Home / Histori / Gjon Bruçi: Ramiz Alia do mbahet mend si tradhtar i idealeve komuniste, ja pse Berisha ishte ushtari i tij, nga udhëtimet në Paris, te rrëzimi i regjimit

Gjon Bruçi: Ramiz Alia do mbahet mend si tradhtar i idealeve komuniste, ja pse Berisha ishte ushtari i tij, nga udhëtimet në Paris, te rrëzimi i regjimit

Gjon Bruçi: Ramiz Alia do mbahet mend si tradhtar i idealeve komuniste,
20. Korrik.2021

Pas trajtimit të figurës së Mit’hat Frashërit dhe Mbretit Ahmet Zogu, gazeta “SOT”, po sjell sot për lexuesin një reagim të zotit Gjon Bruçi për figurën e ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ramiz Alia. Përmes një analize të hollë dhe të mbushur me detaje autentike, zoti Bruçi mes të tjerash shprehet se Ramiz Alia do mbahet mend si tradhtar i idealeve komuniste. Madje, zoti Bruçi shkon deri atje kur zbulon disa arsye se ish-kryeministri Sali Berisha ishte ushtari i Ramiz Alisë.

Për 41 vite me radhë (1944 – 1985), sa ishte zot shtëpie Enver Hoxha, Shqipëria socialiste qëndroi e palëkundur përballë presionit politik, ekonomik dhe ushtarak të sistemit kapitalist, që e rrethonte në afërsi dhe në distancë. Konspiracioni antisocialist dhe antishqiptar i shovinistëve fqinj dhe imperialistëve ndërkombëtarë gjatë këtyre viteve, ishte në shkallën më të lartë. Megjithatë, siç ka pohuar kryeministri britanik Toni Bler dhe vetë dokumentet e hapura të CIA-s amerikane dhe agjenturave të tjera kapitaliste, ky konspiracion imperialist kundër Shqipërisë dështoi me turp. Dështoi për dy arsye themelore: Nga masat politike, diplomatike e ushtarake që u ndërmorën gjatë periudhës së ndërtimit socialist dhe së dyti, falë unitetit të çelniktë të popullit shqiptar rreth Partisë së Punës dhe Komandantit Legjendar, Enver Hoxha.

Pa diskutim, fijet e agjenturës së jashtme shtriheshin edhe tek njerëzit tanë. Por në çdo rast, kur këto “fije” tendoseshin dhe nxirrnin kokën, Enver Hoxha godiste me grushtin e fuqishëm të revolucionit e të socializmit, duke siguruar kështu punën dhe jetën paqësore të popullit. Por fatkeqësisht, në goditjen e fundit, poshtë bërrylit të tij mbeti “derri maç”, me disa “fila” të tjerë, të cilët, pesë vjet pas ndarjes nga jeta të Udhëheqësit, do të na bënin gjëmën.           

Po kush ishte “derri maç”?

Pa asnjë diskutim, ishte Ramiz Alia, ai që pasi ishte strukur për dyzet vite si gjarpri nën gurë, pas vdekjes së Enver Hoxhës, doli mbi sipërfaqe për të helmuar jetën e gjithë shqiptarëve. Për fat të keq, edhe sot pas tri dekadash, ka midis nesh, madje edhe intelektualë të ndershëm, por naivë, të cilët thonë se Ramiz Alia, jo vetëm nuk është fajtor për përmbysjen e socializmit në vendin tonë, por madje ai, ka merita për kalimin “butë’ të sistemit, duke na shpëtuar kështu nga ndonjë hata, apo gjakderdhje mes vetit.

Ky është një mashtrim i madh klasik. “Kalimi i butë” i Ramiz Alisë, nga sistemi socialist në atë kapitalist, i kushtoi Shqipërisë mijëra të vrarë, jo në një ditë si në Rumani, por në disa muaj e vite, vrasje të cilat vijojnë edhe sot. Ky kalim “i butë” sistemesh, solli shkatërrimin e plotë të të gjithë pasurisë kombëtare të ngritur në gjysmë shekulli me radhë. Për të mos thënë më kryesoren, që vendi ynë u kthye në gjendjen e në situatën e vitit 1913 – 1914, kur Europa do të dërgonte Princ Vidin “për të na vënë në rresht”!

