Home / Lajme / PËR FESTËN E ILINDENIT DHE FALSIFIKIMIN E HIMNIT TË SHTETIT

PËR FESTËN E ILINDENIT DHE FALSIFIKIMIN E HIMNIT TË SHTETIT

Partitë politike kinse nacionaliste në Maqedoni, fërkohen bullgarisht, pjellin rusisht dhe vajtojnë serbisht, ndërsa pjellën e propagandës së tyre e ushqen dhe e rrit edhe politika qorre e shqiptarëve.
Disi është e kuptueshme pse pushteti aktual e shënon përvjetorin e 2 gushtit, të kryengritjes së Ilindenit në Krushevë (1903) dhe të KAÇKM në Pelince të Kumanovës (jo në manastirin Prohor në Serbinë e sotme, ku është mbajtur mbledhja e KAÇKM (ASNOM) për krijimin e republikës së Maqedonisë jugosllave më 1944), por e pakuptueshme është pse një parti politike “nacionaliste” si OBRM-PDUKM, këtë vit e shënon përvjetorin e 2 gushtit në katundin Morunisht të komunës së Strugës, i cili me asgjë nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 1903 dhe as me ato të vitit 1944, që sot të përdoret nga politika si pjesë e propagandës dhe pretendimeve të hapura akspansioniste sllave mbi trojet etnike shqiptare.
Nga e gjithë historia e fryrë e kryengritjes së 2 gushitit të vitit 1903 (Ilindenit), e falsifikuar thellësisht me motive politike dhe e shtrembëruar në disa variante të ndryshme nga propaganda serbe, ajo bullgare dhe nga politika vendëse, kësaj radhe do të veçojmë vetëm tri fakte të rëndësishme:
1. Gjatë kryengritjes dhe pas dështimit të saj, kryesisht ka pësuar popullsia shqiptare vendëse e Manastirit, Krushevës, Përlepit dhe katundeve përreth. (Shih shënimet e mëposhtme)
2. Nga vendbanimet e prëfshira në atë kryengritje, në drejtim të Bullgarisës dhe shteteve të tjera, nga dhuna, reprezaljet dhe terrori i pushtetit Osman dhe nga bandat çetnike (serbe, bullgare dhe vendëse) më tepër janë shpërngulur banorë shqiptarë vendës, të krishterë dhe të besimit islam, sipas disa të dhënave mbi 70 mijë frymë. Këta banorë shqiptarë më vonë iu nënshtruan asimilimit nga pushteti bullgar i kohës, kurse ata që nuk u nënshtruan u dëbuan me dhunë në vende të tjera. (Shih fotografinë, ku shihet se udhëheqësi i tyre mban plis të bardhë)
3. Çfarë krenarie ndjejnë politikanët e sotëm të Maqedonisë Veriore, përderisa ende nuk e kanë pastruar historinë e tyre nga falsifikimet e ish-regjimit kominist jugosllav (serb), kur edhe nga teksti origjinal i himnit të shtetit është larguar emri i kryetarit të “Republikës së Krushevës” Nikolla Karevi, kurse përmendorja e të njëjtit qëndron para Parlamentit të Maqedonisë Veriore! A është ky vetëm një paradoks ballkanik, si shumë të tjerë, apo paraqet laramani dhe kujtesë të fjetur të politikës aktuale?
(1 gusht 2021)
Shënime plotësuese nga shkrimet e mia të mëhershme:
Terrori mbi popullsinë shqiptare të Krushevës dhe Manastirit me rrethinë në fillim të shek. XX, në dritën e burimeve historike
Pasojat nga Kryengritja e Ilindenit në Krushevë dhe rrethinë, nga filli i muajit gusht 1903 e më vonë, sipas burimeve historike kanë qenë:
5 328 – të vrarë dhe plagosur nga radhët e ushtrisë osmane, shumica me përkatësi shqiptare;
994 – kryengritës të vrarë dhe plagosur, shumica shqiptarë;
4 694 – civilë të vrarë dhe masakruar;
3 122 – gra dhe vasha të përdhunuara;
176 – gra dhe vasha të grabitura (kidnapuara);
12 440 – shtëpi të djegura dhe të shkatërruara;
70 835 – njerëz të mbetur pa shtëpi dhe strehim.
Një krahinë e tërë e banuar kryesisht me shqiptarë, e rrafshuar përtokë, e shndërruar në hi e pluhur!

Shumica e këtyre viktimave kanë qenë shqiptarë nga qyteti i Krushevës, i Manastirit dhe rrethinës; ata të besimit ortodoks i ka goditur pushteti osman, ndërsa ata të besimit islam i kanë goditur çetat e komitëve bullgarë dhe bandat çetnike serbe (të kamufluar).

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...