Home / Të ndryshme / NË KËMBË (Demaçit)

NË KËMBË (Demaçit)

Disa vargje në kujtim të Bacë Adem Demaçit
1.
Në qelinë e errët,
Me hekur e beton,
Thonë dhe guri zbehet,
Dhe guri ndryshon.
Në qelinë e errët,
Balli zverdhe
Trupi bëhet lluq,
Syri shteret…
E kurrizi gërmuq.
Se qelia e mugët,
Me grila dhe beton,
Është sprijë e padukshme,
Që gërryen e kafshon…
E AI ?
Në qelinë e pëgërë,
Një jetë të tërë,
Dhe kurrë nuk u zverdh,
S’u thye, s’u shemb,
Por, prore shtatdrejtë,
Ballëlartë e syzjarrtë,
Në këmbë, se në këmbë!
2.
Jo, qelia s’është e vogël,
Është e madhe e stërmadhe…
S’mund të jetë diç e vogël
Që zë një zemër aq të madhe;
Aq shumë mall e dashuri,
Aq ëndrra, dhembje, ideale…
Jo, qelia që zë atë zemër,
Mund të zërë dete e male…
Jo, qelia s’është e vogël,
Por e madhe, e stërmadhe.
1990, Nish-1996, Pr.
KA EDHE MË RËNDË
1.
I thanë:
-“Vetëm një falje do kërkuar,
Dhe gjithçka do të falet, do të rregullohet…”
U tha:
Eshte e kote.
Ç’ mund të bej, kur ajo që dua,
Është diç qe s’ falet,
Por, vetëm fitohet
2.
Helm e vrer hedhin mbi të,
E shajnë, e pështyjnë
E gjë nuk lënë pa i thënë;
Ai qesh dhe ua kthen:
“Ka edhe më rëndë…!”
Prapa grilash e hedhin,
Vargonj i vënë,
Në duar e këmbë;
Ai u thotë i buzëqeshur:
“Ka edhe më rëndë…!”
Shatë net e lënë pa gjumë,
Pikë uji pa pirë
E trohë buke pa ngrënë;
Ai u thotë sërish:
“Ka edhe më rëndë…!
3.
I thotë xhelati gojëhapur:
“O njeri i pamend!
Po ç’mund të jetë më vështirë,
Ç’mund të ketë edhe më rëndë!?”
Ai përgjigjet i buzëqeshur:
“O njeri me tepër mend!
Shumë me keq është, shumë më rëndë,
Po të jem në vendin tënd!”

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...