Historia e shqiptarëve në shekuj, njeh tradhtarë dhe renegatë jo të paktë. Por në rastin e Ramiz Alisë, tradhtia është e shumëfishtë. Ramiz Alia, është një tradhëtar e një renegat i pakrahasueshëm me gjithë skotën e tradhtarëve dhe renegatëve të së kaluarës e të së tashmes. Kjo sepse: Tradhtoi idealet me të cilat ishte “brymosur”, kishte jetuar, e kishte vepruar gjatë gjithë karrierës së tij politike. Tradhtoi Partinë Komuniste (PP) në të cilën militonte që nga mosha 17 vjeçare. Tradhtoi Luftën ANÇ, pjesëtar dhe drejtues i së cilës ishte nga fillimi e gjer në fund. Tradhtoi Komandantin e tij të LANÇ dhe Udhëheqësin e madh, që i kishte besuar e ngritur në postet më të larta të drejtimit të Partisë e të Shtetit Socialist. Tradhtoi më në fund popullin dhe vendin e tij, duke e lënë ashtu si dikur Mbreti Zog, midis katër rrugëve të “Demokracisë së gënjeshtërt e hibride”, që kishte përgatitur imperializmi për Shqipërinë dhe shqiptarët në fundvitet nëntëdhjetë. Rasti i Ramiz Alisë, besoj se është i pari në historinë tonë, që shënon “Tradhtinë e Njëshit”, çka nuk u kuptua në kohë, as nga populli, e as nga anëtarët e Partisë së Punës. E për më keq, nuk po kuptohet e nuk po besohet as sot, kur kanë kaluar tri dekada nga ajo tradhti e jashtëzakonshme dhe fatale për Shqipërinë dhe shqiptarët.

           

A ishte Ramiz Alia shkaktari i përmbysjes së socializmit në vendin tonë?

            Historinë, na mëson përvoja e shoqërisë njerëzore, e bëjnë masat; individët lozin rol të veçantë. Ramiz Alia, duke qenë në krye të piramidës së socializmit, i veshur me besimin e anëtarëve të PP dhe të masave popullore, të trashëguar nga Enver Hoxha, pati në dorë fatet e betejës së fundviteve nëntëdhjetë të socializmit kundër kapitalizmit në vendin tonë. Këtë “fat” ai e realizoi shkëlqyeshëm, veçse tashmë në favor të rivendosjes së kapitalizmit në vendin tonë. Kur themi se “fatin e betejës” e realizoi në favor të rivendosjes së kapitalizmit, kemi parasysh gjithë veprimet dhe mosveprimet e dukshme të Ramiz Alisë, pas ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës.

            Nëse do të analizonim me qetësi, sjelljet, veprimet dhe mosveprimet e R. Alisë, pas marrjes së postit të udhëheqësit të partisë e të shtetit në vitin 1985, dhe njëherësh t’i bashkëngjisim ato me çka thotë në librin “Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, që na ka lënë si “testament”, bindemi plotësisht se personazhin në fjalë, nuk e detyruan situatat që të lejonte, të inspironte dhe të realizonte ndërrimin e sistemit. Përkundrazi, e gjitha veprimtaria e tij, sidomos pas ngjitjes në majë të piramidës partiake e shtetërore, e gjer sa doli jashtë lojës politike si një “limon i shtrydhur”, ka qenë një veprimtari e mirëfilltë agjenturore, veprimtari e cila, sipas deduksionit të logjikshëm, ka nisur qysh në vitet e para të karrierës së tij politike.

Po cekim vetëm disa fakte e argumente, që tashmë njihen prej të gjithëve:

Ramiz Alia, ishte ndër udhëheqësit më jetëgjatë në drejtimin e Partisë së Punës dhe madje në pozicion të rëndësishëm, siç ishte sektori ideologjik. Si është e mundur që ai gaboi me Festivalin e 11-të, i cili do ta kishte shembur për tokë, nëse nuk do të bënte autokritikë të shpejtë dhe të “thelluar”, duke e spostuar përgjegjësinë tek vartësit e tij”? Pse Ramiz Alia, ndonëse ishte pjesëtarë i propozimeve dhe realizimeve të reformave në sektorë të ndryshëm të jetës së vendit, në librin e kujtimeve, e nxjerr vetëm si të “detyruar” nga rrethanat dhe konjukturat e kohës? Çfarë “rreziku” e nxiti Ramiz Alinë, të inicionte zgjedhjen e tij në postin e Sekretarit të Parë të KQ të PPSH, në ditën e tretë pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe pa u varrosur ende trupi i tij? Kur as nga postet, as nga aftësitë, e as nga opinioni nuk kishte asnjeri tjetër në udhëheqje, që të rivalizonte Ramiz Alinë. Në të kundërtën e asaj që porosiste gjithnjë Enver Hoxha, fill pas ndarjes së tij nga vdekja, R. Alia nisi emërtimet e panumërta të shkollave, hidrocentraleve, objekteve, organizatave shoqërore dhe gjer tek Piramida e “famshme” me emrin e Udhëheqësit. R. Alia, në vend të monumentit të Lirisë, që ishte parashikuar të vendosej në sheshin Skënderbej, pas ndarjes nga jeta të Udhëheqësit, vendosi aty shtatoren e stërmadhe të tij, duke e montuar me vida të heqshme, hileja e të cilave do të kuptohej kur turmat laramane, nën “kujdesin” e policisë dhe Ramiz Alisë, do ta rrëzonin me potere të madhe në 20 shkurtin e zi të vitit 1991. A nuk ishte Ramiz Alia, që prapa kurrizit te anëtarësisë së partisë, nisi manovrat me nomenklaturën e lartë të PP për zbërthimin dhe realizimin e platformës së Katovicës, dërguar inkonjito nga Gorbaçovi? Pas kësaj, së bashku me “filat” e tij të kalibrit të Xhelil Gjonit me shokë, nisi të krijonte Partitë e para borgjeze, si PD, PR etj., ndërkohë që komunistëve poshtë në bazë, u përbetohej për rolin e patjetërsueshëm të PPSH në udhëheqjen e shtetit dhe të socializmit. Ramiz Alia e shihte ditën për diell ambasadorin amerikan Rajerson, i cili vraponte në krah të Sali Berishës me urën e zjarrit në dorë, duke djegur e shkretuar Shqipërinë, por nuk ndërhyri, qoftë edhe me veprimet e zakonshme të shtetit ndaj përfaqësuesve diplomatikë. R. Alia kishte dijeni të plotë për takimet e agjenturave antishqiptare në katin e 15 të Hotel Tiranës, por heshti e bëri të paditurin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ngjarjen e Shkodrës të 2 prillit 1991, ngjarje që shërbeu për të bërë të pavlefshme fitoren plebishitare të PP, e cila, edhe pse e tradhëtuar nga udhëheqja, falë emrit të Enver Hoxhës, u votua me mbi 70 përqind për në Parlamentin e ardhshëm të borgjezisë. Vini re: Në zgjedhjet e para pluraliste, Ramiz Alia do të mundej në zonën e tij elektorale nga një inxhinier i thjeshtë. Mund të besohet kjo? Në asnjë mënyrë. Ishte taktika e Ramiz Alisë, i cili me këtë mënyrë, justifikoi tërheqjen nga udhëheqja e PP, duke u strukur në selinë e Presidencës, që e kishte marrë qysh në gjallje të Enver Hoxhës. Dhe “qershia mbi tortën e tradhtisë”, u duk në inskenimin e Kongresit të 10-të PPSH, ku 1500 delegatët, ndonëse hynë në Kongres me teserat e PPSH, dolën prej tij me kartonat rozë të PS-së, e cila do të shndërrohej shumë shpejt në sektin me emrin “Rilindja”.

