunën trengjyrëshe të mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Prandaj dikush duhej të shkonte në neuropsikiatri: ose populli që me arsye të shëndoshë e urrente fashizmin jugosllav ose servilët që keqas ishin dashuruar në murtajën jugosllave. Me dhjetëra automjete për shkak të manifestimit ndaleshin në të dy anët e rrugës, duhej pritur derisa të përfundonte manifestimi torturues dhe të vazhdonin udhëtimin në drejtimet e tyre. Një fillorist, me portretin e Titos në dorë, kaloi pranë një kamioni, ndaj shoferi i nervozuar nga pritja e gjatë në rrugë, ia kishte pritur: “Eh, more çun, kur të rritesh, do ta shash…”. Duket qartë, shoferi nuk dëshironte që çuni të bëhet jeniçer i perandorisë jugosllave. Prandaj me djegien e fasadës qytetarëve të Therandës, djaloshi trim ua kishte vrarë frikën, më vonë në Prishtinë do ta vriste klikën titiste. Këtu e ka vendin anekdota afrikane, në të cilën thotë: “Kush ia del në luftë me krokodilin, ia del në luftë me leopardin”, prandaj edhe Hysen Gegaj që në fëmijëri ia kishte dalë në luftë me udbashët për djegien e fasadës, më vonë do t’ia dalë të sfidojë titistët zyrtarë që kërkonin vrasjen e udhëheqësit të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Sipas traditës popullore, rapsodëve shqiptarë me sharki e çifteli nuk u kishte hije të këndonin për pushtuesin tradicional: “Lum e lum për kët’ Kosmet, na ka ardh Tita n’posetë…”. Duket qartë që veprimi i këngëtarëve shqipfolës ishte në dëm të popullit shqiptar, meqë barbarizma metrike “kosmet” e “pesetë” simbolizonte prangat e robërisë për popullin shqiptar. Sa i përket këngës popullore “…Marshall Tita n’kali t’bardhë”, këngëtarin morbid duhet përkujtuar se protagonisti jugosllav nuk erdhi në Kosovë me kali të bardhë, që simbolizon jetën dhe bujarinë, tipare që kurrë nuk i kishte, por me tankun e zi për të shtypur e për të vrarë popullin shqiptar që kërkonte barazi kombëtare. Në vazhdim, po të shikohet kuptimi i vargut, del se “Kosmet” është emër i sajuar nga Serbia kolonizuese, që është krijuar nga kompozita “Kosovë e Metohi”, kompozitë që edhe sot serbët nuk e fshijnë nga kujtesa e tyre patologjike. Në atë kohë ligji jugosllav ndalonte që populli shqiptar të quhet me emër e mbiemër shkencor “alban” e “albanski”, që ishte një trajtim fashist për ta veçuar popullin vëlla të Kosovës me popullin e shtetit amë – Shqipërinë. Një gjë dihet, një pushtues që pushton një vend të huaj, ia gjen edhe emrin e çoroditur administrativ, dhe njëri ndër ta ishte “Metohija” që sipas serbishtes do të thotë “pronë kishtare”. Prandaj vetë emri kishtar “metohi” tregonte qëllimin e mohimit të tokës arbërore. Ishin sajime që nuk jetuan më shumë se dy dekada. Para se të pushtohet pjesa veriore e Shqipërisë Etnike, Kosova sipas pozitës gjeografike është quajtur Kosova lindore e perëndimore dhe jugore e veriore, KURRË JO “Kosova i Metohija”.

Një ndër ngjarjet tronditëse ka qenë kur disa poetë të Kosovës shkruanin vjersha për Titon, edhe më tronditëse ka qenë kur rapsodët shqiptarë të veshur me kostum kombëtar – me tirq e me plisa të bardhë si maja e Lubotenit, gjithashtu të lindur e të rritur në Drenicën kreshnike të Azem e Shote Galicës, me afsh këndonin për kryetarin jugosllav që Kosovën po e mbyste në gjak. Vërtet, Titoja kishte luftuar kundër fashizmit gjerman, mirëpo aty ku e kishte lënë Hitleri gjerman, e vazhdoi moshatari i tij kryesllav, që për popullin shqiptar ishte më i zi se i pari. I vetmi dallim ishte, se fashizmi gjerman krimet i bënte ditën dhe atë në mbarë botën, kurse fashizmi serb natën dhe atë vetëm në Kosovën shqiptare. Serbët Titos ia kishin ngritur Shtëpinë e Luleve në Beograd, që e nderonin si tempull, pasi që tërë jetën punoi në shërbim të shovinizmit jugosllav, përkundrazi në Therandë duhej djegur lulishtet, librat dhe fotografitë e tij, sepse për popullin shqiptar nuk ishin askush tjetër pos vrasës. Konkretisht, ishte një kryetar shteti që popullit ia la sahatin e luftës në derë. Prandaj kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore, serbosllavët nuk u gëzuan aq fort për çlirimin e vendit nga fashizmi gjerman, por u gëzuan që Serbia e tyre u çelikos për pushtimin e trojeve shqiptare. Vlen të përforcohet se shovinizmi serb është sëmundje e rrezikshme, (duke përfshirë të gjitha institucionet dhe kishat), ngjashëm siç ka qenë nazizmi gjerman në LDB. Fashizmi gjerman është marrë me zhdukjen e hebrenjve, edhe fashizmi serb është marrë me zhdukjen e shqiptarëve dhe boshnjakëve në mbarë gadishullin ilirik. Kroatët i shpëtoi feja e krishter, përndryshe do të kishin fatin tragjik të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Ose  e kundërta, po të ishiin shqiptarët dhe boshnjakët të krishter, Serbia nuk do të guxonte të sulmonte asnjë vend fqinj.

Re të zeza kishin mjegulluar sytë e solistëve servilë, këndonin për Titon që ua kishte hapur rrugën në drejtim të tokave arabe matanë Detit të Madh, ndërkohë që në rrugët shqiptare në drejtim të Tiranës rrotulloheshin makinat e blinduara ushtarake. Me të drejtë parashtrohet pyetja, pse besimtarët e Therandës nuk e dogjën fasadën provokuese, të cilët për çdo ditë kanë kaluar përskaj shpatit dhe që fort mirë shihej pranë xhamisë? Si nuk janë kujtuar që në pikë të verës së thatë të ndezin ndonjë cigare dhe kinse nga pakujdesia ta djegin lulishten me emrin e satrapit, i cili shqiptarët i ka shtypur një kohë të gjatë. Atëherë ishte një kohë shumë e vështirë, haxhilerët (pa asnjë ditë shkollë) priteshin me daulle, ndërkohë që Kosova më së shumti kishte nevojë për mjekë shqiptarë për mbrojtjen e shëndetit të popullit, që mjekonin shqip, në mënyrë që të mos vinin mjekët e huaj nga republikat fqinje. Vetëm arsimimi dhe emancipimi mund ta shpëtonte popullin shqiptar, prandaj shovinizmi serbosllav e pengonte me të gjitha mjetet. Vlen të përmendet se në kohën kur është ngritur pallati i madh i Savës në Beograd, punëtorët e sindikatës së Kosovës kanë dhënë mjete vjetore falas për ndërtimin e shkollave fillore në mbarë Kosovën. Në atë kohë Serbia është tërbuar prej zemërimit, sepse shqiptarët nuk ndërtonin xhami, por shkolla, prandaj shovinistët serbë thoshin se çdo shqiptar i shkolluar është armik i Jugosllavisë. Po e përsëriti, jo shqiptar fetar, por shqiptar i shkolluar.

Në fund të shkrimit po tregoj se djaloshi trim, që me rrënjë e shkrumboi fasadën e gjelbër me emrin e Tito xhelatit, është Hysen Gega nga Sallagrazhda, fshat që shtrihet në juglindje të Therandës, atje rrëzë shpatit të Malit Sharr, i cili më vonë, qysh në rini, do të shkojë të punojë në Gjermani, dhe atje do t’i bashkohet grupit revolucionar në krye me Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Udbashët e Prishtinës e kishin torturuar Hysenin, donin të dinin, se nga e kishte marrë idenë e ndezjes së lulishtes në qendër të qytetit. Mbase ata dyshonin se prapa djaloshit qëndron ndonjë ideolog i madh, mirëpo Hysen Gega ua kishte thënë troç, se idenë e kishte marrë prej djegies së Raistagut Gjerman, në prag të Luftës së Dytë Botërore. Më vonë, kur tashmë ishte bërë burrë dhe krahu i djathtë i udhëheqësit të madh të Lëvizjes Popullore të Kosovës – Jusuf Gërvallës, qarqet titiste në Prishtinë i ofrojnë shpërblim për vrasjen e strategut revolucionar – Jusuf Gërvallës, mirëpo a ka nënë e baba në botë që mund të vriste fëmijët e vet, ndaj kurrë nuk mund ta bënte as trimi i paepur – Hysen Gega nga Theranda heroike.

Lavdi jetës dhe veprës së veteranit – Hysen Gegaj!

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...