A ishte Ramiz Alia komunist dhe pse i tradhtoi idealet e Enver Hoxhës?

            Ramiz Alia, ndonëse ishte anëtar i PKSH (PPSH) qysh në vitet e LANÇ; ndonëse militoi në këtë parti përmbi 45 vjet, duke ngjitur shkallët e karrierës politike, gjer në postin e sekretarit të Parë të saj, ai nuk frymoi për asnjë çast si komunist, as në mendime, e as në vepra. Një tjetër mision kishte marrë përsipër Ramiz Alia, atë të përmbysjes së socializmit. Historia e veprimtarisë subversioniste të imperializmit, agjentët me rreze të gjatë veprimi, i ka patur dhe i ka ende në rendin e ditës. Ramiz Alia nuk i tradhtoi idealet komuniste të Enver Hoxhës, sepse ato ideale ai asnjëherë nuk i bëri të tijat, përveçse si slogane dhe si shprehje eklektike, me të cilat ai “buburoi”, duke brejtur gjer në shkatërrim themelet e Socializmit në vendin tonë dhe të vetë Atdheut të tij me emrin Shqipëri.

Ramiz Alia, nuk ishte i vetëm në inkursionin e tij për përmbysjen e socializmit.

Kur përmenda “derrin maç”, shënova edhe “filat” (ushtarët) e tij. Fili, apo ushtari më i devotshëm i tij ishte Sali Berisha. Berisha e ndiqte Ramizin në bllokun e udhëheqjes, për t’u afruar me familjen e Enver Hoxhës. Berisha udhëtonte me Ramizin apo në një kohë me të në Paris, kur duheshin dërguar të sëmurët nga udhëheqja, apo kur do të tërhiqeshin ilaçe e pajisje për mjekësinë. Berisha do të ishte ndër të parët, që do të nxitej e të inkurajohej të fliste për pluralizmin politik e partiak. Berisha do të rekomandohej nga Ramizi të “bisedonte” me studentët, të cilët, ndonëse u hodhën në protestë për drita e ujë në konvikte, falë Ramizit dhe filave të tij të kallëpit Berisha, përfunduan në bulevard, së bashku me lumpenin e rrugëve dhe të burgjeve, duke djegur e shembur ato që ishin ngritur nga socializmi. Kjo afri midis Ramiz Alisë dhe Sali Berishës, tregon ashiqare se të dy ishin të së njëjtës skotë agjenturore.

Në mbyllje: Midis njerëzve tanë, ka ende shumë individë, madje edhe intelektualë me tituj e grada shkencore, që mendojnë se Ramiz Alia, i detyruar nga rrethanat, u mundua të manovronte për të eliminuar “gjakderdhjen midis shqiptarëve”. Përderisa kjo “legjendë urbane” të ekzistojë ende në mendjet e njerëzve tanë, vendi ynë do të mbetet në vorbullën e errësirës dhe propagandës mashtruese të sistemit kapitalist.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...